﴿ القرآن الكريم وترجمة معانيه إلى اللغة الألبانية ﴾
[1] Kjo formulë quhet El-Besmele në terminologjinë islame dhe ndodhet në fillim të çdo sureje të Kuranit, përveç sures së nëntë. Ajo është një thirrje që i drejtohet Allahut të Madhëruar, në mënyrë që Ai ta pranojë dhe ta bekojë veprimin që nis me këtë formulë. Besmele-ja përbëhet nga dy pjesë: përmendja e emrit të Allahut (bismil-lâh) dhe përmendja e dy prej cilësive të Tij, me të cilat Ai ka dashur që robërit e Vet ta identifikojnë: Er-Rahmân dhe Er-Rahîm (i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti). Kur shqipton pjesën e parë të formulës, myslimani thotë: “Me emrin e Allahut e nis leximin”. Më pas vazhdon me dy cilësitë: Er-Rahmân dhe Er-Rahîm, të cilët rrjedhin nga e njëjta rrënjë rahima që do të thotë “të mëshirosh”. Në lidhje me dallimin midis këtyre dy emrave të Allahut janë bërë trajtesa të shumta e të gjata, sepse, siç ndodh gjithmonë, para Madhështisë së Allahut dituria dhe njohuria njerëzore kanë gjithnjë diçka për të thënë. Sipas disa komenteve, emri Er-Rahmân do të thotë “i Mëshirshëm dhe Përdëllyes për të gjitha krijesat”, prandaj është përkthyer “I Gjithëmëshirshmi”, kurse emri Er-Rahîm, edhe pse tregon një mëshirë të pakufishme, sipas komentuesve të Kuranit, kjo mëshirë është e veçantë vetëm për besimtarët. Ky emër është përkthyer “Mëshirëploti”.
[2] Vini re kumbimin strikt monoteist të lutjeve islame. Në Islam, jo vetëm që nuk duhet adhuruar asnjë krijesë, por edhe t’i lutesh për ndihmë ndonjë shenjtori, profeti apo çfarëdo krijese tjetër, është rreptësisht e ndaluar. Njeriu duhet t’i lutet për ndihmë vetëm Allahut.
[3] Pas lavdërimit të Allahut, pas njohjes së sundimit të Tij hyjnor mbi gjithësinë dhe mbi Ditën e Gjykimit dhe pas deklarimit të nënshtrimit të tërësishëm ndaj Allahut, që konkretizohet në adhurimin kushtuar Atij dhe në heqjen dorë nga çdo lloj ndihmësi e mbrojtësi tjetër përveç Atij, njeriu i kërkon Zotit të Tij që t’i japë një udhëzim për në rrugën e drejtë, një sistem doktrinar, shpirtëror dhe ligjor që do ta udhëheqë përmes kësaj prove tokësore deri në jetën e përtejme.
[4] Vargu i fundit përmban pohimin se edhe para shpalljes së Kuranit, mëshira e Allahut të Madhëruar vepronte midis njerëzve, duke prodhuar sjellje të ndriçuara nga besimi dhe të udhëhequra nga frika ndaj Zotit. Sipas komentuesit më të njohur të Kuranit, Ibn Abbasit (ﷺ.a.), ata njerëz që Allahu u ka dhuruar mirësi, janë: profetët, besimtarët e sinqertë e të drejtë (siddikûn), martirët për çështjen e besimit (shuhadâ’) dhe besimtarët e mirë e të drejtë (sâlihûn).
[5] Njerëzit e tillë janë ata që e njohin rrugën e drejtë, por që nuk e ndjekin atë.
[6] Njerëzit e tillë janë ata që kanë gabuar rrugë, duke kujtuar se ndjekin rrugën e drejtë.
[7] Elif-i, Lâm-i dhe Mîm-i janë tre shkronja të veçanta të alfabetit arab. Shkronja të tilla të veçanta ndodhen në të njëjtin pozicion në 29 sure të tjera. Në lidhje me kuptimin e tyre, dijetarët komentues të Kuranit, kanë dhënë shumë interpretime, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur një konsensus të tillë të përgjithshëm që të konsiderohet si interpretimi më i besueshëm. Gjithsesi, shumë komentues kanë mendimin se kuptimin e vërtetë të këtyre shkronjave e di vetëm Allahu dhe se ato bëjnë pjesë në ato vargje, për të cilat vargu i shtatë i sures Ali Imran thotë: “Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa vargje të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit. Kurse disa (vargje) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërsa ata që janë thelluar në dijeni, thonë: “Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (vargje të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë!” Nëse secila nga shkronjat e veçanta të përdorura në fillimet e 30 sureve, llogaritet vetëm një herë, atëherë numri i tyre është katërmbëdhjetë, po aq sa gjysma e shkronjave të alfabetit arab.
