Haxhi - vlera dhe dobitë e tij
﴿ الحج فضله ومنافعه ﴾
] Shqip – Albanian – ألباني [
Muhamed Salih El Munexhid
Përktheu: Sedat Islami
2010 - 1431
﴿ الحج فضله ومنافعه ﴾
« باللغة الألبانية »
محمد صالح المنجد
ترجمة: سدات إسلامي
2010 - 1431
HAXHI, VLERA DHE DOBITË E TIJ
Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhamedin, zotërinë e mbare njerëzimit! Kjo është një ligjëratë e shkurtër mbi haxhin, vlerën, dobitë dhe diç nga dispozitat e tij.
- Kur është obliguar haxhi?
Haxhi është obliguar ne vitin e nëntë pas hixhrit, në vitin e delegacioneve, në të cilin zbriti kaptina Ali Imran, ku ndër të tjera qëndron:
" ولله على الناس حج البيت من استطاع إليه سبيلاً "
“Vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit". (Ali Imran: 97)
- Dispozita e haxhit
Është farz (obligim i detyruar), është njëra nga shtyllat e fesë. Përveç ajetit paraprak, që na shërben si argument për këtë, po ashtu edhe hadithi vijues na shërben argument. Ibni Omeri transmeton se Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam:
"بُني الإسلام على خمس : شهادة أن لا إله إلا الله وأن محمدًا رسول الله وإقام الصلاة وإيتاء الزكاة والحج وصوم رمضان."
“Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk meriton të adhurohet askush me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi dhe agjërimi i Ramazanit". (Transmetim unanim)
- Haxhi a është obligim i menjëhershëm?
Po, haxhi është obligim menjëherë si t'i bëhen njeriut mundësitë. Ajeti i lartpërmendur na shërben argument për këtë, por krahas tij kemi edhe këto argumente:
Ebu Hurejre transmeton:
خطبنا رسول الله صلى الله عليه وسلم فقال : "أيها الناس قد فرض الله عليكم الحج فحجوا"
“Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam na mbajti një ligjëratë e tha: O ju njerëz! Allahu ua ka obliguar haxhin andaj kryejeni atë!". (Muslimi)
Ibni Abbasi transmeton se Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam ka thënë:
"مَنْ أَرَادَ الْحَجَّ فَلْيَتَعَجَّلْ فَإِنَّهُ قَدْ يَمْرَضُ الْمَرِيضُ وَتَضِلُّ الضَّالَّةُ وَتَعْرِضُ الْحَاجَةُ."
“Kush dëshiron ta kryejë Haxhin le të nxitoje ngase ndodhë që të sëmurët i sëmur[1]i, të humb gjëja e humbur dhe të lind ndonjë nevojë".[2]
Në një version tjetër te Ibni Abbasit te regjistruar nga Imam Ahmedi qëndron:
"تَعَجَّلُوا إِلَى الْحَجِّ يَعْنِي الْفَرِيضَةَ فَإِنَّ أَحَدَكُمْ لَا يَدْرِي مَا يَعْرِضُ لَهُ"
“Nxitoni për Haxh (e ka për qëllim haxhin obligativ), ngase ju nuk dini se çfarë iu ndodhe".
Drejtimi juridik shafiit mendon se Haxhi nuk është obligim i menjëhershëm ngase Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam e shtyri atë deri në vitin e dhjetë pas hixhrit, por këtë mendim nuk e kanë pranuar të tjerët, dhe janë përgjigjur:
Ü Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam nuk e ka shtyrë më shumë haxhin se një vit ndërsa shafiitet mendojnë se ai mund të shtyhet në afat të pacaktuar kohor.
Ü Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam e pati për qëllim pastrimin e Qabesë nga idhujt dhe "haxhilerët" lakuriq.[3]
Ü Pejgamberin, alejhi's salatu ve's selam nga kryerja e haxhit e preokupuan ardhjet e shumë delegacioneve në Medine për ta pranuar Islamin.
