الدرة المختصرة في محاسن الدين الإسلامي


بسم الله الرحمن الرحيم

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

 Hyrje

Të gjitha lavdet dhe falënderimet janë për Allahun. Atij i kërkojmë ndihmë e falje dhe tek Ai kthehemi të penduar. Allahut i lutemi të na mbrojë nga e keqja e vetes dhe e veprave tona. Atë që Allahu e çon në rrugë të drejtë, askush nuk mund ta nxjerrë prej saj. Ndërkaq, atë që Ai e lë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër (që meriton të adhurohet), përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Feja islame që ka kumtuar Muhamedi është feja më e plotë, më e mirë, më e lartë dhe më madhështore. Bukuria, përsosuria, mirësia, mëshira, drejtësia dhe urtësia, që përmban kjo fe, dëshmojnë për përsosurinë absolute të Allahut, për diturinë dhe urtësinë e Tij të pafundme, sikurse që dëshmojnë se profeti Muhamed është vërtet i dërguar i Allahut, është i sinqertë e i besueshëm dhe nuk flet nga mendja e vet, por fjalët e tij janë vetëm frymëzim hyjnor.

﴿وَمَا يَنْطِقُ عَنِ الْهَوَى٣ إِنْ هُوَ إِلَّا وَحْيٌ يُوحَى٤﴾

"Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij." (Kurani, 53: 4)

Pra, feja islame është argumenti më i madh dhe më i dukshëm, si për njëzimin e përsosurinë absolute të Allahut, ashtu edhe për sinqeritetin  e profetësinë e Muhamedit .

Qëllimi im në këtë trajtesë është që të paraqes, me aq sa kam njohuri, aspektet kryesore të bukurisë së kësaj feje madhështore. Ndonëse dituria ime është shumë e mangët për të shfaqur tërë madhështinë, bukurinë dhe përsosurinë e kësaj feje në një trajtesë, ndonëse të shprehurit tim është i dobët për t’i shpjeguar ato përmbledhtazi, aq më shumë me hollësi, mendoj se diçka që nuk mund të arrihet plotësisht, nuk duhet braktisur tërësisht. Prandaj, njeriu nuk duhet lënë atë që di për shkak të asaj që nuk di, sepse Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësive të veta:

﴿فَاتَّقُوا اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتُمْ﴾

"Frikësojuni Allahut aq sa të mundeni." )Kurani, 64: 16(

Arsyeja është se mësimi i kësaj diturie sjell përfitime të shumta, ndër to:

* Lëvrimi i saj konsiderohet si një prej veprave më të mira, sepse ajo është një nga disiplinat më fisnike dhe më të larta të dijes. Një nga punët më të dobishme me të cilat njeriu mund ta angazhojë veten është të mësojë, të hulumtojë e të mendojë rreth fesë, si dhe të ndjekë çdo rrugë për ta nxënë atë. Pikërisht, koha e shfrytëzuar në këtë mënyrë është koha që ke fituar dhe jo që ke humbur.

* Njohja e mirësive të Zotit dhe shpallja e tyre është detyrë që Allahu ia urdhëroi të Dërguarit të Tij dhe, gjithashtu, konsiderohet një prej veprave më të mira. Nuk ka dyshim se hulumtimi në këtë disiplinë është njohje, shpallje dhe reflektim rreth njërës prej mirësive më të mëdha të Allahut të Lartësuar: fesë islame, të vetmes fe të pranuar tek Ai. Shpallja e kësaj mirësie konsiderohet falënderim për Allahun dhe bëhet shkak për shtimin e begative të Tij.

* Njerëzit ndryshojnë shumë mes tyre në lidhje me besimin dhe plotësinë e tij. Sa më shumë që një njeri ta njohë e ta nderojë këtë fe, sa më shumë të gëzohet e të kënaqet me të, aq më i plotë është besimi i tij dhe aq më e drejtë është bindja e vet. Kjo është argumenti i të gjitha bazave dhe rregullave të besimit.

* Një nga format më të mira të thirrjes në fenë islame është shpjegimi i bukurive që ajo përmban e që i pranon çdokush që ka mendje dhe natyrë të shëndoshë. Nëse në krye të thirrjes islame vihen persona që i shpjegojnë bukur të vërtetat e kësaj feje dhe përfitimet që ajo ia sjell njerëzimit, do të mjaftonte për t’i tërhequr plotësisht të tjerët drejt saj. Sepse, kur njerëzit shohin se si Islami i harmonizon interesat fetare dhe ato tokësore, në dobi të anës shpirtërore e materiale, nuk do të ketë më nevojë për të hedhur poshtë dyshimet e kundërshtarëve të Islamit apo pikëpamjet e tyre fetare. Njeriu, me ta parë të vërtetën, që shpjegohet qartë e me argumente bindëse, vetvetiu do t’i largojë dyshimet që e mundojnë. Dhe, me t’iu shfaqur disa fakte të kësaj feje, ai do të bëhet predikuesi më i madh për pranimin dhe saktësinë e tyre.

Dije se bukuritë e fesë islame shtrihen në të gjitha çështjet dhe argumentet e saj, në rregullat e saj themelore dhe në ato dytësore, në dituritë e saj fetare e legjislative, si dhe në ato natyrore e shoqërore. Këtu nuk është qëllimi të përfshihen e të ekzaminohen tërë këto aspekte, ngase kjo punë kërkon zgjatje të madhe. Por, qëllimi është sjellja e disa shembujve të cilët vlejnë për të nxjerrë përfundime përgjithësuese dhe i hapin derën kujtdo që dëshiron t’i hyjë kësaj rruge. Janë shembuj të marrë në mënyrë të shpërndarë nga themelet e nga degët e fesë, nga rregullat e adhurimeve dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore.

