Dita e Ashurasë - normat dhe dispozitat e saj ()

Muhamed Salih

 

Në këtë artikull janë përmbledhur dispozitat më të rëndësishme që lidhen me agjërimin e ditës Ashura, duke filluar nga aspekti historik, normat e agjërimit të saj në raste të ndryshme dhe në fund përmend risitë që janë shpikur në lidhje me këtë ditë.

    |

    Dita e Ashurasë – normat dhe dispozitat e saj

    ﴿ عاشوراء أحكام ومسائل ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Muhamed Salih El Munexhid

    Përktheu : Lulzim Murseli & Driton Lekaj

    2009 - 1430

    ﴿ عاشوراء أحكام ومسائل ﴾

    « باللغة الألبانية »

    محمد صالح المنجد

    ترجمة: لولزيم مرسلي & دريتون ليكاي

    2009 - 1430

    Dita e Ashurasë - normat dhe dispozitat e saj

    Falënderimi i takon Allahut [subhanehu ve teala], Zotit të botëve, ndërsa paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] familjen dhe shokët e tij.

    - Ditët e Ashurëve në histori:

    Transmetohet nga Ibën Abasi [radijallahu anhuma] se ka thënë:

    “Erdhi Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] në Medine dhe i pa Jehudët tek agjëronin këtë ditë (ditën e ashureve). Tha: ç’është kjo? Thanë: Kjo është ditë e mirë. Në këtë ditë i ka shpëtuar Allahu i lartësuar. Beni Israilët (popullin e Musës alejhi selam) nga armiku i tyre (Faraoni) dhe ka agjëruar Musau. Atëherë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] tha: “Unë kam të drejtë te Musa më shumë se ju, e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi për agjërimin e kësaj dite.” [1]

    Agjërimi i ashureve ka qenë i njohur edhe në kohën e injorancës para dërgimit të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]. Është vërtetuar nga Aishja [radijallahu anhu] se ka thënë: “Me të vërtetë populli injorant-para islamit e kanë agjëruar këtë ditë.”

    Thotë Kurtubiu: “Ndoshta Kurejshët kanë pasur në agjërimin e tyre ligjin i cili ka kaluar si Ibrahimi alejhi selam."

    Po ashtu është vërtetuar se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] e ka agjëruar këtë ditë në Mekke para emigrimin për në Medine.

    Kur Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] emigroi në Medine i gjeti Jehudët e kremtonin këtë festë e i pyeti ata për shkakun e iu përgjigjën në hadithin e lartpërmendur, atëherë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] urdhëroi për kundërshtimin e tyre në marrjen e kësaj dite festë ashtu siç ka urdhëruar në hadithin të cilin e transmeton Ebu Musa [radijallahu anhu], i cili thotë:

    “Ka qenë dita e ashureve, të cilën e konsideronin Jehudët festë, kurse në transmetimin e Muslimit: “Ka qenë dita e ashureve e madhëruar ndër Jehudët dhe festë, në një transmetim tjetër: “Kanë qenë populli i Hajberit (Jehudët) e konsideronin këtë ditë festë po ashtu në këtë ditë i vishnin gratë bukur dhe i zbukuronin.”

    Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Agjëroni këtë ditë ju!” [2]

    - Vlera e agjërimit të ashureve

    Transmetohet nga Ibën Abbasi [radijallahu anhuma] se ka thënë: “Nuk e kam parë Pejgamberin [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] që e ka agjëruar ndonjë ditë dhe e ka vlerësuar ndaj të tjerave përveç ditën e ashureve dhe këtë muaj (ka për qëllim muajin e Ramazanit).” [3]

    Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Unë konsideroj se agjërimi i ashureve i shlyen mëkatet e vitit të kaluar.” [4]

    Kjo është nga vlera dhe bamirësia e Allahut [subhanehu ve teala] ndaj nesh, i Cili na ka dhënë me një ditë agjërim shlyerjen e mëkateve të një viti të plotë.

    - Cila ditë është Ashura:

    Neveviu (Allahu e mëshiroftë) thotë: Dijetarët tanë thonë: Ashura është dita e dhjetë e muajit Muharrem ndërsa Tasua’ është dita e nëntë e muajit Muharrem .. E këtë e thonë edhe shumica e dijetarëve si dhe kjo kuptohet nga hadithet, shprehjet e përgjithshme të përdorura në to dhe kjo është e njohur ndër gjuhëtarët.