Ü Pejgamberit, alejhi's salatu ve's selam i kishte zbritur urdhri për Haxh pasi që koha e haxhit në vitin e nëntë hixhrijj kishte kaluar kështu që ai u detyrua ta shtyje atë deri ne vitin e ardhshëm.[4]
- Haxhi është obligim vetëm njëherë në jetë
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam ka thënë:
خطبَنا رسول الله صلى الله عليه وسلم فقال : "أيها الناس إن الله عز وجل قد فرض عليكم الحج فحجوا ، فقال رجل : أكلَّ عام يا رسول الله فسكت حتى قالها ثلاثاً، فقال رسول الله صلى الله عليه وسلم : لو قلتُ نعم لوجبت ولما استطعتم ، ثم قال : ذروني ما تركتكم فإنما هلك من كان قبلكم بكثرة سؤالهم واختلافهم على أنبيائهم فإذا أمرتكم بأمر فأتوا منه ما استطعتم وإذا نهيتكم عن شيء فدعوه."
“Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam na mbajti një ligjëratë e tha: O ju njerëz! Allahu ua obligoi haxhin andaj kryejeni atë. Tha një njeri: A çdo vit o i dërguari i Allahut? Heshti derisa njeriu e përsëriti pyetjen tri here. Atëherë tha Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam: Po të them po juve iu obligohet ndërsa ju nuk keni mundësi ta bëni këtë. Pastaj tha: Lërmëni me këto që ua kam lënë, ngase ata që ishin para jush u shkatërruan si shkak i pyetjeve të shumta të tyre dhe mospajtimeve me pejgamberët e tyre. Nëse iu urdhëroj me diç kryejeni sa të mundeni ndërsa kur t'iu ndaloj nga diç largohuni (tërësisht) prej saj ". (Muslimi)
- Vlera
Për vlerën e haxhit janë rrëfyer argumente te shumta. Ja disa:
1.Ebu Hurejre rrëfen se Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam u pyet:
"أي العمل أفضل ؟ فقال : إيمان بالله ورسوله ، قيل : ثم ماذا ؟ قال : الجهاد في سبيل الله ، قيل : ثم ماذا ؟ قال : حج مبرور."
“Cila vepër është me e mira? Tha: Besimi ne Allahun dhe ne te dërguarin e Tij. Pastaj cila? Tha: Xhihadi ne rrugën e Allahut. Pastaj cila: Tha: Haxhi i pranuar". (Buhariu dhe Muslimi)
- Haxhi i pranuar i ka këto domethënie:
4 Të jetë nga pasuria hallall,
4 Të largohet nga hipokrizia, mëkati dhe grindja gjatë haxhit,
4 Ta kryejë haxhin sipas porosive të Pejgamberit, alejhi's salatu ve's selam,
4 Që ta kryejë haxhin sinqerisht e jo për sy e faqe.
2. Ebu Hurejre transmeton se ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi's salatu ve's selam duke thënë:
" مَن حجَّ لله فلم يرفث ولم يفسق رجع كيوم ولدته أمه."
“Kush kryen haxhin pa bërë marrëdhënie seksuale dhe pa shkelur dispozitat e tij, ai kthehet (i pastër nga mëkatet) sikur atë dite kur e ka lindur nëna". (Buhariu dhe Muslimi)
3. Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam ka thënë:
" العمرة إلى العمرة كفارة لما بينهما والحج المبرور ليس له جزاء إلا الجنة."
“Umreja deri në umre shlyen mëkatet ndërmjet tyre ndërsa për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit". (Buhariu dhe Muslimi)
4. Transmeton Aisheja, nëna e besimtareve se ajo ka thënë:
"قلتُ يا رسول الله : ألا نغزو ونجاهد معكم ؟ فقال : لكُنّ أحسن الجهاد وأجمله الحج حج مبرور، فقالت عائشة : فلا أدع الحج بعد إذ سمعت هذا من رسول الله صلى الله عليه وسلم."
“Thashë: O i dërguari i Allahut! A të mos marrim pjesë në beteja dhe të luftojmë me ju? Tha: Xhihadi më i mirë dhe më i bukur për ju është haxhi i pranuar. Aisheja tha: Kurrë më nuk do ta lë haxhin pasi që këtë e dëgjova prej të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të". (Buhariu)
5. Amr b. Asi transmeton se Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam ka thënë:
" وأن الحج يهدم ما كان قبله …"
“Haxhi shkatërron mëkatet e mëparshme". (Muslimi)
6. Abdullah b. Mes'udi transmeton se Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam ka thënë:
"تَابِعُوا بَيْنَ الْحَجِّ وَالْعُمْرَةِ فَإِنَّهُمَا يَنْفِيَانِ الْفَقْرَ وَالذُّنُوبَ كَمَا يَنْفِي الْكِيرُ خَبَثَ الْحَدِيدِ وَالذَّهَبِ وَالْفِضَّةِ وَلَيْسَ لِلْحَجَّةِ الْمَبْرُورَةِ ثَوَابٌ إِلَّا الْجَنَّةُ."