Me ndihmën e Allahut dhe me shpresën që Ai të na e ndriçojë udhën e dijes e me bujari të na i përmirësojë fjalët e veprat, më poshtë po rendis shembujt:


 Shembulli i parë: Feja islame ngrihet mbi parimet e besimit[1]

* Feja islame është ngritur mbi parimet e besimit që përmenden në Kuran, siç vijon:

﴿قُولُوا آمَنَّا بِاللَّهِ وَمَا أُنْزِلَ إِلَيْنَا وَمَا أُنْزِلَ إِلَى إِبْرَاهِيمَ وَإِسْمَاعِيلَ وَإِسْحَاقَ وَيَعْقُوبَ وَالْأَسْبَاطِ وَمَا أُوتِيَ مُوسَى وَعِيسَى وَمَا أُوتِيَ النَّبِيُّونَ مِنْ رَبِّهِمْ لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍ مِنْهُمْ وَنَحْنُ لَهُ مُسْلِمُونَ١٣٦﴾

"Thoni: Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi." )Kurani, 2:136(

* Këto parime madhështore, që Allahu na urdhëron t’i besojmë, janë përcjellë nga të gjithë profetët dhe të dërguarit. Ato përmbajnë njohuritë dhe pikëpamjet më të larta rreth besimit në Allahun, ashtu siç e ka cilësuar Ai Veten përmes të dërguarve të Vet, si dhe tregojnë përpjekjet që duhen bërë, për ta fituar pëlqimin e Tij.

* Pra, Islami është një fe që ka për bazë besimin në Zot dhe ka për fryt rendjen pas gjithçkaje që sjell dashurinë dhe pëlqimin e Tij, me qëllim të pastër vetëm për Zotin. A mund të përfytyrohet një fe më e mirë dhe më e lartë se kjo?

* është fe që urdhëron të besosh në vërtetësinë e mesazheve të sjella nga të gjithë profetët, pa bërë dallim midis tyre; të besosh se të gjithë ata janë të dërguarit dhe besnikët e sinqertë të Allahut. Është e pamundur që një feje të tillë t’i drejtohen shigjetat e kundërshtisë dhe qortimit.

* Islami urdhëron atë që është e drejtë, pranon atë që është e sinqertë, pohon të vërtetat fetare që mbështeten në mesazhet e Allahut për të dërguarit e Tij dhe përputhet me atë që është logjike, e natyrshme dhe e dobishme. Nga ana tjetër, Islami nuk e refuzon të vërtetën në asnjë mënyrë, nuk e pranon gënjeshtrën dhe nuk i promovon të pavërtetën e të kotën, çka e bën atë mbizotërues kundrejt feve të tjera.

Ai i urdhëron veprat e mira, sjelljet fisnike dhe gjithçka të dobishme për njerëzit; nxit drejtësinë, bujarinë, mëshirën dhe mirësinë; ndalon padrejtësinë, agresionin dhe sjelljet e këqija. Nuk ka virtyt të përcjellë prej lajmëtarëve të Zotit që Islami të mos e ketë konfirmuar; nuk ka interes fetar dhe tokësor të predikuar në ligjet hyjnore që Islami të mos e ketë rekomanduar; nuk ka dëm që Islami të mos e ketë ndaluar e të mos e ketë urdhëruar largimin prej tij.

* Ideja është se, botëkuptimi i kësaj feje e pastron zemrën, e fisnikëron shpirtin e i rrënjos thellë moralet e larta dhe veprat e mira.


 Shembulli i dytë: Përsiatje mbi shtyllat praktike të Islamit

Normat më të rëndësishme të Islamit, pas besimit, janë: falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhillëku pranë Xhamisë së Shenjtë në Mekë. Një vëzhgim i këtyre normave nxjerr në pah dobitë e mëdha që burojnë prej tyre dhe përpjekjet që duhen bërë për ta fituar kënaqësinë dhe shpërblimin e Zotit në këtë jetë e në tjetrën.

* Vështroje namazin: përkushtim i pastër ndaj Allahut, kthim i plotë drejt Tij, lavde, lutje dhe përgjërim para Tij. Namazi është për pemën e besimit siç është vaditja për kopshtin. Sikur namazi të mos përsëritej gjatë ditës dhe natës, pema e besimit do të thahej e degët do t’i vyshkeshin, por ajo rritet e përtërihet me adhurimet e namazit.

Shiko se si namazi e mban njeriun të angazhuar me përmendjen e Zotit, që është vepra më e madhe, dhe si e ruan atë nga shthurja dhe nga veprat e turpshme.

* Mendo për urtësitë dhe dobitë e zekatit: edukon sjellje fisnike, siç janë bujaria e zemërgjerësia dhe shëron koprracinë; tregon mirënjohje për Allahun; ruan pasurinë nga shkatërrimi material dhe moral; promovon bamirësinë ndaj njerëzve dhe solidaritetin me nevojtarët; përmbush përfitime të nevojshme.

