Feja e vërtetë e Zotit

Ebu Emine Bilal Filips

Përktheu : Arjan Koçi

Redaktoi: Bahri Curri

Në emër të All­ahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

FEJA E VËRTETË E ZOTIT

Ebu Emine Bilal Filips

 CILA ËSHTË FEJA E ZOTIT?

     Çdo njeri ka lindur në një rrethanë, të cilën nuk e ka zgjedhur vetë. Feja e familjes ose ideologjia e shtetit i imponohet atij që në zanafillën e ekzistencës së vet në këtë botë. Kur bëhet adoleshent, ai zakonisht është i shpëlarë nga trutë duke besuar se besimet e shoqërisë së cilës i përket janë besimet e drejta që duhet të ketë çdokush. Megjithatë, kur disa njerëz piqen dhe përballen me sisteme të tjera besimi, atëherë zënë të vënë në dyshim vlefshmërinë e besimeve vetjake. Këta kërkues të së vërtetës në shumicën e rasteve arrijnë në një pikë konfuzioni kur kuptojnë se çdo fe, sekt, ideologji dhe filozofi pohon të jetë rruga e vetme e drejtë për njerëzit. Në të vërtetë, të gjitha ato përmbajnë disa pika të vlefshme dhe të arsyeshme dhe inkurajojnë njerëzit për të bërë mirë. Por, cila prej tyre është e vërteta? Ato nuk mund të jenë të tëra të drejta, meqenëse secila pohon se të tjerat janë të gabuara. Si arrin kërkuesi i së vërtetës të zgjedhë rrugën e drejtë?

     Zoti na ka dhuruar të gjithëve mendjen dhe intelektin në mënyrë që ta marrim këtë vendim të rëndësishëm. Ky është vendimi më i rëndësishëm gjatë gjithë jetës për një qenie njerëzore. E ardhmja varet prej tij. Për rrjedhojë, secili prej nesh duhet të shqyrtojë larg pasioneve dëshmitë e paraqitura dhe të zgjedhë atë që i duket e drejtë, derisa të dalin në shesh dëshmi të tjera.

     Si çdo fe ose filozofi tjetër, Islami pohon të jetë rruga e vetme e vërtetë drejt Zotit. Në këtë aspekt, ai nuk ndryshon nga sistemet e tjera. Kjo broshurë synon të japë disa prova të vlefshmërisë së këtij pohimi. Megjithatë, gjithmonë duhet pasur parasysh se rruga e drejtë mund të gjendet vetëm nëse lihen mënjanë emocionet dhe paragjykimet, të cilat janë shpesh burim i verbërisë sonë. Atëherë, dhe vetëm atëherë, ne do të jemi në gjendje të përdorim inteligjencën e dhuruar nga Zoti dhe të marrim një vendim racional dhe të saktë.

     Argumentet që mund të avancohen në favor të mbështetjes së pretendimit të Islamit si feja e vërtetë e Zotit janë disa. Tre argumentet vijuese janë vetëm tre nga më kryesoret. Argumenti i parë bazohet në origjinën hyjnore të emrit të fesë dhe në domethënien e këtij emri. Argumenti i dytë lidhet me mësimet unike dhe të pakomplikuara të marrëdhënieve mes Zotit, njeriut dhe krijimit. Argumenti i tretë rrjedh nga fakti se Islami është universalisht i praktikueshëm nga njerëzit në të

gjitha kohët. Këto janë tre argumentet bazë që logjika dhe arsyeja diktojnë si të domosdoshme që një fe të konsiderohet feja e vërtetë e Zotit. Faqet në vijim do t’i shtjellojnë më hollësisht këto koncepte.

 EMRI I FESË

     Gjëja e parë që secili duhet të dijë dhe duhet të kuptojë mirë rreth Islamit është vetë domethënia e fjalës Islam. Fjala arabe "Islam" ka kuptimin e nënshtrimit ose dorëzimit të vullnetit të secilit te Zoti i vetëm i vërtetë, i njohur në arabisht si "Allah". Ai që ia nënshtron vullnetin e tij Zotit, emërtohet në arabisht me fjalën "musliman". Islami nuk e merr emrin prej ndonjë personi ose populli, e as nuk iu vu ky emër pas njëfarë kohe prej brezave pasues, siç është rasti i Krishterimit, i cili u emërtua sipas emrit të Jezu Krishtit, Budizmi sipas Gotama Budës, Konfucianizmi sipas Konfucit, Marksizmi sipas Karl Marksit, Judaizmi sipas fisit të Judës dhe Hinduizmi sipas Hindusve. Islami (nënshtrimi ndaj vullnetit të Zotit) është feja që iu dha Ademit, njeriut dhe Pejgamberit të parë të Zotit, dhe ishte feja e të gjithë Pejgamberëve të dërguar nga Allahu për njerëzimin. Për më tepër, emri i kësaj feje u zgjodh nga Vetë Zoti dhe është përmendur qartë në Shkrimin e fundit të Shenjtë që Ai ia shpalli njerëzimit. Në shpalljen e fundit, në Kur’an, Allahu thotë:

"Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe." (Maide, 3).

"E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk i pranohet." (Ali Imran, 85).

     Pra, Islami nuk pretendon të jetë një fe e re e sjellë në Arabi në shekullin e shtatë nga Pejgamberi Muhammed, paqja qoftë mbi të, por pohon të jetë një rishprehje, në formën e saj përfundimtare, e fesë së vërtetë të Zotit të Plotfuqishëm, ashtu siç iu shpall në fillim Ademit dhe Pejgamberëve që e pasuan.

     Këtu mund të komentojmë shkurtimisht mbi dy fe të tjera, të cilat pohojnë të jenë rruga e vërtetë. Askund në Bibël nuk keni për të gjetur se Zoti i drejtohet popullit të Musait ose pasardhësve të këtij populli duke u thënë se feja e tyre quhet Judaizëm, ose u shpall pasuesve të Krishtit se feja e tyre quhet Krishterim. Me fjalë të tjera, emrat Judaizëm dhe Krishterim nuk kanë pasur origjinë dhe miratim hyjnor. Vetëm shumë kohë pas ngjitjes së Jezusit në qiell fesë së tij iu vu emri Krishterim.

     Pra, atëherë, ku ndryshonte feja e Jezusit nga emri që mbante? Feja e tij pasqyrohej në mësimet e tij, të cilat ai ua jepte pasuesve të vet si parime që ata duhet t’i ndiqnin në marrëdhëniet e tyre me Zotin. Në Islam, Jezusi konsiderohet një Pejgamber i dërguar nga Allahu dhe emri i tij në gjuhën arabe është Isa. Njësoj si Pejgamberët përpara tij, ai u bëri thirrje njerëzve t'ia nënshtronin vullnetin e tyre Zotit (që do të thotë Islam). Për shembull, në Testamentin e Ri thuhet se Jezusi i mësoi pasuesit e tij t'i luteshin Zotit me fjalët:

"Ati ynë që je në qiell. i lartësuar qoftë emri Yt, u bëftë vullneti Yt si në tokë ashtu edhe në qiell." (Lluka, 11:2 / Mateu, 6:9­10).