“Kryejini haxhin dhe umren paralel, ngase ato zhdukin varfërinë dhe mëkatet ashtu sikur gjyryku largon ndryshkun e hekurit, arit dhe argjendit, ndërsa për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhennetit".[5]
7. Ibni Omeri transmeton se Muhammedi, alejhi's salatu ve's selam ka thënë:
"الغازي في سبيل الله والحاج والمعتمر وفد الله دعاهم فأجابوه وسألوه فأعطاهم."
“Luftëtari në rrugën e Allahut, haxhiu dhe umrebërësi janë delegacion i Allahut; i ftoi dhe iu përgjigjën, e luten dhe ua plotësoi lutjen".[6]
- Dobitë e haxhit
Allahu i Madhëruar thotë:
"ليشهدوا منافع لهم"
“(Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre". (Haxh, 28)
Dobitë e haxhit janë edhe fetare por edhe dobi te kësaj bote.
Sa iu përket atyre fetare mund të përmendim: Arritja e kënaqësisë së Allahut, falja e të gjitha mëkateve, shpërblimi i madh për faljen e namazit në Qabe që llogaritet sa 100.000 namaze në vende-xhami tjera, pastaj shpërblimi për Tavafin, Sa'jin, etj, që nuk mund të arrihen përveçse në këto vende.
Dobi tjera janë edhe takimi me muslimanët, njohja me gjendjen e tyre, takimi i dijetarëve dhe përfitimi prej tyre, etj.
Ndërsa prej dobive që kanë të bëjnë me këtë botë janë: tregtia dhe të gjitha aspektet tjera të përfitimi, të cilat lidhen për haxhit.
- Urtësitë e haxhit dhe ndikimi i tij në shpirt
Në kryerjen e riteve të Haxhit ka dobi dhe urtësi të shumta, dhe kush bekohet për kuptimin dhe veprimin sipas tyre, ai është bekuar për një të mirë të madhe.
Ä Udhëtimi i njeriut për kryerjen e haxhit përkujton udhëtimin për tek Allahu në Ahiret, dhe sikur që në udhëtim njeriu ndahet nga të dashurit dhe duhet të ketë furnizim që e dërgon deri në haxh, po kështu nga jeta ndahet prej të afërmve dhe duhet të bëjë vepra të mira për përgatitjen për këtë udhëtim. Allahu i madhëruar thotë:
"وتزودوا فإن خير الزاد التقوى"
“Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria". (Bekare, 197)
Ä Sikur që udhëtimi në këtë bote është një lloj ndëshkimi, po ashtu edhe udhëtimi për në boten tjetër është ndëshkim, madje edhe shumë më i madh. Njeriu para vetes ka vdekjen, varrin, ringjalljen, llogarinë, peshoren, siratin e pastaj ose Xhennetin ose Xhehennemin. I lumtur është ai, që e shpëtoi Allahu.
Ä Kur haxhiu vesh pelerinën e bardhe ai përkujton qefinin e tij, me të cilin do të mbështillet. Kjo fton në lënien dhe braktisjen e mëkateve ngase sikur që zhvishet nga rrobat e tij ai duhet të zhvishet po kështu nga mëkatet. Ai sikur që vesh dy rroba të bardha të pastra po kështu edhe zemra dhe gjymtyrët e tij duhet të jenë të pastra nga njollat e mëkateve.
Ä Kur të thotë njeriu në mikat (vendi ku haxhiu vesh pelerinën dhe bën nijjetin): لبيك اللهم لبيك (Lebejke Allahumme Lebbejke - Të përgjigjem o Allah të përgjigjem)", ai shpreh gatishmërinë e tij për t'iu përgjigjur Allahut, Zotit të tij dhe ai, assesi, me këtë përgjigje që ia bën Allahut, nuk mendon të vazhdojë në mëkate. Ai sikur thotë: Të përgjigjem o Zot dhe nuk shkel ndalesat Tua!