Zekati plotëson nevojat e të vobektëve, ndihmon në realizimin e objektivave madhorë, pa të cilët nuk mund të bëjë bashkësia e muslimanëve, si dhe e lufton varfërinë. Ai shpreh siguri në kompensimin e Allahut, shpresë në shpërblimin e Tij dhe besim në premtimin e Tij.

* Agjërimi është ushtrim për egon që, për hir të dashurisë për Allahun dhe për t’u afruar me Të, të braktisë gjërat e dëshiruara me të cilat është mësuar. Agjërimi e stërvit forcën e vullnetit dhe durimin.

Ai i forcon motivet e sinqeritetit ndaj Allahut sepse dashurinë për Allahun e vendos para dashurisë për veten. Prandaj, Allahu e ka veçuar agjërimin nga të gjitha veprat e tjera, duke konsideruar se ky adhurim i përket vetëm Atij.

* Haxhillëku është adhurim ku besimtari shpenzon pasuri, duron vështirësi dhe përballet me rreziqe të ndryshme vetëm për ta kërkuar kënaqësinë e Allahut, për ta vizituar Atë e për t’iu përulur në shtëpinë e në oborrin e Tij. Në ato vende të shenjta, të cilat janë "sofra" që Allahu i ka shtruar për miqtë e shtëpisë së Tij, besimtari kryen një larmi ritesh adhurimi: madhëron dhe i dorëzohet tërësisht Krijuesit, (për)kujton ngjarjet e profetëve të përzgjedhur, duke forcuar kështu besimin e vet dhe dashurinë për ta. Muslimanët nga e gjithë bota njihen me njëri-tjetrin, rendin së bashku drejt unitetit dhe pajtimit për interesat e tyre të veçanta dhe të përbashkëta, që nuk mund të numërohen. Prandaj, haxhillëku është një nga ritet më të bukura e më madhështore të fesë, për shkak të dobive të shumta që u sjell besimtarëve.

Kjo ishte një përmbledhje e shkurtër, sa për ta nxitur mendimin.


 Shembulli i tretë: Urdhri për bashkim dhe harmoni

* Feja islame e nxit dhe e urdhëron bashkimin, ashtu siç e qorton dhe e ndalon përçarjen. Ky parim themelor nënvizohet në shumë tekste nga Kurani dhe fjalët e profetit Muhamed . Kushdo që ka sadopak logjikë, i kupton dobitë shpirtërore dhe materiale që burojnë prej bashkimit dhe dëmet që shmangen nëpërmjet tij.

* Nuk është sekret se fuqia shpirtërore e ngritur mbi të vërtetën burimin e ka te bashkimi rreth saj. Është e njohur gjendja e brezave të parë të muslimanëve: niveli i lartë i fetarisë, i përkushtimit dhe i fuqisë që nuk u arrit më nga të tjerët pas tyre. Kjo, sepse ata i qëndruan me besnikëri parimit të bashkimit rreth së vërtetës, e zbatuan atë siç duhet, duke qenë plotësisht të bindur se ai e përbën shpirtin e fesë së tyre.


 Shembulli i katërt: Fe e mëshirës dhe mirësisë

Islami është fe e mëshirës, begatisë e bamirësisë, si dhe nxit çdo gjë që është në të mirë të racës njerëzore. Ai predikon dhembshuri, mirësjellje e mirësi, si dhe ndalon të kundërtat e tyre, çka e shndërron atë në dritë që gris errësirën e shkaktuar nga padrejtësia, agresioni, keqtrajtimi dhe përdhosja.

* Islami ka bërë për vete edhe njerëz që, para se ta njihnin, kanë qenë armiqtë e tij më të përbetuar, por pastaj u strehuan në hijen e tij. Ndërkaq, Islami i ka zbutur ithtarët e vet dhe ka bërë që falja, mëshira e dashamirësia t’u rrjedhin nga zemrat, fjalët e veprat, si dhe të depërtojnë tek armiqtë e tyre, duke i kthyer ata në mbështetësit më të mëdhenj të fesë. Kështu, disa prej tyre kanë hyrë në Islam nga largpamësia dhe fuqia e ndjenjave; disa i përulen dhe pëlqejnë tek ai normat, që u duken më të mira se të fesë së vet; ndërsa disa të tjerë thjesht e gjejnë tek ai drejtësinë dhe mëshirën që kërkonin.


 Shembulli i pestë: Fe e urtësisë, natyrshmërisë dhe arsyes

Islami është fe e urtësisë dhe natyrshmërisë, fe e logjikës, devotshmërisë dhe shpëtimit.

* Këtë e qartëson më së miri korpusi i normave të tij parësore e dytësore, të cilat natyra dhe mendja njerëzore i pranojnë dhe u nënshtrohen me shtysën e drejtësisë dhe të së vërtetës. Këto norma janë të ndërtuara bukur, me rregull dhe të vlefshme për çdo kohë e çdo vend.

Të gjitha orientimet dhe njoftimet e kësaj feje janë të vërteta e të sakta. Deri më sot askush nuk ka mundur, dhe nuk do të mundë, t’i përgënjeshtrojë a t’i hedhë poshtë. Përkundrazi, shkenca dhe dijet e sakta gjithnjë i kanë mbështetur ato.

* Studiuesit objektivë kanë vërtetuar se Kurani ka orientuar në mënyrë të padyshimtë drejt çdo diturie të dobishme fetare, natyrore apo politike. Andaj, ligjet islame nuk përmbajnë diçka që mendja nuk e pranon, përkundrazi, logjika e pastër dëshmon për vërtetësinë dhe dobinë e gjithçkaje që përmban legjislacioni islam.