     Ky koncept u theksua nga Jezusi në disa prej thënieve të tij të regjistruara në Ungjij. Ai u mësoi të tjerëve, për shembull, se vetëm të nënshtruarit do të trashëgonin parajsën.

“Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.” (Mateu, 7:21).

     Jezusi gjithashtu vuri në dukje se edhe ai vetë i ishte nënshtruar vullnetit të Zotit.

“Unë s'mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.” (Gjoni, 5:30).

     Ka shumë transmetime në ungjij ku tregohet se Jezusi ua bëri mjaft të qartë ithtarëve të vet se ai nuk ishte Zoti i vetëm i vërtetë. Për shembull, kur po fliste mbi Orën e Fundit, ai tha:

“Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.” (Marku, 13:32).

     Pra, Jezusi, ashtu si Pejgamberët e tjerë përpara tij dhe si i vetmi Pejgamber që e pasoi, u mësoi njerëzve Islamin: nënshtrimin ndaj vullnetit të Zotit të vetëm e të vërtetë.

 ZOTI DHE KRIJIMI

     Meqë nënshtrimi i tërësishëm i vullnetit ndaj Zotit paraqet thelbin e adhurimit, mesazhi themelor i fesë hyjnore, Islamit, është adhurimi vetëm i Zotit. Gjithashtu kjo kërkon shmangien e adhurimit drejtuar çdo personi, vendi ose gjëje, me përjashtim të Zotit. Duke qenë se çdo gjë përveç Zotit, Krijuesi i të gjitha gjërave, është krijim i Zotit, mund të thuhet se Islami në thelb e largon njeriun nga adhurimi i krijimit dhe e fton të adhurojë vetëm Krijuesin. Ai është i vetmi që e meriton adhurimin e njeriut, sepse vetëm me vullnetin e Tij lutjet plotësohen.

     Nëse një njeri i lutet pemës dhe lutjet e tij plotësohen, nuk është pema që u përgjigjet lutjeve, por Zoti, i Cili mundëson rrethanat që lutja të plotësohet. Dikush mund të thotë: "Kjo është e qartë." Megjithatë, për adhuruesin e pemëve mund të mos jetë. Ngjashëm, lutjet drejtuar Jezusit, paqja qoftë mbi të, Budës, Krishnës, Shën Kristoferit apo edhe vetë Muhammedit, paqja qoftë mbi të, nuk plotësohen nga këta, por nga Zoti. Jezusi nuk u tha pasuesve të vet që të adhuronin atë, por të adhuronin Zotin, siç tregon Kur’ani:

"Dhe kur Allahu tha: "O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: "Më adhuroni mua dhe nënën time dy zota pos Allahut?" (Isai) Tha: "Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua të them atë që s'është e vërtetë." (Maide, 116).

     Jezusi nuk adhuronte vetveten, por Zotin. Dhe në Ungjij transmetohet se Jezusi ka thënë:

"Është shkruar: "Adhuro Perëndinë, Zotin tënd dhe shërbeji vetëm Atij." (Luka, 4:8).

     Ky parim bazë gjendet në kapitullin hapës të Kur’anit, e njohur si Sure Fatiha, ajeti 4:

"Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti kërkojmë ndihmë."(Fatiha, 4)

     Po ashtu, në librin e fundit të shpalljes së Zotit, në Kur’an, Zoti thotë:

"Zoti juaj ka thënë: "Më thirrni mua, Unë ju përgjigjem."(Gafir, 60)

     Ia vlen të theksohet se mesazhi bazë i Islamit (pra, adhurimi vetëm i Zotit) gjithashtu proklamon se Zoti dhe krijimi i Tij janë veçmas nga njëri­tjetri. Zoti as nuk është i barabartë me krijimin e Vet e as pjesë e tij si dhe krijimi i Tij nuk është i barabartë me Të ose pjesë e Tij.

     Kjo mund të duket e qartë, por adhurimi i krijimit në vend të Krijuesit bazohet në një masë të madhe në injorimin ose neglizhimin e këtij koncepti. Besimi se thelbi i Zotit gjendet kudo në krijimin e Tij ose se Qenia e Tij Hyjnore është ose ishte e pranishme në disa pjesë të krijimit të Tij ka justifikuar adhurimin e krijimit të Zotit dhe emërtimin e kësaj gjëje si adhurim të Zotit. Prapëseprapë, mesazhi islam, ashtu siç u përçua nga Pejgamberët e Zotit, paqja qoftë mbi ta, është që vetëm Zoti të adhurohet dhe që të shmanget adhurimi i krijimit të Tij qoftë drejtpërdrejtë, qoftë tërthorazi.

     Zoti në Kur’an thotë qartë:

"Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t'u thonë: "Adhuroni vetëm Allahun dhe largojuni djajve (adhurimit të tyre)!" (Nahl, 36).

     Kur idhujtarët pyeten përse u përkulen idhujve të krijuara nga njeriu, përgjigjja e pandryshueshme është se në realitet ata nuk po adhurojnë imazhin e gurtë, por Zotin e pranishëm në të. Ata pohojnë se idhulli i gurtë shërben thjesht si qendër fokusimi për thelbin e Zotit dhe nuk është në vetvete Zot!

     Ai që e ka pranuar konceptin e pranisë së Zotit së bashku me krijimin e Tij, do të jetë i detyruar ta pranojë këtë argument që i shkon për shtat idhujtarisë. Përkundrazi, ai që e kupton mesazhin bazë të Islamit dhe rrjedhojat e këtij mesazhi, nuk ka për të rënë kurrë pre e idhujtarisë, sido që të arsyetohet ajo.

     Ata që gjatë kohërave kanë pretenduar të qenit hyjni në shumicën e rasteve i kanë bazuar pretendimet e tyre në besimin e gabuar se Zoti është i pranishëm te njeriu. Duke bërë një hap më tej, ata pohojnë se Zoti është më i pranishëm tek ata sesa te secili prej nesh dhe se njerëzit e tjerë duhet t'u nënshtrohen dhe duhet t'i adhurojnë ata si vetë Zotin, ose si Zotin e përqendruar tek ata. Ngjashëm, ata që kanë shpallur hyjninë e të tjerëve pas vdekjes së tyre kanë gjetur tokë pjellore mes atyre që pranojnë besimin e rremë të pranisë së Zotit te njeriu.