Ä Braktisja e gjërave të ndaluara gjatë kohës sa është në Ihram dhe përkujtimi i shpeshtë i Allahut muslimanit ia përkujton gjendjen në të cilën ai duhet të jetë. Kjo është një lloj edukate për të dhe mësim i shpirtit me këtë gjë, që duhet të jetë rutine e tij. Ai e ushtron shpirtin e tij për t'i braktisur edhe gjërat e lejuara, të cilat Allahu ia ndaloi atij në këtë vend ndërsa ia lejoi pas këtij vendi. Ai derisa mësohet t'iu largohet edhe gjërave te lejuara, gjithsesi se gjërave të ndaluara që ndalohen si në këtë vend po ashtu edhe në vendet tjera dhe si në kohë të haxhit po ashtu edhe në kohe të tjera, do t'iu largohet madje me më shumë lehtësi.
Ä Hyrja në Qabe, e cila është bërë strehim dhe siguri për njerëzit, muslimanit ia përkujton sigurinë që do ta ketë në Ditën e Kiametit. Ajo që më së shumti njeriut ia garanton sigurinë është besimi i sinqerte në Allahun dhe shmangia politeizmit apo çfarëdo forme të pabesimit. Thotë Allahu:
"الذين آمنوا ولم يلبسوا إيمانهم بظلم أولئك لهم الأمن وهم مهتدون."
“Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë". (En'am, 82)
Ä Puthja e gurit të zi (haxheru'l esvedit), që shënon fillimin e kryerjeve të ritualit te haxhit, haxhiun e përgatit në zbatimin e sunnetit-traditës së Pejgamberit, alejhi's salatu ve's selam dhe mos shkeljen e parimeve të fesë, vetëm pse mendja e tij nuk pranon më atë gjë. Ai e di-mësohet se çdo gjë që e ka urdhëruar Allahu për njerëzit ka një urtësi dhe të mirë.
Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, në lidhje me puthjen e gurit të zi kishte thënë:
" إني أعلم أنك حجر لا تضر ولا تنفع ولولا أني رأيت النبي صلى الله عليه وسلم يقبِّلُك ما قبلتك"
“Unë e di se ti je guri, që nuk bën dëm dhe as dobi, por sikur të mos e shihja Pejgamberin, alejhi's salatu ve's selam duke të puthur nuk do të puthja". (Transmetim unanim)
Ä Gjate Tavafit (silljes rreth Qabese) njeriu përkujton babain e tij, Ibrahimin, alejhi's selam, i cili e ndërtoi Qaben dhe ftoi për vizitën e saj. Këtë shtëpi e vizituan Musai, Junusi, Isai, Muhammedi, alejhi's salatu ve's selam, madje edhe vuri bazat dhe parimet e shëndosha të vizitës së saj, të zhveshura nga çdo formë politeizmi.
Ä Pirja e ujit të Zemzemit njeriut ia përkujton begatitë e Allahut dhuruar njerëzve, të cilin e pinë miliona njerëz prej mijëra vitesh dhe ende nuk është tharë.
Ä Sa'ji (ecja e shpejtë) në mes Safasë dhe Merves haxhiut ia përkujton sprovimin e Haxheres, nënës së Ismailit dhe gruas së Ibrahimit, alejhimu's selam. Nëse kjo grua ka duruar dhe është strehuar tek Allahu gjatë sprovës së saj andaj edhe njeriu, e sidomos mashkulli, duhet ta bëjë këtë. Burri përkujton përpjekjen e kësaj gruaje të ndershme e kështu i lehtësohet problemi, të cilin e vuan, ndërsa gruaja përkujton një paraardhëse të saj, të gjinisë së saj, dhe kështu bëhet më e fortë në përballimin e problemeve.
Ä Qëndrimi në Arafat njeriut ia përkujton kallaballëkun e krijesave në Ditën e Tubimit, dhe nëse haxhiu lodhet nga tollovia e më së shumti tre milion njerëzve, atëherë si do të jetë gjendja e tij në ditën kur tubohen të gjitha krijesat e kësaj toke.