Urdhërimet dhe ndalimet e legjislacionit islam janë të gjitha të drejta, sepse çdo gjë që Islami e ka detyruar është përfitim i pastër ose i gjasshëm, rrjedhimisht, çdo gjë që ai e ka ndaluar është dëm i pastër ose dëm më i madh se dobia.

Sa më shumë që njeriu i mençur t’i kundrojë normat islame, aq më shumë do t’i rritet besimi në urtësinë e kësaj feje dhe do t’i forcohet bindja se ajo ka zbritur nga Zoti i Urtë dhe i Lavdëruar.


 Shembulli i gjashtë: Fe që e urdhëron të mirën dhe e ndalon të keqen

Feja e ligjëron luftën në raste të caktuara, si dhe e nxit urdhërimin e së mirës dhe ndalimin e së keqes.

* Lufta është e ligjëruar si masë për të sprapsur agresionin dhe pengesat që ngrihen kundër kësaj feje dhe të drejtave të saj. Nuk ka synime grabitqare dhe as lakmi apo qëllime vetjake. Ai që i studion argumentet e këtij parimi dhe historinë e Profetit dhe të shokëve të tij me armiqtë e tyre, pa dyshim do të mësojë se ky veprim hyn te nevojat dhe mbrojtja nga sulmet e agresorëve.

* Urdhërimi i së mirës dhe ndalimi i së keqes janë një vijim i përpjekjes për ruajtjen e fesë dhe të ithtarëve të saj, duke i orientuar ata nga e mira dhe duke i larguar nga e keqja. Kështu, besimtari edukohet me zbatimin e normave, e lufton të keqen që ka brenda vetes, që e nxit drejt së ndaluarës dhe mospërmbushjes së detyrimeve që ka mundësi t’i bëjë.

Prej këtu buron edhe pesha e madhe dhe bukuria e këtij parimi urdhërues e ndalues, çka e bën zbatimin e tij domosdoshmëri për shoqërinë, me qëllim që të vetëpërsoset vazhdimisht, të vetëpastrohet nga veset dhe të lartësohet drejt virtytit. Ndërkaq, lënia e hapësirave të lira për të keqen e vesin, shoqërisë do t’i shkaktojë shumë dëme e padrejtësi, veçanërisht në lidhje me zbatimin e të drejtave që kërkohen nga feja, ligji dhe tradita.


 Shembulli i shtatë: Ligjërimi i transaksioneve të dobishme

Legjislacioni islam ka parashikuar forma të ndryshme të shitblerjes, qiradhënies, ortakërive dhe transaksioneve ku njerëzit shkëmbejnë mes tyre mallrat, financat, përfitimet etj. Me lejimin e këtyre marrëdhënieve financiare mes njerëzve, legjislacioni islam e shfaq plotësinë e tij, sepse i përfshin si përfitimet e domosdoshme, ashtu edhe përfitimet e nevojshme dhe ato të luksit. Në këtë mënyrë ky ligj u ka lënë njerëzve hapësirën e përshtatshme për të rregulluar punët, gjendjen dhe jetën e tyre.

Për ligjërimin e këtyre transaksioneve, legjislacioni islam si kushte kryesore ka vënë që: marrëveshja të kryhet me pëlqimin e të dy palëve, të jetë transparente, objekti i vet dhe kushtet që burojnë prej saj të jenë të njohura. Nga ana tjetër, Islami ndalon çdo transaksion që përmban dëmtim apo padrejtësi, siç janë lojërat e fatit, marrëdhëniet me kamatë apo ato në të cilat ka mosnjohje dhe mungesë transparence.

Nga vëzhgimi i transaksioneve të lejuara vërehet lidhja e tyre me përfitimin moral dhe material. Gjithashtu, dëshmohet gjerësia e mëshirës së Allahut dhe plotësia e urtësisë së Tij, sepse del qartë që Ai u ka lejuar njerëzve gjithçka të mirë: mjetet e pastra të jetesës dhe mënyrat e rregullta të fitimit.


 Shembulli i tetë: Ligjërimi i gjithçkaje të pastër

Në lidhje me ushqimet, pijet, veshjet, martesën etj., legjislacioni islam ka ligjëruar çdo gjë që është e mirë dhe e pastër.

* Për sa u përket ushqimeve, feja ka lejuar të gjitha ato që janë të dobishme, si, fjala vjen, drithërat, frutat, perimet, mishin e kafshëve të detit tërësisht, kurse mishin e kafshëve të tjera me kushte, si dhe ka ndaluar vetëm atë që është e dëmshme për fenë, mendjen, trupin dhe pasurinë e njeriut. Pra, çdo gjë e lejuar nga Zoti vjen prej mirësisë së Tij dhe konsiderohet si pjesë e bukurisë së fesë. Po ashtu, çdo gjë e ndaluar nga Zoti vjen prej mirësisë së Tij, sepse Ai ka ndaluar atë që është e dëmshme për njerëzit. Edhe kjo konsiderohet si një prej mirësive të fesë, sepse mirësia e diçkaje përcaktohet nga urtësia, domethënë nga dobia që sjell dhe nga dëmet që shmang.