      Tashmë duhet të jetë tepër e qartë se ai që ka pranuar mesazhin themelor të Islamit dhe rrjedhojat e tij nuk mund të arrijë kurrë të pajtohet të adhurojë një qenie tjetër hyjnore nën cilëndo rrethanë. Feja e Zotit në thelb është një thirrje e pastër për adhurimin e Krijuesit dhe braktisjen e adhurimit të krijimit në cilëndo formë. Ky është edhe kuptimi i motos së Islamit:

"La ilahe il­-lall-­llah"

(Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut)

     Deklarimi i sinqertë i kësaj fraze dhe pranimi i pejgamberisë automatikisht e fut njeriun në radhët e Islamit dhe besimi i sinqertë në të garanton parajsën. Pejgamberi i fundit i Islamit, Muhammedi alejhi selam, transmetohet se ka thënë: "Kush thotë “nuk ka Zot tjetër përveç Allahut” dhe vdes me këtë besim, do të hyjë në parajsë.”

     Besimi në këtë dëshmim të fesë kërkon që njeriu t'ia nënshtrojë vullnetin e vet Zotit sipas mënyrës së treguar nga Pejgamberët e Zotit. Gjithashtu, kjo i kërkon besimtarit braktisjen e adhurimit të zotave të rremë.

 MESAZHI I FEVE TË RREME

     Në botë ka shumë sekte, kulte, religjione, filozofi e lëvizje dhe që të gjitha pohojnë se janë rruga e drejtë ose e vetmja drejt Zotit! Si mund ta gjejmë se kush është e sakta, apo që të gjitha janë të sakta?!

     Një metodë ndihmëse për gjetjen e përgjigjes është shmangia e dallimeve sipërfaqësore në mësimet e pretenduesve të ndryshëm të së vërtetës së plotë dhe identifikimi i objektit qendror të adhurimit në të cilin secila prej tyre fton drejtpërdrejt ose tërthorazi. Fetë e rreme kanë të përbashkët një koncept bazë lidhur me Zotin: ose pretendojnë se të gjithë njerëzit janë zota, ose se njerëz të caktuar kanë qenë zota, ose se natyra është Zot, ose se Zoti është një pjellë e imagjinatës së njeriut.

     Pra, mund të thuhet se mesazhi bazë i feve të rreme është se Zoti mund të adhurohet në formën e krijimit të Tij. Fetë e rreme e ftojnë njeriun në adhurimin e krijimit duke e quajtur krijimin ose disa aspekte të tij Zot. Për shembull, Pejgamberi Isa, paqja qoftë mbi të, i ftoi pasuesit e vet të adhuronin Zotin, por ata që pretendojnë të jenë pasues të tij sot i ftojnë njerëzit në adhurimin e Jezusit, duke pohuar se ai ishte Zot.

     Buda ishte një reformator që solli një sërë parimesh humaniste në fenë e Indisë. Ai nuk pretendoi të ishte Zot e as nuk u sugjeroi pasuesve të vet që ta shndërronin në objekt adhurimi. Megjithatë, sot shumica e budistëve, të cilët gjenden jashtë Indisë, e kanë marrë atë si Zot dhe i përkulen idhujve të bërë sipas parafytyrimit të tyre për Budën.

     Duke vënë në zbatim parimin e identifikimit të objektit të adhurimit, ne lehtësisht mund të dallojmë fetë e rreme dhe natyrën e shpikur të origjinës së tyre. Siç ka thënë Zoti në Kur’an:

"Ata që ju adhuroni përveç Allahut nuk janë tjetër vetëm se emra që pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm se Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Jusuf, 40).

     Dikush mund të thotë se që të gjitha fetë mësojnë gjëra të mira, kështu që përse qenka kaq e rëndësishme se cilën pasojmë? Përgjigjja është se që të gjitha fetë e rreme u mësojnë njerëzve të keqen më të madhe: adhurimin e krijimit. Adhurimi i krijimit është mëkati më i madh që mund të bëjë njeriu, pasi kundërshton vetë qëllimin e krijimit të njeriut. Njeriu u krijua që të adhurojë vetëm Zotin, siç ka theksuar Allahu në Kur’an:

"Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër vetëm që të më adhurojnë." (Dharijatë, 56).

     Rrjedhimisht, adhurimi i krijimit, që në vetvete është thelbi i idhujtarisë, është i vetmi mëkat i pafalshëm. Kush vdes në këtë gjendje idhujtarie e ka vulosur fatin e tij në jetën tjetër. Ky nuk është një opinion, por fakt i shpallur nga Zoti në shpalljen e Tij të fundit drejtuar njeriut:

"S'ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t'i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujtdo." (Nisaë, 48 dhe 116).

 UNIVERSALITETI I FESË SË ZOTIT

    Meqë pasojat e pasimit të një feje të rreme qenkan kaq të rënda, feja e vërtetë e Zotit duhet të ketë qenë universalisht e kuptueshme dhe e zbatueshme në të kaluarën dhe duhet të vazhdojë e tillë përjetësisht në të gjithë botën. Me fjalë të tjera, feja e vërtetë e Zotit nuk mund të kufizohet vetëm te një popull, vend ose periudhë kohore. Nuk është logjike që një fe e tillë të vendosë kushte që nuk kanë të bëjnë aspak me marrëdhëniet e njeriut me Zotin, si p.sh. pagëzimi ose besimi në njeriun si shpëtimtar ose ndërmjetës. Brenda parimit qendror të Islamit dhe përkufizimit të tij

(nënshtrim të vullnetit të njeriut ndaj Zotit) gjenden rrënjët e universalitetit të Islamit. Kurdoherë që njeriu kupton se Zoti është Një dhe më vete nga krijimi i Tij dhe i nënshtrohet Atij, ai bëhet musliman në trup dhe shpirt dhe i mundësohet parajsa.

     Rrjedhimisht, çdokush, kurdo dhe kudo qoftë mund të bëhet musliman, pasues i fesë së Zotit, Islamit, thjesht duke hedhur poshtë adhurimin e krijimit dhe duke u kthyer vetëm te Zoti. Megjithatë, duhet vënë re se në mënyrë që të nënshtrohet ndaj vullnetit të Zotit njeriu duhet të zgjedhë pandërprerë mes së mirës dhe së keqes. Në të vërtetë, njeriu është i pajisur nga Zoti jo vetëm me fuqinë e të dalluarit të së keqes nga e mira, por edhe me fuqinë e zgjedhjes midis tyre. Këto fuqi të dhëna nga Zoti mbartin në vetvete një përgjegjësi të madhe, pikërisht atë që njeriu do të përgjigjet para Zotit për zgjedhjet që bën. Nga kjo rrjedh se njeriu duhet të bëjë të pamundurën që të ndjekë të mirën dhe të shmangë të keqen. Këto koncepte janë shprehur në shpalljen e fundit si vijon:

" Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, krishterët, sabejët (kishin lëshuar fenë e adhuronin engjëjt), kush besoi prej tyre (sinqerisht) Allahun, dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen." (Bekare, 62).

