Udhëzime rreth dispozitave të veçanta për besimtaret
تنبيهات على أحكام
تختص بالمؤمنات
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Parathënie
Falënderimi i takon Allahut, që ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe që ia ka rrëfyer rrugën, i Cili krijoi çiftet mashkull e femër, prej një pike fare që hidhet. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka rival. Vetëm Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet, në këtë jetë dhe në tjetrën! Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, i cili u ngjit në qiell, tek i pa argumentet e mëdha të Zotit të vet. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për të, për familjen dhe për shokët e tij me virtyte e me cilësi të mira!
Femra muslimane gëzon pozitë të lartë në Islam. Me të janë të ndërlidhura shumë detyra. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, i veçonte gratë me udhëzime e me këshilla. Ai, në hytben e tij në Arafat, na ka porositur për to, gjë që e dëshmon obligueshmërinë e kujdesit ndaj tyre në çdo kohë, veçanërisht tani, kur me theks të veçantë sulmohet femra muslimane, me qëllim të zhveshjes së dinjitetit të saj e t’i ulet pozita. Andaj, medoemos, kërkohet vetëdijesimi i saj kundrejt këtij rreziku, si dhe përshkrimi i rrugës, që të shpëtojë prej kësaj.
Shpresoj që ky libër të jetë shenjë orientuese në këtë drejtim. Libri përfshin disa dispozita të veçanta lidhur me femrën. Është një kontribut modest e përpjekje e një të varfri. E lus Allahun të sjellë dobi përmes tij. Ky është hapi fillestar në këtë drejtim. Shpresoj të pasojnë hapa të tjerë më të mëdhenj dhe më gjithëpërfshirës drejt më të mirës e më të përsosurës.
Në rreshtat e këtij libri përfshihen kapitujt vijues:
1. Dispozita të përgjithshme;
2. Dispozita të veçanta rreth zbukurimit fizik të femrës;
3. Dispozita rreth hajzit, istihadës dhe nifasit;
4. Dispozita rreth veshjes e hixhabit;
5. Dispozita rreth namazit;
6. Dispozita rreth xhenazes;
7. Dispozita rreth agjërimit;
8. Dispozita rreth haxhillëkut e umres;
9. Dispozita rreth bashkëshortësisë e zgjidhjes së saj; dhe
10. Dispozita që e ruajnë nderin dhe dinjitetin e gruas.
Autori
KREU I PARË Dispozita të përgjithshme
1. Statusi i femrës para Islamit
Me periudhën Paraislame nënkuptohet periudha e Injorancës (Xhahilietit), në të cilën jetonin arabët në veçanti dhe njerëzit e tjerë në përgjithësi. Atëbotë, njerëzit jetonin në periudhën e ndërprerjes së dërgimit të pejgamberëve. Allahu i shikoi ata, siç ceket në hadith, arabët dhe joarabët, e i urreu të gjithë, përveç disa ndër ithtarët e Librit (që kishin mbetur të udhëzuar në porosinë e vërtetë). Në shumicën e rasteve, gruaja e kësaj periudhe jetonte në kushte mjaft të rënda, posaçërisht në shoqëritë arabe, ku ata urrenin t’u lindte vajzë. Pra, midis arabëve kishte të atillë që i varrosnin vajzat e tyre për së gjalli, derisa vdisnin nën dhé. Midis tyre kishte të atillë që i linin të jetonin, por megjithatë ato bënin një jetë poshtëruese dhe degraduese, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi një vajzë, fytyra i nxihet dhe i mbushet me mjerim. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit apo ta varrosë në dhé. Ah! Sa mbrapsht që gjykojnë ata!” (Nahl, 58-59) Gjithashtu, i Lartësuari thotë: “Kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet për çfarë faji ishte vrarë.” (Tekuir, 8-9)
Termi el-mevudetu, i cili përmendet në ajetin e mësipërm, i referohet vajzës së cilës varroset për së gjalli derisa të vdesë nën dhé. Edhe po qe se i shpëtonte varrosjes për së gjalli, ajo bënte një jetë të përbuzur e të degraduar. Nuk ishte bashkëpjesëmarrëse në trashëgiminë e të afërmit të saj, sado që të ketë poseduar pasuri të shumtë, madje edhe nëse ajo dergjej nga varfëria e nevoja, sepse me trashëgimi i privilegjonin vetëm meshkujt, e jo femrat. Madje, vetë ajo trashëgohej nga bashkëshorti i saj i vdekur, ashtu siç trashëgohej pasuria e tij.
Një grup i madh grash jetonin me një burrë të vetëm. Nuk përcaktohej numri i grave që mund t’i martonin, pa çarë fare kokën për atë se ç’vështirësi, ç’kushte të rënda e ç’padrejtësi mund të përjetonin ato.
Statusi i femrës në Islam
Me të ardhur Islami, i largoi këto padrejtësi ndaj femrës duke ia rikthyer asaj respektin njerëzor. Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre.” (Huxhurat, 13) Allahu i Lartësuar përmendi se ajo është partnere e burrit në natyrën njerëzore, ashtu siç është partnere e tij në shpërblimin e në ndëshkimin për veprat. “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahl, 97) Gjithashtu, Ai thotë: “Si pasojë, Allahu do t’i dënojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret.” (Ahzab, 73)
Allahu i Lartësuar ndaloi që femra të konsiderohet objekt trashëgimie e burrit të vdekur. Allahu thotë: “O besimtarë! – nuk ju lejohet të bëheni përdhunisht trashëgimtarë të grave.” (Nisa, 19)
Allahu ia ka siguruar asaj pavarësinë e personalitetit të saj, duke e bërë trashëgimtare e jo objekt trashëgimie. Asaj ia ka dhënë të drejtën e trashëgimit të pasurisë së të afërmit të saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Meshkujve u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit, por, edhe femrave u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit qoftë ajo pak apo shumë, si pjesë e caktuar dhe e detyruar.” (Nisa, 7) Gjithashtu, Ai thotë: “Allahu ju urdhëron për trashëgiminë tuaj: mashkullit i takon aq sa pjesa e dy femrave; nëse trashëgimtarë janë dy e më tepër femra, atyre u takojnë dy të tretat nga trashëgimia; nëse është një femër - i takon gjysma e pasurisë.” (Nisa, 11)
Si dhe argumente të tjera që kanë ardhur për trashëgiminë e femrës në cilësinë e nënës, vajzës, motrës dhe bashkëshortes.
Në sferën e bashkëshortësisë, Allahu e kufizoi martesën, e shumta katër gra, me kusht të mbajtjes së drejtësisë mes bashkëshorteve, si dhe obligoi sjelljen e mirë ndaj tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Jetoni e silluni mirë me to!” (Nisa, 19)
Dhuratën martesore (mehrin) e bëri të drejtë të pakontestueshme të saj dhe urdhëroi t’i jepet e tëra, përveç atë çka ajo lejon me vullnetin e saj të lirë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe jepuni me gjithë zemër grave tuaja dhuratën e kurorëzimit e, nëse ato ju falin me dëshirën e vet diçka prej atyre dhuratave, pranojeni atë pa frikë dhe me kënaqësi.” (Nisa, 4) Allahu e bëri atë kujdestare, që urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja në shtëpinë e burrit të vet dhe udhëheqëse të fëmijëve të saj. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Gruaja është kujdestare e shtëpisë së burrit të saj dhe përgjegjëse ndaj asaj që i është dhënë nën kujdesin e vet.” [1] Allahu e ka bërë detyrim për burrin që të shpenzojë për të dhe ta veshë atë denjësisht.
Synimet e armiqve të Islamit me zhveshjen e gruas nga nderi dhe nga të drejtat e saj:
Me të vërtetë sot armiqtë e Islamit, respektivisht armiqtë e njerëzimit, nga radhët e jobesimtarëve, hipokritëve dhe zemërsëmurëve, irritohen prej asaj se ç’nder, ç’krenari dhe ç’mbrojtje ka arritur femra muslimane në Islam. Armiqtë e Islamit, ndër jobesimtarët dhe ndër hipokritët, synojnë që femra të shërbejë si mjet shkatërrimi, si grackë në të cilën bien njerëzit me iman të dobët dhe njerëzit me instinkte mëkatare pasi t’i ngopin epshet e tyre zjarrndezëse, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë.” (Nisa, 27)
Zemërsëmurët muslimanë dëshirojnë që femra të jetë një mall i lirë në panairin e njerëzve epshorë dhe me karakter djallëzor, mall i zbuluar para syve të tyre, që të kënaqen me pamjen e bukur të tij, ose përmes tij të arrijnë në atë që është më e keqe se kjo. Mu për këtë ata kujdesen që ajo të dalë nga shtëpia e saj për t’u bërë partnere përkrah burrit në punët e tyre, ose t’u shërbejë burrave si infermiere në spital, si stjuardesë në aeroplan, si studente a si mësuese në klasat e mësimit të përziera me gjininë e kundërt, si aktore në teatër, këngëtare, spikere në mjetet e ndryshme informative, e zbuluar, magjepsëse me zërin dhe me pamjen e saj. Revistat e degjeneruara femrat joshëse e të zhveshura i bënë mjet për shitjen dhe për qarkullimin e revistave të tyre. Gjithashtu, disa tregtarë e disa kompani i morën këto fotografi si mjet për shitjen e mallrave të tyre duke i vendosur këto foto në mallrat dhe në prodhimet e tyre. Si pasojë e këtyre hapave të gabueshëm, femra është zhveshur nga roli i saj i vërtetë në shtëpi, gjë që i shtyn burrat e tyre të sjellin shërbëtore të huaja për edukimin e fëmijëve të tyre dhe për rregullimin e për mbarëvajtjen e shtëpive, gjë që shkaktoi trazira të shumta e pruri shumë dëme.
S’ka gjë të keqe që gruaja të punojë jashtë shtëpisë së saj, po qe se përfillen kriteret vijuese:
- Të ketë nevojë për këtë punë, ajo ose shoqëria, me kusht që asnjë burrë të mos ketë pasur mundësi të kryejë atë;
- Që kjo të bëhet pasi të përmbushë detyrimet që ka në shtëpi, e që është puna parësore e saj;
- Kjo punë të jetë në ndonjë ambient ku ka vetëm femra, fjala vjen, mësimdhënëse vetëm e femrave, mjeke apo dado për pacientet femra, dhe të jetë e veçuar prej meshkujve;
- Gjithashtu, s’ka pengesë, madje është e detyrueshme për femrën, që t’i mësojë çështjet e fesë së vet. Nuk ka kurrfarë të keqe që t’i mësojë çështjet e fesë së vet aq sa i nevojiten. Mësimnxënia të bëhet në ambiente ku ka vetëm femra. Për shembull, nuk ka ndonjë të keqe t’i ndjekë mësimet në xhami e të ngjashme me to, të jetë e mbuluar dhe e ndarë nga meshkujt, në dritën e asaj siç kanë qenë gratë në fillim të Islamit. Ato punonin, studionin dhe ishin të pranishme nëpër xhami.
KREU I DYTË Dispozitat që kanë të bëjnë me zbukurimin fizik të femrës
Nga ajo kërkohet t’i kryejë veprimet që i përshtaten natyrës së saj njerëzore.
Prerja e thonjve është njëra ndër to. Prerja e thonjve konsiderohet sunet me konsensusin e dijetarëve. Është veprim që i përshtatet natyrës njerëzore përmendur në hadith. Me heqjen e tyre arrihet pastërtia dhe bukuria, kurse me zgjatjen e tyre ka deformim dhe përngjasim me egërsirat. Nën thonj grumbullohen papastërti, rrjedhimisht pamundësohet depërtimi i ujit. Disa muslimane janë sprovuar me zgjatjen e thonjve duke ndjekur në këtë veprim jobesimtaret. Kjo paraqet mosdije rreth Sunetit. Femrës i rekomandohet shkulja e qimeve të nënsqetullave dhe në pjesët intime, duke zbatuar hadithin e përcjellë përkitazi me këtë çështje. Gjithashtu, kjo është pjesë e zbukurimit. Më e mira do të ishte që kjo të bëhet çdo javë, ose të mos lihet të kalojnë më tepër se dyzet ditë.
Veprimet që kërkohen prej saj dhe ato që i ndalohen: flokët, vetullat dhe dispozita e lyerjes së flokëve:
a) Prej saj kërkohet shkurtimi i flokëve, ndërkaq i ndalohet rruajtja e tyre, përveç nëse kjo është e domosdoshme. Shejh Muhamed ibn Ibrahim Al Esh Shejh, ish-myfti i Arabisë Saudite (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë: “Ndalohet rruajtja e flokëve për gratë, duke u bazuar në motërzimin e Nesaiut në Sunenin e tij, përcjellë nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Gjithashtu, Bezari shënon me zinxhirin e tij transmetues në Musnedin e tij, përcjellë nga Othmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Po ashtu, shënon edhe Ibn Xheriri me senedin e tij, përcjellë nga Ikrime. Ata thanë: “I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka ndaluar që femra ta rruajë kokën e saj.”[2] Prandaj, kur ndalesa vjen nga i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ajo nënkupton haramin (të ndaluarën), përderisa nuk ka ndonjë faktor të jashtëm që e kundërshton këtë. Mulla Ali Kariu, në librin e tij El Mirkatu Sherhu-l-Mishkati, thotë: “Fjala e tij që femra të rruajë kokën e saj, ngase kaçurrelat e grave janë të njëjta me mjekrën e burrave në dukje dhe në bukuri...”[3] Ndërkaq, sa i përket shkurtimit të flokëve të saj, nëse bëhet për ndonjë nevojë, përveç zbukurimit, siç është pamundësia për t’i mirëmbajtur ose stërzgjatja e tyre, që i shkaktojnë vështirësi, atëherë nuk ka ndonjë të keqe t’i shkurtojë ato sipas nevojës. Kësisoj vepronin edhe gratë e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, pas vdekjes së tij, ngase ato e braktisën zbukurimin me të vdekur ai dhe nuk kishin nevojë për zgjatjen e flokëve. Në anën tjetër, nëse qëllimi i femrës me shkurtimin e flokëve është përngjasimi me femrat jobesimtare e të shthurura apo përngjasimi me burrat, atëherë kjo pa dyshim se është e ndaluar. Kjo, për shkak të ndalesës së përngjasimit me jobesimtarët përgjithësisht dhe nga përngjasimi i femrës me mashkullin. Mirëpo, nëse me shkurtimin e tyre është për qëllim zbukurimi, atëherë ajo që duket të jetë më e sakta është se as kjo nuk lejohet.
Mësuesi ynë, Shejh Muhamed El Emin Esh Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij Eduau-l-bejan thotë: “E drejta zakonore që praktikohet nga ana e femrës në shumicën e vendeve me shkurtimin e flokëve afër rrënjëve të tyre është një traditë evropiane, që është në kundërshtim me atë që ishin gratë muslimane dhe gratë e arabëve para Islamit. Kjo është një ndër shumë devijimet dhe fatkeqësitë që kanë pllakosur në fe, në moral dhe në rrugën e qartë.” Ndërkaq, ndaj hadithit: “... se gratë e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, i shkurtonin flokët deri te veshët (e jo më shumë)”[4] u përgjigj duke thënë se gratë e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, i shkurtonin flokët e tyre pas vdekjes së tij, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, sepse ato zbukuroheshin gjatë jetës së tij. E, ndër zbukurimet më të mëdha qenë flokët e tyre. Ndërkaq, pas vdekjes së tij, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ato kanë gjykim të veçantë dhe kjo nuk vlen për asnjë grua tjetër në botë. Ky gjykim është se ato nuk kanë asnjë shpresë për martesë dhe nuk i shoqëron lakmia për të, sikur ato gra që presin periudhën e pritjes (idetit) deri në vdekje, për shkak të vdekjes së tij, sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Allahu i Lartësuar thotë: “Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij pas (vdekjes së) tij. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.” (Ahzab, 53) Humbja e shpresës për martesë mund të jetë shkak për lehtësimin e lejimit të disa gjërave që kanë të bëjnë me zbukurimin, që nuk lejohen përveç këtij shkaku.”[5] Prandaj, gruaja duhet të kujdeset për flokët e saj duke i bërë në formë gërshetash, e nuk i lejohet t’i mbledhë ata mbi kokë ose nga ana e pasme. Shejhul Islam ibn Tejmije, në librin Mexhmuul fetava, 22/145, thotë: “Siç veprojnë disa gra të degjeneruara duke përdredhur flokët e tyre me një gërshetë të vetme e duke i lëshuar midis supeve.”
Shejh Muhamed ibn Ibrahimi, ish-myfti i Arabisë Saudite (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë: “Ajo që veprojnë disa gra muslimane në këtë kohë duke e ndarë kokën mënjanë dhe mbledhja e saj nga ana e pasme ose të vendosurit sipër kokës, siç veprojnë gratë evropiane, nuk lejohet, sepse është përngjasim me gratë e jobesimtarëve. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell, në një hadith të gjatë, se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Dy lloje të banorëve të Zjarrit nuk kam arritur t'i shoh: Persona që mbajnë me vete kamxhikë si bishta lopësh, me të cilët i rrahin njerëzit; dhe gra të veshura, por realisht të zhveshura, të përdredhura e të krekosura, kokat e tyre u ngjasojnë gungave të deveve që peshojnë nga njëra anë, ato s'do të hyjnë në Xhenet e as nuk do ta nuhasin aromën e tij, megjithëse aroma e tij nuhatet prej një distance të largët kaq e kaq.”[6] (Shënon Muslimi) Disa dijetarë shprehjen të përdredhura e kanë komentuar duke thënë se ato janë gra që e praktikojnë ecjen tundur, e që është ecje e femrave imorale, dhe që i bën edhe të tjerat të praktikojnë ecje të kësisojtë. Kjo është mënyrë ecjeje e grave evropiane dhe e grave muslimane që i imitojnë ato.”[7]
Ashtu siç i ndalohet gruas muslimane ta rruajë kokën e saj ose t’i shkurtojë flokët pa pasur nevojë, i ndalohet t’i zgjasë dhe t’i ngjitë me flokë të tjerë, ngase në dy koleksionet e sakta të haditheve qëndron:
“I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, e ka mallkuar femrën që i ndihmon ndokujt në zgjatjen e flokëve (artificialisht apo të vërë parukë) dhe atë që kërkon t’i bëhet një gjë e tillë.”[8] El uasile i referohet gruas që vë parukë, ndërsa el musteusile i referohet gruas që i vendoset kjo. Ky veprim është i ndaluar për faktin se në këtë ka mashtrim.
Buhariu, Muslimi dhe të tjerët shënojnë se Muaviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kur erdhi në Medinë mbajti hytben, e hoqi lëmshin e flokëve dhe tha: “Ç’është puna e grave tuaja, që e vendosin këtë në kokat e tyre? E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, të thotë: “Secila grua që ngjit në kokën e saj flokët e huaj (parukë), vetëm se mashtron.”[9] Kështu, parukë janë flokët artificialë që i ngjajnë flokut të kokës, ndaj vendosja e saj është mashtrim.
b) Femrës muslimane i ndalohet heqja e vetullave ose heqja e një pjese të tyre në çfarëdo forme, përmes rruajtjes, shkurtimit ose përdorimit të ndonjë mjeti që i eviton ato, në tërësi ose pjesërisht, ngase kjo futet në hadithin e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, i cili i ka mallkuar ato gra që veprojnë kësisoj. “Pejgamberi e ka mallkuar gruan që heq vetullat (en namisah) dhe atë që i hiqen vetullat (en mutenemmisah).”[10]
En namisah i referohet gruas që i heq vetullat e saj apo një pjesë të tyre për zbukurim, sipas pretendimit të vet, kurse el mutenemmisah i referohet gruas që i hiqen vetullat nga ndokush tjetër. Ky veprim konsiderohet ndryshim i krijimit të Allahut, për të cilin djalli është zotuar se do t’i urdhërojë njerëzit me këtë gjë, siç thotë Allahu për të: “... e pastaj do t’i urdhëroj që të ndryshojnë krijesën e Allahut.” (Nisa, 119)
Ndërkaq, Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Allahu ka mallkuar ato që bëjnë tatuazhe dhe ato që kërkojnë t’u bëhet, ato që heqin vetullat dhe ato që kërkojnë t’u hiqen, ato që krijojnë hapësira ndërmjet dhëmbëve për t’u zbukuruar dhe ato që e ndryshojnë krijimin e Allahut të Lartësuar.”[11] Më pas ai tha: “Pse të mos e mallkoj atë që e ka mallkuar i Dërguari i Allahut? Kjo gjë është në Librin e Allahut të Lartësuar, pra në fjalën e Tij: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” (Hashr, 7) (Këtë e ka cekur Ibn Kethiri në Tefsirin e tij, 2/359, botimi i shtëpisë botuese Darul Endelus)
Me këtë sëmundje të rrezikshme, që konsiderohet ndër mëkatet e mëdha, sot janë sprovuar shumë gra, saqë heqja e vetullave pothuajse është bërë domosdoshmëri ditore. Gruas nuk i lejohet t’i bindet burrit të saj nëse ai e urdhëron të veprojë kësisoj, ngase kjo konsiderohet mëkat.
c) Gruas muslimane i ndalohet t’i ndajë dhëmbët e saj për zbukurim, duke krijuar hapësirëz ndërmjet tyre. Ndërkaq, nëse dhëmbët janë të shformuar dhe kanë nevojë për ndërhyrje operacionale, që të mënjanohet ky shtrembërim apo kanë kalbje (karies), rrjedhimisht ndihet nevoja për ndreqjen e tyre, që të largohet një gjë e tillë, atëherë nuk ka gjë të keqe, ngase kjo konsiderohet shërim dhe largim i shformimit. E tërë kjo të bëhet në duart e ndonjë mjekeje të specializuar.
ç) Gruas i ndalohet të bëjë tatuazh në trupin e saj, ngase Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka mallkuar atë që bën tatuazh dhe atë që kërkon t’i bëhet tatuazh. Kjo pa dyshim se është veprim i ndaluar dhe ndër mëkatet e mëdha, ngase i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka mallkuar atë që bën tatuazh dhe atë që kërkon t’i bëhet, sakaq mallkimi bëhet vetëm për ndonjë mëkat të madh.
d) Dispozita e ngjyrosjes për gratë, lyerjes së flokëve dhe stolisjes me ar:
1. Lyerja: Imam Neveviu, në librin e tij El Mexhmu, 1/324, thotë: “Sa i përket lyerjes së duarve dhe këmbëve me këna për gruan e martuar, është e preferuar (mustehab), duke u mbështetur në hadithet e njohura lidhur me këtë... Ai sinjalizon atë që ka shënuar Ebu Davudi: “Një grua e kishte pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) lidhur me lyerjen me këna. Ajo iu përgjigj: “Nuk ka kurrfarë pengese, mirëpo nuk e pëlqej. I dashuri im, i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, nuk e pëlqente erën e saj.”[12] Gjithashtu, Nesaiu shënon se po ajo (Aishja) ka thënë: “Një grua e zgjati dorën e saj tek mbante një shkresë pas një perdeje duke ia dhënë të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, kurse ai e tërhoqi dorën e tij dhe tha: “Nuk di a është dorë mashkulli a femre.” Ajo tha: “Dorë femre.” Ai iu përgjigj: “Sikur të ishe femër, do t’i ngjyrosje thonjtë, do të thotë me këna.”[13]
(Shënojnë Ebu Davudi dhe Nesaiu) Mirëpo, ajo nuk i lyen thonjtë e saj me ndonjë lëndë të ngurtë e ta pengojë pastrimin.[14]
2. Ndërkaq, sa i përket lyerjes së flokëve të femrës, nëse është e moshuar, i lyen me çfarëdo ngjyre, përveç të zezës, për shkak të ndalimit të përgjithshëm të të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, nga lyerja me të zezën. Këtë e thotë imam Neveviu në librin e tij Rijadus salihin, f. 626, kapitulli Ndalesa për mashkullin dhe për femrën nga lyerja e flokëve të tyre me të zezën. E, në librin e tij El Mexhmu, 1/324, thotë: “Në ndalesën nga lyerja me të zezën nuk ka dallim ndërmjet mashkullit dhe femrës, ky është medhhebi ynë...” Sa i përket lyerjes së flokëve të femrës, flokët e së cilës janë të zinj, për t’i shndërruar në ndonjë ngjyrë tjetër, e shoh të arsyeshme se ky veprim nuk lejohet, ngase nuk ka motiv për një gjë të tillë. Flokët e zinj, në parim, konsiderohen bukuri dhe nuk është shformim që ka nevojë për ndryshim. Gjithashtu, kjo nënkupton edhe përngjasim me jobesimtaret.
1. Femrës i lejohet të stoliset me ar e me argjend sipas traditës, e kjo në përputhje me konsensusin e muslimanëve. Mirëpo, asaj nuk i lejohet t’i shfaqë stolitë e saj në prani të burrave që nuk i ka mahremë,[15] madje ato i mbulon, veçanërisht kur del nga shtëpia dhe kur i ekspozohet shikimit të burrave, sepse kjo konsiderohet fitne (sprovë, joshje). Asaj i ndalohet që burrat ta dëgjojnë zhurmën e stolive të veta që janë në këmbët e saj nën rroba.[16] Po stolitë e dukshme?!
KREU I TRETË Dispozita rreth hajzit, istihadës dhe nifasit Së pari: Menstruacionet (hajzi)
Definicioni i hajzit
Hajz në aspektin gjuhësor do të thotë rrjedhje, kurse në terminologjinë fetare i referohet gjakut që del nga mitra e femrës në kohë të caktuara, jo për shkak të ndonjë sëmundjeje, porse është çështje që Allahu ua ka caktuar femrave. Allahu e ka krijuar në mitër për ta ushqyer embrionin gjatë shtatzënisë, pastaj, pas lindjes, shndërrohet në qumësht. Nëse femra nuk është shtatzënë e as gjidhënëse, ky gjak mbetet pa venddalje, prandaj del në kohë të caktuara, që njihet si zakon apo cikël menstrual.