    Ashura është emër islam dhe nuk ka qenë i njohur në periudhën e injorancës – para islame.[5]

    Ibn Kuddame (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Ashura është dita e dhjetë e muajit Muharrem. E ky është mendimi i Seid b. Musejjibit dhe Hasen El Basriut, ngase është transmetuar nga Ibn Abasi se ka thënë:

    “I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka urdhëruar të agjërohet Ashura – dita e dhjetë e muajit Muharrem.” [6]

    Preferohet agjërimi i ditës së nëntë së bashku me Ashuranë – ditën e dhjetë:

    Abdullah b. Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e agjëroi Ashuranë dhe urdhëroi të agjërohet, shokët e tij i thanë: O i Dërguar i Allahut: ajo është një ditë që madhërohet nga Jehudët dhe të Krishterët? Atëherë ai tha: Në vitin e ardhshëm – inshAllah – do ta agjërojmë ditën e nëntë. Ibn Abasi tha: Por, i Dërguari i Allahut vdiq ende pa ardhur viti i ardhshëm.” (Muslimi: 1916)

    Imam Shafiu dhe dijetarët e medh-hebit të tij si dhe Ahmedi, Is-haku dhe të tjerë thonë: Preferohet agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë, ngase i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e ka agjëruar të dhjetën dhe e ka bërë nijet ta agjërojë në të ardhmen ditën e nëntë.

    Sipas kësaj kuptojmë se agjërimi i Ashurasë është në disa grada:

    - Më e ulëta është të agjërohet vetëm dita e dhjetë.

    - Më e lartë se ajo është të agjërohet së bashku me të edhe dita e nëntë.

    E njeriu sa më shumë të shton agjërimin në muajin Muharrem kjo është më mirë dhe më e vlefshme.

    - Urtësia e agjërimit të ditës së nëntë:

    Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Dijetarët për sa i përket urtësisë së agjërimit të ditës së nëntë kanë përmendur disa shkaqe:

    E para: Qëllimi prej kësaj është kundërshtimi i Jehudëve të cilët agjëronin vetëm ditën e dhjetë.

    E dyta: Qëllimi prej kësaj është lidhja e agjërimit të Ashurasë me agjërim tjetër sikurse që e ka ndaluar të agjërohet dita e Xhumasë e vetme. Këtë e ka përmendur Hatabiu dhe të tjerë.

    E treta: Kujdesi për agjërimin e ditës së dhjetë nga frika se mos ka ndodh ndonjë gabim në përcaktimin e hënës së re, kështu që dita është sipas renditjes e nënta ndërsa në realitet është e dhjeta.

    Shkaku më i fortë është kundërshtimi i Jehudëve dhe Krishterëve. Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e ka ndaluar përngjasimin me ithtarët e Librit në hadithe të shumta, e prej tyre fjalët e tij me rastin e Ashurasë: “Nëse kam jetë gjer në vitin e ardhshëm do ta agjëroj të nëntën.”[7]

    Ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) thotë në komentin e hadithit: “Nëse kam jetë gjer në vitin e ardhshëm do ta agjëroj të nëntën.” Synimi i tij ta agjëron ditën e nëntë nuk ka për qëllim të përkufizohet në të por, t’ia shton atë ditës së dhjetë qoftë në shenjë kujdesi për ditën e dhjetë apo për shkak të kundërshtimit të Jehudëve dhe Krishterëve. E kjo e dyta është më e saktë dhe kuptohet nga disa transmetime të Muslimit.” [8] (Fet-hul Bari: 4/245).

    - Dispozita e veçimit të Ashurasë me agjërim:

    Shejhul Islam Ibn Tejmije thotë: “Agjërimi i ditës së Ashurasë shpaguan mëkatet e një viti dhe veçimi i saj me agjërim nuk është i urrejtur (mekruh).”[9]

    Ibn Haxher El Hejtemi në librin e tij Tuhetul Muhtaxh thotë: “S’ka gjë nëse Ashura – dita e dhjetë agjërohet e vetme.”[10]

    - Ashura agjërohet edhe nëse bie të xhumanë apo të shtunën

    Është transmetuar ndalimi i veçimit të ditës së Xhuma me agjërim si dhe ndalimi i agjërimit të ditës së shtune vetëm se në rast agjërimi të obliguar por, kjo normë anulohet nëse kur i agjëron këto dy ditë ua shton nga një ditë tjetër. Gjithashtu nëse agjërimi në këto ditë bëhet për shkak të një tradite të preferuar sikurse agjërimi i një dite dhe prishja e tij ditën tjetër, agjërimi për shkak të zotimit (nedhrit), kompensimit apo një agjërim të cilin e ka preferuar sheriati sikurse agjërimi i ditës së Arafatit dhe Ashurasë ..[11]