* Për sa i përket martesës, Islami, jo vetëm që e ka ligjëruar martesën midis burrit dhe gruas, por edhe e nxit atë, sepse është në të mirën e të dy palëve dhe shmang shumë të këqija për të gjithë. Islami e ka kufizuar poligaminë deri në katër gra, për arsye të padrejtësive që shkakton kalimi i këtij kufiri. Madje, nëse ekziston frika nga padrejtësitë e mundshme apo pamundësia për të përmbushur normat hyjnore në martesë, për ta ruajtur qëllimin e martesës, Islami e nxit monogaminë.

* Martesa është një prej mirësive më të mëdha dhe domosdoshmëri, por, kur njeriu e ka të pamundur të jetojë me dikë që nuk përshtatet e nuk pajtohet me të, kur qëndrimi bashkë krijon një gjendje të nderë e të vështirë, i tillë konsiderohet edhe lejimi i divorcit. Allahu thotë:

﴿وَإِنْ يَتَفَرَّقَا يُغْنِ اللَّهُ كُلًّا مِنْ سَعَتِهِ﴾

"E nëse ata ndahen, Allahu e bën të pavarur çdonjërin prej tyre, me begatinë e Tij." (Kurani, 4:130)


 Shembulli i nëntë: Ligjërimi i të drejtave të ndërsjella

Allahu dhe i Dërguari i Tij për njerëzit kanë ligjëruar një seri normash, të cilat realizojnë mirësinë, drejtësinë dhe shmangien e padrejtësive. Të tilla janë, fjala vjen, të drejtat që ka sanksionuar për prindërit, për fëmijët, për të afërmit, për fqinjët, për pronarët, për bashkëpunëtorët dhe për çdonjërin bashkëshort kundrejt tjetrit. Të gjitha këto të drejta, të domosdoshme apo plotësuese, shihen si të përshtatshme nga natyra dhe logjika e pastër. Nëpërmjet tyre arrihet ndërveprimi dhe shkëmbimi i përfitimeve dhe interesave ndërmjet njerëzve, varësisht situatës dhe pozitës së atij që e zotëron të drejtën.

Sa më shumë të thellohesh në shqyrtimin e këtyre normave të së drejtës, do të shohësh ç’të mira sjellin ato dhe sa të këqija shmangin. Do të vëresh se si përmbushen dobi të përgjithshme e të veçanta, se si realizohet bashkëjetesa e qetë dhe e plotë. Këto janë tregues se feja islame kujdeset për lumturinë në të dyja botët.

Te këto norma do të shohësh se si të drejtat ecin me kohën e me vendin, me situatat e me traditat, se si i rregullojnë interesat e ndryshme dhe e arrijnë bashkëveprimin e përkryer në çështjet e fesë dhe të jetës, si i pajtojnë dëshirat e ndryshme dhe i zhdukin mëritë e armiqësitë. Sigurisht, këto përfundime arrihen duke hulumtuar dhe duke ekzaminuar burimet e këtyre normave.


 Shembulli i dhjetë: Legjislacioni i trashëgimisë

Legjislacioni islam ka vendosur një mori ligjesh që rregullojnë kalimin e pasurisë pas vdekjes dhe mënyrën e shpërndarjes së trashëgimisë te pasardhësit. Zoti i Lartmadhërishëm e tregon në Kuran urtësinë e këtij aspekti, duke thënë:

﴿لَا تَدْرُونَ أَيُّهُمْ أَقْرَبُ لَكُمْ نَفْعًا﴾

"Ju nuk e dini se cili është më i afërt për ju nga dobia..." (Kurani, 4:11)

Pra, Zoti i Lartësuar i ka përcaktuar Vetë mënyrat e ndarjes së trashëgimisë sepse Ai e di më mirë se cili trashëgimtar është më i afërt për nga dobia, se ku dëshiron zakonisht njeriu që të përfundojë pasuria e tij dhe se cili e meriton më shumë mirësinë e trashëgimlënësit. Këto çështje i ka rregulluar aq bukur, saqë edhe logjika e shëndoshë përulet para kësaj saktësie. Në qoftë se çështjet e trashëgimisë do të liheshin në dorë të njerëzve, sipas opinioneve dhe dëshirave të tyre, me siguri që kjo do të shkaktonte probleme dhe zgjedhje të këqija; do të prisheshin ekuilibrat e rregulli dhe do të krijoheshin situata të rrëmujshme.

* Feja e lejon njeriun që një pjesë të pasurisë së vet ta lërë me testament për punë të mira e të devotshme, të cilat do t’i bëjnë dobi në jetën e amshuar. Këtë pjesë e ka kufizuar deri në një të tretën e pasurisë për ata që nuk janë trashëgimtarë, me qëllim që pasuria, të cilën Allahu e ka bërë mjet jetese, të mos shndërrohet lodër në duart e njerëzve me mendje dhe me fe të mangët, para largimit të tyre nga kjo botë. Për sa i përket rastit kur ata janë me shëndet të mirë trupor dhe mendor, zakonisht frika nga varfëria dhe falimentimi i ndalon që ta kalojnë pasurinë në dëm të tyre.


 Shembulli i njëmbëdhjetë: Kodi penal

Legjislacioni islam paralel me krimet ka përcaktuar dënime të ndryshme.