Mosha për menstruacionet
Mosha kur femrës i shfaqen menstruacionet: Zakonisht mosha më e hershme kur femrës i shfaqen menstruacionet është nga nëntë- deri në moshën pesëdhjetëvjeçare. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse dyshoni për ato gra tuajat, të cilave u janë ndërprerë zakonet, mësoni se koha e tyre e pritjes është tre muaj. Njësoj është edhe për ato që nuk u kanë ardhur ende zakonet.” (Talak, 4) Ato të cilave u janë ndërprerë menstruacionet janë në moshën pesëdhjetëvjeçare, kurse atyre që nuk u kanë ardhur ende janë nën moshën nëntëvjeçare.
Dispozitat për gruan me menstruacione
a) Gjatë menstruacioneve ndalohet kontakti intim me bashkëshorten, duke u mbështetur në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Të pyesin ty (Muhamed) për të përmuajshmet e femrave. Thuaju: “Ajo është gjendje e dëmshme.” Prandaj, gjatë kësaj kohe, mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato ashtu si ju ka urdhëruar Allahu. Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” (Bekare, 222) Kjo ndalesë vazhdon derisa asaj t’i ndërpritet rrjedhja e gjakut të menstruacioneve dhe derisa të pastrohet, duke u bazuar në fjalën e të Lartësuarit: “Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato ashtu si ju ka urdhëruar Allahu.” (Bekare, 222) Bashkëshortit të saj i lejohet të kënaqet me çdo pjesë të trupit të saj, përveç kontaktit seksual, duke u bazuar në thënien e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Bëni çfarë të doni me to, përveç aktit intim.”[17] (Shënon Muslimi)
b) Gruaja gjatë menstruacioneve e lë agjërimin dhe namazin
Asaj i ndalohet agjërimi dhe namazi, ngase i bëhen të pavlefshme, duke u bazuar në thënien e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “A nuk është fakt se, kur gruaja është me menstruacionet e saj, nuk mund të falet e as nuk mund të agjërojë?”[18] (Mutefekun alejh) Ndërkaq, pasi të pastrohet, ajo e kompenson agjërimin, porse nuk e kompenson namazin, duke u mbështetur në thënien e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Na vinin menstruacionet në kohën e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ndërsa urdhëroheshim të kompensonim agjërimin, nuk urdhëroheshim të kompensonim namazin.”[19] (Mutefekun alejh) Dallimi në faktin se agjërimi kompensohet e namazi jo, e Allahu e di më së miri, është se namazi përsëritet, ndaj nuk obligohet kompensimi i tij dhe për shkak të shtrëngimit dhe vështirësisë në këtë, ndryshe nga agjërimi.
c) I ndalohet prekja e mus’hafit pa diçka të ndërmjetme
Lidhur me këtë bazohemi në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastërtit.” (Uakia, 79) Gjithashtu, bazohemi edhe në shkresën të cilën ia kishte shkruar i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, Amr ibn Hazmit: “Mus’hafin e prek vetëm i pastri.”[20] Ky transmetim i përngjan mutevatirit për shkak të pranimit të tij nga njerëzit. Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Qëndrimi i imamëve të katër medhhebeve është se mus’hafin e prek vetëm i pastri.”
E, sa i përket leximit të Kuranit nga ana e gruas me menstruacione, pa e prekur mus’hafin, është çështje e diskutueshme në mesin e dijetarëve. Më e sakta është se ajo nuk e lexon Kuranin, përveç rasteve të domosdoshme, fjala vjen, nëse frikësohet se mund ta harrojë atë, e Allahu e di më së miri!
ç) I ndalohet tavafi rreth Qabesë
Duke u bazuar në thënien e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, drejtuar Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kur i patën ardhur menstruacionet: “Bëji të gjitha veprimet që i bën haxhiu, me përjashtim të tavafit rreth Qabesë, derisa të pastrohesh.”[21] (Mutefekun alejh)
d) I ndalohet qëndrimi në xhami
Gruas me menstruacione i ndalohet qëndrimi në xhami, duke u bazuar në thënien e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Nuk e lejoj të qëndrojë në xhami gruan që është me menstruacione dhe as atë që është xhunub.”[22] (Shënon Ebu Daudi) Gjithashtu, bazohemi në thënien e tij: “Nuk i lejohet qëndrimi në xhami gruas me menstruacione e as xhunubit.”[23] (Shënon Ibn Maxhe) Asaj i lejohet kalimi nëpër xhami, pa qëndruar në të, duke u mbështetur në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila tregon: I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, më tha: “Merrma rrobën në xhami!” Unë i thashë: “Jam me menstruacione.” Ai tha: “Menstruacionet e tua nuk janë në dorën tënde.”[24] Nuk ka ndonjë pengesë për gruan me menstruacione të bëjë dhikër, fjala vjen, të thotë La ilahe il-lallah, Allahu ekber, subhanallah si dhe lutjet e ligjësuara, siç janë ato të mëngjesit e të mbrëmjes, kur të flemë e kur të zgjohemi. Gjithashtu, nuk ka ndonjë ndalesë që ajo të lexojë libra shkencorë, fjala vjen, tefsir, hadith e fikh.
Dobi lidhur me dispozitën e lëngut me ngjyrë të verdhë e të turbullt:
Lëngu me ngjyrë të verdhë është sikurse qelbi, që dominon verdhësia, kurse lëngu i turbullt i ngjan ngjyrës së ujit të ndotur e të turbullt. Nëse sasia e gjakut me ngjyrë të verdhë apo të turbullt rrjedh nga femra gjatë kohës kur ajo është me menstruacione, atëherë ajo duhet konsideruar si pjesë e menstruacioneve dhe marrin gjykimin e dispozitave që përmendëm më parë. Ndërkaq, nëse femrës i rrjedhin jashtë kohës së menstruacioneve, atëherë nuk llogariten gjë dhe femra konsiderohet e pastër, duke u mbështetur në thënien e Umu Atijes (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Pasi pastroheshim, gjakun që rridhte me ngjyrë të verdhë apo të turbullt nuk e konsideronim si gjak menstruacionesh.” (Shënon Ebu Davudi) Ndërkaq, Buhariu e shënon pa fjalët ‘pasi pastroheshim’. Kjo te dijetarët e hadithit konsiderohet sikurse të jetë përcjellë nga i Dërguari, ngase llogaritet miratim nga ana e tij, sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Mirëpo, nënkuptimi i të kundërtës do të thotë se gjaku me ngjyrë të verdhë dhe të turbullt para pastrimit konsiderohet gjak menstruacionesh, rrjedhimisht marrin gjykimin e tij.
Dobi tjetër: Si ta kuptojë femra përfundimin e ciklit të saj?
Përgjigjja: Ajo e kupton këtë me ndërprerjen e gjakut përmes dy shenjave:
E para: Ta shohë lëngun e bardhë, që del pas menstruacioneve, i cili mund të jetë edhe me ngjyrë jo të bardhë. Ngjyra e këtij lëngu mund të ndryshojë varësisht gjendjes së grave.
E dyta: Tharja. Kjo nënkupton vendosjen e ndonjë pambuku apo lecke në vendin e gjakderdhjes së menstruacioneve. Nëse del e thatë, pa pasur asgjë në të, as gjak e as lëng të verdhë apo të turbullt, nënkupton se ajo është pastruar.
Me se obligohet femra pas përfundimit të menstruacioneve të saj?
Vërejtje e rëndësishme: Nëse gruaja me menstruacione apo lehona pastrohet para perëndimit të Diellit:
Me përfundimin e menstruacioneve të gruas, ajo detyrohet të lahet duke përdorur ujin me qëllim të pastrimit të tërë trupit të saj, duke u mbështetur në thënien e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Kur të të vijnë menstruacionet, lëre namazin, e kur të të përfundojnë, atëherë pastrohu dhe falu.”[25] (Shënon Buhariu)
Mënyra e pastrimit: Ta vendosë largimin e papastërtisë apo pastrimin për namaz, e të ngjashme më këto. Pastaj thotë bismilah (me emrin e Allahut), më pas derdh ujin në tërë trupin e saj, i lag rrënjët e flokëve, nuk detyrohet t’i shprishë nëse janë gërsheta, porse vetëm u qet ujë. Nëse përdor sidër (lotus) apo elemente të tjera pastruese, krahas ujit, do të ishte mirë. Preferohet të marrë pambuk (pëlhurë) me myshk, apo me aromë tjetër, e ta pastrojë vendin e gjakderdhjes, duke u bazuar në urdhrin e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ndaj Esmës lidhur me këtë. (Shënon Muslimi) Obligohet ta falë namazin e drekës dhe të ikindisë të po asaj dite. Ndërkaq, nëse pastrohet para agimit, duhet ta falë namazin e akshamit dhe të jacisë të asaj nate, sepse koha e namazit të dytë është koha e namazit të parë në raste kur ka arsye. Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij El Fetava, 22/434, thotë: “Kësisoj, shumica e dijetarëve, Maliku, Shafiu dhe Ahmedi, ndajnë mendimin se, nëse femra pastrohet në fund të ditës, ajo e fal drekën dhe ikindinë, nëse pastrohet në fund të natës, atëherë e fal akshamin dhe jacinë, siç është përcjellë nga Abdurrahman ibn Aufi, Ebu Hurejra dhe Ibn Abasi, ngase koha është e përbashkët ndërmjet dy namazeve në rastet kur ka arsye. Nëse pastrohet në fund të ditës, atëherë koha e drekës vazhdon dhe e fal atë para ikindisë, po qe se pastrohet në fund të natës, atëherë koha e akshamit vazhdon në raste të arsyeshme, ndaj e fal atë para jacisë.”
Mirëpo, nëse hyn koha e namazit e pastaj i shfaqet cikli menstrual apo lehonia para se ta kryejë namazin përkatës, sipas mendimit të zgjedhur të dijetarëve, ajo nuk obligohet ta kompensojë (ta bëjë kaza) namazin që e ka arritur në fillim të kohës së tij duke i ardhur më pas menstruacionet apo lehonia para se ta falë atë namaz.
Shejhul Islam Ibn Tejmije, në librin e tij Mexhmuul fetava, 23/335, lidhur me këtë çështje, thotë: “Fuqia e argumentimit është me medhhebin e Ebu Hanifes dhe Malikut se asaj nuk i obligohet gjë, sepse kompensimi detyrohet me një urdhër të ri, ndërkohë këtu nuk ka urdhër që e detyron ta kompensojë. Ajo, gjithashtu, ka shtyrë një vonesë të lejuar, me ç’rast nuk është neglizhuese. Ndërkaq, sa i përket personit që është në gjumë apo atij që ka harruar, edhe pse nuk është neglizhues, namazin që e fal, nuk i konsiderohet kaza (kompensim), por për të është koha e namazit me t’u zgjuar apo me t’iu kujtuar.”
Së dyti: Istihada
1. Dispozitat e istihadës
Istihada nënkupton gjakrrjedhje jashtë kohës së saj në formë hemorragjike nga enët e gjakut. Çështja e femrës së tillë është problematike, për shkak të ngatërrimit të gjakut të menstruacioneve me gjakun e istihadës.
Nëse gjaku rrjedh prej saj pandërprerë ose në të shumtën e kohës, ajo nuk e lë agjërimin e as namazin për shkak të kësaj, sepse femra me istihadë e ka gjykimin e femrave të pastra.
Duke u bazuar mbi këtë, mund të konstatojmë se istihada ka tri raste:
- Të ketë hajz (menstruacione) të njohur para istihadës, si, para istihadës, fjala vjen, të ketë hajz pesë apo tetë ditë në fillim të muajit apo në mesin e tij. Pra, ajo e di numrin e ditëve të hajzit dhe kohën e tij. Ditët e hajzit i konsideron si hajz, e lë namazin e agjërimin dhe merr gjykimin e gruas me menstruacione. Kur i përfundojnë menstruacionet, pastrohet dhe falet, kurse gjaku i mbetur i konsiderohet gjak i istihadës, duke u mbështetur në thënien e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, drejtuar Umu Habibes: “Llogarite kohën e ciklit tënd, pastaj pastrohu dhe falu.”[26] (Shënon Muslimi) Gjithashtu, duke u mbështetur në thënien e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, drejtuar Fatime bint Ebi Hubejshit: “Kjo është nga një enë gjaku e jo nga menstruacionet. Kështu, kur të të vijnë menstruacionet, lëre faljen e namazit.”[27]
- Nëse nuk ka ditë të caktuara të menstruacioneve, porse dallohet gjaku i saj. Një pjesë e gjakut ka cilësi të gjakut menstrual, është i zi ose i errët ose përmban erë, kurse pjesa tjetër e gjakut nuk ka cilësi menstruacionesh, është i kuq, nuk ka erë e as nuk është i errët. Në këtë rast, gjaku që ka veti menstruacionesh, konsiderohet menstruacion dhe femra e lë namazin e agjërimin, kurse rastet jashtë kësaj konsiderohen istihadë. Ajo pastrohet në fund të asaj që konsiderohet menstruacion, falet, agjëron dhe konsiderohet e pastër, duke u mbështetur në thënien e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, drejtuar Fatime bint Ebi Xhahshit: “Nëse është prej gjakut të menstruacioneve, atëherë ai është i errët dhe i dallueshëm. Po qe se ke rrjedhje të këtij gjaku, mos u fal. Nëse është lloj tjetër gjaku, merr avdes dhe falu.”[28] (Shënojnë Ebu Davudi dhe Nesaiu, saktësuar nga Ibn Hibani dhe Hakimi) Prandaj, gruaja me istihadë shikon vetitë e gjakut dhe përmes tyre përcakton nëse është menstruacion apo jo.
- Nëse nuk i di ditët e menstruacioneve e as nuk ka ndonjë veçori që mund të dallojë menstruacionet. Me këtë rast, kohëzgjatja e menstruacioneve të saj konsiderohet të jetë gjashtë apo shtatë ditë të çdo muaji, kohë kjo e cila është më e zakonshmja te gratë, duke u mbështetur në thënien e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, drejtuar Himne bint Xhahshit: “Kjo (rrjedhje) është prej ndikimeve të shejtanit, prandaj llogarite kohën e ciklit gjashtë apo shtatë ditë, pastaj pastrohu derisa të vëresh se je pastruar mirë. Pastaj falu përgjatë 23-24 ditëve-netëve dhe agjëro e falu. Kësisoj vepro në çdo muaj, duke pasur parasysh atë që bëjnë gratë dhe ashtu siç pastrohen.”[29] (Shënojnë të pestët, saktëson Tirmidhiu)
Me një fjalë, nga ajo që u cek, gruaja e zakonshme u referohet ditëve të menstruacioneve të saj, ajo që dallon llojin e gjakut vepron në bazë të këtij dallimi kurse ajo të cilës i pamundësohen këto, llogarit menstruacionet gjashtë apo shtatë ditë. Në këtë ka harmonizim të tri suneteve të përcjella nga i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, lidhur me istihadën.
Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ekzistojnë gjashtë shenja: menstruacionet, që konsiderohen shenjat më të fuqishme, ngase në parim janë menstruacionet; dallimi, ngase gjaku i zi dhe i errët është më parësor të jetë menstruacion sesa gjaku i kuq; llogaritja e kohës së zakonshme të menstruacioneve të grave, ngase, në parim, është gërshetimi i të veçantës (të rrallës) me të përgjithshmen. Lidhur me këto tri shenja tregon Suneti dhe llogaritja.” Më pas përmendi shenjat e tjera, për të cilat folëm. Në përfundim ka thënë: “Mendimet më të qëlluara janë ato që i marrin në konsideratë shenjat me të cilat ka ardhur Suneti dhe anulimi i çdo gjëje tjetër...”
Me se obligohet mustehada (femra me istihadë) në rast të gjykimit të saj se është e pastër:
- Obligohet të lahet në fund të menstruacionit të saj, siç sqaruam më lart.
- E pastron organin gjenital për të evituar atë që del prej tij për çdo namaz dhe vendos pambuk, a diçka të ngjashme, që pengon daljen e diçkaje nga brendia e organit, e shtrëngon (mbështjell), e pastaj merr avdes kur të hyjë koha e çdo namazi, duke u bazuar në thënien e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, për mustehadën: “E lë namazin gjatë ditëve të ciklit të saj e më pas pastrohet dhe merr avdes për çdo namaz.”[30] (Shënojnë Ebu Davudi, Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu, që ka thënë se hadithi është hasen) Gjithashtu, në thënien e tij: “Ta propozoj pambukun, ai do të ta ndalë gjakun.”[31] Mund të përdoren edhe tamponë mjekësorë që ekzistojnë sot.
Së treti: Rrjedhja e gjakut pas lindjes së fëmijës (nifasi)
a) Definicioni dhe kohëzgjatja
Nifasi (lehonia) nënkupton gjakun që rrjedh nga mitra pas lindjes për shkak të këtij procesi. Ai është pjesa e mbetur e gjakut të grumbulluar gjatë kohës së shtatzënisë në mitër. Kur femra lind, ky lloj gjaku del pak nga pak. Ndërkaq, rrjedhjen e gjakut që e sheh femra para lindjes, me shenjat e lindjes, është nifas. Juristët islamë atë e kanë specifikuar me dy apo tri ditë para lindjes. Ai zakonisht fillon paralel me lindjen. Lindja që merret në konsideratë është ajo në të cilën dallohet krijimi i foshnjës. Periudha minimale kur dallohet krijimi i njeriut është tetëdhjetë e një ditë, ndërkaq më e zakonshmja është tre muaj. Mirëpo, nëse dështon (hedh barrën) para kësaj periudhe dhe ka rrjedhje gjaku, femra nuk i kushton vëmendje, rrjedhimisht për shkak të kësaj rrjedhjeje nuk e lë namazin e as agjërimin sepse llogaritet gjak i çrregullt dhe hemorragji dhe merr gjykimin e femrës me istihadë.
Periudha maksimale e nifasit kryesisht zgjat dyzet ditë, duke filluar nga lindja apo dy a tri ditë para saj, siç përmendëm më lart, duke u mbështetur në hadithin e Umu Selemes (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Gjatë kohës së të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, periudha e lehonisë për një grua ishte 40 ditë.”[32] (Shënojnë Tirmidhiu dhe të tjerët) Lidhur me këtë çështje ka konsensus mes dijetarëve, siç thonë Tirmidhiu dhe të tjerët. Ndërkaq, nëse pastrohet para dyzet ditësh, duke iu ndërprerë rrjedhja e gjakut, atëherë merr gusël (lahet) dhe falet. Nuk ka limit të caktuar për periudhën minimale, ngase nuk është e përcaktuar. Kur plotësohen dyzet ditë, pa iu ndërprerë rrjedhja e gjakut, nëse qëllojnë ditët e menstruacioneve të saj, atëherë ajo i konsiderohet menstruacion, kurse nëse nuk i qëllojnë ditët e menstruacioneve, vazhdon pa iu ndërprerë, atëherë ajo i konsiderohet istihadë. Prandaj, për shkak të këtij gjaku nuk e lë adhurimin pas kalimit të dyzet ditëve, e nëse i kalon dyzet ditë, nuk vazhdon dhe nuk qëllon në ditët e menstruacioneve, atëherë kjo është një çështje për të cilën dijetarët ndajnë mendime të ndryshme.
b) Dispozita të ndërlidhura me nifasin
Dispozitat e nifasit (lehonisë) janë po ato të menstruacioneve. Ato janë si vijon:
1. Ndalohen marrëdhëniet intime me lehonën, ashtu siç ndalohen edhe me gruan me menstruacione, kurse lejohet të kënaqurit me pjesë të tjera të trupit.
2. Lehonës i ndalohet të agjërojë, të falet dhe të bëjë tavaf rreth Qabesë, ashtu siç i ndalohet edhe gruas me menstruacione.
3. Lehonës i ndalohet prekja e mus’hafit dhe leximi i Kuranit, përveç nëse frikësohet se do ta harrojë, sikurse gruas me menstruacione.
4. Lehona detyrohet ta kompensojë agjërimin obligativ, të cilin e ka lënë për shkak të lehonisë, ashtu siç bën edhe ajo me menstruacione.
5. Lehona detyrohet të lahet me ta kryer lehoninë, ashtu siç obligohet edhe ajo me menstruacione.
Sa u përket argumenteve lidhur me këtë, janë si vijon:
1) Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë kohës së Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, periudha e lehonisë për një grua ishte 40 ditë.” (Shënojnë të pestët, përveç Nesaiut) Mexhd ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në Munteka, 1/184, thotë: “Domethënia e hadithit është: Ato urdhëroheshin të pritnin deri në dyzet ditë, në mënyrë që lajmi të mos konsiderohet gënjeshtër, ngase është e pamundur që të përputhet koha e njëjtë e nifasit apo e menstruacioneve për të gjitha gratë.”
2) Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gruaja (lehonë) ndër gratë e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, qëndronte dyzet net gjatë nifasit, ndërkohë ai nuk e urdhëronte ta kompensonte namazin e nifasit.”[33] (Shënon Ebu Davudi)
Nëse lehonës i ndërpritet gjaku para dyzet ditësh
Dobi: Nëse lehonës i ndërpritet gjaku para dyzet ditësh, ndërkohë ka marrë gusël, është falur e ka agjëruar, duke iu rikthyer rrjedhja e gjakut brenda dyzet ditësh, sipas mendimit më të saktë, ai gjak konsiderohet nifas, kurse agjërimi i saj ndërmjet kësaj periudhe, sa ishte e pastër, është i vlefshëm, ndaj nuk e kompenson (nuk e bën kaza). Shih Mexhmu fetava shejh Muhamed ibn Ibrahim, 2/102;[34] Fetava, të shejh Abdulaziz ibn Bazit, botuar nga revista Ed Daveh, 1/44; Hashijetu ibn Kasim ala Sherh ez Zad, 1/405; Fletushkë rreth gjakrave të natyrshëm të grave, të shejh Muhamed ibn Salih Uthejminit, f. 55-56; dhe Fetava es Sadijeh, f. 137.
Gjaku i nifasit shkaktohet nga lindja, gjaku i istihadës është gjak aksidental (i rastit), kurse gjaku i menstruacioneve është i natyrshëm
Dobi tjetër: Shejh Abdurrahman ibn Sadi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nga ajo që u cek mund të konstatohet se gjaku i nifasit është për shkak të lindjes, gjaku i istihadës është gjak i rastit, për shkak të ndonjë sëmundjeje, a të ngjashme, kurse gjaku i menstruacioneve është gjak i natyrshëm, e Allahu e di më së miri!”[35]
Përdorimi i pilulave: Nuk ka ndonjë ndalesë që femra të përdorë diçka që pengon rrjedhjen e menstruacioneve, po qe se kjo nuk ia dëmton shëndetin. Nëse i përdor ato dhe menstruacionet ndalen, ajo do të agjërojë, do të falet dhe do të bëjë tavaf. Kjo i është e vlefshme sikurse grave të tjera të pastra.
Dispozita e abortit: Oj ti muslimane! Në aspektin fetar të është lënë amanet ajo që e krijon Allahu në mitrën tënde në shtatzëni, prandaj mos e fshih atë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe nuk është e lejueshme ta fshehin atë që ka krijuar Allahu në mitrën e tyre, nëse besojnë Allahun dhe Ditën e Kiametit.” (Bekare, 228)
Mos e fshih përmes abortit e t’i ikësh me çdo mjet, sepse Allahu i Lartësuar ta ka lehtësuar që ta prishësh agjërimin në Ramazan, nëse të rëndon gjatë shtatzënisë apo nëse agjërimi ta dëmton shtatzëninë. S’ka dyshim se praktikat e përhapura sot lidhur me abortin konsiderohen veprim i ndaluar. Nëse barrës i është dhuruar shpirti dhe vdes për shkak të abortit, s’ka dyshim se kjo konsiderohet vrasje e padrejtë e njeriut që e ka ndaluar Allahu, rrjedhimisht rezultojnë dispozitat e përgjegjësisë penale nga aspekti i obligueshmërisë së pagimit të dijes[36] lidhur me këtë sipas detajeve të përcaktuara në ç’vlerë, nga aspekti i obligueshmërisë së kefaretit (shpagimit) sipas disa dijetarëve, që është lirimi i ndonjë robi besimtar, nëse nuk ka mundësi këtë, atëherë agjërim dymujor pandërprerë. Disa dijetarë këtë veprim e quajnë foshnja e vogël e varrosur për së gjalli. Shejh Muhamed ibn Ibrahim (Allahu e mëshiroftë!), në Mexhmu fetava, 11/151, thotë: “Përpjekja për të abortuar barrën nuk lejohet pa u vërtetuar vdekja e saj. E, nëse vërtetohet (vdekja), atëherë lejohet.”
Akademia e Dijetarëve të Mëdhenj sipas numrit 140 të datës 20. 6. 1407 h. vendosi si në vijim:
1. Nuk lejohet abortimi në periudhat e ndryshme, përveç në rast të ekzistimit të arsyeve ligjore, madje, në mënyrë tejet të kufizuar.
2. Nëse shtatzënia është në periudhën e parë, që është brenda dyzet ditësh, e aborti në këtë periudhë bëhet për shkak të frikës së vështirësisë së edukimit të fëmijëve, për shkak të pamundësisë së mbulimit të shpenzimeve të furnizimit a mësimit të tyre, për shkak të së ardhmes së tyre apo duke u mjaftuar me fëmijët që kanë bashkëshortët, është e palejuar.
3. Nuk lejohet aborti nëse është droçkë apo copëz gjaku derisa të konstatojë ndonjë komision i besueshëm mjekësor se vazhdimi i shtatzënisë paraqet rrezik për shëndetin e nënës. Kështu, nëse vazhdimi i saj paraqet rrezik për jetën, atëherë lejohet vetëm pas shterjes së të gjitha mjeteve për t’i evituar ato rreziqe.