    Behuti (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Është mekruh që qëllimshëm të veçohet dita e shtunë me agjërim për shkak të hadithit të Abdullah b. Bishrit që e transmeton nga motra e tij se ka thënë:

    “Mos agjëroni ditëne shtunë përveç nëse agjërimi është obligativ”[12]

    Gjithashtu këtë ditë e madhërojnë Jehudët prandaj veçimi i saj është përngjasim me ta .. (Përveç nëse rastis) d.m.th. ditën e Xhuma dhe ditën e Shtune (në një traditë të vepruar më herët). Sikurse të ndodh në të dita e Arafatit apo dita e Ashurasë dhe traditë e tij është t’i agjëron këto dy ditë, sepse tradita ka ndikim në këtë.[13]

    - Si të veprojmë nëse dyshojmë për ditën e fillimit të muajit?

    Imam Ahmedi ka thënë: “Nëse dyshon se cila prej ditëve është i agjëron tre ditë. Këtë e bën për shkak që të sigurohet për agjërimin e ditës së nëntë dhe të dhjetë.”[14]

    Ai që nuk e dinë kur ka dalë hëna e re e muajit Muharrem dhe dëshiron të kujdeset për të arritur Ashuranë, atëherë e llogaritë muajin Dhul Hixhe të plotë sikurse që ekziston rregulli (me rastin e Ramazanit) e më pas e agjëron ditën e nëntë dhe ditën e dhjetë. Ai që donë të ketë kujdes të shtuar dhe ta agjëron edhe ditën e nëntë gjithashtu e agjëron ditën e tetë, të nëntë dhe të dhjetë. ( E nëse muaji Dhul Hixhe ka qenë i mangët d.m.th. 29 ditë atëherë e ka qëlluar ditën e nëntë dhe të dhjetë bindshëm).

    Përderisa agjërimi i Ashurasë është i preferuar dhe nuk është obligim, njerëzit nuk obligohen të kujdesen për shikimin e hënës së re të muajit Muharrem sikurse që urdhërohen të kujdesen për shikimin e hënës së re të muajit Ramazan dhe Sheval.

    - Çka shlyen agjërimi i ashureve?

    Thotë Imam Neveviu Allahu e mëshiroftë:”I shlyen mëkatet e vogla dhe i falë ato përveç të mëdhave. Pastaj thotë Allahu e mëshiroftë : Agjërimi i ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e dy viteve, kurse dita e ashureve i shlyen mëkatet e një viti e nëse përputhen të thënët “Amin” kur të thonë edhe melaqet “Amin", i janë falur atij mëkatet e mëparshme. Të gjitha këto ditë që i përmendëm janë të mira në shlyerjen e mëkateve. Pra, nëse gjejnë të vogla i shlyejnë ato e nëse nuk gjejnë as mëkat të vogël e as të madh i janë shkruar atij të mira dhe janë ngritur shkallë (derexhe) për të.

    - Keqkuptim lidhur me shpërblimin e agjërimit të Ashurasë:

    Disa njerëz mashtrohen dhe mbështeten në agjërimin e ditës së Ashurasë apo Arafatit, sa që disa nga ata thonë: Agjërimi i Ashurasë i shlyen mëkatet e tëra brenda vitit dhe mbetet agjërimi i Arafatit për ta shtuar shpërblimin. Ibn Kajjimi ka thënë: “Ky i vet mashtruar nuk e dinë se agjërimi i Ramazanit dhe pesë namazet ditore janë më të mëdha se sa agjërimi i Arafatit dhe ditës së Ashurasë. Në të vërtetë agjërimi i tyre i falë mëkatet e vitit nëse njeriu iu largohet mëkateve të mëdha. Agjërimi i Ramazanit gjer në Ramazanin tjetër dhe Xhumaja gjer në Xhumanë tjetër nuk mund t’i shlyejnë mëkatet e vogla përveç se nëse i bashkohet kësaj lënia e mëkateve të mëdha, kështu që të dyja së bashku i shlyejnë mëkatet e vogla.