     Nëse, për cilëndo arsye, ata dështojnë të pranojnë mesazhin e fundit pasi u është shpjeguar qartë, ata do të jenë në rrezik të madh. Pejgamberi i fundit, Muhammedi alejhi selam, ka thënë:

"Çdo i krishterë ose çifut dëgjon për mua, por nuk beson në atë që solla unë dhe vdes në këtë gjendje, ai do të jetë mes banorëve të zjarrit.” (Sahih Muslim).

 NJOHJA E ZOTIT

     Pyetja që lind këtu është: Si mund të pritet që të gjithë njerëzit të besojnë në Zotin e vetëm të vërtetë kur kemi parasysh prejardhjen e tyre, shoqëritë dhe kulturat që ndryshojnë nga njëra ­tjetra? Që njerëzit të mbajnë përgjegjësi për adhurimin e Zotit të vetëm mjafton të kenë mundësi ta njohin Atë. Zbulesa e fundit mëson se të gjitha qeniet njerëzore e kanë të skalitur në shpirtrat e tyre njohjen e Zotit të vetëm e të vërtetë si pjesë e vetë natyrës së tyre në të cilën janë krijuar.

     Në kapitullin (suren) e shtatë të Kur’anit (A’rafë, ajetet 172­173), Zoti ka shpjeguar se kur e krijoi Ademin bëri që tërë pasardhësit e Ademit të vinin në ekzistencë dhe Ai mori betimin e tyre duke u thënë:

"A nuk jam Zoti juaj?" E ata u përgjigjën: "Po, dëshmuam!"

     Allahu më pas shpjegon përsenë e dëshmimit të gjithë njerëzimit, se Ai është Krijuesi i tyre dhe i vetmi Zot i vërtetë që e meriton adhurimin. Ai tha:

"Të mos thoni në Ditën e Kijametit: "Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur!" (A’rafë, 172).

     D.m.th. se nuk mund të pretendojmë në atë ditë se nuk e dinim se Allahu ishte Zoti ynë dhe se askush nuk na e tha që vetëm Allahun duhet të kishim adhuruar. Allahu na ka shpjeguar gjithashtu se:

"Ose të mos thoni: Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?" (A’rafë, 173).

     Pra, çdo fëmijë lind me besim natyror në Zot dhe me prirje për adhurimin vetëm të Tij. Ky besim dhe prirje e lindur në gjuhën arabe quhet "Fitra".

    Pejgamberi Muhammed, paqja qoftë mbi të, ka transmetuar se Allahu ka thënë: "I krijova robërit e Mi në fenë e drejtë, por shejtanët i devijojnë ata.”

     Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, gjithashtu ka thënë: “Çdo fëmijë lind në gjendjen e natyrshmërisë (fitra). Pastaj prindërit e tij e bëjnë atë të fesë çifute, të krishterë ose zoroastrian.”

     Nëse fëmija do të lihej i qetë, ai do ta adhuronte Zotin sipas mënyrës së vet, por të gjithë fëmijët ndikohen nga ambienti që i rrethon. Pra, ashtu si fëmija i nënshtrohet ligjeve natyrore, të cilat Allahu i ka vendosur në natyrë, po ashtu shpirti i tij i nënshtrohet në mënyrë natyrore faktit se Allahu është Zoti dhe Krijuesi i tij. Por, nëse prindërit e tij përpiqen ta detyrojnë të ndjekë një tjetër rrugë, fëmija nuk është i fortë sa duhet në fazat e para të jetesës së tij për të rezistuar ose kundërshtuar vullnetin e prindërve të tij. Në raste të tilla, feja që fëmija pason është prej traditës dhe prej rritjes dhe Zoti nuk e ngarkon me përgjegjësi ose nuk e ndëshkon për këtë fe deri në një fazë të caktuar të jetës së tij.

 SHENJAT E ZOTIT

     Gjatë gjithë jetës së tij, nga fëmijëria deri në vdekje, njeriut i shfaqen shenjat e Zotit të vetëm dhe të vërtetë derisa t'i bëhet e qartë se ekziston vetëm një Zot i vërtetë (Allah). Zoti thotë në Kur’an:

"Ne do t'u bëjmë atyre të mundshme të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre derisa t'u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë." (Fussilet, 53).

    Në vijim po japim një shembull të shenjave të Zotit për t'ia bërë të qartë një njeriu gabimin e adhurimit të idhullit. Në rajonin juglindor të xhunglës amazonike në Brazil, në Amerikën e Jugut, një fis primitiv ngriti një kasolle për të vendosur idhullin e tyre kryesor, që quhej Skuatç, i cili përfaqësonte Zotin suprem të të gjithë krijimit. Të nesërmen një djalosh hyri në kasolle për të nderuar zotin dhe ndërsa ishte në sexhde, e cila i ishte mësuar nga Krijuesi dhe Furnizuesi i tij, një qen plak i zgjebosur e plot pleshta u përvodh në kasolle. Djaloshi ngriti kokën pikërisht në momentin kur qeni ngriti këmbën e tij dhe urinoi mbi idhullin. I tërbuar djaloshi e përzuri qenin nga aty. Kur zemërimi iu shua, e kuptoi se idhulli

nuk mund të ishte Zot i Universit. Sado e çuditshme të duket, urinimi i qenit mbi idhull ishte një shenjë prej Zotit për djaloshin. Kjo shenjë përmbante mesazhin hyjnor se ai po adhuronte diçka të rreme. Si përfundim, këtij njeriu iu dha një zgjedhje: ose të kërkonte Zotin e vërtetë, ose të vazhdonte në gabim.

     Allahu përmend në Kur’an kërkimin e Pejgamberit Ibrahim për Zotin si një shembull se si ata që i ndjekin shenjat e Tij do të udhëzohen drejt:

"Edhe kështu Ibrahimit ia mundësuam t'i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t'u bërë edhe më i bindur.

E kur atë e mbuloi nata, ai pa një yll e tha: "Ky është Zoti im!" E kur u zhduk ai (perëndoi), tha: "Unë nuk i dua ata që humben."

Kur e pa hënën të porsalindur tha: "Ky është Zoti im!" E kur perëndoi ajo, tha: "Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur!”

Kur e pa diellin të lindur tha: "Ky është Zoti im, ky është i madh!" E kur ai perëndoi, tha: "O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!"

Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt dhe tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!" (En’amë, 75­79).