* Arsyeja është se krimet dhe shkelja e të drejtave të Allahut dhe e të drejtave të njerëzve konsiderohen ndër padrejtësitë më të mëdha që e prishin rendin, fenë dhe jetesën tokësore. Prandaj, Ligjvënësi ka caktuar ndëshkime trupore, të cilat e parandalojnë kryerjen e këtyre krimeve dhe shkeljeve. Një analizë e këtyre ndëshkimeve nxjerr në pah përfitimet e përgjithshme e të veçanta. Nga analiza njeriu i mençur e kupton mirësinë e fesë dhe se e keqja nuk mund të luftohet krejtësisht, përveçse me anë të ndëshkimeve të ashpra që Ligjvënësi ua ka caktuar krimeve, qofshin ato pak a shumë, të rënda a të lehta.


 Shembulli i dymbëdhjetë: Tutela ligjore

Legjislacioni islam përcakton që personit mund t’i ndalohet e drejta e shfrytëzimit të pasurisë vetjake, në rast se ai e keqpërdor atë në dëm të vetes apo të të tjerëve. Ky ndalim zbatohet ndaj personave të çrregullt mendërisht, ndaj të miturve dhe ndaj personave me aftësi të kufizuara mendore, sikurse që zbatohet edhe ndaj debitorit në favor të kreditorëve të tij.

* Këto rregulla konsiderohen bukuri të fesë islame sepse parandalojnë një dëm më të madh se dobia. Dihet që njeriu në parim është i lirë ta përdorë pasurinë si të dojë, por, nëse përdorimi i tij sjell më shumë dëme dhe të këqija sesa përfitim, atëherë feja përcakton ndalimin e shfrytëzimit të pasurisë, për hir të interesave më të mëdha dhe për t’i orientuar njerëzit drejt një përdorimi të dobishëm e jo të dëmshëm.


 Shembulli i trembëdhjetë: Garantimi i së drejtës

Legjislacioni islam e ligjëron garantimin dhe dokumentimin e të drejtave në forma të ndryshme.

* Një formë është dëshmia. Ajo bën të mundur që të përmbushen të drejtat e njerëzve, të parandalohen mohimet e pabaza dhe të zhduken dyshimet. Forma të tjera për sigurimin e të drejtave janë pengu, garancia dhe dorëzania. Në rastet kur është e pamundur që haku të kthehet tek i zoti, atëherë ky i fundit e merr të drejtën e vet nëpërmjet këtyre dokumenteve.

Nuk janë sekret përfitimet e ndryshme që vijnë nga këto praktika ligjore, siç janë: sigurimi i të drejtave, zgjerimi i transaksioneve, bazimi i tyre në drejtësi, ndershmëri dhe rregull. Sikur të mos ishte sigurimi dhe dokumentimi i të drejtave, pjesa më e madhe e transaksioneve do të çrregulloheshin. Ky sigurim është i dobishëm edhe për të zotin e së drejtës, edhe për atë që e ka detyrimin përsipër.


 Shembulli i katërmbëdhjetë: Nxitja e huadhënies

Feja islame e nxit huadhënien, e cila konsiderohet bamirësi që i sjell njeriut shpërblimin e Zotit të Lartësuar dhe mirënjohjen e njerëzve, si dhe më pas ia kthen sërish pasurinë të zotit. Kësisoj, kjo marrëdhënie i siguron njeriut përfitime të mëdha, pa i shkaktuar dëm. Nëpërmjet saj përmbushen shumë interesa e nevoja, zgjidhen shumë situata të vështira dhe realizohen shumë vepra mirëbërëse.

Huadhënësit i kthehet pasuria e vet, njëherazi fiton shpërblim të madh nga Zoti. Nga aspekti shoqëror, huadhënësi ka kryer një veprim të bukur ndaj vëllait të vet, që sjell mirësi, bereqet, kënaqësi shpirtërore, afrim dhe dashuri.

Mirësia e pastër do të ishte nëse personi e ndihmon shokun e vet pa kërkuar t’i kthehet asgjë, siç u përmend në rastin e zekatit dhe sadakasë.


 Shembulli i pesëmbëdhjetë: Parimet e zgjidhjes së konflikteve

Islami ka vënë norma dhe rregulla për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe problemeve në favor të njërës prej palëve që janë në konflikt. Këto norma janë të ngritura mbi drejtësinë dhe argumentin, në përputhje me traditën zakonore dhe natyrshmërinë. Kështu, legjislacioni islam provën e konsideron detyrim të gjithkujt që mëton diçka apo një të drejtë të caktuar. Nëse paditësi sjell prova në favor të tij, që ia forcojnë pretendimin, atëherë i jepet e drejta që kërkon. Por, nëse paditësi nuk sjell prova, atëherë mjafton që i padituri të betohet për pavërtetësinë e pretendimit dhe kësisoj nuk ka asnjë detyrim.

Legjislacioni islam provat i klasifikon në shkallë të caktuara. Kështu, rrethanat sqaruese dhe traditën zakonore mes njerëzve i konsideron prova. Domethënë, prova përfshin gjithçka që e sqaron të vërtetën dhe orienton drejt saj.

Në raste dyshimesh apo kur provat e palëve në konflikt janë të barabarta, Islami përcakton në çdo çështje pajtimin e drejtë dhe të përshtatshëm, si rrugë për zgjidhjen e problemeve dhe mosmarrëveshjeve. Çdo rrugë që nuk përmban padrejtësi e nuk i fut njerëzit në mëkat, porse është e dobishme për ta, është e rekomandueshme në qoftë se i zgjidh mosmarrëveshjet dhe u jep fund zënkave.