Ä Në gjuajtjen e gurëve njeriu e mëson vetveten për adhurim absolut, ngase ai edhe nëse nuk e di urtësinë e hedhjes së gurëve dhe edhe nëse nuk mund t'i lidhë dispozitat për shkaqet e tyre (pse kjo kështu e ajo ashtu), ai megjithatë i kryen ato dhe kjo shpreh adhurimin absolut për Allahun e Madhëruar.
Ä Therja e Kurbanit njeriut ia përkujton ndodhinë historike të Ibrahimit me Ismalin, alejhima's selam, i cili shprehu gatishmërinë e tij për ta therur të birin, Ismailin, pas ëndrrës që kishte parë. Kjo tregon se njeriun nuk duhet ta kap butësia apo dhembshuria e të mos e zbatoj urdhrin e Allahut. Kjo ndodhi historike po ashtu njeriut ia mëson edhe gatishmërinë për t'iu përgjigjur urdhrit të Allahut siç beri Ismaili, alejhi's selam:
"يا أبت افعل ما تؤمر ستجدني إن شاء الله من الصابرين."
“O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!". (Saffat, 102)
Ä Kur haxhiu të lirohet nga Ihrami dhe i lejohen gjërat e ndaluara gjatë ihramit, ai bindet për shpërblimin e durimit dhe se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi.
Ä Kur t'i kryejë dispozitat sipas parimeve fetare, atëherë ai e lut Allahun që t'ia falë të gjitha mëkatet, siç ka premtuar Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam:
" مَن حج لله فلم يرفث ولم يفسق رجع كيوم ولدته أمه."
“Kush kryen haxhin për Allahun dhe nuk bën marrëdhënie seksuale (gjatë kohës sa është në Ihram) dhe nuk shkel dispozitat, kthehet (nga haxhi i pastër prej mëkateve) sikur atë dite kur e ka lindur nëna". (Buhariu dhe Muslimi) Kjo për haxhiun hap një faqe të re të jetës së tij, të pastër nga mëkatet dhe gjynahet.
Ä Kur të kthehet në shtëpi dhe të takohet me familjen e të gëzohet shumë, kjo ia përkujton gëzimin e madh që do ta ketë kur të takohet me ta në Xhenet. Ai me këtë bindet se humbje do të thotë humbja në ahiret, siç thotë Allahu:
" قل إن الخاسرين الذين خسروا أنفسهم وأهليهم يوم القيامة ألا ذلك هو الخسران المبين."
“Thuaj: "Të dështuar në ditën e kiametit janë ata që e kanë humbur veten dhe familjen e vet. Vini re: ky është ai dështimi i njëmendtë". (Zumer, 15)
E lusim Allahun që të na bekojë për adhurimin e Tij, për vizitën e shtëpisë së Tij dhe kryerjen e të gjitha urdhëresave tjera fetare.
Përshëndetjet qofshin mbi zotërinë tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët!
[1] Për qëllim nga thënia: ‘sëmuret i sëmuri’ është se atij që i është i caktuar sëmundja sëmuret dhe kjo pastaj e pengon nga kryerja e haxhit (Hashijetus Sindi ala Ibn Maxheh) apo kjo është sikur që në gj. arabe i thuhet atij që është buzë vdekjes ‘i vdekur’, ngase i sëmuri nuk sëmuret por, i shëndoshi megjithatë i është thënë i sëmurë për shkak të mundësisë së madhe të sëmundjes; pra për qëllim është nxitja në shpejtimin e kryerjes së haxhit para se të dalin në shesh pengesa të ndryshme. (Fejdul Kadir Sherhul Xhami’ Es Sagir)
[2] Transmetojnë Ibni Maxhe, Ebu Davudi dhe Ahmedi. Shejh Albani konstaton se hadithi është hasen. Shih: El mishkah, 990, El irva, 990, Sahihu ebi Davud, 1522
[3] Kishte nga idhujtarët që haxhin e kryenin lakuriq në shenjë pastrimi nga mëkatet.
[4] Pese shtyllat e fesë islame, Fahruddin Ebibi, Irfan Abayi, Taxhedin Bislimi, Jusuf Zimeri, Shkup 2003, f: 569. Shënim i përkthyesit.
[5] Transmetojnë Tirmidhiu dhe Nesaiu ndërsa Shejh Albani e ka cilësuar hadithin autentik-sahih.
[6] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Shejh Albani e ka cilësuar si te mire-hasen.