      Siç u përmend edhe më herët, Pejgamberët janë dërguar në çdo komb dhe fis për të mbështetur (fuqizuar) besimin natyror njerëzor në Zot dhe prirjen e lindur të tij për ta adhuruar si dhe për të riforcuar të vërtetën hyjnore në shenjat e përditshme të shfaqura nga Zoti. Edhe pse një pjesë e mirë e mësimeve të Pejgamberëve u shtrembëruan, pjesë të caktuara që tregojnë mesazhet e frymëzuara nga Zotin kanë mbetur të paprekura dhe kanë shërbyer për të udhëhequr njerëzimin në zgjedhjen mes së drejtës dhe së gabuarës. Ndikimi i mesazheve të frymëzuara nga Zoti në kohëra mund të shihet në "Dhjetë Urdhëresat" e Tevratit të fesë judaike, të cilat më pas u adoptuan nga mësimet e Krishterimit, gjithashtu edhe ekzistenca e ligjeve kundër vrasjes, vjedhjes dhe e tradhtisë bashkëshortore në shumicën e shoqërive anembanë botës moderne dhe antike.

     Si pasojë e shenjave të Zotit për njerëzimin, të kombinuara me Shpalljen e Tij nëpër kohëra nëpërmjet Pejgamberëve të Tij, i tërë njerëzimi ka pasur shansin të njohë Zotin e vetëm dhe të vërtetë.

     Rrjedhimisht, çdo shpirt do të mbajë përgjegjësi për besimin e tij në Zot dhe pranimin e fesë së vërtetë të Zotit, pra Islamin, që do të thotë nënshtrim i plotë ndaj vullnetit të Allahut.

 PËRFUNDIM

    Prezantimi i mëparshëm tregoi se emri i Islamit shpreh parimin më qendror të Islamit, nënshtrimin ndaj Zotit, dhe se emri “Islam” nuk u zgjodh nga njeriu, por nga Zoti, sipas Shkrimit të Shenjtë të Islamit. Gjithashtu u dëshmua se vetëm Islami predikon njëshmërinë e Zotit dhe njëshmërinë e Cilësive të Tij dhe urdhëron adhurimin pa ndërmjetës vetëm të Zotit. Së fundmi, për shkak të prirjes hyjnore të adhurimit të Zotit të "instaluar" te njeriu dhe shenjave të dhëna nga Zoti gjatë kohëve për çdo individ, Islami mund të bëhet pronë e të gjithë njerëzve në çdo kohë.

     Shkurtimisht, rëndësia e emrit Islam (nënshtrim ndaj Zotit), njohja thelbësore e njëshmërisë së Zotit dhe mundësia e hyrjes në Islam në çdo kohë dhe vend mbështesin fuqimisht pohimin e Islamit se që nga fillimi i ekzistencës njerëzore dhe në çfarëdo gjuhe që është shprehur, vetëm Islami ka qenë dhe do të jetë feja e vërtetë e Zotit.

     Duke përfunduar, e lusim Allahun, të Lartësuarin, të na mbajë në rrugën e drejtë në të cilën na ka udhëzuar dhe të na dhurojë bekimin dhe mëshirën e Tij, sepse Ai në të vërtetë është më Mëshiruesi. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe paqja dhe bekimi i tij qoftë mbi Muhammedin dhe të gjithë Pejgamberët e Zotit dhe pasuesit e tyre të devotshëm!

 BIOGRAFIA E DR. BILAL FILIPS

     Bilal Filips thotë: “Nuk ka kohë për pushim, kur e kuptoni se sa pak kohë ka, dhe se sa shumë punë duhet të kryhet për Islamin”.

     Bilal Filips, i cili dikur ishte i krishterë, tani është dijetar i njohur islam. Ai kreu studimet Baechelor në Universitetin Islam të Medinës, dhe shkallën e tretë Master në lëmin e akides e kreu në Universitetin “Mbreti Seud” në Rijad. Studimi dhe kuptimi i tij i thellë i Islamit i fitoji atij respektin e muslimanëve të thjeshtë si dhe të shumë dijetarëve islamë.

     I lindur në Xhamajkë më 1947, ai rrjedh nga një familje e arsimuar. Të dy prindërit e tij janë mësues dhe një nga gjyshërit e tij ishte ministër në kishë dhe predikues i Biblës. Bilali vjen nga një familje e hapur. Ndonëse ai shkonte në kishë çdo të diel me nënën e tij, ai kurrë nuk ishte i detyruar të shkonte. Ai thotë: “Vajtja në kishë ishte ngjarje shoqërore, më tepër se sa fetare. Ajo që ligjërohej më hynte në një vesh dhe më dilte nga tjetri”.

     Kur ishte 11 vjeç, familja e tij emigroi në Kanada dhe për herë të parë djaloshi i ndjeshëm filloi të hetojë se asgjë nuk ishte në rregull me botën. Ai thotë se shumica e kanadezëve në atë kohë ishin kanadezë me prejardhje evropiane dhe evropianët natyrisht se kishin në mend superioritetin e tyre. Ata kishin shkelur vendet tjera duke shkatërruar shoqëritë e popujve të ndryshëm, kështu që duhej ta arsyetonin shkatërrimin e civilizimit njerëzor dhe të ngritin superioritetin e tyre mbi të tjerët. Ato ndjenja i gjejmë të shprehura në pjesën dërmuese të letërsisë së tyre, në filma, në televizion e kështu me radhë. Rritja në një ambient ku njeriu ndryshon nga çdokush tjetër dhe përpjekja për ta racionalizuar atë ishte e vështirë për një djalosh të vogël. Diskriminimi i vogël e lëndonte më tepër posa u bë tinejxher. Ai thotë, më vonë prindërit e mi më tregonin për vështirësitë që duhej t'i kalonin. Ata duhej të përballonin shumë më tepër në shoqëri se sa unë si fëmijë në shkollë.

     Kontakti i parë i Bilalit me një shoqëri muslimane ndodhi kur prindërit e tij shkuan në Malajzi, në detyrën e mësuesve dhe këshilltarëve në Ministrinë e Arsimit, nën planin e Kolombos të Kanadës. Ndonëse, shumë më i lumtur atje, Bilali pothuajse nuk e vërente se ishte në një shtet islam. Britanikët kishin qenë në Malajzi dhe i kishin lënë gjurmët prapa, shokët e tij kishin prejardhje euroaziatike, ose ishin malajzianë muslimanë që flisnin gjuhën angleze. Bilali formoi një grup të muzikës "rok" dhe filloi t'i bie kitarës në mënyrë profesionale. Ai kishte një motoçikletë dhe ishte mjaft i njohur dhe si pasojë studimet e tij pësuan.

     Përderisa ishte në Malajzi prindërit e Bilalit e adoptuan një djalë indonezian, i cili ishte musliman. Zonja Filips ishte mjaft në dijeni për Islamin, kështu që ia lehtësoi atij të agjëronte dhe të falej. Bilali e kuptoi se ky djalë ishte i ndryshëm, sepse njëherë kur e hapi derën e dhomës së vëllai të tij të ri, gati shkeli ne kokën e vëllait derisa ai ishte në sexhde. Duke mos qenë kureshtar për Islamin në atë kohë, ai nuk u interesua për këtë çështje.