[8] Pra, nuk ka dyshim se ky Libër – Kurani – është Fjala e Allahut. Kurani ndryshon nga shkrimet e tjera të shenjta, sepse çdo shkronjë dhe çdo fjalë e tij është e Zotit dhe se ai është i ruajtur në pastërtinë e vet origjinale.
[9] Pra, Kurani është libër ndriçues që tregon rrugën e drejtë të besimit dhe të sjelljes dhe jo libër letërsie, historie apo shkencash fizike. Edhe pse ai është shkruar në stilin më të lartë letrar në gjuhën arabe, edhe pse përmban të dhëna të sakta historike apo shkencore, para së gjithash ai është një libër i shenjtë që përmban urdhërime, ligje dhe mësime hyjnore, sipas të cilave njerëzit duhet të formojnë jetën e tyre.
[10] “të devotshmit”: ky është përkthimi i fjalës “muttekûn”, e cila fjalë për fjalë do të thotë: “ata që i ruhen Allahut dhe që kanë frikë prej Atij”. Frika prej Allahut nuk është e tillë që ta tmerrojë besimtarin apo ta terrorizojë atë, por është një frikë e përzier me ndjenjën e dashurisë, adhurimit, respektit dhe dorëzimit para Atij. Myslimani qan nga frika prej Allahut, por më së shumti është ëmbëlsia që ndien nga dashuria për Atë, dhe jo ankthi, ajo që ia shkrin zemrën, ia djeg kraharorin dhe e bën që t’i rrjedhin lotët.
[11] “të fshehtën”: ky është përkthimi i fjalës “gajb” që përfshin gjithçka që është përtej perceptimeve njerëzore dhe e pakapshme nga arsyeja e thjeshtë, si p.sh.: ringjallja, Xheneti (Parajsa), Xhehenemi (Ferri), paracaktimi hyjnor etj. Të gjitha këto gjëra janë përtej mendjes sonë dhe zbulohen vetëm nëpërmjet Shpalljes Hyjnore.
[12] Namazi është shtylla e dytë e Islamit. Ai është një ritual i posaçëm i përbërë nga leximi i pjesëve të caktuara prej Kuranit dhe nga recitime lavdesh e lutjesh për Zotin, të kombinuara me lëvizje të veçanta. Namazi është i detyrueshëm të kryhet nga çdo besimtar pesë herë në ditë në kohë të caktuara.
[13] Vargu bën fjalë për çdo lloj shpenzimi në të mirë të njerëzve, përfshi këtu edhe zeqatin – 1/40 e pasurisë –, që është detyrim financiar për çdo mysliman të pasur.
[14] Për ta përmbledhur, të udhëzuarit në rrugën e drejtë dhe të devotshmit dallohen për: 1) besimin në të padukshmen; 2) faljen e rregullt të namazeve; 3) shpenzimin në të mirë të të tjerëve; 4) besimin në Mesazhin që i është shpallur Profetit Muhamed (a.s.); 5) besimin në të gjithë Librat e mëparshëm Hyjnorë dhe 6) besimin e patundur në jetën e përtejme.
[15] Vargjet 6-20 bëjnë fjalë për një kategori të caktuar njerëzish që hiqen si besimtarë, por që në të vërtetë nuk janë të tillë. Këta njerëz përmenden në Kuran me termin munâfikûn, hipokritë, dhe në zemrat e veta kanë sëmundjen e dyshimit në të vërtetat fetare.
[16] “ndërprejnë atë që ka urdhëruar Allahu për ta mbajtur lidhur” - Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar të mbajmë lidhjet me Të, duke besuar tek Ai dhe duke e adhuruar Atë; të mbajmë lidhjet me Profetin e Tij, duke e besuar atë, duke e dashur dhe duke ndjekur shembullin e tij; pastaj të mbajmë lidhjet me prindërit, të afërmit, shokët dhe njerëzit e tjerë, duke zbatuar detyrimet që kemi kundrejt atyre.
[17] Pra, Libri i shenjtë i hebrenjve, Teurati dhe dituria për të dalluar të mirën nga e keqja.