4. Pas periudhës së tretë dhe pas plotësimit të katër muajve të shtatzënisë, nuk lejohet aborti pa vendosur ndonjë grup mjekësh të besueshëm e specialistë se mbetja e foshnjës në barkun e nënës shkakton vdekjen e kësaj të fundit dhe pas shterjes së të gjitha mjeteve për shpëtimin e jetës së foshnjës. Në këso rrethanash lejohet t’i hyhet abortimit, me qëllim të shmangies së dëmit më të madh dhe sjelljes së interesit më parësor.
Akademia, me të vendosur këtë që u cek, porosit për devotshmërinë ndaj Allahut dhe për vërtetim në këtë çështje. Allahu sjell sukses. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë për të dërguarin tonë Muhamed, për familjen dhe për shokët e tij.
Në libërthin Gjakrat e natyrshëm të grave, të shejh Muhamed ibn Uthejminit, qëndron: “Nëse përmes abortit synohet vdekja e tij, dhe kjo ndodh pasi i është dhënë shpirti, kjo pa dyshim se është e ndaluar, sepse konsiderohet mbytje e padrejtë e njeriut, ndërkohë mbytja e njeriut është e ndaluar me Kuran, me Sunet dhe me konsensus të dijetarëve.”[37]
Imam Ibn Xheuziu në librin Dispozitat e grave, f. 108-109, thotë: “Përderisa ndër synimet e martesës është furnizimi me fëmijë, sa kohë që jo prej çdo lloj lëngu bëhet fëmija, e, nëse formohet, atëherë është arritur qëllimi, kurse, abortimi i qëllimshëm është në kundërshtim me këtë urtësi. Mirëpo, nëse kjo është në fillim të shtatzënisë, para se t’i jepet shpirti, është mëkat i madh, sepse ai është duke u zhvilluar e duke shkuar drejt plotësimit, porse kjo konsiderohet mëkat më i vogël krahasuar me atë pasi t’i jepet shpirti. Nëse qëllimisht e kryen abortin e foshnjës që ka shpirt, atëherë kjo llogaritet sikurse mbytja e një besimtari. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet për çfarë faji ishte vrarë.” (Tekuir, 8-9)
Oj ti muslimane! Kije frikë Allahun dhe mos i hyj këtij krimi për asnjë qëllim dhe mos u mashtro me propaganda devijuese e as me tradita të rreme e të çoroditura që nuk mbështeten as në logjikë e as në fe.
KREU I KATËRT Dispozitat rreth veshjes e hixhabit
Së pari: Mënyra fetare e veshjes së muslimanes
1. Veshja e femrës muslimane obligohet të jetë e gjatë, që ia mbulon tërë trupin kundrejt burrave që nuk konsiderohen mahremë të saj. Mahremëve femra ua zbulon vetëm ato pjesë të trupit që konsiderohen traditë, si: fytyra, duart dhe shputat e këmbëve.
2. Të mos jetë e tejdukshme, që të duket ngjyra e shtresës sipërfaqësore e lëkurës.
3. Të mos jetë e ngushtë, që t’ia vërë në pah format trupore të saj. Në Sahihun e Muslimit shënohet se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Dy lloje të banorëve të Zjarrit nuk kam arritur t'i shoh: Persona që mbajnë me vete kamxhikë si bishta lopësh, me të cilët i rrahin njerëzit; dhe gra të veshura, por realisht të zhveshura, të përdredhura e të krekosura, kokat e tyre u ngjasojnë gungave të deveve që peshojnë nga njëra anë, ato s'do të hyjnë në Xhenet e as nuk do ta nuhasin aromën e tij, megjithëse aroma e tij nuhatet prej një distance të largët kaq e kaq.”[38] Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në librin Mexhmuul fetava, 22/146, fjalën e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “... të veshura zhveshur...” e komenton duke thënë se ajo vishet me diçka që nuk e mbulon atë. Ajo vishet, por në realitet është e zhveshur, sikurse ajo që vesh ndonjë rrobë të hollë, që ia përshkruan shtresën sipërfaqësore të lëkurës, apo rroba e ngushtë, që ia shfaq linjat e trupit, fjala vjen, pjesën e pasme të trupit, krahët e saj e të ngjashme me to. Veshje e femrës është ajo që e mbulon dhe nuk ia përshkruan trupin e as format e gjymtyrëve, ngase veshja e këtillë është e bollshme dhe e gjerë.
4. Me veshjen e saj të mos u përngjajë burrave. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, i ka mallkuar gratë që u përngjajnë burrave dhe burrat që u përngjajnë grave. Femra i ngjan burrit në veshje nëse vesh atë që është e veçantë për burrin në llojin dhe në formën e traditës së secilës shoqëri. Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij Mexhmuul fetava, 22/148-155, thotë: “Kriteri dallues ndërmjet veshjes së burrave dhe të femrave i referohet asaj që është e përshtatshme për burrat dhe asaj për femrat, si dhe ajo që i përshtatet asaj me të cilën urdhërohen burrat dhe ajo me të cilën urdhërohen gratë. Gratë janë të urdhëruara me mbulim dhe me mosdukje, duke mos ua shfaqur bukurinë e vet të tjerëve. Kësisoj, asaj nuk iu ligjësua ngritja e zërit në ezan e as gjatë telbijes,[39] as gjatë ngjitjes në kodrat Safa dhe Merva, as në të hequrit e rrobave gjatë ihramit, siç vepron burri. Burri (gjatë kohës sa është në ihram) urdhërohet me zbulim të kokës, të mos veshë rroba të zakonshme, nuk vesh këmishën, as pizhamet, as burnus (lloj pardesyje me kapuç), as këpucë... Ndërkaq, sa i përket femrës, asaj nuk i është ndaluar diç nga veshja, sepse ajo është urdhëruar të mbulohet dhe të mos duket, prandaj asaj nuk i ligjësohet e kundërta e kësaj. Mirëpo, asaj i është ndaluar ta mbulojë fytyrën dhe të veshë doreza (gjatë kohës sa është në ihram), sepse këto janë veshje të prodhuara sipas gjymtyrëve, për të cilat ajo nuk ka nevojë... Më pas përmendi se, ajo e mbulon fytyrën e saj kundrejt burrave, derisa në fund tha: “Nëse qartësohet fakti se patjetër duhet të ekzistojë dallim ndërmjet veshjes së burrave dhe të grave, përmes të cilës dallohen burrat prej grave dhe se në veshjen e grave të ketë mbulesë dhe mosdukje, aq sa të arrihet qëllimi, vihet në pah përgjigjja e kësaj çështjeje si dhe nëse sqarohet se ajo veshje është e zakonshme për burrat, atëherë ajo i ndalohet femrës..., vijon më tej, nëse në veshje gërshetohet mbulimi i paktë dhe përngjasimi, atëherë ndalesa është nga të dy aspektet, e Allahu e di më së miri!”
5. Të mos ketë zbukurim që tërheq vëmendjen e njerëzve kur të dalë prej shtëpisë. Pra, të mos jetë prej atyre që i shfaq dhe ua tregon të tjerëve zbukurimet.
Së dyti: Hixhabi - domethënia, argumentet dhe dobia e tij:
Domethënia e hixhabit është që femra ta mbulojë trupin e saj kundrejt burrave që nuk konsiderohen mahremë të saj, siç thotë Allahu i Lartësuar: “... të mos i shfaqin stolitë e tyre (pjesët e trupit), përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve.” (Nur, 31) Gjithashtu, Ai thotë: “Kur të kërkoni prej grave të Profetit diçka, kërkojeni prapa perdes!” (Ahzab, 53) Qëllimi i fjalës hixhab (perde), në ajet, nënkupton atë që e mbulon femrën, si: muri, dera apo veshja. Ndonëse ajeti shprehimisht përmend gratë e Profetit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, dispozita e tij është e përgjithshme dhe përfshin të gjitha besimtaret, ngase në vijim të ajetit u tregua arsyeja, tek thotë: “Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre.” (Ahzab, 53) Ky është motivi i përgjithshëm, e përgjithësimi i motivit është argument për përgjithësimin e dispozitës. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit.” (Ahzab, 59)
Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në Mexhmuul fetava, 22/110-111, thotë: “Xhilbab është cohë e madhe, që mbulon kokën dhe tërë trupin e saj. Ebu Ubejde dhe të tjerët shprehen se këtë cohë ajo e vë sipër kokës dhe nuk i duket gjë tjetër pos syve të saj. I këtij lloji është edhe nikabi (perçja).”
Ndër argumentet e traditës profetike për mbulimin e fytyrës nga ana e femrës kundrejt burrave që nuk janë mahremë të saj është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila thotë: “Kalorësit na shoqëronin kur ishim me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, nën ihram. Kur ata na vinin afër, secila prej nesh lëshonte poshtë perçen dhe mbulonte fytyrën e saj. E, kur ata kalonin, ne i rizbulonim fytyrat.”[40] (Shënojnë Ahmedi, Ebu Davudi dhe Ibn Maxhe)
Argumentet nga Kurani dhe Suneti për obligueshmërinë e mbulimit të fytyrës së femrës kundrejt burrave jomahremë janë të shumta. Motër e nderuar, lidhur me këtë çështje më gjerësisht referoju librave vijues: Mbulesa e femrës dhe veshja e saj në namaz, të shejhul Islam Ibn Tejmijes, Dispozita e heqjes së perçes dhe e mbulesës, të shejh Abdulaziz ibn Bazit, punimin Shpata e njohur kundrejt të magjepsurve me heqjen e perçes, të shejh Hamud ibn Abdullah Et Tuvejxhiriut, Broshura e hixhabit, të shejh Muhamed ibn Salih El Uthejminit, ngase këto broshura e punime kanë përmbedhur atë që mjafton.
Motër e nderuar! Dije se ata dijetarë që ta lejuan zbulimin e fytyrës, ndonëse nuk është mendim i zgjedhur e i qëndrueshëm, specifikuan zbulimin nëse është e sigurt prej sprovave, sakaq sprova (joshja) nuk është e sigurt, veçanërisht në këtë kohë kur është zvogëluar ndërgjegjja fetare te burrat dhe te gratë. Është zbehur turpi, janë shtuar thirrësit drejt sprovës e joshjes, gratë shfaqin artin e vënies së llojeve të ndryshme të zbukurimeve në fytyrën e tyre, gjë që e fton joshjen. Prandaj, motër muslimane, ki kujdes nga e tërë kjo dhe respektoje hixhabin, mbrojtës kundrejt sprovës, me lejen e Allahut. Asnjë dijetar kompetent, në të kaluarën e në të sotmen, nuk ua lejon këtyre grave të sprovuara këto veprime. Ndër femrat muslimane ka të atilla që tregohen hipokrite lidhur me hixhabin. Kur janë në ndonjë shoqëri që obligohet mbulesa, mbulohen; ndërkaq, kur janë në shoqërinë ku nuk obligohet mbulesa, nuk mbulohen. Po ashtu, ka gra që mbulohen në vende publike, kurse kur hyjnë në ndonjë qendër tregtare, në ndonjë spital, kur flet me ndonjë argjendar apo me ndonjë rrobaqepës grash, e zbulon fytyrën dhe krahët e saj thuajse është para burrit të vet apo para ndonjë mahremi. Le t’i kenë frikë Allahut ato që veprojnë kësisoj! Kemi vënë re se disa gra që vijnë nga jashtë me aeroplan mbulohen vetëm kur aeroplani lëshohet në ndonjë aeroport të këtyre vendeve. Duket se hixhabi është bërë traditë, e jo ligj fetar!
Oj ti muslimane! Vërtet hixhabi të mbron kundrejt shikimeve të helmuara që burojnë nga zemërligët dhe nga qentë e llojit njerëzor. Hixhabi t’i këput lakmitë tërbuese. Prandaj, respektoje dhe përmbaju, e mos iu vër veshin propagandave joshëse që e luftojnë hixhabin ose ia zbehin rëndësinë, ngase ato ta duan të keqen, siç thotë Allahu i Lartësuar: “... por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë.” (Nisa, 27)
KREU I PESTË Dispozita të veçanta për namazin e femrës
Oj muslimane! Kujdesu për namazin tënd në kohët e tij të përcaktuara duke përmbushur kushtet, shtyllat dhe obligimet e tij. Allahu i Lartësuar u drejtohet nënave të besimtarëve me fjalët: “Falni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij!” (Ahzab, 33) Ky është një urdhër për muslimanet në përgjithësi. Namazi konsiderohet shtylla e dytë prej shtyllave të Islamit. Është shtyllë e Islamit, e lënia e tij nënkupton kufër (mohim) dhe dalje nga Islami. Prandaj, nuk ka fe e as Islam ai që nuk ka namaz, qoftë burrë a grua. Ndërkaq, vonimi i namazit prej kohës së tij, pa arsye fetare, konsiderohet braktisje e tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh, përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mirë. Këta do të hyjnë në Xhenet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie.” (Merjem, 59-60)
Hafidh Ibn Kethiri në Tefsirin e tij përcjell nga një numër imamësh të tefsirit se domethënia ‘braktisje e namazit’ nënkupton humbjen e kohëve të tij, domethënë ta falësh namazin pasi t’i ketë kaluar koha. Ndërkaq, shprehja gajja, në të cilin do të hidhen, është komentuar me humbje. Gjithashtu, është komentuar edhe me luginë Xhehenemi.
Për femrën ka dispozita të veçanta në namaz, që e dallojnë nga mashkulli. Sqarimi i tyre është si në vijim: Për femrën nuk ka ezan e as ikamet.
1. Për femrën nuk është ligjësuar ezani e as ikameti, ngase në ezan është përligjur ngritja e zërit, e femrës nuk i lejohet të ngritë zërin e saj, dhe që të dy (ezani dhe ikameti) nuk i janë të vlefshëm. Autori në librin El Mugni, 2/68, thotë: “Lidhur me këtë çështje nuk dimë të ketë mospajtim mes dijetarëve.”
2. I tërë trupi i saj në namaz është auret,[41] përveç fytyrës: Tërë trupi i femrës në namaz konsiderohet auret, përveç fytyrës. Ndërkaq, sa u përket duarve dhe këmbëve, ka dallim mendimesh te dijetarët. E tërë kjo që mos ta shohë ndonjë burrë që nuk është mahrem i saj. Nëse shihet nga ndonjë burrë që nuk është mahrem i saj, ajo duhet të mbulohet, siç duhet të mbulohet edhe jashtë namazit kundrejt burrave. Prandaj, në namaz ajo medoemos duhet ta mbulojë kokën, qafën dhe pjesën tjetër të trupit, madje edhe shputat e këmbëve të saj. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e një femre (të moshës madhore) pa shami.”[42] (Shënojnë të pestët) Shprehja himar, në hadith, nënkupton ç’i mbulon kokën dhe qafën. Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “A mund të falet gruaja me këmishë të gjatë dhe me një mbulesë koke, por pa mantel të gjatë? I Dërguari iu përgjigj: “Po, nëse këmisha është e gjatë dhe e gjerë, si dhe ia mbulon majat e këmbëve.”[43] (Shënon Ebu Davudi)
Të dy hadithet tregojnë se femra patjetër duhet ta mbulojë kokën e qafën në namaz, siç argumenton hadithi i Aishes, si dhe mbulimin e pjesës tjetër të trupit, madje edhe majat e këmbëve, siç argumenton hadithi i Umu Selemes. Asaj i lejohet ta zbulojë fytyrën, nëse nuk e sheh ndonjë i huaj, për shkak të konsensusit të dijetarëve lidhur me këtë.
Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në Mexhmuul fetava, 22/113-114, thotë: “Femra, po qe se falet vetëm, është e urdhëruar të mbulohet, kurse jashtë namazit i lejohet ta zbulojë kokën në shtëpinë e saj. Zbukurimi në namaz është e drejtë e Allahut. Askujt nuk i takon të bëjë tavaf rreth Qabesë zhveshur, qoftë vetëm e gjatë natës. Gjithashtu, nuk falet zhveshur, edhe nëse është vetëm, saqë ka thënë: “Aureti në namaz nuk është i ndërlidhur me auretin e shikimit, as drejtpërdrejt, as tërthorazi.” Autori në El Mugni, 2/328, thotë: “Sa i përket femrës së moshës madhore, duhet mbuluar tërë trupin në namaz. Nëse i zbulohet diç prej tij, namazi i saj është i pavlefshëm, përveç nëse është zbulim tejet i paktë. Kësisoj kanë thënë Maliku, Evzaiu dhe Shafiu.”
3. Femra e mbledh veten në ruku dhe në sexhde, në vend se të zgjerohet
Në librin El Mugni, 2/258, autori ka cekur: “Femra e mbledh veten e saj në ruku dhe në sexhde, në vend se të zgjerohet, dhe ulet këmbëkryq apo i lëshon këmbët dhe i vë në anën e djathtë, në vend të teverukut, ose në vend të uljes iftirash (ulje të njohura gjatë teshehudit të falësit në përgjithësi).
Neveviu, në El Mexhmu, 3/455, thotë: Imam Shafiu në Muhtesar ka thënë: “Në veprimet e namazit nuk ka dallim mes burrave dhe grave, porse për gruan preferohet të bashkojë gjymtyrët e saj ose të bashkojë barkun me kofshët në sexhde, që të jetë më e mbuluar. Këtë parapëlqej për të gjatë rukusë dhe gjatë tërë namazit.”
4. Namazi i grave me xhemat duke u prirë ndonjëra prej tyre, lidhur me këtë ka dallim mendimesh:
Namazi i grave me xhemat, duke u prirë ndonjëra prej tyre, ka mospajtim ndërmjet dijetarëve. Prej tyre ka që e ndalojnë, por edhe që e lejojnë, porse shumica e tyre ndajnë mendimin se nuk ka ndonjë pengesë për këtë, ngase Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, kishte caktuar Umu Uerakan të udhëhiqte familjen gjatë namazeve,[44] ndërsa disa të tjerë mendojnë se kjo nuk është e preferuar, të tjerët mendojnë se kjo është e urryer (mekruh), të tjerët mendojnë se lejohet në namazet nafile (vullnetare) dhe jo në ato farze (obligative). Si duket mendimi më i zgjedhur është se kjo preferohet. Kush dëshiron të njihet më gjerësisht lidhur me këtë çështje, le t’i referohet El Mugni, 2/202, dhe El Mexhmu, të Neveviut, 4/84-85. Femra këndon Kuran me zë nëse nuk e dëgjojnë atë burrat jomahremë të saj.
5. Grave u lejohet të dalin prej shtëpive për namazin me burrat në xhami
Grave u lejohet të dalin prej shtëpive për namazin me burrat në xhami, mirëpo për to namazi në shtëpitë e tyre është më mirë. Muslimi në Sahihun e tij shënon se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Mos ua pengoni robëreshave të Allahut xhamitë e Allahut.”[45] Gjithashtu, ka thënë: “Mos i pengoni gratë të shkojnë në xhami, megjithëse për to namazi në shtëpitë e tyre është më i mirë.”[46] (Shënojnë Ahmedi dhe Ebu Davudi) Qëndrimi i tyre në shtëpi dhe falja e namazit aty është më i mirë për to, për shkak të fshehjes dhe mbulimit. Mirëpo, nëse shkon në xhami për ta falur namazin, medoemos duhet të kihen parasysh rregullat vijuese:
a) Të jetë e mbuluar me veshje dhe me mbulesë të plotë. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gratë faleshin me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, pastaj dilnin (nga xhamia menjëherë pas faljes), ndërkohë askush nuk i dallonte dot, për shkak të errësirës.”[47] (Mutefekun alejh)
b) Të dalë e paparfumuar, duke u bazuar në thënien e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Mos ua pengoni robëreshave të Allahut xhamitë e Allahut. Ato duhet të dalin jashtë të paparfumuara.”[48] (Shënojnë Ahmedi dhe Ebu Davudi) Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ka thënë: “Asnjëra grua e parfumuar të mos jetë e pranishme me ne në jacinë e fundit.”[49] (Shënojnë Ahmedi, Muslimi, Ebu Davudi dhe Nesaiu) Gjithashtu, Muslimi shënon hadithin e Zejnebes, gruas së Ibn Mesudit: “Nëse ndonjëra prej jush (grave) shkon në xhami, mos të prekë parfum.”[50]
Imam Sheukani, në librin Nejlul Eutar, 3/140-141, thotë: “Në të ka argument se vajtja e grave në xhami është e lejuar, nëse në këtë vajtje nuk ka fitne (joshje) e as diç që e nxit fitnen, fjala vjen, parfumi.” Po ashtu, ka thënë: “Sipas haditheve përfitohet edhe leja e burrave ndaj grave për në xhami, nëse vajtja e tyre nuk ka diç që fton në fitne, si: parfumi, stolisja apo zbukurimi.”
c) Të mos dalë e zbukuruar me veshje dhe me stoli. Nëna e besimtarëve, Aishja, (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Po qe se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, do të shihte te gratë atë që shohim ne, do t’u ndalonte xhaminë siç ua kishin ndaluar izraelitët grave të veta.” (Mutefekun alejh) Imam Sheukani, në librin Nejlul eutar, përkitazi me thënien e Aishes: “Po qe se do të shihte atë që shohim ne...” nënkupton rrobat e tyre të mira, parfumin, zbukurimin dhe pispillosjen. Në të vërtetë ato dilnin të veshura me mantele të gjata e rroba të dendura.
Imam Ibnul Xheuziu (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij Ahkamun nisa, f. 39 thotë: “Femra duhet të ketë kujdes sa herë t’i mundësohet dalja jashtë shtëpisë. Nëse vetë ajo shpëton, s’do të thotë se shpëtojnë të tjerët prej saj. Kur duhet të dalë medoemos, del me lejen e burrit të vet duke mos qenë tërheqëse, zgjedh rrugën që nuk ka fluks njerëzish e tregje, ruhet të mos dëgjohet, ecën përskaj rrugës e jo në mes të saj.”
d) Nëse femra është vetëm, formon saf (rresht) më vete, pas burrave, duke u bazuar në hadithin e Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili tregon se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, u kishte prirë në namaz, e thotë: “Unë dhe jetimi qëndruam pas tij përkrah njëri-tjetrit, ndërsa gjyshja u vendos akoma më larg pas nesh.”[51] (Mutefekun alejh) Gjithashtu, prej tij përcillet se ka thënë: “Jam falur unë dhe jetimi në shtëpinë tonë, pas të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ndërsa nëna ime, Umu Sulejmi, qëndronte pas nesh.”[52] (Shënon Buhariu)
Nëse të pranishme janë më shumë se një grua, ato vendosen në saf, repektivisht në safa, pas burrave, sepse Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, i vendoste burrat para djemve të rinj, e djemtë pas tyre, kurse gratë pas djemve të rinj. (Shënon Ahmedi) Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Rreshtat më të mirë për burrat janë rreshtat e parë, kurse rreshtat më të këqij janë rreshtat e fundit. Ndërkaq, rreshtat më të mirë për gratë janë rreshtat e fundit, kurse rreshtat më të këqij për to janë rreshtat e parë."[53] (Shënon grupi, përveç Buhariut)
Në të dy hadithet ka argument se rreshtat e grave formohen pas burrave dhe se ato nuk falen të ndara kur falen pas burrave, qoftë namaz farz apo namaz i teravisë.
dh) Nëse imami harron gjatë namazit, femra ia tërheq vërejtjen duke përplasur duart e saj, në përputhje me thënien e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Nëse imami gabon diçka në namaz, burrat duhet të thonë subhanallah, kurse gratë t’i përplasin duart.”[54] (Shënon Ahmedi) Kjo u jep leje atyre t’i përplasin shuplakat e veta në namaz në rast të ndonjë gabimi të imamit, tek futet edhe harresa (nga ana e imamit), ngase zëri i femrës paraqet joshje kundrejt burrave, sakaq asaj i është urdhëruar përplasja e duarve, rrjedhimisht nuk flet.
e) Me të kryer imami selamin, gratë nisin të dalin prej xhamisë, kurse burrat qëndrojnë ulur, në mënyrë që mos të piqen me ato tek largohen. Umu Seleme tregon: “Gratë me të kryer selamin në namazet farze, çoheshin, kurse i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, dhe burrat, që faleshin bashkë me të, qëndronin aq sa donte Allahu. Kur i Dërguari i Allahut ngrihej, ngriheshin edhe burrat.”
Zuhriu thotë: “Kjo, e Allahu e di më së miri, në mënyrë që të kalonin e të largoheshin gratë.” (Shënon Buhariu. Shih Sherh el Kebir alel mukni, 1/422)
Imam Sheukani, në librin Nejlul eutar, 2/326, thotë: “Nga hadithi përfitohet se parapëlqehet që imami të ketë në konsideratë gjendjen e atyre që falen pas tij, kujdesi ndaj largimit të asaj që mund të çojë në të ndaluarën, largimi nga pozicionet e akuzave të mundshme, të urryerit e përzierjes së burrave me gratë edhe në rrugë, aq më shumë në shtëpi.”
Imam Neveviu, (Allahu e mëshiroftë!) në librin El Mexhmu, 3/455, thotë: “Gratë në namazin me xhemat dallohen prej burrave në disa çështje:
1- Namazi me xhemat nuk kërkohet prej tyre ashtu siç kërkohet prej burrave.
2- Ajo që prin në namaz qëndron në mes të rreshtit.
3- Gruaja qëndron pas burrit e jo përanash, ndryshe nga burri.
4- Nëse falen me burra, rreshtat e fundit të tyre janë më të mirë për to sesa rreshtat e parë.”
Nga ajo që u cek më lart kuptohet ndalesa e përzierjes midis dy gjinive.