      Prindërit e Bilalit e ndjenin se kishte shumë pengesa për të në Malajzi, kështu që ata vendosën ta kthenin në Kanada, ku do të studionte në Universitetin Sinaj Frazer në Vancouver. Bilali u gjet mu në lëvizjet e paqëndrueshme studentore të viteve gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta. Kultura e drogës dhe lëvizjet hipi po propagandoheshin nga persona prestigjioz si Allen Ginsber dhe Tintharg Leary. Në orë të caktuara ligjëruesit do t'u jepnin studentëve cigare me marihuanë. Ata do të pinin bashkë dhe pastaj do të fillonin mësimin. Në këtë kohë qëllimi i Bilalit ishte të bëhej artist i mjekësisë dhe në këtë mënyrë të kombinonte dashurinë e tij për artin dhe shkencën. Si rrjedhim ai kishte filluar studimin e biokimisë dhe po ashtu po merrte një bursë nga një universitet i artit. Para se t'i realizonte qëllimet plotësisht ai e gjeti veten të zhytur thellë në politikën studentore. Fara e mbjellë gjatë fëmijërisë, ideja se diçka nuk ishte në rregull me shoqërinë perëndimore dhe se gjërat duhej të ndryshoheshin, tani nxori frytin. Ai filloi të përfshihej në lëvizjet studentore. Kishte protesta dhe greva, ndonjëherë kishte protesta të dhunshme ku do të ndërhynte policia. Profesorët shpjegonin socializmin në mësimet e tyre. I impresionuar nga kjo, Bilali filloi një studim të thellë të veprave të Marksit dhe shpejt e konsideroi veten marksist­leninist. Ai thoshte: ”Socializmi po paraqitej si program për ta ndryshuar shoqërinë, ndreqja e padrejtësive dhe sigurimi se të gjithë kanë drejta të barabarta. Ky ndryshim do të sillej me revolucion”.

     Kërkimi i tij për një zgjedhje politike e çoi atë në Kaliforni. Këtu ai punoi me lëvizje të aktivistëve zezak, siç ishte “Black Panthers”. Këto lëvizje ishin të përbëra kryesisht nga zezakët. Meqë zezakët ishin shtresa më e shtypur në atë kohë, natyrisht se zëri i tyre ishte më i larti. Megjithatë, ata kishin një mbështetje të madhe nga shokët e bardhë të kolegjit. Kishte po ashtu një lëvizje për emancipimin e femrës. Mirëpo, Bilalin e kaploi zhgënjimi shpejt. Shumë nga këta njerëz ishin të zhytur thellë në drogë. Ata mblidhnin para për atë që e quanin komitet i mbrojtjes dhe i përdornin shumicën e parave për të paguar gostitë e tyre, qiranë dhe drogën. Ata ishin si shushunja, që jetonin nga donacionet e njerëzve. Gjatë kësaj kohe ekzistonte gjithashtu një lëvizje e zezakëve, e njohur si "Kombi i Islamit" ose më të njohur si Zezakët Muslimanë, e themeluar nga Elijah Muhamed, i cili e shpiku një të ashtuquajtur Islam, por që ishte plotësisht i ndryshëm nga Islami i vërtetë.

     Ai predikonte se të gjithë zezakët janë “zotëra” dhe të gjithë njerëzit e bardhë janë “dreqër”.

     Ishte një zot kryesori, i cili e kishte mësuar Elijah dhe Elijah ishte profeti i tij. Në atë kohë ishte e popullarizuar biografia e një ish­pasuesi të Elijah, Malkolm X. Malkolm X e kishte braktisur lëvizjen e zezakëve, ndonëse ai kishte qenë zëdhënësi kryesor i tyre dhe e kishte gjetur Islamin e vërtetë. Ai u vra brenda gjashtë muajve të konvertimit të tij dhe kishte pak kohë të përdorte shkathtësitë retorike për ta lartësuar Islamin e vërtetë. Në këtë mënyrë vetëm pak nga ata që e lexojnë biografinë e tij e kuptojnë rëndësinë e udhëtimit të tij. Bilali, i cili e kishte lexuar biografinë e Malkolm X, e vizitoi një nga tempujt e muslimanëve zezakë. Edhe pse i impresionuar me organizatën e tyre dhe faktin se gratë e tyre visheshin në mënyrë modeste, ai e vërejti se ideologjia e tyre ishte e padobishme. Pas vdekjes së Elijah Muhamed më 1975, shumë ndryshime fundamentale u sollën nga biri i tij Imam Warith Deen Muhamed. Këto ndryshime graduale e transferuan organizatën nga një kult nacional në një lëvizje islame, të afërt me Islamin burimor. Pasi që Bilali kuptoi se këto lëvizje që po qarkullonin në Shtetet e Bashkuara nuk ishin relevante me qëllimet, të cilat i kishte në mendje, ai u kthye në Kanada.

     Tani ai e kishte lënë fakultetin, pasi i kishte përfunduar vetëm dy vite dhe kishte bërë lidhje me një grup të orientuar me ideologji socialiste në Toronto.

      Në fillim të viteve shtatëdhjeta kishte një fluks të zezakëve nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Perëndimi në Kanada. Bilali dhe grupi i tij po përpiqeshin t'i arsimonin zezakët për pozitën e tyre në shoqëri dhe t'i motivonin ata për të bërë përpjekje për t'i ndryshuar ligjet mbi diskriminimin. Bilali po mbante leksione për historinë e Afrikës dhe lëvizjen shoqërore në qendër të komunitetit të organizuar nga grupi. Ai përdorte shkathtësitë e tij muzikore për të mbledhur donacione nga qendra. Edhe arti i ndihmonte në realizimin e qëllimeve; ai vizatonte karikatura politike për gazetat e lëvizjes dhe posterë për protestat. Në pajtim me dëshirën për të ndihmuar shoqërinë, ai filloi punën si këshilltar për fëmijët delikuent.

     Në të njëjtën kohë, idealisti i ri po thellohej tepër në komunizëm. Teoria mbizotëruese politike në atë kohë ishte se në një shtet të industrializuar si Amerika Veriore, revolucioni do të duhej të merrte forma të ndryshme nga ai i Kinës ose Rusisë. Në këto shtete hovi kishte ardhur nga fshatarësia dhe kryesisht përbëhej nga fshatarët. Mirëpo, në Amerikën Veriore lufta do të duhej të vinte nga brenda qytetit dhe të merrte formën e luftës guerile urbane. Për të qenë e suksesshme si luftë guerile urbane, njerëzit duhet të zhvillonin celula brenda qytetit dhe të ishin të lëvizshëm. Në këtë lloj të luftës vetura ishte instrument esencial dhe njohja e plotë e mënyrës si punon ishte detyrim. Për ta arritur këtë, Bilali shkoi në një kolegj teknik për të mësuar mekanikën e veturës.