[18] Ky varg tregon dënimin e hebrenjve në këtë jetë, për të këqijat që kishin bërë, si për shembull konsiderimi i viçit zot dhe kundërshtimi i Profetit Musa (a.s.) nga ana e tyre. Ky varg i dënoi, duke iu thënë “vritni njëri-tjetrin” për të shprehur pendimin për këto gabime. Kjo ngjarje ka qenë kështu: Zoti iu zbriti atyre një mjegull, në të cilën ata ishin të detyruar që të nxirrnin e të vringëllonin shpatat. Pastaj, Ai e ngriti mjegullën dhe u pa se kush ishte vrarë. Me kaq mori fund ky dënim dhe u pranua pendimi i mbarë popullit. Por, kjo nuk do të thotë se njeriu duhet të bëjë vetëvrasje, sepse vetëvrasjen e mallkojnë të gjitha librat fetarë, prej Ademit e këndej (përkthyesi).
[19] Një rrëshirë e ëmbël si mjalti.
[20] Një sekt i përzier judeo-kristian.
[21] Sabati është dita e shtunë, gjatë së cilës Allahu ua ndaloi hebrenjve të peshkonin, si sprovë dhe ndëshkim për gjynahet e tyre.
[22] Sipas komentuesve, një izraelit vrau të birin e xhaxhait, për t’i marrë pasurinë dhe këtë vrasje ia veshi një fisi tjetër. Këto dy fise u çuan për të luftuar njëri tjetrin dhe përbënin një të gjashtën e izraelitëve. Ata iu drejtuan Musait (a.s.) për ta sqaruar këtë çështje. Në fillim, duke u mbështetur në mendimin e vet të natyrshëm, populli nuk e pranoi menjëherë urdhrin e Zotit për të therur një lopë. Pastaj, u detyrua dhe e pranoi atë. Ata e therën lopën dhe e prekën të vrarin me mishin e saj. Ai u ngjall dhe tregoi se kush e kishte vrarë. Nga kjo ngjarje kuptojmë se Zoti është Fuqiplotë, ka fuqi t’i ringjallë të vdekurit; është Mëshirues i Madh dhe dërgon profetë për t’i udhëzuar njerëzit. Po ashtu, historia na tregon se populli izraelit shpesh nuk e dëgjonte profetin e vet, Musain a.s. (përkthyesi).
[23] Në Kuran përmendet shpesh Xheneti (parajsa). Po ashtu, përmendet edhe Xhehenemi (ferri apo skëterra) - me shumë emra. Kjo është kështu sepse njeriu përmendet shumë herë për cilësi të mira dhe, për çdo cilësi të cekur, përmendet edhe dhurata që e meriton - Xheneti. Nga ana tjetër, kur përmenden cilësitë e këqija të njeriut, ceket edhe dënimi për të - Xhehenemi ose dënimi me zjarr (përkthyesi).
[24] Sipas Ibn Abbasit, para ardhjes së Profetit Muhamed (a.s.), hebrenjtë e Medinës i kërkonin Allahut t’u dërgonte një profet në ndihmë kundër fiseve arabe të Medinës Eus dhe Hazraxh. Por, kur Allahu e zgjodhi Profetin nga radhët e arabëve, ata nuk e pranuan atë.
[25] Në këtë varg Zoti na urdhëron të bisedojmë me njerëzit me fjalë të sinqerta, të mira, pa hipokrizi dhe që nuk kanë përmbajtje fyese. Fjala râina, në shembullin e këtushëm, në arabisht do të thotë “na dëgjo” ose “na shiko me respekt”, por në hebraishten-arabe të shekullit të shtatë ishte sharje me kuptimin “O i keqi ynë”.
[26] Ithtarët e Librit janë hebrenjtë dhe të krishterët. Janë quajtur kështu, sepse në themel të fesë së tyre ata kanë nga një libër të shpallur nga Zoti, përkatësisht Teuratin/Torahun dhe Inxhilin/Ungjillin, të cilët besohet se kanë pësuar ndryshime nga njerëzit me kalimin e kohës.
[27] Allahu i Lartmadhëruar u tërheq vëmendjen myslimanëve të jenë vigjilentë në lidhje me armiqësinë që pjesëtarë të traditave të mëparshme fetare do të kenë kundër atyre që do të ndjekin mësimet e Muhamedit (a.s.). Duhet të jetë e qartë se kjo nuk është një armiqësi që vjen thjesht për arsye shpirtërore, por për arsye të pushtetit. Islami, me rreptësinë e tij morale tradicionalisht të konsoliduar, imponohet edhe sot si e vetmja shpresë për çlirimin e njeriut nga të gjitha format e sundimit njerëzor. Kur pranohet të qenit rob i Allahut, atëherë nuk mund të jesh më skllav i njeriut, i ideologjive, i pasurisë, i pasioneve dhe i iluzioneve të tij.