ë) Vajtja e grave në namazin e bajramit. Umu Atije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut na urdhëroi që t’i nxjerrim femrat në bajramin e Fitrit dhe të Kurbanit, beqaret, ato me menstruacione dhe të voglat. Ato me menstruacione u urdhëruan të rrinë më larg vendfaljes, por të shohin mirësinë dhe thirrjen e muslimanëve.”[55] (Shënon grupi)
Sheukani thotë: “Ky dhe hadithet e tjera në këtë kontekst gjykojnë ligjshmërinë e daljes së femrave në dy bajramet në vendfalje, pa dallim midis beqares dhe të martuarës, të voglës dhe të moshuarës, asaj me cikël menstrual dhe asaj pa to, përderisa nuk është në periudhën e pritjes pas divorcit a pas vdekjes së burrit të saj (idetit), nëse në daljen e saj ka fitne apo ka arsye tjetër për mosdalje.” (Shih Nejlul eutar, 3/306)
Shejhul Islam Ibn Tejmije, në librin e tij El Mexhmu, 6/458-459, thotë: “Besimtareve ua bëri me dije se namazi i tyre në shtëpi është më i mirë për to sesa të jenë të pranishme në namazin e xhumasë apo me xhemat, përveç në atë të bajramit. Ai, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, me këtë rast i urdhëroi të dalin. Kjo, e Allahu e di më së miri, për disa shkaqe:
I pari: Bajrami është dy herë në vit, ndryshe nga xhumaja e xhemati.
I dyti: Për bajramin nuk ka zëvendësim, ndryshe nga xhumaja e xhemati. Femra në shtëpinë e saj e fal drekën, që është xhumaja e saj.
I treti: Është dalje në shkretëtirë për ta përkujtuar Allahun, që i ngjan haxhillëkut në disa aspekte.”
Imam Shafiu daljen e grave në namazin e bajramit e ka kufizuar duke thënë se nuk duhet të dalin gratë magjepsëse e joshëse. Imam Neveviu, në librin e tij El Mexhmu, 5/13, thotë: “Imam Shafiu dhe fukahatë e tjerë të medhhebit (Allahu i mëshiroftë!) thonë: “Parapëlqehet që gratë, përveç atyre magjepsëse, të jenë të pranishme në namazin e bajramit. Ndërkaq, është e papëlqyer prania e femrave joshëse e magjepsëse, për të vazhduar më tej, e, nëse ato dalin, preferohet të veshin rroba të vjetra e jo aso që i shquajnë. ﷻ parapëlqehet ta pastrojnë fytyrën me ujë e u urrehet parfumimi. Tërë kjo vlen për gratë në moshë, që nuk joshin, si dhe për simotrat e tyre. Sa i përket femrës së re e të bukur, urrehet të dalë, ngase ekziston frika se mund të sprovojë a të sprovohet. Nëse thuhet se kjo është në kundërshtim me hadithin e lartpërmendur të Umu Atijes, themi: Në dy koleksionet e sakta është vërtetuar përmes Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila tregon: “Po qe se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, do të shihte te gratë atë që shohim ne, do t’ua ndalonte xhaminë siç ua kishin ndaluar izraelitët grave të veta.” Gjithashtu, fitnet dhe shkaqet e dëmit e të së keqes në këto kohë janë të shumta, ndryshe nga shekulli i parë.”
E, unë them se në kohën tonë janë edhe më të mëdha.
Imam Ibn Xheuziu, në librin Ahkamu en nisa, f. 38, thotë: “Sqaruam se dalja e grave është e lejuar, mirëpo nëse ekziston frika se mund të sprovojë a të sprovohet, më mirë është të ndalohen, ngase gratë e shekullit të parë nuk janë rritur e nuk janë edukuar sikurse gratë e kësaj kohe, e as burrat.” Pra, ata ishin shumë të përkushtuar.
Prej këtyre citateve, motër muslimane, dalja jote në namazin e bajramit është e lejuar fetarisht, por me kusht të përmbajtjes e përgjegjësisë, sjelljes korrekte e me turp, me synim të afrimit me Allahun, pjesëmarrjen me muslimanët në thirrjen e tyre dhe shfaqjen e simboleve islame, e jo me qëllim të shfaqjes së zbukurimeve dhe ekspozimit të fitnes. Prandaj, ki kujdes ndaj kësaj!
KREU I GJASHTË Dispozita të veçanta për gruan në kapitullin e xhenazes
Allahu i Lartësuar i ka caktuar vdekjen çdo shpirti, kurse Vetes së Tij ia ka caktuar përhershmërinë. Allahu i Lartësuar thotë: “E do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.” (Rrahman, 27)
Xhenazet (kufomat) e bijve të Ademit i ka veçuar duke përcaktuar dispozita, të cilat të gjallët duhet t’i zbatojnë. Në këtë kapitull do të përmendim dispozita të veçanta për femrat, si: gratë duhet ta marrin përsipër larjen e femrës së vdekur.
1. Gratë e kanë për detyrë ta kryejnë larjen e gruas së vdekur
Meshkujve, përveç bashkëshortit, nuk u lejohet ta lajnë atë. Ai mund ta lajë bashkëshorten e vet. Së këndejmi, larjen e mashkullit të vdekur e bëjnë burrat, rrjedhimisht nuk u lejohet grave ta lajnë mashkullin, me përjashtim të bashkëshortes. Ajo mund ta lajë burrin e saj, ngase Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vetë e kishte larë bashkëshorten e tij, Fatimen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të bijën e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, kurse Esma bint Umejs (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e ka larë burrin e saj, Ebu Bekër Sidikun (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
2. Pëlqehet qefinosja e femrës në pesë copa pëlhure (qefin) të bardhë
Izari (që mbulon pjesën nga kërthiza deri te gjunjët), himari (që mbulon kraharorin dhe kokën), këmisha (që është cohë në gjatësinë e trupit) dhe dy lifafët (copë me të cilën mbulohet i tërë trupi), me të cilët mbështillet, duke u bazuar në motërzimin e Lejlë Eth Thekafijes, që rrëfen: “Isha bashkëpjesëmarrëse në larjen e Umu Kulthumit, të bijën e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, kur vdiq. Gjënë e parë që na dha i Dërguari i Allahut ishte izari, pastaj këmishë grash, pastaj himarin e pastaj mbështjellësen, që e mbështolla me copën tjetër.”[56] (Shënojnë Ahmedi dhe Ebu Davudi) Imam Sheukani, në librin Nejlul eutar, thotë: “Hadithi tregon se qefini i femrës është i ligjshëm të jetë izar, këmishë grash, himar, mbulojë a mbështjellës.” (Nejlul eutar, 4/42)
3. Si veprohet me flokët e gruas së vdekur?
Flokët i ndahen në tre gërsheta dhe i vihen prapa saj, duke u mbështetur në hadithin e Umu Atijes tek përshkruan mënyrën e larjes së bijës së të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, që rrëfen: “Flokët ia lidhëm në tre gërsheta dhe ia vëmë pas kokës.”[57] (Mutefekun alejh)
4. Dispozita e shoqërimit të xhenazes nga femrat
Umu Atije (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Neve na është ndaluar shoqërimi i xhenazes, por ky ndalim nuk ishte urdhërues për ne.”[58] (Mutefekun alejh) Aspekti i jashtëm i citatit tregon ndalesën, kurse për thënien e saj ndalimi nuk ishte urdhërues për ne, Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij Mexhmuul fetava, 24/355, thotë: “Qëllimi i saj mund të jetë moskonfirmimi i ndalesës, porse kjo nuk nënkupton mohimin e ndalesës. Ose, mund të kuptohet se ajo ka menduar që nuk është ndalesë e rreptë (haram). Argumenti qëndron në thënien e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, e jo në mendimin e tjetrit.
5. Ndalesa e vizitimit të varrezave për gratë
Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, i ka mallkuar vizitueset e varreve.[59] (Shënojnë Ahmedi, Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu, që e ka saktësuar) Shejhul Islam Ibn Temije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Është e ditur se, nëse femrës i hapet kjo derë, bëhet shkak të shfaqë të bërtitura dhe klithma. Ato janë më të dobëta, mjaft të ndjeshme dhe më pak të durueshme, që janë ndër shkaqet e shqetësimit të të vdekurit për shkak të vajtimit të saj. Kjo çon në sprovimin e burrave përmes zërit dhe pamjes së saj, siç tregohet në një hadith tjetër: “Ju e sprovoni të gjallin dhe e shqetësoni të vdekurin.” Nëse vizitimi i varrezave nga femrat është supozim dhe shkak për gjërat e ndaluara, për to dhe për burrat, e urtësia këtu është e pasaktë, atëherë është e pamundur të përcaktohet sasia e asaj që nuk mund të çojë drejt kësaj, si dhe dallimi ndërmjet një lloji dhe tjetrit. Ndër bazat e Sheriatit është se, nëse urtësia është e fshehur apo e papërhapur, gjykimi lidhet me supozimin e saj, si dhe e ndalon këtë çështje si masë parandaluese, siç është ndaluar shikimi i stolive të brendshme për shkak të fitnes, apo siç është ndaluar vetmimi me ndonjë femër të huaj dhe të shikuarit e saj. Gjatë vizitimit të varrezave nga femrat nuk ekziston ndonjë dobi që e kundërshton këtë dëm. Në vizitën e saj ka vetëm lutje për të vdekurin, gjë që mund të bëhet në shtëpinë e saj.” (Mexhmuul fetava, 24/355-356)
6. Ndalimi i vajtimit
Ajo është ngritje e zërit duke vajtuar, duke shqyer rrobat, duke goditur faqet, duke shkulur flokët, nxirja dhe gërvishtja e fytyrës në shenjë pikëllimi për të vdekurin, lutje për mjerim, si dhe veprime të tjera, që e manifestojnë hidhërimin kundrejt paracaktimit të Allahut dhe humbjen e durimit. Këto veprime janë të ndaluara dhe mëkat i madh, duke u mbështetur në atë që është vërtetuar në dy përmbledhjet e sakta të haditheve se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që i godet faqet e veta (nga hidhërimi), i shqyen rrobat dhe bën lutje të kohës së Injorancës.”[60] Gjithashtu, motërzimi tjetër: “Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, distancohet nga gruaja që qan me zë e që vajton (apo që rrah fytyrën), nga ajo që rruan kokën dhe nga ajo që shqyen rrobat (në raste fatkeqësish).”[61] Në Sahihun e Muslimit shënohet se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka mallkuar vajtuesen dhe dëgjuesen,[62] respektivisht atë që synon ta dëgjojë vajtuesen dhe e pëlqen atë.
Prandaj, oj motër muslimane, të obligohet largimi i këtij veprimi të ndaluar në rast të fatkeqësisë. Ti përmbaju durimit dhe shpreso në shpërblimin e Allahut, në mënyrë që fatkeqësia të të jetë fshirëse e gabimeve dhe shtim i mirësive të tua. Allahu i Lartësuar thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” (Bekare, 155-157)
Po, lejohet të qarët, nëse nuk shoqërohet me vajtim, as me veprime të ndaluara e as me hidhërim kundrejt caktimit të Allahut, ngase gjatë të qarit manifestohet mëshirë ndaj të vdekurit dhe zemërbutësi. Gjithashtu, të qarët është diç që nuk mund të refuzohet e të kthehet mbrapsht, prandaj është e lejuar, e mund të jetë edhe e pëlqyer. Allahu është Ai që ndihmon!
KREU I SHTATË Dispozita të veçanta për femrën në kapitullin e agjërimit
Agjërimi i muajit Ramazan është obligim për çdo musliman e muslimane. Agjërimi është një ndër shtyllat dhe bazamentet madhështore të Islamit. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Bekare, 183)
Femrës, që hyn në moshën madhore, me t’iu shfaqur ndonjë prej shenjave të pjekurisë së saj, tek futet edhe shfaqja e ciklit menstrual, i fillon obligimi i agjërimit. Asaj cikli menstrual mund t’i fillojë që në moshën nëntëvjeçare, ndërkohë disa vajza nuk e dinë se atyre u obligohet agjërimi që nga ai moment, ndërkaq nuk agjërojnë, duke menduar se ende është e vogël, sa kohë që as familja e saj nuk e obligon të agjërojë. Lënia e njërës prej shtyllave të Islamit është neglizhencë e madhe. Asaj që vepron kësisoj, i obligohet ta kompensojë agjërimin e lënë që nga momenti i shfaqjes së ciklit menstrual, madje edhe nëse ka kaluar ndonjë periudhë e gjatë kohore, sepse obligimi mbetet borxh i saj.[63]
Kur i obligohet agjërimi?
Me të hyrë muaji Ramazan, çdo muslimani dhe muslimaneje të moshës madhore, duke qenë të shëndoshë e vendas, i obligohet agjërimi. Ndërkaq, ai që është i sëmurë apo udhëtar gjatë këtij muaji, e prish agjërimin dhe kompenson më vonë po aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu i Lartësuar thotë: “Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” (Bekare, 185)
Gjithashtu, ai që e ka arritur muajin Ramazan, ndërkohë që është i shtyrë në moshë, plak, nuk mund të agjërojë apo është i sëmurë kronik, për të cilin nuk ka shpresë se mund të shërohet në ndonjë afat kohor, qoftë burrë a grua, e prish agjërimin, duke ushqyer për çdo ditë nga një të varfër me gjysmë sa’a, sipas ushqimit të vendit ku jeton. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” (Bekare, 184)
Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Kjo vlen për të moshuarin, që nuk ka shpresë se do të shërohet.” (Shënon Buhariu) Ndërkaq, i sëmuri, për të cilin nuk ka shpresë se do të shërohet, e merr gjykimin e të moshuarit. Asnjëri prej këtyre të dyve nuk i kompenson ditët e paagjëruara për shkak të pamundësisë.
Femra veçohet me ca arsye që ia lejojnë prishjen e agjërimit në Ramazan
Femra karakterizohet me disa arsye që ia lejojnë prishjen e agjërimit në Ramazan, por ditët e paagjëruara duhet t’i kompensojë për shkak të atyre shkaqeve më vonë. Këto shkaqe janë:
1. Menstruacionet dhe lehonia. Femrës i ndalohet agjërimi gjatë tyre, si dhe asaj i obligohet kompensimi më vonë. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Urdhëroheshim ta kompensonim agjërimin, por nuk urdhëroheshim ta kompensonim namazin.”[64] Kjo përgjigje e saj pasoi pas pyetjes së një gruaje, që i ishte drejtuar: Ç’është puna e femrës me menstruacione? E kompenson agjërimin, kurse namazin jo? Ajo (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ia shpjegoi se kjo është prej çështjeve të prera (teukifije), që duhet ndjekur tekstin. Urtësia e kësaj: Shejhul Islam Ibn Tejmije, në librin Mexhmuul fetava, 25/251, thotë: “Gjaku i cili del gjatë menstruacioneve është gjak i rrjedhshëm. E, femra me menstruacione mund të agjërojë gjatë kohës kur nuk ka rrjedhje gjaku, me ç’rast agjërimi i saj në atë gjendje i konsiderohet agjërim normal, që nuk i rrjedh gjaku, i cili e forcon trupin, e që është element i tij. Ndërkaq, agjërimi i saj gjatë menstruacioneve rezulton me rrjedhje gjaku që është element i vet, e që rezulton me dobësimin e trupit të saj dhe me daljen e agjërimit nga normaliteti, prandaj është urdhëruar të agjërojë jashtë kohës së menstruacioneve.”
2. Shtatzëna dhe gjidhënësja, agjërimi i së cilës mund ta dëmtojë atë apo foshnjën (respektivisht fëmijën) e saj, apo të dy përnjëherësh. Ato e prishin agjërimin gjatë kohës së shtatzënisë dhe gjidhënies. Pastaj, nëse dëmi, për shkak të të cilit e ka prishur agjërimin, e godet vetëm fëmijën, e jo atë, i kompenson po aq ditë sa nuk i ka agjëruar, si dhe ushqen çdo ditë nga një të varfër. Ndërkaq, nëse dëmi e kap atë, atëherë asaj i mjafton vetëm kompensimi i agjërimit (kaza), për shkak se shtatzëna dhe gjidhënësja futen në përgjithësimin e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” (Bekare, 184) Hafidh Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!), në Tefsirin e tij, 1/379, thotë: “Në këtë kontekst i bashkëngjiten shtatzëna dhe gjidhënësja, nëse kanë frikë për veten apo për fëmijët e tyre.” Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nëse shtatzëna ka frikë për foshnjën e saj, e prish agjërimin duke e kompensuar çdo ditë, si dhe ushqen për çdo ditë nga një të varfër një sasi të caktuar buke.” (25/318)
Disa udhëzime:
1. Gruas me istihadë, që i rrjedh gjak jomenstrual, siç është cekur më lart, i obligohet agjërimi, si dhe nuk i lejohet ta prishë për shkak të istihadës. Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) pasi përmend prishjen e agjërimit nga gruaja me menstruacione, thotë: “Ndryshe nga istihada, që përfshihet në çfarëdo kohe, e që nuk ka ndonjë kohë kur urdhërohet me agjërim, si dhe se prej kësaj gjendjeje nuk mund të shmanget, sikurse vjellja, dalja e gjakut nga plaga, zënia e dregëzës, polucioni (ihtilam) pas ëndërrimeve, që shkaktojnë ejakulim, e të ngjashme me këto, që nuk kanë ndonjë kohë specifike që mund t’u ikësh, prandaj dhe nuk janë gjëra në kundërshtim me agjërimin, siç është gjaku menstrual.” (25/251)
2. Gruas me menstruacione, shtatzënës dhe gjidhënëses, nëse e prishin agjërimin, u obligohet kompensimi i ditëve të paagjëruara në kohën ndërmjet Ramazanit, gjatë të cilit e kanë prishur agjërimin, dhe Ramazanit të ardhshëm. Ndërkaq, nxitimi për ta kryer sa më parë është më mirë. Nëse deri në Ramazanin vijues kanë mbetur aq ditë që ajo nuk i ka agjëruar, atyre u obligohet kompensimi i agjërimit, në mënyrë që të mos hyjë Ramazani i ri duke i gjetur me ditë të paagjëruara nga Ramazani i kaluar. Mirëpo, nëse nuk e kryejnë kompensimin duke mos pasur arsye për vonimin e tij, e tashmë ka hyrë Ramazani, ato obligohen me kompensim (kaza), por edhe me ushqim të një të varfri për çdo ditë. Ndërkaq, nëse kanë pasur arsye të ligjshme, atëherë obligohen vetëm me kompensim. Gjithashtu, ato që kanë kompensimin për shkak të mosagjërimit për shkak të sëmundjes apo udhëtimit, gjykimi i tyre është sikurse për atë që nuk ka agjëruar për shkak të menstruacioneve, sipas detajit të mësipërm.
3. Femrës nuk i lejohet të agjërojë vullnetarisht nëse bashkëshorti i saj është me të, përveçse me lejen e tij, duke u bazuar në transmetimin e Buhariut, Muslimit dhe të tjerëve, përcjellë nga Ebu Hurerja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Gruas nuk i lejohet të agjërojë kur burri i saj është i pranishëm, përveçse me lejen e tij.”[65] Ndërkaq, në disa motërzime të Ahmedit dhe Ebu Davudit qëndron “... përveç Ramazanit.” Mirëpo, nëse burri i saj e lejon të agjërojë vullnetarisht, apo nuk është i pranishëm, apo nuk ka burrë, atëherë për të është e pëlqyer të agjërojë vullnetarisht, veçanërisht ditët në të cilat pëlqehet agjërimi, siç janë e hëna dhe e enjtja, tri ditë të çdo muaji, gjashtë ditët e muajit sheval, dhjetë ditët e dhulhixhes, dita e Arafatit, dita e Ashurasë, me para- a prapangjitje të një dite. Mirëpo, duhet pasur parasysh se ajo nuk duhet të agjërojë vullnetarisht pa i kompensuar ditët e Ramazanit, e Allahu e di më së miri!
4. Nëse femra me menstruacione pastrohet në një prej ditëve të Ramazanit, e agjëron pjesën e mbetur të ditës duke e kompensuar po atë ditë bashkë me ditët që nuk i ka agjëruar gjatë menstruacioneve. Ndërkaq, agjërimi i saj gjatë pjesës së mbetur të ditës në të cilën është pastruar, i konsiderohet obligim, në shenjë respekti ndaj kohës.
KREU I TETË Dispozita të veçanta për femrën rreth haxhillëkut e umres
Pelegrinazhi vjetor për në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut është obligim kolektiv për umetin islam. Për çdo musliman që i plotëson kushtet e obligueshmërisë së haxhillëkut është obligim ta kryejë një herë në jetë. Ndërkaq, nëse e kryen më tepër se kaq, ajo është (vepër) vullnetare. Haxhillëku është një ndër shtyllat e Islamit dhe është pjesë e xhihadit të femrës muslimane, duke u mbështetur në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që tregon se njëherë e kishte pyetur të Dërguarin duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut! A ka xhihad për gratë? Ai u përgjigj: “Po. Ato kanë xhihad, porse pa luftë. Ai (xhihadi i tyre) është haxhillëku dhe umreja.”[66] (Shënojnë Ahmedi dhe Ibn Maxhe, me zinxhir të saktë transmetuesish) Gjithashtu, në motërzimin e Buhariut shënohet se ajo ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Xhihadin e konsiderojmë si një ndër veprat më të mira. A nuk bën të luftojmë edhe ne, gratë? I Dërguari iu përgjigj: “Xhihadi më i mirë për ju është haxhillëku i pranuar.”[67]
Dispozitat e veçanta për gruan në haxhillëk
Mahremi
Për haxhillëkun vlejnë kushtet e përgjithshme, si për burrat, ashtu edhe për gratë, e ato janë: Islami, aftësia mendore, liria, mosha madhore dhe mundësia financiare. Ndërkaq, femra veçohet edhe me kushtëzimin e shoqërimit të mahremit, që do të udhëtonte bashkë me të për në haxhillëk. Mahrem i saj është bashkëshorti ose ata të afërm me të cilët e ka të ndaluar përjetësisht martesën, sikurse babai, djali apo vëllai i saj; apo për ndonjë shkak të lejuar, sikurse vëllai prej qumështit, bashkëshorti i nënës së vet apo djali i bashkëshortit të saj.
Argument përkitazi me këtë kemi transmetimin e Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se e ka dëgjuar Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, tek mbante hytben, duke thënë: “Asnjë burrë nuk duhet të rrijë kurrë vetëm për vetëm me ndonjë grua, nëse nuk është edhe ndonjë mahrem me të. Gjithashtu, asnjë grua nuk duhet të udhëtojë me ndonjë burrë, përveçse me ndonjë të afërm mahrem.” Një burrë u ngrit dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Gruaja ime po shkon në haxhillëk, kurse unë jam mobilizuar për beteja. Ç’duhet të bëj? Pejgamberi iu përgjigj: “Shko dhe kryeje haxhillëkun me gruan tënde.”[68] (Mutefekun alejh)
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell e thotë: “I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Gruaja nuk udhëton tri ditë pa e shoqëruar ndonjë mahrem.”[69] (Mutefekun alejh)
Hadithet në këtë kontekst, që e ndalojnë udhëtimin e femrës drejt haxhillëkut apo diku tjetër, pa mahrem, janë të shumta. Femra është e dobët e gjatë udhëtimit ballafaqohet me gjëra që mund t’i përballojnë vetëm burrat. Pastaj, femra është objekt dëshire e njerëzve të prishur, prandaj medoemos asaj i duhet mahremi, që do ta mbronte dhe do ta ruante kundrejt dëmeve të tyre.
Mahremi, që e shoqëron gruan në haxhillëk, duhet t’i plotësojë këto kushte: të jetë i aftë mendërisht, të jetë i moshës madhore dhe të jetë musliman, ngase ajo nuk i besohet jomuslimanit. Nëse nuk mund të gjejë mahrem, atëherë detyrohet të gjejë dikë tjetër, që do t’ia kryente haxhillëkun.
Nëse haxhillëku është vullnetar, i kushtëzohet leja e burrit
Vajtja e saj në haxhillëk burrit ia pamundëson të drejtën ndaj saj. Autori në El Mugni, 3/240, thotë: “Sa i përket haxhillëkut vullnetar, ai (burri) mund ta pengojë gruan nga kryerja e haxhillëkut. Ibn Mundhiri thotë: “Të gjithë dijetarët që njoh kanë konsensus se, burrit ka të drejtë ta pengojë gruan nga kryerja e haxhillëkut vullnetar. Kështu, e drejta e burrit është obligim, e asaj nuk i takon t’ia pamundësojë atë me diçka që nuk është obligim, sikurse zotëria me robin e tij.”
Gruaja mund ta zëvendësojë burrin në kryerjen e haxhillëkut dhe umres
Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në librin Mexhmuul fetava, 26/13, thotë: “Femrës i lejohet ta kryejë haxhillëkun për ndonjë femër tjetër, sipas mendimit unanim të dijetarëve, pavarësisht a është e bija e saj apo jo. Gjithashtu, femrës i lejohet ta kryejë haxhillëkun për burrin, sipas mendimit të katër imamëve dhe shumicës së dijetarëve, ashtu siç e kishte urdhëruar Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, një grua nga Hathami ta kryejë haxhillëkun për babanë e saj, kur i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut! Allahu ua ka obliguar haxhillëkun robërve të Tij. Unë jam rritur dhe shoh që babai im është plakur.” Atëherë, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, e urdhëroi ta kryejë haxhillëkun për babanë e saj, edhe pse ihrami i burrit është më i plotë sesa ihrami i saj.[70]
Nëse femrës në rrugë e sipër i paraqiten menstruacionet ose lehonia, ajo e vazhdon rrugëtimin e saj
Nëse kjo i ndodh gjatë ihramit, ajo hyn në gjendjen e ihramit sikurse gratë e tjera të pastra, ngase gjatë saj (hyrjes së ihramit) nuk kushtëzohet të qenët e pastër nga cikli menstrual. Autori në librin El Mugni, 3/293-294, thotë: “Në përgjithësi, larja është e ligjshme për gratë me rastin e hyrjes së ihramit, sikurse u ligjësohet burrave, ngase është adhurim dhe ai vërtetohet për gruan me menstruacione dhe për lehonën, për shkak të transmetimit të lajmit lidhur me to. Xhabiri thotë: “Derisa arritëm në Dhul Hulejfe, ku Esmaja, e bija e Umejsit e lindi Muhamed ibn Ebu Bekrin, që e çoi të pyeste Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, se ç’duhet të bënte. Ai i tha: “Laju, lidhi pjesët e tua intime dhe vishe ihramin.”[71] (Mutefekun alejh)
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Lehona dhe ajo me menstruacione me të arritur te mikati, vesh ihramin dhe i kryen të gjitha ritet, përveç tavafit rreth Qabesë.”[72] (Shënon Ebu Davudi) Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, e kishte urdhëruar Aishen të lahej me qëllim të kryerjes së haxhillëkut, duke qenë me menstruacione.