Islami ka vënë barazi mes të fortit dhe të dobëtit, mes pushtetarit dhe qytetarit në të gjitha të drejtat, kurse armiqësinë përpiqet ta shuajë nëpërmjet rrugëve të drejtësisë dhe shmangies së padrejtësisë.


 Shembulli i gjashtëmbëdhjetë: Kuvendimi dhe vendimmarrja e përbashkët

Legjislacioni islam e ka sanksionuar shuran, parimin e kuvendimit dhe vendimmarrjes së përbashkët. Ai i lavdëron besimtarët të cilët të gjitha punët fetare e jetësore, të brendshme e të jashtme, i kryejnë me këshillim midis tyre. ky është një parim madhor, i pranuar nga të gjithë njerëzit e mençur si rruga e vetme për të zgjedhur atë që është më e mira, më e duhura dhe më e drejta. Popujt që e zbatojnë atë përparojnë më shpejt në arritjen e çdo gjëje të mirë e të dobishme. Sa më shumë që njerëzimi i shton e i zgjeron njohuritë dhe idetë e tij, aq më shumë e kupton dhe e vlerëson nevojën e madhe që ka për këtë parim.

Kur muslimanët e zbatuan këtë parim në periudhën e parë të Islamit, si në çështjet jetësore, ashtu edhe në ato fetare, punët e tyre ecnin mbarë dhe mirëqenia vetëm sa rritej e shtohej. Kur ata e mënjanuan atë, pësuan rënie të vazhdueshme në fenë dhe në jetën e tyre, derisa arritën në gjendjen që shohim. Nëse ata i referohen fesë së tyre për këtë parim dhe për parimet e tjera, me siguri që do të shpëtojnë nga kjo situatë dhe do t’ia dalin me sukses.

 Shembulli i shtatëmbëdhjetë: Ligj që përmirëson fenë dhe jetën e njeriut

Legjislacioni islam synon ta përmirësojë fenë dhe jetën e njeriut, ta harmonizojë interesin e shpirtit me interesin e trupit. Ky objektiv mbështetet në shumë argumente të teksteve të shenjta të Kuranit dhe Sunetit. Zoti dhe i Dërguari i Tij e nxisin realizimin e këtyre dy aspekteve, duke i konsideruar ata si ndihmës të njëri-tjetrit.

Allahu i ka krijuar njerëzit që ta adhurojnë e ta nderojnë Atë. Dhe, për t’ua lehtësuar adhurimin, Ai ua ka siguruar furnizimin (riskun), u ka krijuar mundësi të shumta për ta fituar jetesën, me qëllim që kjo t’u ndihmojë për realizimin e nevojave shpirtërore dhe fizike.

Islami nuk urdhëron që vetëm shpirti të ushqehet, ndërsa trupi të lihet pas dore, por e ndalon lëshimin pas kënaqësive e epsheve dhe urdhëron forcimin e interesave shpirtërore. Kjo bëhet e qartë nëpërmjet një parimi tjetër, që shpjegohet në shembullin e mëposhtëm.


 Shembulli i tetëmbëdhjetë: Lidhja mes dijes, fesë dhe pushtetit

Dijen e fenë, nga njëra anë, dhe autoritetin e pushtetin, nga ana tjetër, sheriati i konsideron shtylla që e mbajnë njëra-tjetrën. Dija dhe feja e përmirësojnë pushtetin. Në to mbështeten autoriteti dhe ligjet. Të gjitha pushtetet janë të lidhura me dijen dhe fenë, që është vetë urtësia dhe rruga e drejtë, rruga e shpëtimit dhe suksesit.

Aty ku feja dhe pushteti lidhen dhe mbështeten në mes vete, punët ecin mirë e mbarë, rrjedhimisht, aty ku ndahen, sistemi prishet dhe mirësia humbet; ndodh përçarja, zemrat largohen prej njëra-tjetrës dhe fillon rrënimi.

Këtë e mbështet fakti se feja nuk bie ndesh me diturinë. Sado që shkenca dhe njohuritë të përparojnë, sado që teknologjia e shpikjet të shtohen, konkluzionet e tyre nuk bien ndesh, nuk bie ndesh me mësimet kuranore dhe me ligjet fetare. Kjo për faktin se sheriati nuk sjell asgjë që mendja e quan të pamundur, por përmban vetëm atë çka logjika e shëndoshë e pranon për të mirë apo atë që vetë mendja nuk arrin ta njohë në tërësi apo në hollësi. Pikërisht ky pohim është shembulli i radhës.

 Shembulli i nëntëmbëdhjetë: Mospërplasja mes fesë dhe mendjes

Sheriati nuk sjell diçka që është e pamundur për mendjen apo që bie ndesh me dijen e saktë. Ky është një nga argumentet më të mëdha që, çfarë vjen prej Zotit, është e përkryer, e qëndrueshme dhe e vlefshme për çdo kohë e çdo vend.

Sigurisht që këto sentenca të shkurtra njihen hollësisht pas ekzaminimit të të gjitha dukurive natyrore dhe shoqërore, për të parë përputhjen e tyre me të vërtetat e sakta që ka shpallur sheriati. Në këtë mënyrë kuptohet se Kurani jep sqarime për çdo gjë dhe nuk ka lënë pa llogaritur asgjë, qoftë ajo e madhe apo e vogël.