    Disa njerëz të vet mashtruar mendojnë se adhurimet që i kryen janë më shumë se sa mëkatet e tij, ngase ai nuk e llogarit veten e tij për të këqijat dhe nuk i hulumton mëkatet. Ai kur ta vepron një punë të mirë e ruan në kujtesën e tij dhe e llogaritë në të, sikurse ai që i kërkon falje Allahut me gjuhën e tij apo bën tesbih Allahun gjatë ditës njëqind herë por, gjatë ditës i përgojon myslimanët dhe e shkel nderin e tyre si dhe flet atë që nuk e donë Allahu. Ky person vazhdimisht mediton në vlerën e tesbihëve (Thënia: SubhanAllah) dhe tehlilëve (thënia: La ilahe il-lAllah) dhe nuk çan kokën për atë që është transmetuar si ndëshkim për ata që përgojojnë dhe gënjejnë dhe në raste tjera të metave të gjuhës. E ky është një mashtrim i pastër.” [15]

    - Agjërimi i Ashurasë për atë që ka për të kompensuar ditë prej Ramazanit:

    Dijetarët kanë mospajtim për dispozitën e agjërimit vullnetar para kompensimit të agjërimit të Ramazanit.

    Hanefinjtë e kanë mendimin se lejohet agjërimi vullnetar para kompensimit të agjërimit të Ramazanit dhe kjo nuk është mekruh për atë se kompensimi nuk është obligim të kryhet menjëherë.

    Malikinjtë dhe Shafinjtë e konsiderojnë të lejuar por, mekruh. Kjo për shkak të vonimit të vaxhibit, Desuki ka thënë: “Është mekruh agjërimi nafile për atë që duhet të kryejë një agjërim të obliguar sikurse agjërimi i zotimit, kompensimit dhe shpagimit qoftë nëse agjërimi vullnetar të cilit i jep përparësi ndaj agjërimit të obliguar është synet jo i fortë apo synet i fortë sikurse agjërimi i Ashurasë dhe ditës së Arafatit.

    Hanbelinjtë kanë mendimin se ndalohet agjërimi vullnetar para kompensimit të Ramazanit si dhe agjërimi vullnetar me këtë rast nuk është i saktë edhe pse koha për kompensim është e hapur. Ai patjetër duhet të fillon me agjërimin e obliguar gjersa ta kryen atë.[16]

    Myslimani duhet të ngutet me kompensimin pas Ramazanit që të ketë mundësi ta agjëron ditën e Arafatit dhe Ashurasë pa ndonjë vështirësi. E nëse e agjëron ditën e Arafatit dhe Ashurasë dhe gjatë natës e bën nijet për kompensim, atëherë kjo i vlen atij për kompensimin e agjërimit të obliguar. E mirësia e Allahut është e madhe.

    - Bidatet në ditën e Ashurasë:

    Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) është pyetur për atë që e veprojnë disa njerëz në ditën e Ashurasë si: lyerja e syve me kuhl (bojë), larja, këna , përshëndetja dorë më dorë, zierja e drithërave, shfaqja e gëzimit dhe të tjera ... A kanë këto gjëra bazë apo jo?

    Përgjigja:

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve ..

    Për këtë nuk është transmetuar as nga Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe as nga shokët e tij ndonjë hadith i vërtetë dhe këtë nuk e ka preferuar askush prej dijetarëve të Islamit qofshin ata katër imamët apo edhe të tjerët dhe as që kanë transmetuar autorët e librave të besueshëm për këtë diçka nga Pejgamberi (paqja dhe mëshira e allahut qofshin mbi të), shokët e tij apo nga tabi-inët qoftë transmetim të saktë apo të dobët.

    Por disa të mëvonshëm i kanë transmetuar për këtë disa hadithe sikurse që kanë transmetuar se: “Ai që i lyen sytë e tij me kuhl ditën e Ashurasë nuk do t’i lëndohen sytë atë vit. Ai që lahet ditën e Ashurasë nuk do të sëmuret atë vit” e të ngjashëm me këtë ... Dhe kanë transmetuar një hadith të rrejshëm për Pejgamberin (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) se kinse ka thënë: “Ai që ditën e Ashurasë shpenzon më tepër për familjen e tij Allahu do ta furnizojë atë më tepër gjatë tërë vitit.” Tërë këto transmetime janë gënjeshtër që iu është mveshur Pejgamberit (paqja dhe mëshira e allahut qofshin mbi të).