Urtësia e larjes së gruas me menstruacione dhe asaj lehonë për ihram është pastrimi dhe evitimi i erës së keqe, për ta shmangur shqetësimin e njerëzve kur të grumbullohen, si dhe lehtësimin e ndyrësirës. Nëse menstruacioni dhe nifasi qëllojnë duke qenë në ihram, kjo nuk ndikon në ihramin e tyre. Ato vazhdojnë të mbeten në ihram, u largohen ndalesave të ihramit dhe nuk bëjnë tavaf rreth Qabesë, derisa të pastrohen nga menstruacioni apo nga nifasi dhe të pastrohen prej tyre. Nëse vjen dita e Arafatit, e ato ende nuk janë pastruar e tashmë kanë hyrë në umren që ndërlidhet me haxhillëkun (temetu), hyjnë në ihramin e haxhillëkut, që e ndërthurin me umren dhe bëhen kiran.
Argumenti lidhur me këtë është se, Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ndërsa po e kryente umren, iu paraqitën menstruacionet. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, hyri tek ajo, tek qante. E pyeti: “Ç’ke kështu? Je sëmurur?” Iu përgjigja: “Po.” Më tha: “Kjo është diçka të cilën e ka caktuar Allahu për bijat e Ademit. Kështu, bëji të gjitha veprimet që kryen çdo haxhi tjetër, veçse nuk do të bësh tavaf (rrotullim rreth Qabesë).”[73] (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi) Ndërkaq, në hadithin e saktë të Xhabirit qëndron: “Pastaj Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, hyri tek Aishja, që e gjeti duke qarë, me ç’rast e pyeti: “Ç’ke?” Ajo i tha: “Më erdhën menstruacionet. Njerëzit u liruan, kurse unë jo, ndaj nuk e kreva tavafin rreth Qabesë. Njerëzit po e kryejnë haxhillëkun tani.” Ai i tha: “Kjo është një çështje që Allahu e ka caktuar për bijat e Ademit. Laju dhe shqiptoje telbijen.” Ajo veproi ashtu dhe i kreu të gjitha. Kur u pastrua, bëri tavafin rreth Qabesë dhe sajin (ecjen) rreth Safasë dhe Merves, e pastaj tha: Tani u lirove edhe nga haxhillëku edhe nga umreja.”[74]
Dijetari i madh, Ibn Kajimi, në librin Tehdhib es sunen, 2/303, thotë: “Hadithet e sakta janë të qarta se ajo fillimisht ka bërë nijet për umre, e pastaj, kur iu shfaqën menstruacionet, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ia urdhëroi haxhillëkun, e ajo është bërë kiran. Për këtë shkak, Pejgamberi i tha asaj: “Tavafi rreth Qabesë dhe saji ndërmjet Safasë dhe Merves do të të mjaftojnë, si për haxhillëkun, ashtu edhe për umren.”[75]
Çfarë bën femra me rastin e hyrjes në ihram?
Ajo vepron siç vepron edhe burri: lahet e pastrohet, heq qimet e nënsqetullave dhe vendeve të tjera, shkurton thonjtë dhe mënjanon erën e keqe, në mënyrë që të mos ketë nevojë për këto gjatë ihramit, ngase asaj i ndalohen. Ndërkaq, nëse nuk ka nevojë për diç, nga këto që përmendëm, atëherë nuk obligohet, por këto janë ndër veçoritë e ihramit. Nuk ka kurrfarë pengesë të parfumojë trupin e saj me ndonjë erë që nuk është ndezëse, duke u mbështetur në hadithin e Aishes, e cila tregon: “Ne dilnin me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, dhe, para se të vishnim ihramin, vinim parfum myshku mbi ballë. Kur ndokush prej nesh djersitej, parfumi na përshkonte fytyrën. Pejgamberi e vinte re këtë dhe nuk na ndalonte.”[76] (Shënon Ebu Davudi)
Sheukani, në librin Nejlul eutar, 5/12, thotë: “Heshtja e tij, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, tregon lejimin, ngase ai nuk hesht për diçka të ndaluar.”
Kur bën nijetin e ihramit, heq ferexhenë (burkën) dhe perçen
Nëse ato i ka pasur të veshura para ihramit, që janë mbulesa për fytyrën, ku ka dy vrima te sytë, përmes të cilave femra shikon, duke u bazuar në thënien e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Femra me ihram nuk vendos burkë.” [77] (Shënon Buhariu) Burka është më e fuqishme se perçja. Gjithashtu, ajo heq dorezat, nëse i ka veshur para ihramit. Kur t’i vërejë burrat, që nuk janë mahremë të saj, e mbulon fytyrën me çkadoqoftë, përveç burkës e perçes. Edhe duart i mbulon kundrejt tyre, me çfarëdo rrobe qoftë, përveç dorezave, sepse fytyra dhe duart konsiderohen pjesë të turpshme (auret), që medoemos duhet mbuluar kundrejt burrave, gjatë ihramit dhe jashtë tij. Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sa i përket femrës, ajo është auret, prandaj i lejohet të veshë rroba me të cilat mbulohet, të futet në hijen e shalës, mirëpo Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka ndaluar të vërë perçe apo të veshë doreza. Nëse femra e mbulon fytyrën e saj me diç që nuk e prek fytyrën, lejohet, me pajtim të dijetarëve, porse nëse e prek atë, mendimi më i saktë është se po ashtu lejohet. Femra nuk detyrohet ta fshehë e ta mbulojë fytyrën me ndonjë degë, as me duar e as me kurrgjë tjetër. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka njësuar fytyrën dhe duart e saj dhe, që të dyja, janë si trupi i burrit, e jo si koka e tij. Gratë e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, i lëshonin ato poshtë fytyrës, pa pasur në konsideratë fshehjen. Asnjë dijetar nuk ka përcjellë nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, të ketë thënë: “Ihrami i femrës është në fytyrën e saj.” Kjo është thënie e disa selefëve (të parëve tanë).” Dijetari i madh, Ibn Kajimi, në librin e tij Tehdhib es sunen, 2/350, thotë: “Nuk është transmetuar nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, diç lidhur me obligueshmërinë e zbulimit të fytyrës së femrës gjatë ihramit, përveç ndalesës për perçen, duke vijuar: “Ndërkohë që është vërtetuar nga Esmaja se ajo e mbulonte fytyrën e saj duke qenë me ihram. Aisha tregon: “Kalorësit na shoqëronin kur ishim me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, nën ihram. Kur ata na vinin afër, secila prej nesh lëshonte poshtë perçen dhe mbulonte fytyrën e saj. E, kur ata kalonin, ne i rizbulonim fytyrat.” (Shënuar nga Ebu Davudi)
Ki parasysh, oj muslimane me ihram, se të ndalohet mbulimi i fytyrës dhe i duarve me diçka të qepur veçanërisht për to, sikurse perçja dhe dorezat. Ti detyrohesh të mbulosh fytyrën dhe duart e tua kundrejt burrave të huaj me himar (shami koke), me ndonjë rrobë, e të ngjashme me to, dhe nuk ka kurrfarë baze për vënien e diçkaje që ngrit mbulesën nga të prekurit e fytyrës, as me vënien e ndonjë dege, turbani e as diçkaje tjetër.
Femrës, gjatë ihramit, i lejohet të veshë çfarëdo veshje grash që nuk kanë stoli
Ato veshje nuk duhet të jenë të ngjashme me rroba meshkujsh; nuk duhet të jenë të ngushta, që përshkruajnë format e gjymtyrëve të saj, e as nuk duhet të jenë të tejdukshme e që nuk mbulojnë, nuk duhet të jenë të shkurtra, që zbulojnë këmbët apo duart e saj, por ato duhet të jenë të mjaftueshme, të gjata e të gjera. Ibn Mundhiri thotë: “Dijetarët kanë konsensus se femrës me ihram i lejohet të veshë këmishë grash, brekushe, shami koke dhe këpucë.” (Shih Mugni, 3/328)
Asaj nuk i obligohet të veshë ndonjë ngjyrë të caktuar rrobash, fjala vjen, e gjelbra, por vesh çfarëdo ngjyra, të veçanta për gra, sikurse e kuqja, e gjelbra apo e zeza. Gjithashtu, asaj i lejohet t’i zëvendësojë ato me ngjyra të tjera, nëse do.
Është sunet për femrën që pas ihramit ta thotë telbijen me zë, aq sa e dëgjon veten e saj
Ibn Abdulberri thotë: “Dijetarët kanë konsensus se suneti për femrën është të mos ngritë zërin e saj, por aq sa e dëgjon veten. Për të është e papëlqyer ngritja e zërit, ngase ekziston frika se mund të sprovohet, prandaj nuk i ligjësohet thirrja e ezanit e as e ikametit, sikurse që në namaz tërheq vërejtjen, në rast të ndonjë gabimi të imamit, me përplasje të shuplakës, e jo me thënien subhanallah. Përcjellë nga El Mugni, 2/330-331.
Gjatë tavafit i obligohet mbulimi i plotë
Ajo duhet ta ulë zërin, të ruajë shikimin, të mos shtyhet me burrat, veçanërisht te Guri i Zi apo te Këndi i Jemenit (Rukn Jemani). Tavafi i saj në fund të vendit, ku bëhet tavafi pa u shtyrë, është më i mirë sesa tavafi afër Qabesë e duke u shtyrë, ngase shtyrja dhe shtypja me njëri-tjetrin është veprim i ndaluar, për shkak të fitnes, kurse afrimi te Qabeja dhe puthja e Gurit të Zi janë sunet, nëse mundësohet një gjë e tillë. Prandaj, nuk kryen ndonjë veprim të ndaluar për të zbatuar një sunet, madje në këtë situatë nuk është fare sunet për të, ngase kur kalon në drejtim paralel të tyre, sunet është të sinjalizojë drejt tij. Imam Neveviu, në librin El Mexhmu, 8/37, thotë: “Dijetarët tanë kanë thënë: “Për gratë nuk pëlqehet puthja e Gurit e as prekja e tij, përveçse kur nuk ka njerëz, fjala vjen, gjatë natës apo ndonjëherë tjetër, për shkak se ekziston mundësia të vetëdëmtohen apo të dëmtojnë të tjerët.”
Autori në Mugni, 3/331, thotë: “Tavafi për femrën pëlqehet natën, sepse janë më të mbuluara dhe ka më pak shtyrje, e kësisoj i mundësohet t’i afrohet Qabesë dhe ta prekë Gurin.”
Tavafi dhe saji i grave bëhen tërësisht duke ecur
Autori në El Mugni, 3/394, thotë: “Tavafi dhe saji i grave bëhen tërësisht duke ecur. Ibn Mundhiri thotë: “Dijetarët kanë pajtueshmëri se nuk ka ecje me hapa të shpejtë (ramël) për gratë rreth Qabesë, e as midis Safasë e Merves. Gjithashtu, femrat nuk kanë idtiba (lënia pambuluar e shpatullës së djathtë), sepse parimisht në këto dy veprime ka shfaqje të lëkurës, gjë që nuk synohet për gratë, ngase ato duhet të mbulohen, sa kohë që në këto dy rite ka ekspozim për t’u zbuluar.”
Veprimet që i bën gruaja me menstruacione gjatë ritualit të haxhillëkut dhe ato që nuk i bën derisa të pastrohet
Gruaja me menstruacione i kryen të gjitha ritet e haxhillëkut, duke filluar nga ihrami, qëndrimi në Arafat, bujtja në Muzdelifë dhe hedhja e guralecëve, kurse tavafin rreth Qabesë nuk e bën pa u pastruar, duke u bazuar në thënien e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, drejtuar Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kur iu paraqitën menstruacionet: “Kështu, bëji të gjitha veprimet që kryen çdo haxhi tjetër, veçse nuk do të bësh tavaf (rrotullim rreth Qabesë), derisa të pastrohesh”[78] (Mutefekun alejh) Ndërkaq, në motërzimin e Muslimit qëndron: “Bëji të gjitha ato veprime që i bën haxhiu, me përjashtim të tavafit rreth Qabesë, derisa të lahesh.”[79]
Sheukani, në librin Nejlul eutar, 5/49, thotë: “Hadithi në ndalimin e tavafit për gruan me menstruacione është i qartë, derisa t’i ndërpritet gjakrrjedhja dhe të lahet. Ndalesa rezulton me pavlefshmëri, prandaj tavafi i gruas me menstruacione është i pavlefshëm dhe ky është qëndrimi i shumicës së dijetarëve.”
Ajo nuk bën saj ndërmjet Safasë dhe Merves, sepse saji është i pavlefshëm, përveç nëse kryhet pas tavafit, ngase Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, sajin e ka kryer vetëm pas tavafit. Imam Neveviu, në librin El Mexhmu, 8/82, shkruan: “Degëzim: Sikur të kryejë sajin para tavafit, saji i tij nuk është i vlefshëm sipas nesh, dhe këtë e thonë shumica e dijetarëve. Më lart thamë se Maverdi ka përcjellë konsensus (ixhma) lidhur me këtë. Ky është edhe medhhebi i Malikut, Ebu Hanifes dhe Ahmedit. Ndërkaq, ibn Mundhiri ka treguar nga Atai dhe nga disa dijetarë të hadithit se saji është i vlefshëm. Dijetarët tanë kanë treguar këtë nga Atai dhe Davudi. Argumenti ynë është se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, e ka bërë sajin pas tavafit. Ai ka thënë: “Merrini ritet tuaja nga unë.” Ndërkaq, hadithi i Ibn Shurejk Es Sahabiut thotë: “Dola me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, për ta kryer haxhillëkun. Njerëzit i venin dhe i thoshin: “O i Dërguari i Allahut! E kreva sajin para se të bëja tavaf, ose e vonova këtë apo fillimisht e bëra atë.” Ai u thoshte: “Nuk ka problem, përveç atij që ka nëpërkëmbur nderin e ndonjë muslimani. I tilli është zullumqar, që është shkatërruar e që ka mëkatuar.”[80] (Shënon Ebu Davudi, me zinxhir të saktë transmetuesish. Të gjithë transmetuesit janë të saktë, përveç Usame ibn Shurejk Es Sahabiut. Ky hadith komentohet dhe i bartet kuptimi, siç ka thënë Hatabi dhe të tjerët, se thënia e tij: “E kreva sajin para se të bëja tavaf.” Respektivisht, e bëra sajin pas tavafit të mbërritjes (tavaf kudum) dhe para tavafit të mësymjes (tavaf ifadah - tavafi pas vërshimit nga Mina për në Mekë).”
Hoxha ynë, Shejh Muhamed El Emin Esh Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!), në tefsirin e tij Eduau-l-bejan, 5/252, thotë: “Dije se shumica e dijetarëve ndajnë mendimin se saji para tavafit nuk është i vlefshëm. Ai që e kryen sajin para tavafit, nuk e ka sajin të vlefshëm, sipas shumicës, në mesin e të cilëve janë edhe të katër imamët. Maverdi dhe të tjerët kanë përcjellë konsensus lidhur me këtë. Pastaj përcolli fjalët e Neveviut, që i cituam më lart, dhe përgjigjen rreth hadithit të Ibn Shurejkut, e më pas thotë: “Thënia e tij: “Para se të bëj tavaf.” Respektivisht tavaf ifada, që konsiderohet shtyllë (rukn), gjë që nuk ka kundërshti, se ai ka kryer sajin pas tavafit kudum, që nuk është rukn.”
Ndërkaq, autori në El Mugni, 5/245, botimi i shtëpisë botuese Hexhr, thotë: “Saji e pason tavafin dhe është i vlefshëm vetëm nëse i paraprin tavafi. Nëse e kryen sajin para tavafit, nuk është i vlefshëm. Këtë e thonë edhe Maliku, Shafiu dhe hanefitë. Atau ka thënë se i mjafton. Ndërkaq, nga Ahmedi transmetohet: “Mjafton nëse harron, e, nëse e bën qëllimisht, saji nuk i mjafton, ngase Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, kur u pyet rreth paraprirjes së veprimit dhe vonimit në raste mosdijeje dhe harrese, ka thënë: “Nuk ka problem.” Ndërkaq, aspekti i parë është se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, e kryente sajin pas tavafit, ndërkohë që ka thënë: “Merrini nga unë ritet tuaja.”[81]
Nga ajo që u cek më sipër, bëhet e ditur se, hadithi, me të cilin argumentohen ata që ndajnë mendimin e vlefshmërisë së sajit para tavafit, nuk shërben si dëshmi, ngase ai bartet në njërën prej dy çështjeve: ose e ka kryer sajin para tavafit ifada, ku paraprakisht e ka bërë sajin për tavafin kudum, rrjedhimisht saji i tij është bërë pas tavafit, ose bartet për të paditurin dhe atë që ka harruar, e jo për atë që e kryen qëllimisht.
Në këtë çështje u zgjerova më tepër, ngase në këtë kohë janë shfaqur ata që japin fetua për lejimin e sajit para tavafit në përgjithësi, e Allahu është Ai që ndihmon!
Vërejtje:
Po qe se femrës, me të bërë tavaf, i vijnë menstruacionet, në këtë rast ajo e kryen sajin, ngase për të (sajin) nuk kushtëzohet të qenët e pastër. Autori në El Mugni, 5/246, thotë: “Shumica e dijetarëve ndajnë mendimin se, për sajin ndërmjet kodrinave Safa dhe Merve nuk kushtëzohet pastërtia. Ndër ata që mbajnë këtë qëndrim janë: Atau, Maliku, Shafiu, Ebu Theuri dhe hanefitë, duke vijuar: “Ebu Davudi ka thënë: “E dëgjova Ahmedin duke thënë: “Nëse femra ka bërë tavaf rreth Qabesë, e pastaj i paraqiten menstruacionet, e kryen sajin ndërmjet Safasë dhe Merves, e pastaj largohet. Është përcjellë nga Aishja dhe Umu Seleme se kanë thënë: “Nëse femra ka bërë tavaf rreth Qabesë dhe ka falur dy rekatet, e pastaj i vijnë menstruacionet, le të kryejë sajin ndërmjet Safasë dhe Merves.” (Shënon Ethremi)
Grave u lejohet të largohen bashkë me të dobëtit nga Muzdelifa pas perëndimit të hënës
Ato hedhin guralecët në xhemren e parë, në Akabe, pas arritjes në Minë, nga frika e turmës.
Muvefaku, në librin El Mugni, 5/286, thotë: “Nuk ka kurrfarë pengese që gratë dhe ata që janë të dobët të ecin përpara. Abdurrahman ibn Aufi dhe Aishja u jepnin përparësi të dobëtëve. Këtë e thonë Atau, Theuriu, Shafiu, Ebu Theuri e hanefitë, dhe nuk dimë dikë që kundërshton, ngase në këtë ka mirësi ndaj tyre dhe shmangie kundrejt mundimeve të turmës, si dhe ndjekje të traditës së Pejgamberit të tyre, sal-lallahu alejhi ue sel-lem.
Imam Sheukani, në librin Nejlul-eutar, 5/70, thotë: “Argumentet dëshmojnë se koha e hedhjes së gurëve është pas lindjes së Diellit, për ata që nuk kanë lehtësim, kurse për ata që kanë lehtësim, sikurse gratë dhe të tjerët, që janë të dobët, lejohet edhe para kësaj.”
Imam Neveviu, në librin El Mexhmu, 8/125, thotë: “Shafiu dhe dijetarët tanë thonë: “Është sipas Sunetit t’u jepet përparësi grave dhe të tjerëve që janë të dobët para agimit, pas mesnatës, deri në Minë, me qëllim që të hedhin gurët në xhemren Akabe, para se të vijë turma e njerëzve.” Pastaj përmend hadithet që e dëshmojnë këtë.
Femra shkurton flokët për haxhillëk e umre sa një majë gishti
Asaj i nuk lejohet t’i rruajë flokët. Autori në librin El Mugni, 5/310, thotë: “Për femrën ligjësohet shkurtimi, e jo rruajtja, dhe për këtë nuk ka mospajtueshmëri. Ibn Mundhiri thotë: “Dijetarët kanë konsensus mbi këtë, ngase rruajtja për to është ndëshkim. Ibn Abasi tregon: I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Gratë nuk duhet t’i rruajnë (kokat e tyre). Ato vetëm duhet shkurtuar flokët.”[82] (Shënon Ebu Davudi) Nga Aliu transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka ndaluar që femra ta rruajë kokën e saj.”[83] (Shënon Tirmidhiu)
Imam Ahmedi thoshte: “Në çdo tufë shkurton sa një majë gishti. Ky është qëndrimi i Ibn Omerit, Shafiut, Is’hakut dhe Ebu Theurit.” Ebu Davudi thotë: “E kam dëgjuar Ahmedin kur u pyet lidhur me femrën se, a shkurton flokët në tërë kokën? Tha: “Po. Flokët i mbledh përpara kokës, e pastaj merr nga anët e flokëve të saj sa një majë gishti.”
Imam Neveviu, në El Mexhmu, 8/150-154, thotë: “Dijetarët janë të njëzëshëm se femra nuk urdhërohet ta rruajë kokën, porse i shkurton flokët e saj..., ngase ajo është bidat (risi) dhe ndëshkim për to.”
Nëse femra me menstruacione hedh gurët në xhemren Akabe dhe i shkurton flokët, lirohet nga ihrami
Me këtë rast asaj i lejohet ajo që ishte e ndaluar për të gjatë ihramit, porse ajo është e ndaluar për bashkëshortin e saj. Asaj nuk i lejohet t’ia mundësojë burrit të ketë kontakt intim me të, derisa ta bëjë tavafin ifada rreth Qabesë. Kontakti seksual gjatë kësaj periudhe ia detyron fidjen (dëmshpërblimin), që është prerja e një deleje në Mekë dhe shpërndarja e saj për të varfrit e Haremit, ngase kjo është pas lirimit të parë.
Nëse femrës i vijnë menstruacionet pas tavafit ifada, mund të udhëtojë kur të dojë, si dhe për të bie tavafi veda
Kjo duke u bazuar në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila tregon: “Safijes, bijës së Hujejit i erdhën menstruacionet pasi e kreu tavafin ifada. Ajo rrëfen: “Këtë ia përmenda Pejgamberit, e ai tha: “Me gjasë ajo do të vonojë? I thashë: “O i Dërguari i Allahut, ajo e ka kryer tavafin ifada dhe e ka bërë tavafin rreth Qabesë, e pastaj i kanë ardhur menstruacionet pas ifadës.” Ai tha: “Atëherë, le të niset (për udhëtim).”[84] (Mutefekun alejh)
Ibn Abasi tregon se njerëzit qenë urdhëruar të bëjnë tavaf rreth Qabesë (tavafin lamtumirës), si veprim të fundit të haxhillëkut para se të largohen nga Meka, përveç grave me menstruacione, të cilat qenë kursyer nga kjo detyrë.”[85] (Mutefekun alejh) Gjithashtu, po ai përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, e ka kursyer gruan me menstruacione të kthehet para se ta kryejë tavafin (lamtumirës) rreth Qabesë, nëse paraprakisht e ka bërë tavafin ifada.”[86] (Shënon Ahmedi)
Imam Neveviu, në El Mexhmu, 8/281, thotë: “Ibn Mundhiri ka thënë: “Këtë e thonë shumica e dijetarëve, ndër ta: Maliku, Euzaiu, Theuriu, Ahmedi, Is’haku, Ebu Theuri, Ebu Hanife dhe të tjerët.”
Autori në El Mugni, 3/461, thotë: “Ky është qëndrimi i shumicës së juristëve.” Gjithashtu ka thënë: “Gjykimi për lehonën është sikurse gjykimi për atë me menstruacione, ngase dispozitat e nifasit janë po ato dispozita të hajzit, në atë me të cilën obligohet dhe në atë me të cilën lirohet (kursehet).”
1. Për femrën parapëlqehet ta vizitojë Xhaminë e të Dërguarit[87]
Pëlqehet për shkak se aty fal namaz dhe lutet. Mirëpo, asaj i ndalohet ta vizitojë varrin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ngase i ndalohet vizitimi i varreve.
Shejh Muhamed ibn Ibrahim Al Shejh, ish-myfti i Arabisë Saudite (Allahu e mëshiroftë!), në Përmbledhjen e fetuave të tij, 3/239, thotë: “E vërteta në këtë çështje është ndalimi i tyre (femrave) për të vizituar varrin e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, për dy çështje: E para: Përgjithësimi i argumenteve. Kur ndalesa vjen e përgjithësuar, askujt nuk i lejohet ta specifikojë, përveçse me argument, pastaj shkaku është ekzistues këtu...”[88]
Shejh Abdulaziz ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij rreth formës së kryerjes së riteve të haxhillëkut,[89] me të përmendur vizitimin e varrit të të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, për atë që e viziton Xhaminë e tij të ndershme, shkruan: “Kjo vizitë u ligjësohet vetëm burrave. Ndërkaq, sa u përket grave, ato nuk i vizitojnë varret, ashtu siç është vërtetuar nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, se ai i ka mallkuar gratë vizituese të varreve, shndërruesit e tyre (varreve) në xhami dhe ndriçimin e tyre.”[90]
Sa i përket mësymjes së Medinës, me qëllim të faljes së namazit në Xhaminë e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, lutjes në të, a të ngjashme me këto, që janë veprime të lejuara nëpër të gjitha xhamitë e tjera, janë të ligjshme për të gjithë.