 Shembulli i njëzetë: Vështrim panoramik mbi ekspansionin e shpejtë të Islamit

Për të konstatuar madhështinë e Islamit, mjafton një vështrim panoramik mbi ekspansionin e tij të shpejtë e të pazakontë, të pasuar nga fakti që Islami nuk u tërhoq më nga ato toka, por qëndroi i respektuar, pavarësisht intrigave të armiqve dhe kundërshtimit të tyre të dhunshëm.

Mjafton të shihet zanafilla e kësaj feje, mënyra se si e bashkoi Gadishullin Arabik dhe i zëvendësoi armiqësitë shekullore me vëllazërinë e besimit. Më pas i shtyu arabët që të përhapen anembanë botës, duke i marrë vendet njërin pas tjetrit, me në krye territoret e persëve dhe të bizantinëve, dy perandoritë më të fuqishme dhe më të mëdha të kohës. Arabët i thyen këto dy shtete falë fuqisë së fesë dhe të besimit të tyre, si dhe falë ndihmës së Allahut, duke e çuar Islamin në skajet e Lindjes dhe Perëndimit.

Këto fakte mund të konsiderohen shenja të Allahut, argumente të fesë së Tij dhe mrekulli të Profetit. Për shkak të këtij zgjerimi të shpejtë, kombet e reja e pranuan Islamin masivisht, me dije e vetëdëshirë dhe jo me dhunë e mospëlqim.

Pra, një vështrim i përgjithshëm i rrjedhës së ngjarjeve sjell në përfundimin që Islami është e vërteta, së cilës nuk mund t’i rezistojë asnjë e pavërtetë, sado e madhe dhe e fuqishme qoftë. Mendja e kupton këtë vetiu, pasi është shumë e qartë dhe asnjë njeri objektiv nuk mund ta vërë në dyshim.

Në kundërshtim me sa më sipër, një grup shkrimtarësh të kësaj kohe, të nxitur nga nënshtrimi ideor, mëtojnë se përhapja e Islamit dhe ekspansioni i tij i pazakontë kanë qenë rrjedhojë vetëm e kushteve materiale. Nën dritën e këtij pretendimi ata kanë analizuar situatën e kohës, duke dalë në përfundimin se faktorët e ekspansionit të muslimanëve kanë qenë dobësia e Persisë dhe Bizantit, kombinuar me fuqinë materiale të arabëve.

Vetëm ky përfundim mjafton për ta hedhur poshtë pretendimin. Arabët nuk zotëronin fuqi që t’i bënte të aftë për t’i rezistuar ndonjërës prej principatave lokale të kohës, aq më pak qeverive të mëdha qendrore, sidomos dy perandorive më të mëdha, me ushtritë më të shumta në numër e të armatosura më mirë. Jo vetëm kaq, në të njëjtën kohë luftonin kundër të dy perandorive dhe ngadhënjenin tërësisht, duke i zëvendësuar ligjet e perandorit me ligjet e drejta të Kuranit dhe të fesë, të cilat u mirëpritën nga kushdo që ishte objektiv dhe kërkues i drejtësisë e i së vërtetës.

A mund të shpjegohet një ekspansion i tillë vetëm me epërsinë materiale të arabëve?! Kështu flet vetëm ai që synon t’ia ulë vlerat fesë islame ose dikush që i përhap fjalët e armiqve, nga mosnjohja e fakteve të vërteta.

Mirëpo, vetë fakti që Islami qëndron i patundur përgjatë shekujve në trojet ku u përhap, pavarësisht përpjekjeve armiqësore për zhdukjen e tij të plotë, është një nga mrekullitë e kësaj feje dhe argument se ajo është feja e vërtetë e Zotit. Nëse Islami do të kishte përkrahje të mjaftueshme për ta larguar agresionin e vazhdueshëm të armiqve, nuk do të kishte mbetur në botë fe tjetër përveç tij dhe njerëzit do ta kishin pranuar atë pa asnjë shtrëngim, sepse ai është feja e vërtetë, feja e natyrshmërisë njerëzore, feja e bamirësisë. Mirëpo mangësia, dobësia dhe përçarja e muslimanëve, nga njëra anë, dhe presioni i madh i armiqve të tyre, nga ana tjetër, janë faktorët që e ndalën përparimin e Islamit.


 Shembulli i njëzetenjëtë: Universaliteti i Islamit

Feja islame bazohet në besimin e drejtë e të dobishëm; në moralet e larta që e fisnikërojnë shpirtin e mendjen; në veprat e bamirësisë dhe argumentet e qarta; në asgjësimin e paganizmave dhe varësisë nga krijesat; në përkushtimin e pastër ndaj Allahut, Krijuesit të gjithësisë; në braktisjen e miteve dhe bestytnive, që bien ndesh me realitetin dhe arsyen; në realizimin e përfitimit absolut dhe mënjanimin e çdo dëmi; në përmbushjen e drejtësisë dhe zhdukjen e padrejtësisë me çdo mjet; në lartësimin drejt përkryerjes. Shtjellimi i këtyre sentencave zgjat. Kushdo që zotëron sadopak njohuri, mund t’i zbërthejë ato qartë e bukur.

Le të mjaftohemi me kaq, sepse kjo trajtesë përmban parimet dhe rregullat bazë që nxjerrin në pah përkryerjen, madhështinë dhe mirësinë e vërtetë të Islamit.



[1] Të gjithë nëntitujt e këtij punimi janë vënë nga përkthyesi.