     Prindërit e Bilalit ishin kundër drejtimit politik që kishte marrë birri i tyre, ai dhe babai i tij bënin diskutime të nxehta lidhur me politikën, përderisa nëna e tij rrinte e qetë. Bilali, i cili kishte qenë duke jetuar me prindërit përkohësisht, u shpërngul dhe filloi të jetojë në një komunë bashkë me të rinj mendjelehtë. Pas një kohe ai filloi të vërejë dallime në mes të vetes dhe njerëzve me të cilët po punonte, dhe këto dallime ishin kryesisht në çështjen e moralit. Ata dëshironin të ndërtonin një shoqëri të re, por nuk dëshironin ta ndryshonin veten. Pyetje të caktuara lidhur me socializmin po e brengosnin atë, sidomos dyshonte në aftësinë e tij për të ndërtuar një shoqëri të re.

     “Dukej se nuk kishte themel të moralit për komunizmin dhe socializmin”, thotë Bilali.

     “Nëse masat e njerëzve e konsiderojnë alkoolizmin, homoseksualizmin, abuzimin e fëmijëve të jetë moral, atëherë çdo gjë për ata është në rregull. Në New York tani është legjitime të mbahet marihuana, edhe pse shitja e saj është e ndaluar. Në Angli tani homoseksualët mund të martohen, kjo më preokuponte mua”.

     Në atë çast, Bilali mendonte të shkonte në Kinë për të mësuar luftën guerile. Mirëpo, ai mësoi se një nga zonjat e komitetit qendror të grupit, të cilit ai i përkiste, e cila kishte qenë komuniste e përbetuar, e kishte pranuar Islamin. Pasi kishte qenë një admirues i bindjeve të saj marksiste­leniniste, ai vendosi të studiojë disa libra për Islamin, për të parë se çfarë e kishte bërë atë të marrë një vendim të tillë. Librin e parë, të cilin e lexoi ishte ai i Muhamed Kutubit, “Islami, Feja e Keqkuptuar”. Muhamed Kutub ishte vëllai i Seid Kutubit. Diktatori i atëhershëm i Egjipit, Xhemal Abdu Naser e kishte varur Seid Kutubin për shkak të besimit të tij islam. Shumë nga njerëzit besimtarë të përndjekur nga ky regjim u arratisën në Arabinë Saudite dhe u vendosën në Mekë dhe në Medinë.

     “Në të vërtetë”, ­thotë Bilalli, ­“shumë nga dijetarët islamë në Universitetin e Mekës dhe të Medinës vijnë nga ajo epokë. Muhamed Kutub tani ligjëron në Universitetin Ummul Kura në Mekë.” Libri i Muhamed Kutub ishte një krahasim i Islamit, komunizmit, kapitalizmit nga një pikëpamje shoqërore, ekonomike dhe morale.

    Për një person që i interesojnë vetëm anët shpirtërore ndoshta do të ishte pak i thatë, por meqenëse Bilali kishte orientime politike ishte i qëlluar për të.

     Ai u bind se Islami ishte rruga më e mirë për të bërë revolucion ekonomik edhe shoqëror në shoqërinë perëndimore. Posa e lexoi të gjithë literaturën që e kishte në dispozicion për Islamin në gjuhën angleze, një çështje tjetër filloi t'i lë përshtypje se revolucioni nuk fillon me heqjen e një rregulli ekonomik­shoqëror, por me ndryshimin e vet individit. Bilali kishte

vendosur se nëse do të bëhej musliman ai do të vepronte kështu plotësisht, nuk do të luhatej.

     “Jeta ime në këtë kohë ishte tashmë mjaft e kontrolluar dhe disiplina e Islamit nuk paraqiste problem të madh. Megjithatë, është fakt që para se dikush të konvertohet, shejtani bënë përpjekje të mëdha për t'ia ndryshuar bindjen. Në këtë kohë unë pija duhan dhe raki vetëm në raste të radha; megjithatë, një zë brenda meje më thoshte "a jeni gati t'i leni të gjitha këto kënaqësi, domethënë kurrë të mos i prekni ato përsëri?" Kjo vëri dyshim në mendjen time dhe më bëri të hezitoj për të deklaruar konvertimin tim”.

     Nga pikëpamja politike Bilali ishte i bindur, mirëpo nga pikëpamja shpirtërore e kishte vështirë të pranonte idenë e ekzistimit të Zotit, xhinëve dhe engjëjve.

     Ai thotë: “Në zemrën time akoma ekzistonte një ide e mjegulluar e Zotit, edhe pse ajo ishte shtypur nga filozofia komuniste, e cila kërkon refuzim të plotë të ekzistencës së Zotit. Eksperienca ime shkencore gjithashtu tentonte që vërtet të më ndalonte nga pranimi i Zotit”. Atëherë, Bilali e përjetoi një eksperiencë shpirtërore. "Unë isha i shtrirë në dhomën time, derisa shokët e mi lexonin në tavolinën pranë. Unë isha gjysmë i zgjuar, edhe gjysmë i fjetur, pastaj fillova të ëndërroj. Ëndërrova se po e ngisja biçikletën në një punëtori. Sa më shumë që hyja më thellë, aq më errët bëhej. Fillova të brengosem. E ndjeja se kisha shkuar aq larg sa mundesha. Kur u ktheva prapa nuk e shihja daljen. Isha në errësirë të plotë. Në atë kohë frika e vërtet më kaploi, një ndjenjë frike që kurrë se kisha përjetuar. Kur mendoj për këtë moment e kuptoj se ajo ishte frika nga vdekja. Frika ishte se nëse nuk do të dilja nga këtu, unë kurrë nuk do të dilja. Do të ishte fundi. Fillova të bërtas ndihmë! Më ndihmoni! Provova të bërtisja me krejt mushkëritë, por fjalët nuk dilnin, ato vetëm gurgullonin në fytin tim. Mendja ime po buçiste, kishte njerëz në dhomë mirëpo, ata nuk dëgjonin. Unë vazhdova përpjekjen për një kohë derisa e kuptova se nuk kishte shpresë. Askush nuk mund të më ndihmonte. Në atë moment unë hoqa dorë dhe ia dorëzova veten vdekjes. Kur unë veprova kështu, menjëherë më doli gjumi."

     Kjo ëndërr la një përshtypje të thellë në mendjen e Bilalit.

     "Askush nuk do të mund të më nxirrte nga kjo situatë, përveç Zotit, i cili më nxori nga ky dëshpërim i plotë dhe më ktheu në jetë."

     Më vonë ai gjeti aprovim për besimin e tij kur e lexoi ajetin e Kur'anit: “Allahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në afatin

e caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon”. (Zumer, 42).