KREU I NËNTË Dispozita të veçanta rreth jetës martesore dhe zgjidhjes së saj
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Rum, 21) Gjithashtu, Ai thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” (Nur, 32)
Imam Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ky është urdhër për martesë. Disa dijetarë ndajnë mendimin e obligueshmërisë së martesës për të gjithë ata që kanë mundësi, duke u mbështetur në aspektin e jashtëm të hadithit: “O ju të rinj! Cilido prej jush, që mund të martohet, le të martohet, sepse kjo do ta ndihmojë për ta mbrojtur syrin dhe për ta ruajtur nderin. E, ai që nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi shërben për t’u mbrojtur.”[91] (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi, përcjellë nga Ibn Mesudi) Pastaj, u cek se martesa është shkak për t’u pasuruar, duke u argumentuar me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij...” (Nur, 32) Nga Ebu Bekër Es Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është përmendur se ka thënë: “Bindjuni Allahut tek ju urdhëron për martesë, Ai do ta përmbushë premtimin për t’ju pasuruar. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” (Nur, 32) Nga Ibn Mesudi përcillet të ketë thënë: “Kërkoni pasurinë në martesë. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” (Nur, 32) (Shënon Ibn Xheriri, kurse Begaviu, ngjashëm me të, e ka cekur nga Omeri, Tefsir Ibn Kethir, 5/94-95, botimi i shtëpisë botuese Daru-l-Endelus)
Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në librin Mexhmuul fetava, 32/90, thotë: “Allahu i Lartësuar ua ka lejuar besimtarëve të martohen, të shkurorëzojnë dhe të martohen me gruan e shkurorëzuar, pasi ajo të martohet me ndonjë burrë tjetër (e të ndahet prej tij). Të krishterët e ndalojnë martesën për disa prej tyre. Atij që ia lejojnë martesën, nuk ia lejojnë shkurorëzimin. Ndërkaq, hebrenjtë e lejojnë shkurorëzimin, mirëpo, nëse gruaja e shkurorëzuar martohet me ndonjë burrë tjetër, ajo, sipas tyre, i ndalohet atij. Te të krishterët nuk ekziston shkurorëzimi, kurse te hebrenjtë nuk ekziston rikthimi i gruas pasi të jetë martuar me ndonjë burrë tjetër (e të jetë ndarë prej tij). Ndërkaq, Allahu i Lartësuar ua ka lejuar besimtarëve njërën dhe tjetrën.”
Imam Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!), në librin Hedju en nebij, 3/149, tek sqaron dobitë e aktit seksual, që konsiderohet ndër objektivat e jetës martesore, thotë: “Vërtet akti seksual në parim është vënë për tri gjëra, që janë objektivat esencialë të tij:
Një: Ruajtja e pasardhësve dhe vazhdimësia e llojit njerëzor, derisa të plotësohet caktimi i Allahut;
Dy: Nxjerrja e lëngut të dëmshëm, mbetja dhe grumbullimi i të cilit dëmton trupin;
Tre: Plotësimi i dëshirës, shijimi i kënaqësisë dhe kënaqja me begatinë.”
Martesa ka dobi madhështore, kryesorja e të cilave është mbrojtja kundrejt imoralitetit (zinasë) dhe kufizimi i shikimit në të ndaluarën. Gjithashtu, përmes martesës arrihet te pasardhësit dhe te ruajtja e llojit njerëzor. Përmes martesës arrihet qetësia ndërbashkëshortore dhe stabiliteti psikologjik. Po ashtu, në martesë ka ndihmë reciproke ndërmjet bashkëshortëve për formimin e familjes së shëndoshë, që konsiderohet një ndër bazat e shoqërisë islame. Gjithashtu, ndër dobitë e martesës është fakti se burri angazhohet për mbikëqyrjen e femrës dhe për mbrojtjen e saj. Ndërkaq, femra i kryen detyrimet ndaj shtëpisë dhe e luan rolin e saj të vërtetë në jetë, e jo siç pretendojnë armiqtë e femrës dhe shoqërisë se, femra na qenka partnere e burrit në punët jashtë shtëpisë. Ata e nxorën prej shtëpisë, e larguan nga detyra e saj e vërtetë duke ia hedhur punën e të tjerëve, kurse punën e saj ia dhuruan të tjerëve. Kësisoj u çrregullua sistemi familjar, u shtuan keqkuptimet ndërmjet bashkëshortëve, gjë që në shumicën e rasteve shkaktojnë ndarjen e tyre apo vazhdimin e jetës mes torturës shpirtërore dhe jetës së mundimshme.
Hoxha ynë, Shejh Muhamed El Emin Esh Shenkiti, në tefsirin e tij Eduau-l-bejan, 3/422, thotë: “Dije, Allahu na dhëntë suksese në atë që do dhe që është i kënaqur, se kjo ideologji mosbesimi është e gabuar, e ulët dhe kundërshtuese e ndjenjës, mendjes, shpalljes qiellore dhe legjislacionit të Krijuesit, duke barazuar femrën me mashkullin në të gjitha sferat dhe dispozitat. Vërtet në të ka shkatërrim dhe prishje të sistemit social-njerëzor, që nuk i fshihet askujt, përveç atij që Allahu ia ka verbuar arsyen. Allahu i Lartësuar e ka bërë femrën me të gjitha cilësitë e saj përkatëse, të përshtatshme për llojet e pjesëmarrjes në ndërtimin e shoqërisë njerëzore, që nuk u përshtaten të tjerëve, siç janë: shtatzënia, lindja, gjidhënia, edukimi i fëmijëve, shërbimi në shtëpi dhe kryerja e punëve, fjala vjen, gatimi, fshirja etj. Këto shërbime, që i bën për shoqërinë njerëzore brenda shtëpisë së saj, duke qenë e mbuluar, e ruajtur, e mbrojtur e duke e ruajtur dinjitetin moral dhe vlerat njerëzore, nuk janë aspak më të ulëta sesa ato që i kryen burri duke fituar. Prandaj, pretendimi i injorantëve jobesimtarë dhe ndjekësve të tyre se femra gëzuaka të drejta për të shërbyer jashtë shtëpisë së saj, njëjtë sikurse burri, ndonëse gjatë periudhës së shtatzënisë, gjidhënies dhe lehonisë nuk është në gjendje të ushtrojë asnjë veprimtari që ka vështirësi, siç vihet re, kur ajo dhe burri i saj dalin, mbesin shërbëtoret e shtëpisë, që privohen nga ruajtja e fëmijëve të vegjël, nga gjidhënia e atyre që janë në kohën e gjidhënies, si dhe nga përgatitja e ushqimit për burrin kur të kthehet nga puna e tij. Sikur të paguante ndonjë njeri që bën punën e saj, ai nuk do t’i kryente punët në atë shtëpi, kurse femra doli jashtë duke i ikur këtyre punëve, kështu që rezultati kthehet në origjinën e vet, se në daljen e femrës ka humbje të feminitetit dhe fesë.”
Prandaj, kije frikë Allahun, oj motër muslimane! Mos u mashtro me këto propaganda tendencioze, ngase aktualiteti i femrave, të mashtruara me to, është dëshmia më e mirë e shkatërrimit dhe dështimit të saj, dhe se përvoja është dëshmia më domethënëse. Motër muslimane, nxito drejt martesës sa je e re dhe e pëlqyer, e mos e vono për shkak të vazhdimit të studimeve apo për shkak të ndonjë marrëdhënieje pune, sepse martesa e suksesshme është lumturia dhe qetësia jote. Martesa e suksesshme kompenson çdo studim dhe çdo vend pune, kurse ato, sado që të arrijnë, nuk e zëvendësojnë atë.
Kryeji detyrat e shtëpisë sate dhe merru me edukimin e fëmijëve të tu, sepse kjo është puna jote parësore dhe më e frytshmja në jetë. Mos kërko zëvendësim, ngase asgjë s’mund të krahasohet me të. Mos e humb mundësinë e martesës me ndonjë burrë të mirë, ngase Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Nëse ju vjen ndokush, me fenë dhe me moralin e të cilit jeni të kënaqur, martojeni. Po qe se nuk e bëni këtë, do të ndodhin sprova dhe shkatërrim në tokë.”[92] (Shënon Tirmidhiu, që njëherësh e konsideron hasen, kurse hadithi ka rrugë transmetimi që e përforcojnë)
Marrja e pëlqimit të femrës në martesë
Femra që synohet të martohet mund të jetë vajzë e mitur e virgjër, vajzë e virgjër e moshës madhore dhe e ve. Secila nga këto ka dispozita të veçanta.
1. Sa i përket vajzës së re në moshë, nuk ka mospajtueshmëri mes dijetarëve se babai i saj ka të drejtë ta martojë pa e marrë pëlqimin e saj, ngase, kur vajza është e mitur, mendimi i saj nuk merret në konsideratë. Kështu, Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e ka fejuar vajzën e tij të mitur, Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, kur ajo ishte në moshën gjashtëvjeçare. Ndërkaq, kur u martua me të, ajo ishte nëntëvjeçare. (Mutefekun alejh) Imam Sheukani, në librin Nejlul eutar, 6/128-129, thotë: “Në hadith ka argument se babait i lejohet ta martojë vajzën e vet para moshës madhore.” Gjithashtu, ka thënë: “Në të ka dëshmi se lejohet martesa e vajzës së re në moshë me të rriturin.” Buhariu ka sjellë kapitull të veçantë lidhur me këtë, dhe ka përmendur hadithin e Aishes. Ndërkaq, në librin Fet’h tregohet konsensus lidhur me këtë. Autori në El Mugni, 6/487, thotë: “Ibn Mundhiri ka thënë: “Të gjithë dijetarët që njoh kanë konsensus se babait i lejohet ta martojë të bijën me moshë të re, nëse e marton me dikë të përshtatshëm duke pasur në konsideratë ngjashmërinë.” Unë them: Martesa që Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ia bëri Aishes, kur ishte në moshën gjashtëvjeçare, me Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, konsiderohet argumenti më i fuqishëm kundrejt atyre që e kundërshtojnë martesën e vajzës së re me ndonjë të moshuar, që e shajnë këtë dhe që e konsiderojnë gjë të keqe. Këtë e bëjnë vetëm se me injorancë ose duke qenë tendenciozë.
2. Sa i përket vajzës së moshës madhore të virgjër, martohet vetëm me pëlqimin e vet. Nërkaq, heshtja e saj konsiderohet pëlqim, duke u bazuar në thënien e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Vajza e virgjër martohet vetëm pasi t’i jetë marrë pëlqimi.” I thanë: “O i Dërguari i Allahut! Si ta kuptojmë pëlqimin e saj?” Ai tha: “Kur hesht.”[93] Prandaj, asaj medoemos duhet marrë pëlqimi, edhe nëse ai që e marton është i ati, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Dijetari i madh, Ibn Kajimi, në librin El Huda, 5/96, thotë: “Ky është mendimi i shumicës dërrmuese (xhumhurit) të selefëve, medhhebi i Ebu Hanifes, një transmetim i Ahmedit, si dhe ky është mendim me të cilin e adhurojmë Allahun dhe nuk besojmë në ndonjë mendim tjetër. Ky mendim është në përputhje me gjykimin e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, si dhe me urdhrin e ndalesën e tij.”
3. Sa i përket gruas së ve, mund të martohet vetëm me miratimin e saj, që është të folurit, ndryshe nga e virgjra, miratimi i së cilës ishte heshtja. Autori në El Mugni, 6/493, thotë: “Sa i përket gruas së ve, nuk dimë ndonjë mospajtim mes dijetarëve se, miratimi i saj është të folurit, për shkak të transmetimit lidhur me këtë, dhe se gjuha është reflektuese e asaj çfarë ka në zemër dhe kjo merret në konsideratë në çdo vend tek merret miratimi.” Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në librin Mexhmuul fetava, 32/39-40, thotë: “Askush nuk mund ta martojë femrën pa lejen e saj, siç ka urdhëruar i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Nëse ajo nuk e jep pëlqimin, nuk detyrohet të martohet, përveç vajzës së re në moshë, ngase babai i vet e marton atë, leja e së cilës nuk merret në konsideratë. Ndërkaq, sa i përket gruas së ve, askush nuk mund ta martojë pa pëlqimin e saj, as babai e as kurrkush tjetër, me konsensus të dijetarëve. Gjithashtu, të virgjrën e moshës madhore, përveç babait a gjyshit të vet, askush nuk ka të drejtë ta martojë pa pëlqimin e saj, me konsensus të dijetarëve. Ndërkaq, sa i përket babait dhe gjyshit, ata duhet të marrin miratimin e saj. Ndërkohë, dijetarët kanë mospajtueshmëri lidhur me marrjen e lejes së saj se, a është e detyruar apo vetëm e preferuar. Sipas mendimit më të saktë, ajo është e detyruar dhe se kujdestari i femrës duhet t’ia ketë frikën Allahut me kë po e marton. Ai duhet të shikojë se a është burrë i denjë për të apo jo, ngase, kur e marton, duhet të shohë interesin e saj, jo të tijin.”
Kushtëzimi i kujdestarit në martesën e femrës dhe urtësia e kësaj
Koncepti për t’i dhënë femrës të drejtën e zgjedhjes së bashkëshortit të përshtatshëm nuk nënkupton liri veprimi të martohet me kë të dojë, edhe nëse në këtë ka dëm për të afërmit e për familjen e saj. Përkundrazi, asaj i është kushtëzuar kujdestari, i cili mbikëqyr përzgjedhjen e saj, e orienton në këtë dhe merr përsipër aktin e kurorëzimit. Ajo nuk e vetëkryen aktkurorëzimin. Nëse e bën këtë, akti i saj është i pavlefshëm, duke u mbështetur në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi ka thënë: “Martesa e çdo gruaje që kurorëzohet pa lejen e kujdestarit të saj është e pavlefshme, e pavlefshme, e pavlefshme.”[94] (Tirmidhiu, që thotë se hadithi është i mirë) Ndërkaq, në katër sunenet qëndron: “Nuk ka martesë pa praninë e kujdestarit.”[95] Të dy hadithet, dhe të tjerat në këtë kontekst, tregojnë se martesa është e pavlefshme pa praninë e kujdestarit, ngase mohimi në origjinë është mohim i vlefshmërisë. Tirmidhiu thotë: “Në përputhje me këtë hadith veprojnë dijetarët, ndër ta: Omeri, Aliu, Ibn Abasi, Ebu Hurejra dhe të tjerët. Kësisoj është përcjellë edhe nga juristët tabiinë, të kenë thënë: “Nuk ka martesë pa praninë e kujdestarit.”[96] Ky mendim është edhe i Shafiut, Ahmedit dhe Is’hakut. (Shih El Mugni, 6/449)
Dispozita e rënies së defit nga gratë për ta shpallur martesën
Pëlqehet që gratë t’i bien defit, në mënyrë që të kuptohet e të afirmohet martesa dhe kjo të bëhet në mesin e grave veçanërisht. Nuk duhet të jetë e shoqëruar me muzikë, as me instrumente muzikore, as me zëra këngëtaresh. Në këtë rast nuk ka kurrfarë ndalese që gratë të këndojnë poezi duke mos u dëgjuar nga burrat. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Dallimi mes të lejuarës dhe të ndaluarës është përdorimi i defit dhe zërit në martesë.”[97] (Shënojnë të pestët, përveç Ebu Davudit. Ndërkaq, Tirmidhiu e klasifikon si hasen) Sheukani, në librin Nejlul eutar, 6/200, thotë: “Në këtë ka argument se në martesë lejohet rënia e defit dhe ngritja e zërit në ndonjë këngë, fjala vjen, “Ju erdhëm, ju erdhëm!” e të ngjashme më të, e jo me këngë nxitëse në të keqen, teksti i të cilave përmban përshkrimin e bukurisë, të keqes, dhënien pas pijeve alkoolike. Këto dhe të gjitha llojet e argëtimeve të ndaluara janë haram gjatë martesës, siç janë haram edhe jashtë saj.”
Oj muslimane! Mos shpenzo tepër duke blerë stoli e fustane me rastin e martesës, ngase kjo konsiderohet teprim, të cilin e ka ndaluar Allahu, duke na bërë me dije se Ai nuk i do ata që e teprojnë. Allahu i Lartësuar thotë: “Por mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë!” (Enam, 141) Në këtë drejtim duhet ta ndjekësh mesataren e ta lësh lavdërimin.
Obligueshmëria e bindjes së gruas ndaj burrit të saj dhe ndalesa e kundërshtimit të tij
Oj ti muslimane! Ty të obligohet t’i bindesh burrit në mirësi. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nëse gruaja i fal pesë namazet, e agjëron Ramazanin, e ruan nderin e saj dhe i bindet burrit, hyn në Xhenet nga cilado derë të dëshirojë.” (Shënon Ibn Hibani në Sahihun e tij) Gjithashtu, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Gruas nuk i lejohet të agjërojë (vullnetarisht) ndërsa burri i saj është me të, përveçse me lejen e tij, si dhe nuk i lejohet të lërë dikë të hyjë në shtëpinë e tij, përveçse me lejen e tij.”[98] (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi) Gjithashtu, Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nëse burri e fton gruan e tij në shtrat, ndërsa kjo e refuzon, ndërkohë që burri fle (shtrihet) duke qenë i zemëruar me të, engjëjt do ta mallkojnë atë (gruan) deri në mëngjes.”[99] (Shënojnë Buhariu, Muslimi dhe të tjerët) Ndërkaq, sipas një motërzimi tjetër, të Buhariut e të Muslimit, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, kurrë nuk ndodh që ndonjë burrë ta ftojë gruan e tij në shtrat, kjo ta refuzojë, e të mos hidhërohet me të Ai që është mbi qiej, derisa ai (burri) ta falë atë (gruan).”[100]
Prej të drejtave të burrit, që janë obligim për gruan e vet, është që ajo të kujdeset për shtëpinë e tij dhe të mos dalë pa leje. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Gruaja është kujdestare e shtëpisë së burrit dhe përgjegjëse e asaj që i është lënë nën kujdesin e vet.” [101] (Buhariu dhe Muslimi)
Ndër të drejtat e tij karshi saj është që ajo të punojë në shtëpinë e tij dhe të mos ketë nevojë të sjellë shërbëtore e të ngushtohet, dhe, shkaku i saj, t’i ekspozohet rrezikut për veten dhe për fëmijët e vet.
Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në librin Mexhmuul fetava, 32/260-261, thotë: “Fjala e të Lartësuarit: “Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.” (Nisa, 34) nënkupton obligueshmërinë e bindjes së gruas ndaj burrit në mënyrë absolute: shërbimin, udhëtimin me të, bindjen në shtrat dhe të tjerat, siç tregon Suneti i të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem.”
Dijetari i madh, Ibn Kajimi, në librin e tij El Huda, 5/188-189, thotë: “Ata që obligojnë shërbimin janë argumentuar duke thënë se kjo është përgjegjësia kur Allahu u drejtohet me fjalët e Tij. Ndërkaq, sa i përket argëtimit të femrës e shërbimit të burrit ndaj saj, fshirjen, gatimin, pastrimin, shtrojën dhe kryerjen e të gjitha shërbimeve të tjera në shtëpi janë neveritëse dhe të papranueshme. Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi” (Bekare, 228) Gjithashtu, Ai thotë: “Meshkujt kanë autoritet mbi gratë” (Nisa, 34) Nëse femra nuk i shërben atij, porse ai bëhet shërbëtor, atëherë ajo ka autoritet ndaj tij, duke vijuar: “Allahu i Lartësuar obligoi sigurimin e furnizimit, veshmbathjes dhe vendbanimit të saj kundrejt kënaqjes së tij me të dhe shërbimit të saj, ashtu siç është rregulli dhe tradita mes bashkëshortëve. Gjithashtu, aktet e përgjithshme i referohen traditës e zakonit. E zakon është shërbimi i gruas dhe kryerja e punëve të brendshme të shtëpisë.” Gjithashtu, thotë: “Nuk bëhet dallimi mes gruas së ndershme dhe asaj të pandershme, ndërmjet të pasurës dhe të varfrës. Gruaja më e ndershme ndër të gjitha gratë e botës, respektivisht Fatimja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i shërbente burrit të saj. Kështu, i vajti Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, duke iu ankuar për këtë, porse ai nuk ia mori ankesën parasysh.”
Pyetje: Si trajtohet situata nëse femra vëren te burri mospërfillje ndaj saj, kurse ajo dëshiron të mbetet me të?
Përgjigjja: Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse gruaja druan nga burri i saj se do të sillet keq ose nuk do ta përfillë, atëherë nuk ka gjynah për ata, nëse pajtohen ndërmjet tyre. Pajtimi është më i mirë.” (Nisa, 128) Hafidh Ibn Kethiri thotë: “Nëse gruaja druan për burrin e saj se largohet, nuk e përfill atë, apo ka ndonjë ftohje prej saj, atëherë duhet të heqë dorë prej të drejtës së saj, apo prej disa të drejtave që kanë të bëjnë me furnizimin, veshmbathjen, numrin e ditëve që i takojnë për të fjetur me të, e të drejta të tjera, kurse atij i takon t’ia pranojë ato. Nuk ka pengesë që ajo të heqë dorë prej tyre e ai t’ia pranojë ato. Prandaj dhe Allahu thotë: “Nuk ka gjynah për ata, nëse pajtohen ndërmjet tyre. Pajtimi është më i mirë.” (Nisa, 128) Respektivisht, pajtimi është më i mirë sesa ndarja.” Pastaj përmend historinë e Seude bint Zumahut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se, kur ajo u plak, Pejgamberi deshi ta shkurorëzonte, porse qenë marrë vesh ta mbante, e ditën (e qëndrimit me të) t’ia linte Aishes. Ai pranoi dhe e mbajti.” (Shih Tefsir Ibn Kethir, 2/406, botimi i fundit)
Pyetje: Si duhet vepruar nëse gruaja e urren bashkëshortin dhe nuk dëshiron të qëndrojë me të?
Përgjigjja: Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse të dy frikësohen se nuk do të mund t’u përmbahen kufijve të Allahut, atëherë nuk është gjynah për asnjërin, nëse gruaja i jep diçka burrit (për t’u ndarë nga ai).” (Bekare, 229) Hafidh Ibn Kethiri në Tefsirin e tij, 1/483, thotë: “Nëse bashkëshortët kanë përçarje, e femra nuk i kryen obligimet, e urren dhe nuk mund të rrijë me të, atëherë ajo i jep burrit nga ajo që ai i ka dhënë. Nuk ka kurrfarë ndalese që ajo t’i japë atij, e as nuk ka ndalesë që ai t’ia pranojë këtë.” Pra, kjo është ndarje me marrëveshje, në këmbim të një shume të hollash të ofruara nga gruaja si kompensim (hula).
Pyetje: Ç’kërcënim ka kundrejt saj, nëse i kërkon ndarje burrit pa kurrfarë arsye?
Përgjigjja: Theubani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Gruas që kërkon ndarjen nga burri i saj pa ndonjë arsye të fortë, i është ndaluar ta shijojë aromën e Xhenetit.”[102] (Shënojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu; ndërkaq Ibn Hibani e konsideron si të mirë në Sahihun e tij) Kjo, ngase gjëja e lejuar më e urryer tek Allahu është shkurorëzimi. Shkurorëzimi vjen në shprehje vetëm në rast nevoje. Ndërkaq, po qe se nuk është e nevojshme, është veprim i urryer, për shkak të dëmeve të tij që janë të njohura. Nevojë e femrës, që kërkon ndarjen, është atëherë kur burri nuk i përmbush detyrimet ndaj të drejtave të saj, rrjedhimisht po të rrijë me të, dëmtohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Gruaja ose të mbahet me të mirë, ose të lejohet të ikë me të mirë.” (Bekare, 229) Gjithashtu, Ai thotë: “Ata që betohen se nuk do t’u afrohen grave të veta, duhet të presin katër muaj; nëse pendohen nga betimi, ta dinë se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. E, nëse vendosin të ndahen, vërtet, Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Bekare, 226-227)
Me se obligohet femra pas përfundimit të aktit martesor?
Ndarja mes bashkëshortëve është dy llojesh: ndarja në jetë dhe ndarja me vdekje. Në të dyja rastet asaj i obligohet të respektojë periudhën e pritjes (idetit). Ajo është pritje e kufizuar fetarisht. Urtësia e respektimit të periudhës së pritjes qëndron në theksimin e rëndësisë së madhe që ka martesa, pastaj njohja nëse gruaja është shtatzënë, në mënyrë që të mos ketë marrëdhënie intime burri tjetër, që nuk e ka ndarë, e kësisoj të fitohet dyshimi dhe të përzihet atësia e fëmijëve. Pastaj, me këtë, respektohet edhe akti i mëparshëm martesor, respektohet e drejta e burrit shkurorëzues, si dhe lihen gjurmët e ndarjes së tij.
Ideti ndahet në katër lloje:
Lloji i parë: Ideti i gruas shtatzënë. Ideti i saj është lindja, qoftë e ndarë me shkurorëzim përfundimtar, jopërfundimtar, e ndarë në jetë apo për shkak të vdekjes së burrit prej saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Kurse, për gratë shtatzëna, afati i tyre është deri në lindjen e fëmijës.” (Talak, 4)
Lloji i dytë: Ideti i të shkurorëzuarës që i shfaqen menstruacionet. Ai është tri cikle mujore, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Gratë e ndara duhet të presin tri cikle mujore.” (Bekare, 228)
Lloji i tretë: Ideti i gruas që nuk i shfaqen menstruacionet
Kjo është dy llojesh: Nuk i shfaqen menstruacionet për shkak të moshës së re ose për shkak të moshës së shtyrë, që i janë ndërprerë ato (menopauzës). Idetin e tyre Allahu i Lartësuar e ka sqaruar me fjalën e Tij: “Nëse dyshoni për ato gra tuajat, të cilave u janë ndërprerë zakonet, mësoni se koha e tyre e pritjes është tre muaj. Njësoj është edhe për ato që nuk u kanë ardhur ende zakonet.” (Talak, 4) respektivisht edhe ideti i tyre është ky.