    Pastaj ka përmendur – Allahu e mëshiroftë – një rezyme të shkurtë rreth asaj që ka kaluar në fillim ky ymet prej fitneve dhe ngjarjeve si dhe vrasjes së Husejnit (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe se çka kanë vepruar grupacionet e ndryshme për këtë? Dhe ka thënë:

    “Një nga grupet u bë injorante dhe e padrejtë: apo ateiste dhe dyfytyrëshe apo e humbur dhe e devijuar të cilët e shfaqnin miqësinë ndaj tij dhe ndaj familjes së tij dhe të cilët e morën ditën e Ashurasë si një ditë të pikëllimit dhe vajtimit ku shfaqnin në të simbolet e injorancës si goditjen e faqeve, shqyerjen e rrobave dhe të ngushëlluarit sipas traditave të periudhës së injorancës .. këndimit të elegjive dhe transmetimit të lajmeve në të cilat ka gënjeshtër të shumtë dhe realiteti nuk gjendet në to. Në to nuk ka veçse ripërtëritje e pikëllimit, fanatizmi, nxitje të urrejtjes dhe luftërave dhe shpërndarja e fitneve mes myslimanëve dhe arritja përmes kësaj të ofendohen gjeneratat e para ..

    E të keqen dhe dëmin e këtyre ndaj myslimanëve nuk ka mundësi ta përshkruajë as ndonjë orator i rrallë.

    E kundër tyre kanë reaguar ose disa njerëz prej En Nevasib – ata që flasin kundër Husejnit dhe familjes së tij ose nga disa injorantë të cilët e kanë kthyer të keqen me të keqe tjetër, gënjeshtrën me gënjeshtër tjetër, dhe bidatet me bidate tjera kështu që kanë shpifur transmetime për shfaqjen e gëzimit dhe dëfrimit ditën e Ashurasë sikurse lyerja e syve me kuhl apo lyerja e mjekrës, shpenzimi shtesë për familjen, zierja e ushqimeve jo të zakonshme dhe gjëra të tjera të cilat veprohen në raste të mëdha dhe festa. Kësisoj këta e marrin ditën e Ashurasë festë sikurse festat e tjera dhe gëzimet ndërsa ata e marrin atë si ceremoni varrimi në të cilën ngjallin pikëllimin dhe mërzinë e që të dyja grupet kanë gabuar dhe kanë dalë prej Synetit ...” [17]

    Ibn Haxh (Allahu e mëshiroftë) se prej bidateve të Ashurasë është nxjerrja e zekatit në të qëllimshëm qoftë më herët apo më vonë se afati i caktuar si dh veçimi i saj me prerjen e pulave dhe përdorimin e kënasë për gratë.[18]

    E lusim Allahun të na bëjë prej atyre që e pasojnë synetin Pejgamberit të Tij fisnik. Të na bëjë të jetojmë me islam dhe të vdesim me iman dhe të na jep sukses në atë që e donë dhe e pëlqen. Sikur që e lusim që të na ndihmoj ta përmendim Atë dhe ta falënderojmë dhe ta dhurojmë në mënyrën më të mirë si dhe t’i pranon të mirat nga ne dhe të na bëjë nga të devotshmit.

    E paqja dhe mëshira qofshin për Pejgamberin tonë Muhamedin dhe mbi familjen dhe tërë shokët e tij.

    [1] Transmeton Buhariu me nr:1865.

    [2] Transmeton Buhariu.

    [3] Transmeton Buhariu me nr: 1867.

    [4] Transmeton Muslimi me nr: 1976.

    [5] Keshaful Kanna’: 2/ Agjërimi i Muharremit

    [6] Transmeton Tirmidhiu dhe thotë: Hadith hasen sahih.

    [7] El Fetava El Kubra: 6/ Sed-du Dherai.

    [8] Fet-hul Bari: 4/245

    [9] El Fetava Kubra: 5

    [10] Tuhfetul Muhtaxh: 3/Kaptina e Agjërimit nafile.

    [11] Tuhfetul Muhtaxh: 3/Kaptina e Agjërimit vullnetar, Mushkilul Athar: 2/Kaptina e agjërimit të ditës së shtune.

    [12] E transmeton Ahmedi dhe senedi i tij është i mirë- xhejjid si dhe Hakimi i vili ka thënë: Ky hadith e plotëson kushtin e Buhariut.

    [13] Keshaful Kanna’: 2/Kaptina e agjërimit vullnetar.

    [14] El Mugni i Ibn Kudames: 3/ Agjërimi i Ashurasë.

    [15] El mevsuatul Fikhije: 31/Gurur – Vetëmashtrimi.

    [16] El Mevsua El Fikhije: 28/Agjërimi vullnetar.

    [17] El Fetava El Kubra Li Ibni Tejmije.

    [18] El Med-hal: 1/Dita e Ashurasë.