     Ëndrra la përshtypje të fort në Bilalin se Zoti ishte i vërtetë dhe si rezultat ai e pranoi Islamin në shkurt të vitit 1972. Ai u largua nga muzika e arti dhe filloi të studiojë Islamin tërë kohën. Ai filloi të mësoi gjuhën arabe dhe shpejt mësoi të lexojë Kur'an. Ai tani po mësonte gjuhë arabe dhe fikh te një hoxhë egjiptian. Bilali kishte mësuar shumë informata për Islamin nga burime të ndryshme, sa që ishte pak i hutuar, dhe me qëllim që të zgjidhte konfliktin e informatave ai vendosi të shkonte në Lindje, në burim aktual të Islamit dhe të mësonte gjuhën arabe në mënyrë të rrjedhshme bashkë me lëndët tjera. Kështu ai aplikoi për një bursë në Universitetin e Medinës. Ai u pranua dhe u nis për në Arabi Saudite. Kushtet e jetesës në Universitetin e Medinës ishin pak të vështira në atë kohë. Studentët jetonin në baraka të braktisura të ushtrisë, ku nuk kishte ujë të nxehtë gjatë dimrit të ftoftë dhe nuk kishte klimë gjatë verës përvëluese. Bilali u kafshua dy herë nga akrepat. Ai iu mbështet Zotit dhe vazhdoi studimet.

     Nga pikëpamja e mësimit të të gjitha aspekteve të Islamit, Bilali e kishte zgjedhur vendin e saktë. Në Perëndim metoda e shkollimit thekson të kuptuarit, punën kërkimore dhe interpretimin, ndërkaq në Lindje theksohet memorizimi dhe citimi fjalë për fjalë.

     Bilali studioi në Medinë për gjashtë vite. Dy vitet e para kaluan duke mësuar gjuhë arabe. Ai po ashtu u mbante ligjërata studentëve arabë në gjuhë angleze dhe karate. Në vitin e fundit e pa një shpallje për vende të lira pune për mësues nga shkolla ndërkombëtare Minarat­ul­Riyadh dhe i njoftoi prindërit e vet, të cilët sa ishin kthyer në Kanada, pasi kishin punuar si mësues në Jemenin Jugor. Ata aplikuan dhe u pranuan menjëherë. Pasi përfundoi shkallën Baechelor, Bilali aplikoi në Universitetin e Rijadit “Mbreti Seud” për shkallën master, ku edhe u pranua. Meqenëse shumica e orëve ishin në mbrëmje, ai filloi të jap mësim në lëndën e edukatës islame në shkollën ndërkombëtare Minarat­ul­Riyadh, në seksionin e anglishtes. Atij i kishin sugjeruar të përkthente kurrikulën e seksionit të gjuhës arabe, mirëpo përkthimi i saj nuk ishte i përshtatshëm, sepse ajo bazohej kryesisht në mësim përmendësh. Shumica e studentëve të Bilalit ishin me prejardhje evropiane ose vinin nga SHBA­të. Me këta studentë duhej të përdorej një metodë tjetër, sepse ata nuk ishin mësuar me ato metoda. Bilali përpiqej t'u siguronte materiale të bazuara në arsyetim dhe kërkim, me qëllim që t'i inkurajonte studentët ta kuptonin Islamin. Duke pasur këtë qëllim në mendje, në vitet vijuese, ai shkroi pesë tekste shkollore për Islamin. Kjo ishte përpjekja e parë për të bërë një kurrikulë për mësimin e Islamit në gjuhën angleze. Nevoja për këtë ishte urgjente, për shkak të numrit të madh të fëmijëve muslimanë të çatdhesuar në Britani të Madhe, të cilët mund të arriheshin vetëm përmes medieve. Edhe pse plani themelor përbehej nga lëndët si Kur'an, Fikh, Hadith, Tefsir dhe Tevhid, nganjëherë Bilali harxhonte një pjesë të madhe të orës duke diskutuar çështje, të cilat janë të një

rëndësie të madhe për gjeneratën e re islame. Bilali në këtë mënyrë përdorte ajete relevante nga Kur'ani, hadithe, statistika dhe logjikën për të sqaruar qëndrimin islam. "Rreth 15 deri 20 përqind të të diplomuarve i përkushtoheshin Islamit seriozisht. Ata kthehen në Pakistan, Angli ose në Shtetet e Bashkuara dhe bëjnë punë të madhe për Islamin." Disa nga djemtë që ai i ka mësuar ishin ateistë të deklaruar, edhe pse kishin lindur në familje muslimane. Është kënaqësi për Bilalin kur këta djem më vonë përmes mësimeve, bëhen muslimanë aktiv. Ai thotë se kokëdhembjet dhe vështirësitë e mësimit të tyre bëhen të vogla. Bilali i përktheu tri libra për sektin e devijuar të quajtur "shia", sepse ai ndien se nuk ka libra të mjaftueshme për këtë sekt nga këndvështrim sunit. Ai ka qenë bashkautor i një libri të quajtur “Poligamia në Islam”, sepse ai thotë: "Kjo është një anë të cilën jomuslimanët shpesh u pëlqen ta kritikojnë. Po ashtu shumë muslimanë të moderuar, për shkak të ndikimit nga kolonializmi e mohojnë këtë aspekt të Islamit. Vërtet, në disa vende islame poligamia ndalohet me ligj."

     Ai po ashtu ka shkruar një komentim të Sures Huxhratë (nr.49). Ka shkruar edhe një numër të librave me tema të larmishme. Bilali ndien se ka shumë punë për t'u bërë për Islamin, sidomos në Perëndim. Stinën e verës ai e kalon duke dhënë mësime në gjuhë arabe në SHBA dhe në Kanada. Ai po ashtu ka udhëtuar shumë në Amerikën Qendrore dhe Jugore si dhe në West Indies për t'ua mësuar Islamin komuniteteve muslimane të shpërndara në atë rajon.

     Bilali ndien se muslimanët mund ta ruajnë veten dhe fenë e tyre në Perëndim duke themeluar shkollat e tyre islame dhe komunitetet e tyre muslimane.

     Emigrimi nga një vend jomusliman në vend të muslimanëve, ai e konsideron obligim për muslimanët të cilët nuk mund të jetojnë si muslimanë dhe për ta përforcuar këtë ai e citon ajetin e Kur'anit: “Ata të cilët vdiqën në gjendje të shtypjes, engjëjt do t'i pyesin, mirë a nuk mund të emigronit, toka e Allahut ishte e gjerë? Dhe këta njerëz do të shkojnë në Xhehenem”.

     "Prioriteti i çdo muslimani, thotë Bilal Filips, duhet të jetë jo ku mund të gjej punë, por ku mund ta praktikojë Islamin dhe të gjej punë." Qëllimi i Bilalit është të ndryshojë shoqërinë për më mirë, por revolucioni duhet të vijë me përhapjen dhe praktikimin e Islamit nga secili individ, dhe kësaj ai ia ka përkushtuar jetën.