Lloji i katërt: Ideti i gruas që i ka vdekur burri:
Allahu i Lartësuar e ka sqaruar me fjalët e Tij: “Gratë të cilave iu vdes burri, duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë (pas vdekjes së tij).” (Bekare, 234) Në këtë gjykim futet gruaja me të cilën burri ka pasur kontakt intim dhe ajo me të cilën nuk ka pasur, qoftë e re në moshë apo e shtyrë. Këtu nuk hyn gruaja shtatzënë, ngase ajo është përjashtuar nga ky gjykim me fjalën e Allahut: “Kurse, për gratë shtatzëna, afati i tyre është deri në lindjen e fëmijës.” (Talak, 4) (Hedjun en nebij, Ibn Kajimi, 5/594-595, botimi i verifikuar)
Çfarë i ndalohet gruas në periudhën e pritjes (idetit)?
Dispozita e fejesës së saj
a) Gruaja në periudhën e pritjes me shkurorëzim jopërfundimtar. Ndalohet fejesa e saj drejtpërdrejt apo tërthorazi, ngase ajo ende është nën kurorë. Rrjedhimisht, askujt nuk i lejohet ta fejojë, sepse ajo vazhdon të jetë bashkëshorte e burrit të saj.
b) Gruaja në periudhën e pritjes me shkurorëzim përfundimtar. Ndalohet fejesa e saj duke e deklaruar haptazi, porse jo nëse i jepet shenjë se do të kërkohet, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Nuk është gjynah për ju nëse grave të tilla u jepni shenjë se do t’i kërkoni.” (Bekare, 235) Në deklarimin hapur shfaqet dëshira për ta martuar atë, fjala vjen, dua të të martoj, ngase kjo mund ta shtyjë drejt martesës për ta lajmëruar me përfundimin e idetit të saj, realisht para se të përfundojë ajo. Ndryshe nga sinjalizimi, kjo formë nuk është haptazi tek sqaron martesën e saj, prandaj nuk rezulton me kurrfarë pengese. Gjithashtu, duke u bazuar edhe në kuptimin e kundërt të ajetit fisnik.
Shembull i sinjalizimit për martesë është po qe se i thotë, fjala vjen, unë jam i interesuar për ty. Gruas së shkurorëzuar përfundimisht i lejohet t’i kthejë përgjigje në formë nënkuptuese, e nuk i lejohet t’i përgjigjet haptazi. Ndërkaq, gruas së shkurorëzuar jopërfundimisht nuk i lejohet t’i kthejë përgjigje atij që dëshiron ta fejojë, as haptazi e as nënkuptueshëm.
Gruas në periudhën e pritjes i ndalohet martesa me dikë tjetër
Duke u bazuar në thënien e Allahut të Lartësuar: “Dhe mos vendosni për martesë para se të kalojë afati i paraparë i pritjes.” (Bekare, 235) Ibn Kethiri, në Tefsirin e tij, 1/509, thotë: “Domethënë, mos bëni aktkurorëzim derisa t’i përfundojë ideti. Dijetarët kanë konsensus se nuk lejohet akti martesor gjatë periudhës së idetit.”
Dy dobi:
E para: Gruaja e shkurorëzuar para kontaktit intim nuk ka idet, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “O besimtarë! Kur martoheni me besimtaret dhe i ndani ato para se t’i prekni, ato nuk janë të detyruara t’ju presin në afatin kohor të caktuar.” (Ahzab, 49) Ibn Kethiri, në Tefsirin e tij, 5/479, thotë: “Kjo është një çështje për të cilën ka konsensus mes dijetarëve se, nëse femra shkurorëzohet para se të ketë kontakt intim, nuk ka idet, prandaj ajo mund të martohet menjëherë me atë që do.”
E dyta: Gruaja e shkurorëzuar para kontaktit intim, ndërkohë që i është caktuar dhurata martesore (mehri). Asaj i takon gjysma e saj, e, nëse nuk i është caktuar dhurata martesore, atëherë i takon kompensimi me rroba a të ngjashme me to.
Ndërkaq, të shkurorëzuarës pas kontaktit intim i takon mehri i plotë. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to ose para se të caktoni shumën e dhuratës martesore (që do t’u jepni). Por u jepni dhuratë të pëlqyeshme: i pasuri sipas gjendjes së tij dhe i vobekti sipas gjendjes së vet.” (Bekare, 236) e deri te fjala e Tij: “Në qoftë se i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to, por ia keni caktuar shumën e dhuratës martesore, atëherë atyre u përket gjysma e dhuratës.” (Bekare, 237) Respektivisht, nuk ka gjynah për ju, bashkëshortë, nëse i shkurorëzoni gratë para se të bëni marrëdhënie me to, ndërkohë që është caktuar mehri, edhe pse këtu ka thyerje shpirtërore ndaj saj, megjithatë ajo kompensohet për këtë, nga secili bashkëshort, varësisht gjendjes së tij financiare sipas zakonit. Më pas, Allahu përmend gruan që i është caktuar dhurata (mehri) duke urdhëruar t’i jepet gjysma e saj.
Hafidh Ibn Kethiri, në Tefsirin e tij, 1/512, thotë: “Lidhur me përgjysmimin e mehrit, në këtë rast, është një çështje rreth së cilës ka konsensus mes dijetarëve dhe nuk ka kundërshtim mes tyre.”
Gruas në periudhën e idetit, për shkak të vdekjes së bashkëshortit, që njihet si periudha e mbajtjes zi, i ndalohen pesë gjëra
Një: Parfumimi, me të gjitha llojet e tij. Ajo nuk e parfumon as trupin e as rrobat. Gjithashtu, nuk përdor gjëra të parfumuara, duke u bazuar në thënien, respektivisht në hadithin autentik të të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Dhe nuk parfumohet.”[103]
Dy: Zbukurimi i trupit. Asaj i ndalohet lyerja dhe të gjitha llojet e zbukurimit, fjala vjen, kuhli (një lloj pluhuri kozmetik për lyerjen e syve) dhe llojet e tjera. Porse, nëse detyrohet ta përdorë kuhlin për t’u shëruar, e jo si zbukurim, atëherë i lejohet natën, por e fshin ditën. Nuk ka kurrfarë ndalese që t’i trajtojë sytë e saj me diçka tjetër, që nuk është zbukurim, përveç kuhlit.
Tre: Zbukurimi me rroba të përgatitura enkas për zbukurim. Ajo vesh rroba që nuk kanë zbukurime duke mos iu përcaktuar ndonjë ngjyrë e veçantë, porse ato që janë traditë e zakon.
Katër: Stolisja me të gjitha llojet, madje edhe unaza.
Pesë: Bujtja në ndonjë shtëpi tjetër prej asaj që i ka vdekur i shoqi. Ajo nuk zhvendoset prej asaj shtëpie, veçse për ndonjë shkak fetar. Nuk del për ta vizituar të sëmurin, as miken e as ndonjë të afërm. Asaj, gjatë ditës, i lejohet të dalë për nevojat e veta të domosdoshme. Ndërkaq, përveç këtyre pesë pikave, nuk i ndalohen ato që Allahu i ka lejuar.
Imam Ibn Kajimi, në librin El Hedju en nebevi, 5/507, thotë: “Asaj nuk i ndalohet shkurtimi i thonjve, as heqja e qimeve të nënsqetullave e të vendeve të turpshme, as larja me sidër (gjethja e lotosit) e as krehja e flokëve.”
Shejhul Islam Ibn Tejmije, në librin Mexhmuul fetava, 34/27-28, thotë: “Asaj i lejohet të hajë të gjitha ushqimet që i ka lejuar Allahu, fjala vjen, pemët e mishi, si dhe të gjitha pijet e lejuara, tek vijon, asaj nuk i ndalohet të ushtrojë punë e zanat të lejuar, fjala vjen, qëndisja, qepja, tjerrja, e gjëra të tjera që i bëjnë gratë. I lejohen të gjitha gjërat që i lejoheshin zakonisht kur nuk ishte në periudhën e idetit, siç është komunikimi me burrat, me të cilët është i nevojshëm, nëse është e mbuluar, e veprime të tjera.” Këtë që përmenda është ndër sunetet e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, praktikuar nga gratë e sahabëve kur u vdisnin burrat e tyre.
Ndërkaq, ajo që thonë masa e gjerë se, e mbulon fytyrën nga Hëna, nuk hipën në tarracën e shtëpisë, nuk komunikon me burrat, e mbulon fytyrën kundrejt meshkujve të afërm (mahremë), e gjëra të tjera si këto, nuk kanë ndonjë bazë, e Allahu e di më së miri!
KREU I DHJETË Sqarimi i dispozitave që ia ruajnë nderin dhe dinjitetin gruas
1. Femrës, sikurse mashkullit, i urdhërohet ulja e shikimit dhe ruajtja e nderit.
Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme).” (Nur, 30-31)
Hoxha ynë, shejh Muhamed El Emin Esh Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!), në tefsirin e tij Eduau-l-bejan, thotë: “Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar besimtarët e besimtaret t’i ulin shikimet dhe ta ruajnë nderin. Në ruajtjen e nderit përfshihen: ruajtja ndaj imoralitetit, ndaj homoseksualizmit e ndaj lesbicizmit, ruajtja e tij kundrejt shfaqjes e zbulimit para njerëzve, për të vazhduar më tej, Allahu i Lartësuar, atyre që e zbatojnë urdhrin e Tij në këtë ajet, burra e gra, u ka premtuar falje dhe shpërblim të madh, nëse i kanë cilësitë e cekura në suren Ahzab dhe atë në fjalën e të Lartësuarit: “Me të vërtetë që për muslimanët dhe muslimanet...” (Ahzab, 35) që vijon: “... ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përmendësit e Allahut vazhdimisht dhe përmendëset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ahzab, 35) (Eduaul-bejan, 6/186-187)
Pjesa e lesbicizmit nënkupton afrimin e femrës me një femër tjetër duke u fërkuar. Kjo, pa dyshim, konsiderohet mëkat i madh. Ato që veprojnë kësisoj meritojnë edukim frenues.
Autori në El Mugni, 8/198, thotë: “Nëse fërkohen dy femra, ato konsiderohen imorale dhe janë të mallkuara, për shkak të transmetimit nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, tek thotë: “Nëse dy femra kanë marrëdhënie intime, ato janë lavire.” Ato duhen bërë tazir,[104] ngase konsiderohet imoralitet që nuk ka dënim të paraparë.”[105]
Prandaj, le të ketë kujdes femra muslimane, veçanërisht të rejat, ndaj këtij veprimi të shëmtuar.
Ndërkaq, sa i përket ruajtjes së shikimit, dijetari i madh, Ibn Kajimi, në librin El Xhevabu-l-kafi, f. 129-135, thotë: “Sa i përket vështrimeve të syrit, ato janë pionier i epshit dhe delegat i tij, kurse ruajtja e tyre është esenca e ruajtjes së organit (nga imoraliteti). Ai që nuk e kontrollon shikimin e vet, veten e vë në shkatërrim. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “O Ali, mos e paso shikimin (e rastësishëm) me shikim tjetër, ngase të lejuar e ke (vetëm) të parin (shikim).”[106] Këtu shikimin është për qëllim i rastësishmi dhe i paqëllimti. Thotë: Në Musned përcillet se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Shikimi është një ndër shigjetat e helmuara të Iblisit...” Për të vazhduar më tej: “Shikimi është esenca e të gjitha fatkeqësive që e godasin njeriun. Shikimi e lind ndjenjën, ndjenja e lind mendimin, mendimi e lind epshin, epshi e lind dëshirën, e cila më pas forcohet, derisa të bëhet fiksim, si rezultat i së cilës medoemos ndodh ajo vepër, nëse nuk ka ndonjë pengesë që e zmbraps. Prandaj është thënë: “Durimi përballë uljes së shikimit është më i lehtë sesa durimi kundrejt pasojave që sjell shikimi.”
Oj motër muslimane! Ki kujdes dhe ruaje syrin ndaj shikimit të burrave, ndaj shikimit të fotografive joshëse, që shfaqen nëpër disa revista, kanale televizive e video, për t’i shpëtuar fundit të keq. Sa e sa shikime kanë sjellë humbje, e zjarri niset nga shkëndijëzat.
Ndër shkaqet e ruajtjes së nderit është largimi nga dëgjimi i muzikës e instrumenteve muzikore
Imami i madh, Ibn Kajimi, në librin Igathetu-l-lehuan, 1/242, 248, 264, 265, thotë: “Prej kurtheve dhe gjuajtjeve të djallit ka shpëtuar vetëm një pakicë që kishte dije, logjikë dhe fe. Ndërkaq, i goditi zemrat e injorantëve dhe gënjeshtarëve me dëgjimin e fishkëllimave, duartrokitjeve dhe muzikës me instrumentet e saj të ndaluara, nëpërmjet të cilave i largojnë zemrat nga Kurani famëlartë duke i bërë të përqendruara në dëfrime dhe në mëkate. Ajo (muzika) është kuran i shejtanit dhe pengesë mes robit dhe Zotit të tij. Është yshtje e homoseksualizmit dhe prostitucionit. Përmes saj i dashuruari i dëfryer nga e dashura e tij arrin kulmin e kënaqësisë... Ndërkaq, dëgjimi i saj prej ndonjë femre a ndonjë qoseje është ndër ndalesat më madhore dhe më shkatërruese të fesë... S’ka dyshim se secili që është xheloz e largon familjen e tij nga dëgjimi i muzikës, siç u largohen shkaqeve të dyshimta.” Gjithashtu, ai thotë: “Dihet mirëfilli se, nëse femra nuk i nënshtrohet mashkullit, atëherë ky mundohet t’ia mundësojë dëgjimin e zërit të këngës, me ç’rast ajo zbutet, ngase femra shumë shpejt mahnitet përmes zërit. E, nëse kënga shoqërohet me muzikë, ajo preket nga dy aspekte: nga aspekti i zërit dhe nga aspekti i përmbajtjes së tij... Nëse kësaj do t’i shtoheshin defi, vajzat e reja, vallëzimi, ndërkohë femra të ngjizej nga muzika, atëherë do të ngelej shtatzënë nga kjo lloj muzike! Sa femra të lira u imoralizuan përmes muzikës?!”
Prandaj, kije frikë Allahun, oj muslimane! Ruaju ndaj dëgjimit të muzikës, kësaj sëmundjeje të rrezikshme morale, që po qarkullon mes muslimanëve në forma e me mjete të ndryshme, ç’ka bërë që shumë vajza të paditura ta kërkojnë nga burimet dhe t’i dhurojnë e ta shkëmbejnë mes tyre.
Ndër shkaqet e ruajtjes së nderit është ndalimi i femrës për të udhëtuar pa mahrem
Ndër shkaqet e ruajtjes së nderit është ndalimi i femrës për të udhëtuar pa mahrem, që do ta mbronte dhe do ta ruante kundrejt lakmive të abuzuesve e të të shthururve.
Janë transmetuar hadithe të sakta, që e ndalojnë udhëtimin e femrës pa mahrem, ndër to:
Hadithi i përcjellë nga Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që tregon: I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Gruaja nuk udhëton tri ditë pa shoqërimin e ndonjërit nga mahremët.”[107] (Mutefekun alejh) Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka ndaluar që femra të udhëtojë në largësi dy ditë apo dy net, veçse me bashkëshortin e vet apo me dikë që është mahrem.”[108] (Mutefekun alejh) Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Një gruaje që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit nuk i lejohet të udhëtojë pa mahrem.”[109] (Mutefekun alejh)
Në hadith, përcaktimi me tri ditë, dy dhe një ditë e një natë ka për qëllim mjetet e udhëtimit që kanë qenë të njohura atëbotë, ecja në këmbë e mbi kafshë. Dallimit ndërmjet haditheve me përcaktimin tri ditë, dy, një ditë e një natë, e më pak se kaq, dijetarët i janë përgjigjur se nuk është për qëllim aspekti i jashtëm i hadithit, porse çdo gjë që quhet udhëtim i ndalohet femrës.
Imam Neveviu, në librin Sherh Sahih Muslim, 9/103, thotë: “Çdo gjë që quhet udhëtim i ndalohet femrës të udhëtojë pa bashkëshort apo pa mahrem, pa marrë parasysh a është tri, dy apo një ditë, për shkak të transmetimit të përgjithshëm të Ibn Abasit, e që është transmetimi i fundit i Muslimit: “Gruaja nuk udhëton pa shoqërimin e ndonjë mahremi.”[110] Kjo përfshin çdo gjë që quhet udhëtim, e Allahu e di më së miri!”
Ndërkaq, ata që kanë dhënë fetua lidhur me lejimin e udhëtimit të saj me një grup grash për haxhillëkun e obliguar, është në kundërshtim me Sunetin. Imam Hatabi, në librin Mealimus sunen, 2/276-277, bashkë me Et Tehdhib, të Ibn Kajimit, thotë: “I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, e ka ndaluar atë të udhëtojë pa praninë e ndonjë burri mahrem. Andaj, lejimi i daljes së saj në udhëtimin e haxhillëkut, pa e plotësuar kushtin që asaj ia konfirmoi i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, është në kundërshtim me Sunetin. Nëse dalja e saj pa mahrem është mëkat, nuk lejohet t’i detyrohet haxhillëku, ngase do të ishte bindje (nënshtrim) që çon drejt mëkatit.”
Them: Këta nuk ia kanë lejuar tërësisht femrës udhëtimin pa mahrem, porse ia lejuan udhëtimin vetëm për haxhillëkun obligativ.
Imam Neveviu, në librin El Mexhmu, 8/249, thotë: “I lejohet (udhëtimi) për haxhillëkun vullnetar, për tregti, për vizitë, e të ngjashme me to, vetëm me mahrem.”
Ndërkaq, asnjë dijetar, fjala e të cilit merret në konsideratë, nuk pajtohet me ata që në këtë kohë e tolerojnë udhëtimin e femrës pa mahrem në çdo lloj udhëtimi.
Ata thonë se, mahremi i saj e shoqëron deri në aeroplan, e, me të arritur në vendin që udhëton, e pret mahremi tjetër, ngase aeroplani është i sigurt, sipas tyre, sepse ka udhëtarë të shumtë, burra e gra. ﷻ themi: Kurrsesi. Aeroplani paraqet rrezik më të lartë sesa mjetet e tjera të udhëtimit. Pasagjerët përzihen. Me gjasë ulet pranë burrit. Mund të ngjajë që aeroplani të lëshohet në ndonjë aeroport tjetër, ku nuk ka kush e pret. Kësisoj i ekspozohet rrezikut. Çfarë i ndodh gruas në një vend të panjohur në të cilin nuk ka mahrem?
Ndër shkaqet e ruajtjes së nderit është ndalimi i vetmimit të gruas me burrin që nuk është mahrem i saj
Ndër shkaqet e ruajtjes së nderit është ndalimi i vetmimit të gruas me burrin që nuk është mahrem i saj. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Ai që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit të mos vetmohet me një grua pa praninë e mahremit, ngase i treti i tyre është djalli.”[111]
Amir ibn Rebia tregon: I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Mos të vetmohet asnjë burrë me asnjë grua (të huaj) pa mahrem, se i treti i tyre është djalli!”[112]
Mexhdi, në librin Munteka, thotë: “Këto dy hadithe i shënon Ahmedi, kurse kuptimi i tyre u cek më lart, në hadithin e Ibn Abasit, që e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
Imam Sheukani, në librin Nejlul eutar, 6/120, thotë: “Vetmimi me grua të huaj është i ndaluar sipas konsensusit të dijetarëve, siç cek këtë Hafidh ibn Haxheri në librin El Fet’h. Shkaku i ndalimit në hadith është për arsye të pranisë së djallit mes tyre, që i fut në mëkat. Ndërkaq, lejohet vetmimi me grua të huaj në prani të mahremit, ngase prania e këtij pamundëson mëkatimin.”
Disa gra e kujdestarë të tyre tregohen tolerantë në disa lloje të vetmimit, që janë:
a) Vetmimi i gruas me ndonjë të afërm të burrit të saj, zbulimi i fytyrës kundrejt tij. Ky lloj vetmimi është më i rrezikshëm sesa të tjerët. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Kini kujdes hyrjen te gratë.” Një ensar e pyeti: “Po kunati?” Ai iu përgjigj: “Kunati është vdekja.”[113] (Shënojnë Ahmedi, Buhariu e Tirmidhiu, që e saktëson. Tha: “Kuptimi i fjalës hamu (kunati) thuhet se është vëllai i bashkëshortit. Duket se nuk e pëlqeu vetmimin me të.”)
Hafidh ibn Haxheri, në librin Fet’hul Bari, 9/331, thotë: “Neveviu ka thënë: “Gjuhëtarët kanë pajtueshmëri se ihma janë të afërmit e burrit të gruas, si: babai, axha, vëllai, djali i vëllait, djali i axhës, e të ngjashëm me ta.” Gjithashtu, ka thënë: “Kuptimi i tij në hadith është për qëllim të afërmit e burrit, përveç baballarëve dhe djemve të tij, ngase ata konsiderohen mahremë të gruas, me të cilët i lejohet vetmimi dhe nuk cilësohen si vdekje.” Ka thënë: “Është zakon tolerimi në këtë çështje. Kështu, vëllai vetmohet me bashkëshorten e vëllait, prandaj e ka krahasuar me vdekjen, si dhe kjo është më parësore për ndalesë.”
Sheukani, në librin Nejlul eutar, 6/122, thotë: “Fjala e tij hamu është vdekje, respektivisht frika prej tij është më e madhe sesa prej dikujt tjetër, ashtu siç është më e madhe frika prej vdekjes sesa prej diçkaje tjetër.”
Oj muslimane! Kije frikë Allahun dhe mos u trego tolerante në këtë çështje, edhe nëse të tjerët tregohen tolerantë, ngase gjykimi i fesë merret parasysh, e jo tradita e njerëzve.
b) Disa gra e kujdestarë të tyre e tolerojnë hipjen e gruas vetëm në makinë me shofer që s’është mahrem i saj, ndërkohë që ky vetmim është i ndaluar.
Shejh Muhamed ibn Ibrahim Al Shejh, ish-myfti i Arabisë Saudite (Allahu e mëshiroftë!), në librin Mexhmu fetava, 10/52, thotë: “Sot nuk mbetet fije dyshimi se hipja e femrës së huaj e vetmuar dhe pa mahrem me shofer, është një e keqe e qartë, ku ka disa dëme, që nuk duhen neglizhuar, pavarësisht asaj se a është vajzë me sjellje të mira apo prej atyre që u shfaqen burrave dhe flasin me ta. Burri, që për të afërmet e tij pajtohet me këto gjëra, është i dobët në fe, burrë i mjerë dhe joxheloz për të afërmet e tij. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Mos të vetmohet asnjë burrë me asnjë grua (të huaj) pa mahrem, se i treti i tyre është djalli!”[114]
Hipja e saj me të në makinë është më e keqe sesa vetmimi me të në shtëpi a diku gjetiu, sepse ai mund ta çojë ku të dojë, në vend e jashtë vendit, me apo pa dëshirën e saj. Si pasojë e kësaj rezultojnë dëme më të mëdha sesa thjesht vetmimi.”
Personi që konsiderohet mahrem patjetër duhet të jetë i moshës madhore, e nuk mjafton të jetë fëmijë. Ndërkaq, disa gra mendojnë se, nëse e shoqërojnë ndonjë fëmijë, shmanget vetmimi. Ky mendim është i gabuar.
Imam Neveviu, 9/159, thotë: “Vetmimi i ndonjë të huaji me ndonjë grua të huaj pa shoqërimin e ndonjë të treti është i ndaluar (haram), me pajtimin e dijetarëve. Gjithashtu, nëse në mesin e tyre ndodhet dikush prej të cilit nuk turpërohet, fjala vjen, për shkak të moshës së tij të re, nuk largohet vetmimi i ndaluar.”
c) Disa gra e kujdestarë të tyre tregohen tolerantë lidhur me hyrjen e gruas te mjeku, me arsyetimin se ka nevojë për shërim. Kjo është një e keqe e madhe dhe rrezik i lartë. Nuk lejohet miratimi dhe heshtja përballë kësaj dukurie. Shejh Muhamed ibn Ibrahim (Allahu e mëshiroftë!), në librin Mexhmu fetava, 10/13, thotë: “Sidoqoftë, vetmimi me femrën e huaj konsiderohet i ndaluar fetarisht, qoftë edhe për mjekun që e mjekon, duke u bazuar në hadithin: “Mos të vetmohet asnjë burrë me asnjë grua (të huaj) pa mahrem, se i treti i tyre është djalli!”[115]
Prandaj, patjetër me të duhet të jetë i pranishëm ndokush, qoftë burri i vet a ndonjë mashkull i afërm i saj (mahrem). Nëse kjo nuk i mundësohet, atëherë bën edhe ndonjë femër e afërme. Ndërkaq, nëse nuk janë asnjë prej atyre që u përmendën, ndërkohë që sëmundja është e rrezikshme e nuk mund të shtyhet, atëherë, të paktën, duhet të jetë e pranishme infermierja, në mënyrë që të shmanget vetmimi i ndaluar.”
Gjithashtu, nuk lejohet vetmimi i mjekut me grua të huaj, edhe nëse mjekja a infermierja janë shoqe të tij, as vetmimi i mësuesit të verbër, apo tjetrit, me nxënësen, as vetmimi i stjuardesës në aeroplan me ndonjë burrë të huaj. Në këto gjëra njerëzit tregohen tolerantë në emër të pseudocivilizimit dhe imitimit të verbër të jobesimtarëve, si dhe në moskujdesin ndaj dispozitave fetare. Nuk ka asnjë lëvizje a fuqi pa lejen e Allahut të Lartësuar e Madhështor!
Gjithashtu, nuk lejohet vetmimi i burrit me shërbëtoren, që shërben në shtëpinë e tij, as vetmimi i gruas me shërbëtorin në shtëpinë e saj. Çështja e shërbëtorëve paraqet rrezik të lartë, me të cilin në këtë kohë janë sprovuar shumë njerëz, për shkak të angazhimit të grave me studimet dhe punët jashtë shtëpisë. Kjo i detyron besimtarët dhe besimtaret të jenë shumë të kujdesshëm dhe t’i marrin masat e duhura, e jo t’i imitojnë traditat e këqija e të vazhdojnë me to.
Shtojcë: Femrës i ndalohet të përshëndetet me dorë me një burrë që s’është mahrem i saj
Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Bazi, ish-kryetar i përgjithshëm i Departamenteve për Hulumtime Shkencore, Fetua, Predikim dhe Udhëzim (Allahu e mëshiroftë!), në librin Fetava, botuar nga Muesesetu ed dave el islamije, 1/185, thotë: “Absolutisht nuk lejohet përshëndetja me dorë me gratë që nuk janë mahremë, qofshin ato të reja apo të moshuara, përshëndetësi qoftë i ri apo i moshuar, për shkak se në këtë ka fitne (sprovë) për secilin prej tyre. Është saktësuar se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Me të vërtetë unë nuk i përshëndes gratë me dorë.”[116]
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dora e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, absolutisht nuk ka prekur dorë të huaj femre. Besën me gratë e ka lidhur me fjalë (e jo duke ua shtrënguar dorën).”[117] Nuk ka dallim a e përshëndet me diç të ndërmjetmë apo jo, për shkak të përgjithësimit të argumenteve, si dhe për shkak të mbylljes së mundësive që çojnë drejt fitnes (sprovës).”
Shejh Muhamed El Emin Esh Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!), në tefsirin e tij Eduaul bejan, 6/602-603, thotë: “Dije se burrit të huaj nuk i lejohet të përshëndesë me dorë ndonjë grua të huaj dhe as nuk i lejohet që trupi i tij të prekë diç nga trupi i saj. Ndërkaq, argumentet për këtë janë në disa çështje:
Çështja e parë: Është vërtetuar nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, se ka thënë: “Me të vërtetë unë nuk i përshëndes gratë për dore.”[118] Sakaq, Allahu i Lartësuar thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm.” (Ahzab, 21) Prandaj, obligohemi të mos i përshëndesim gratë me dorë, duke ndjekur modelin e tij, sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Hadithin e përmendur e cekëm duke e shpjeguar në suren Haxh, tek folëm për ndalimin absolut të veshjes së rrobave të lyera me shafran gjatë ihramit dhe jashtë tij kundrejt burrave, si dhe në suren Ahzab, në ajetin që flet për hixhabin.
Fakti se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, nuk i ka përshëndetur gratë me dorë gjatë besëdhënies është argument i qartë se burri nuk përshëndet me dorë gruan (e huaj), e as trupi i tij nuk prek diç nga trupi i saj, ngase ndër llojet më të lehta të prekjes është përshëndetja me dorë. Meqë i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, nuk e ka praktikuar në kohën kur kjo kërkohej, që ishte koha e besëdhënies, është dëshmi se ajo nuk lejohet dhe askujt nuk i takon të kundërshtojë atë, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ngase ai është ligjdhënës i umetit të tij me fjalët, me veprat dhe me miratimin e tij.
Çështja e dytë: Ajo që thamë, se gruaja e tëra është auret, obligohet të mbulohet. E, për shkak të rënies në fitne (sprovë), është urdhëruar ta ulë shikimin. Nuk ka dyshim se prekja e trupit është më e fuqishme në provokimin e instinktit dhe motiv më i fuqishëm drejt fitnes sesa shikimi përmes syrit. Saktësinë e kësaj e kupton çdo i paanshëm.
Çështja e tretë: Kjo është pretekst drejt kënaqjes me gruan e huaj për shkak të devotshmërisë së mangët ndaj Allahut në këtë kohë, humbjes së amanetit dhe mospasjes kujdes ndaj gjërave të dyshimta. Sa e sa herë jemi njoftuar se disa bashkëshortë, nga masa e gjerë e popullit, e puthin në gojë motrën e gruas së vet, puthje të cilën, të ndaluar me konsensus të dijetarëve, e quajnë përshëndetje. Thonë: Përshëndete, respektivisht puthe atë.
Ndërkaq, e vërteta në të cilën nuk ka dyshim është largimi prej çdo lloj fitneje e dyshimi, si dhe prej shkaqeve të tyre, më e madhja ndër të cilat është prekja e burrit diç nga trupi i gruas së huaj. Së këndejmi, pretekstin që çon drejt të ndaluarës duhet mbyllur.”
Dhe në fund:
O ju besimtarë e besimtare! Ju kujtoj me porosinë e Allahut, tek thotë:
“Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave), ose shërbëtorëve që nuk kanë epsh ndaj femrave apo fëmijëve që nuk i dinë ngacmimet e femrave. Dhe të mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta. Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (Nur, 30-31)
I tërë falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Ndërkaq, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të Dërguarin tonë, për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij!
[1] Shënojnë Buhariu, Xhumua, 853; Muslimi, Imareh, 1829; Tirmidhiu, Xhihad, 1705; Ebu Davudi, Haraxh uel imaretu uel feju, 2928; dhe Ahmedi, 2/121.
[2] Tirmidhiu, Haxh, 914; Nesaiu, Zineh, 504.
[3] Shejh Muhamed ibn Ibrahim, Mexhmu Fetava, 2/49.
[4] Muslimi, Hajd, 320.
[5] Eduau-l-bejan, 5/598-601. Madje, asaj nuk i lejohet t’i bindet bashkëshortit nëse e urdhëron një gjë të tillë, ngase nuk ka bindje ndaj krijesës duke i mëkatuar Krijuesit.
[6] Muslimi, Libas ue Zineh, 2128; Ahmedi, 2/440; Maliku, Xhamiu, 1694.
[7] Mexhmu fetava esh shejh, 2/47; El Idah uet tebjin, f. 85, të shejh Hamud Et Tuvejxhiriut.
[8] Buhariu, Libas, 5593; Muslimi, Libas ue Zineh, 2124; Tirmidhiu, Libas, 1759; Nesaiu, Zineh, 5090; Ebu Davudi, Terexhul, 4167; Ibn Maxhe, Nikah, 1987; dhe Ahmedi, 2/21.
[9] Buhariu, Ehadithul enbija, 3299; Nesaiu, Zineh, 5093; dhe Ahmedi, 4/101.
[10] Nesaiu, Zineh, 5101.
[11] Buhariu, Libas, 5587; Muslimi, Libas ue Zineh, 2125; Tirmidhiu, Edeb, 2782; Nesaiu, Zineh, 5099; Ebu Davudi, Terexhul, 4169; Ibn Maxhe, Nikah, 1989; Ahmedi, 1/434; dhe Daremiu, Istidhan, 2647.
[12] Nesaiu, Zineh, 5090; Ebu Davudi, Terexhul, 4164; Ahmedi, 6/117.
[13] Nesaiu, Zineh, 5089; Ebu Davudi, Terexhul, 4166; dhe Ahmedi, 6/262.
[14] Siç është lyerja e njohur si manikyr.
[15] Mahrem quhet çdo mashkull i familjes së ngushtë, me të cilin përgjithmonë është e ndaluar martesa, si: babai, vëllai, axha, daja etj. Sh.p.
[16] Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe të mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta.” (Nur, 31)
[17] Muslimi, Hajd, 302; Tirmidhiu, Tefsirul Kuran, 2977; Nesaiu, Hajd uel istihadah, 369; Ebu Davudi, Nikah, 2165; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 644; Ahmedi, 3/133; dhe Daremiu, Tahareh, 1053.
[18] Buhariu, 298; Muslimi 80.
[19] Buhariu, Hajd, 315; Muslimi, Hajd, 335; Tirmidhiu, Tahareh, 130; Nesaiu, Sijam, 2318; Ebu Davudi, Tahareh, 262; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 631; Ahmedi, 3/232; dhe Daremiu, Tahareh, 986.
[20] Maliku, Nida lis salah, 468.
[21] Buhariu, Hajd, 299; Muslimi, Haxh, 1211; Nesaiu, Menasikul haxh, 2763; Ebu Davudi, Menasik, 1778; Ibn Maxhe, Menasik, 3000; Ahmedi, 6/273; Maliku, Haxh, 941; dhe Daremiu, Menasik, 1846;
[22] Ebu Davudi, Tahareh, 232.
[23] Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 645.
[24] Muslimi, Hajd, 298; Tirmidhiu, Tahareh, 134; Nesaiu, Hajd uel istihada, 384; Ebu Davudi, Tahareh, 261; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 632; Ahmedi, 6/106; dhe Daremiu, Tahareh, 1065.
[25] Buhariu, Hajd, 314; Muslimi, Hajd, 333; Tirmidhiu, Tahareh, 125; Nesaiu, Hajd uel istihada, 364; Ebu Davudi, Tahareh, 282; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 624; Ahmedi, 6/204; Maliku, Tahareh, 137; dhe Daremiu, Tahareh, 774.
[26] Muslimi, Hajd, 334; Nesaiu, Tahareh, 207; Ebu Davudi, Tahareh, 279; dhe Ahmedi, 6/222.
[27] Buhariu, Vudu, 226; Muslimi, Hajd, 333; Tirmidhiu, Tahareh, 125; Nesaiu, Hajd uel istihada, 364; Ebu Davudi, Tahareh, 282; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 624; Ahmedi, 6/204; Maliku, Tahareh, 137; dhe Daremiu, Tahareh 774.
[28] Nesaiu, Tahareh, 215; Ebu Davudi, Tahareh, 280; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 620; Ahmedi, 6/464.
[29] Tirmidhiu, Tahareh, 128; Ebu Davudi, Tahareh, 287; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 628; dhe Ahmedi, 6/439.
[30] Tirmidhiu, Tahareh, 126; Ebu Davudi, Tahareh, 297; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 625; dhe Daremiu, Tahareh, 793.
[31] Tirmidhiu, Tahareh, 128; Ebu Davudi, Tahareh, 287; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 622; dhe Ahmedi, 6/439.
[32] Tirmidhiu, Tahareh, 139; Ebu Davudi, Tahareh, 312; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 648; Ahmedi, 6/300; dhe Daremiu, Tahareh, 955.
[33] Ebu Davudi, Tahareh, 312.
[34] Mirëpo, ai ka thënë: “E kompenson agjërimin, e jo namazin.” Kjo është një fjalë e përmbledhur, nuk sqaroi llojin e agjërimit që duhet kompensuar. A bëhet fjalë për agjërimin që ka bërë ndërmjet periudhës së pastërtisë ekzistuese apo për agjërimin që e ka lënë pas rikthimit të rrjedhjes së gjakut? Ndoshta bëhet fjalë për këtë lloj.
[35] Shih Irshadu ulil ebsari uel elbabi, f. 24.
[36] Dijeh është pasuria e obliguar që duhet të jepet për krimin apo që i përket llojit të krimit. Sh.p.
[37] Shih f. 60 të punimit të sipërpërmendur.
[38] Muslimi, Libas ue zineh, 2128; Ahmedi, 2/440; dhe Maliku, Xhamiu, 1694.
[39] Telbije është thënia e këtyre fjalëve gjatë haxhillëkut apo umres: Lebejke Allahume lebejk. Lebejke la sherike leke lebejke. Innel hamde uen nimete leke uel mulk, la sherike lek. (Zoti im, të përgjigjem Ty, përgjigje pas përgjigjeje. Ti nuk ke asnjë ortak në adhurim. Të përgjigjem Ty, përgjigje pas përgjigjeje. Me të vërtetë, lavdërimi, mirësia dhe sundimi të takon vetëm Ty. Ti nuk ke asnjë ortak në adhurim) Sh.p.
[40] Ebu Davudi, Menasik, 1833; Ibn Maxhe, Menasik, 2935; dhe Ahmedi, 6/30.
[41] Pjesë e turpshme e trupit. Sh.p.
[42] Tirmidhiu, Salah, 377; Ebu Davudi, Salah, 641; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 655; dhe Ahmedi, 6/259.
[43] Ebu Davudi, Salah, 640; Maliku, Nida lis salah, 326.
[44] Shënon Ebu Davudi, saktësuar nga Ibn Huzejme.
[45] Buhariu, Xhumua, 858; Muslimi, Salah, 442; Tirmidhiu, Xhumua, 580; Nesaiu, Mesaxhid, 706; Ebu Davudi, Salah, 568; Ibn Maxhe, Mukadimeh, 16; Ahmedi, 2/36; dhe Daremiu, Mukadimeh, 442.
[46] Ebu Davudi, Salah, 567.
[47] Buhariu, Edhan, 829; Muslimi, Mesaxhid ue mevadius salah, 645; Tirmidhiu, Salah, 153; Nesaiu, Mevakit, 545; Ebu Davudi, Salah, 423; Ibn Maxhe, Salah, 669; Ahmedi, 6/259; Maliku, Vukutus salah, 4; dhe Daremiu, Salah 1216.
[48] Ebu Davudi, Salah, 565; Ahmedi, 2/437; Daremiu, Salah, 1279.
[49] Muslimi, Salah, 444; Nesaiu, Zineh, 5128; Ebu Davudi, Terexhul, 4175; Ahmedi, 2/304.
[50] Muslimi, Salah, 443; Nesaiu, Zineh, 5133; dhe Ahmedi, 6/363.
[51] Buhariu, Salah, 373; Muslimi, Mesaxhid ue mevadius salah, 658; Tirmidhiu, Salah, 234; Nesaiu, Imameh, 801; Ebu Davudi, Salah, 612; Ahmedi, 3/131; Maliku, Nidaus salah, 362; Daremiu, Salah, 1287.
[52] Buhariu, Edhan, 693; Muslimi, Mesaxhid ue mevadius salah, 660; Tirmidhiu, Salah, 234; Nesaiu, Imameh, 801; Ebu Davudi, Salah, 612; Maliku, Nidaus salah, 362; Daremiu, Salah, 1287.
[53] Muslimi, Salah, 440; Tirmidhiu, Salah, 224; Nesaiu, Imameh, 820; Ebu Davudi, Salah, 678; Ibn Maxhe, Ikametus salah ue suneh fiha, 1000; Ahmedi, 2/485; Daremiu, Salah, 1268.
[54] Buhariu, Xhumua, 1177; Muslimi, Salah, 421; Nesaiu, Imameh, 784; Ebu Davudi, Salah, 940; Ibn Maxhe, Ikametus salah ues suneh fiha, 1035; Ahmedi, 5/333; Maliku, Nidaus salah, 392; Daremiu, Salah, 1364.
[55] Buhariu, Haxh, 1569; Muslimi, Salatul idejni, 890; Tirmidhiu, Xhumua, 539; Nesaiu, Salatul idejni, 1558; Ebu Davudi, Salah, 1139; Ibn Maxhe, Ikametus salati ues suneh fiha, 1307; Ahmedi, 5/84; Daremiu, Salah, 1609.
[56] Ebu Davudi, Xhenaiz, 3157; Ahmedi, 6/380.
[57] Buhariu, Xhenaiz, 1204; Muslimi, Xhenaiz, 939; Tirmidhiu, Xhenaiz, 990; Ebu Davudi, Xhenaiz, 3145; Ibn Maxhe, Xhenaiz, 1409; dhe Ahmedi, 6/407.
[58] Buhariu, Xhenaiz, 1219; Muslimi, Xhenaiz, 938; Ebu Davudi, Xhenaiz, 3167; Ibn Maxhe, Xhenaiz, 1577; dhe Ahmedi, 6/408.
[59] Tirmidhiu, Xhenaiz, 1056; Ibn Maxhe, Xhenaiz, 1576; dhe Ahmedi, 2/356.
[60] Buhariu, Xhenaiz, 1232; Muslimi, Iman, 103; Tirmidhiu, Xhenaiz, 999; Nesaiu, Xhenaiz, 1860; Ibn Maxhe, Xhenaiz, 1584; Ahmedi, 1/465.
[61] Muslimi, Iman, 104; Nesaiu, Xhenaiz, 1867; Ebu Davudi, Xhenaiz, 3130; Ibn Maxhe, Xhenaiz, 1586; Ahmedi, 3/65.
[62] Ebu Davudi, Xhenaiz, 3128; Ahmedi, 3/65.
[63] Krahas kompensimit, asaj i obligohet edhe ushqimi i një të varfri për çdo ditë nga një sa'a ushqim.
[64] Buhariu, Hajd, 315; Muslimi, Hajd, 335; Tirmidhiu, Tahareh, 130; Nesaiu, Sijam, 2318; Ebu Davudi, Tahareh, 262; Ibn Maxhe, Tahareh ue sunenuha, 631; Ahmedi, 3/232; dhe Daremiu, Tahareh, 986.
[65] Buhariu, Nikah, 4899; Muslimi, Zekat, 1026; Ahmedi, 2/316.
[66] Ibn Maxhe, Menasik, 2901; Ahmedi, 6/165.
[67] Buhariu, Haxh, 1448; Nesaiu, Menasik haxh, 2628.
[68] Buhariu, Haxh, 1763; Muslimi, Haxh, 1341; Ibn Maxhe, Menasik, 2900; Ahmedi, 1/222.
[69] Buhariu, Xhumua, 1036; Muslimi, Haxh, 1338; Ebu Davudi, Menasik, 1727; Ahmedi, 2/19.
[70] Buhariu, Haxh, 1442; Muslimi, Haxh, 1334; Tirmidhiu, Haxh, 928; Ebu Davudi, Menasik, 1809; Ibn Maxhe, Menasik, 2909; Ahmedi, 1/213; Daremiu, Menasik, 1833.
[71] Buhariu, Haxh, 1693; Muslimi, Haxh, 1213; Nesaiu, Menasik haxh, 2763; Ebu Davudi, Menasik, 1782; Ibn Maxhe, Menasik, 2963, Ahmedi, 3/321; Daremiu, Menasik, 1850.
[72] Ebu Davudi, Menasik, 1744.
[73] Buhariu, Hajd, 299; Muslimi, Haxh, 1211; Nesaiu, Menasik haxh, 2763; Ebu Davudi, Menasik, 1782; Ibn Maxhe, Menasik, 2963; Ahmedi, 6/273.
[74] Buhariu, Haxh, 1693; Muslimi, Haxh, 1213; Nesaiu, Menasik haxh, 2763; Ebu Davudi, Menasik, 1785; Ibn Maxhe, Menasik, 3074.
[75] Ebu Davudi, Menasik, 1897.
[76] Ebu Davudi, Menasik, 1830; Ahmedi, 6/79.
[77] Buhariu, Haxh, 1741; Tirmidhiu, Haxh, 833; Nesaiu, Menasik haxh, 2681; Ahmedi, 2/119.
[78] Buhariu, Hajd, 299; Muslimi, Haxh, 1211; Nesaiu, Menasik haxh, 2763; Ebu Davudi, Menasik, 1778; Ibn Maxhe, Menasik, 3000; Ahmedi, 6/273; Maliku, Haxh, 941; dhe Daremiu, Menasik, 1846.
[79] Buhariu, Hajd, 290; Muslimi, Haxh, 1211; Nesaiu, Tahareh, 290; Ebu Davudi, Menasik, 1782; Ibn Maxhe, Menasik, 2963; Ahmedi, 6/273.
[80] Ebu Davudi, Menasik, 2015.
[81] Muslimi, Haxh, 1297; Nesaiu, Menasik haxh, 3062; Ebu Davudi, Menasik, 1970; Ahmedi, 3/337.
[82] Ebu Davudi, Menasik, 1984; Daremiu, Menasik, 1905.
[83] Tirmidhiu, Haxh, 914; Nesaiu, Zineh, 5049.
[84] Buhariu, Haxh, 1670; Ebu Davudi, Menasik, 2003; Ibn Maxhe, Menasik, 3072; Ahmedi, 6/82; Daremiu, Menasik, 1917.
[85] Buhariu, Haxh, 1668; Muslimi, Haxh, 1328; Ahmedi, 6/431; Daremiu, Menasik, 1934.
[86] Muslimi, Haxh, 1328; Ahmedi, 1/370.
[87] Bashkë me mahremin e saj.
[88] Respektivisht shkaku për të cilin u ndalua femra nga vizitimi i varreve.
[89] Libri, Et tahkik uel idah likethirin min mesail el haxhi uel umreti uez zijareti ala dau el Kitabi ues Suneti, f. 19.
[90] Tirmidhiu, Xhenaiz, 1056; Ibn Maxhe, Xhenaiz, 1576; Ahmedi, 2/356.
[91] Buhariu, Nikah, 4778; Muslimi, Nikah, 1400; Tirmidhiu, Nikah, 1081; Nesaiu, Sijam, 2240; Ebu Davudi, Nikah, 2046; Ibn Maxhe, Nikah, 1845; Ahmedi, 1/378; Daremiu, Nikah, 2165.
[92] Tirmidhiu, Nikah, 1085.
[93] Buhariu, Nikah, 4843; Tirmidhiu, Nikah, 1107; Nesaiu, Nikah, 3265; Ebu Davudi, Nikah, 2092; Ibn Maxhe, Nikah, 1871; Ahmedi, 2/434; Daremiu, Nikah, 2186.
[94] Tirmidhiu, Nikah, 1102; Ebu Davudi, Nikah, 2083; Ibn Maxhe, Nikah, 1879; Ahmedi, 6/66; Daremiu, Nikah, 2184.
[95] Tirmidhiu, Nikah, 1101; Ebu Davudi, Nikah, 2085; Ibn Maxhe, Nikah, 1881; Ahmedi, 4/418; Daremiu, Nikah, 2182.
[96] Tirmidhiu, Nikah, 1101; Ebu Davudi, Nikah, 2085; Ibn Maxhe, Nikah, 1881; Ahmedi, 4/418; Daremiu, Nikah, 2182.
[97] Tirmidhiu, Nikah, 1088; Nesaiu, Nikah, 3369; Ibn Maxhe, Nikah, 1896.
[98] Buhariu, Nikah, 4899; Muslimi, Zekat, 1026; Ahmedi, 2/316.
[99] Buhariu, Bedu halk, 3065; Muslimi, Nikah, 1436; Ebu Davudi, Nikah, 2141; Ahmedi, 2/439; Daremiu, Nikah, 2228.
[100] Muslimi, Nikah, 7136.
[101] Shënojnë Buhariu, Xhumua, 853; Muslimi, Imareh, 1829; Tirmidhiu, Xhihad, 1705; Ebu Davudi, Haraxh uel imareh uel fej, 2928; dhe Ahmedi, 2/121.
[102] Tirmidhiu, Talak, 1187; Ebu Davudi, Talak, 2226; Ibn Maxhe, Talak, 2055; Ahmedi, 5/277; Daremiu, Talak, 2270.
[103] Buhariu, Talak, 5028; Muslimi, Talak, 938; Nesaiu, Talak, 3534; Ebu Davudi, Talak, 2302; Ibn Maxhe, Talak, 2087; Ahmedi, 5/85; Daremiu, Talak, 2286.
[104] Dënimi diskrecional (alternativ), të cilin e përcakton gjykatësi. Sh.p.
[105] Shejhul Islam Ibn Tejmije, në librin Mexhmu fetava, 15/321, thotë: “Duke u bazuar mbi këtë, femra lesbike konsiderohet lavire, siç është transmetuar në hadith: “Zinaja e grave është lesbicizmi i tyre.”
[106] Ahmedi, 1/159; Daremiu, Rikak, 2709.
[107] Buhariu, Xhumua, 1036; Muslimi, Haxh, 1338; Ebu Davudi, Menasik, 1727; Ahmedi, 2/19.
[108] Buhariu, Haxh, 1765; Muslimi, Haxh, 827; Tirmidhiu, Menasik, 1169; Ebu Davudi, Menasik, 1726; Ibn Maxhe, Menasik, 2898; Ahmedi, 3/34; Daremiu, Istidhan, 2678.
[109] Buhariu, Xhumua, 1038; Muslimi, Haxh, 1339; Tirmidhiu, Rida, 1170; Ebu Davudi, Menasik, 1723; Ibn Maxhe, Menasik, 2899; Ahmedi, 2/506; Maliku, Xhami, 1833.
[110] Buhariu, Haxh, 1765; Muslimi, Haxh, 827; Ahmedi, 3/71.
[111] Ahmedi, 3/339.
[112] Tirmidhiu, Fiten, 2165; Ahmedi, 1/18.
[113] Buhariu, Nikah, 4934; Muslimi, Libas, 2172; Tirmidhiu, Rida, 1171; Ahmedi, 4/149; Daremiu, Istidhan, 2642.
[114] Ahmedi, 3/339.
[115] Ahmedi, 3/339.
[116] Tirmidhiu, Sijer, 1597; Nesaiu, Bejah, 4181; Ibn Maxhe, Xhihad, 2874; Ahmedi, 6/357; Maliku, Xhami, 1842.
[117] Buhariu, Tefsirul Kuran, 4609; Muslimi, Imareh, 1866; Ibn Maxhe, Xhihad, 2875; Ahmedi, 6/270.
[118] Tirmidhiu, Sijer, 1597; Nesaiu, Bejah, 4181; Ibn Maxhe, Xhihad, 2874; Ahmedi, 6/357; Maliku, Xhami, 1842.