[28] Në këtë varg na urdhërohet t’i marrrim porositë e të veprojmë si urdhërohet. Myslimanët, në fillim faleshin duke u drejtuar nga Jeruzalemi, siç bënin edhe hebrenjtë. Më pas, kur mërguan në Medinë, Zoti i urdhëroi që të faleshin në drejtim të Qabesë (Mekës). Atëherë hebrenjtë u revoltuan dhe e kundërshtuan këtë kthesë. Zoti, u tha: “Lindja dhe Perëndimi janë të Zotit, (po ashtu, e tërë Gjithësia është e Zotit)”. Andaj, duhet për t’u kthyer në lutje nga urdhëron Zoti, pa kurrfarë kundërshtimi. Në këtë mënyrë mund t’i fitojmë dhuratat e Tij (përkthyesi).
[29] Kibla quhet drejtimi nga kthehen myslimanët gjatë faljes së namazit. Ky drejtim ka qenë fillimisht nga Jeruzalemi dhe më pas është ndryshuar drejt Mekës. Për këtë ngjarje flet edhe vargu i mësipërm.
[30] Shprehja “në rrugën e Allahut” (fî sebîlil-lâh) do të thotë: “për çështjen e Allahut”, “në shërbim të Allahut” etj.
[31] Një lloj pelegrinazhi më i vogël se haxhillëku.
[32] Të adhuruarit.
[33] Idhujtarëve të Mekës.
[34] Kisasi në të drejtën juridike islame është ligji i barazisë në ndëshkim.
[35] Muajt, kur mund të shkohet për haxhillëk, janë: Sheval, Dhul-Kade dhe Dhul- Hixhe. Vizita mund të bëhet që në ditën e parë të Shevalit, por duhet pritur dita e tetë e Dhul-Hixhes për të filluar haxhillëkun.
[36] Vera, nënkupton të gjitha pijet dhe lëndët dehëse.
[37] Te Zoti nuk humb asgjë. Edhe pse meshkujt e femrat janë të barabartë, në pikëpamje të fuqisë fizike meshkujt janë më të fortë. Për këtë arsye, Zoti i ka ngritur meshkujt për një shkallë më lartë. Kjo është e njohur, madje, edhe në botën bashkëkohore si p.sh. përmes kohëzgjatjes së stazhit të punës, që duhet të kryejnë meshkujt dhe femrat (përkthyesi).
[38] “Kufijtë e Allahut”: në këtë rast bëhet fjalë për pranimin e ndërsjellë midis të dyja palëve.
[39] Sipas shkollave malikite dhe shafiite, fraza “ata që kanë në dorë lidhjen e martesës” nënkupton kujdestarët e grave, ndërsa sipas shkollës hanefite, kjo frazë nënkupton bashkëshortët e grave. Sipas interpretimit të dytë, vargu do të thoshte: “veç nëse ua falin ato ose burrat heqin dorë nga gjysma e tyre”.
[40] Me këtë varg Zoti na urdhëron të falim namazin, sepse, mosfalja e tij është gjynah i madh. Duhet penduar dhe kërkuar falje shumë herë prej Zotit. Ndër kushtet e fesë islame, i pari është besimi që Zoti është Një dhe se Hazreti Muhamedi (a.s.), është Profeti i Tij. Kushti i dytë, është falja e namazit; kushti i tretë është dhënia e zeqatit (lëmoshës së detyrueshme). Falja e namazit është lutja më e madhe e anës shpirtërore. Zeqati është mirësia më e madhe shoqërore. Ai që e studion domethënien e zeqatit, e kupton hollësisht këtë gjest të madh shoqëror e fetar të pashembullt. Prandaj, zeqati e namazi përmenden krahas në Kuran, në mëse 60 vende. Në shumë pjesë të tjera të Kuranit, ato përmenden veç e veç (përkthyesi).
[41] Sipas komentuesve të Kuranit, vargu bën fjalë për një qytet hebrenjsh, banorët e të cilit u larguan prej tij nga frika e një epidemie. Allahu i Madhëruar i bëri të vdesin, pastaj i ringjalli sërish.
[42] Qetësia e përmendur në këtë varg është përkthim i fjalës arabe “sekîna”. Sipas disa thënieve të Profetit Muhamed (a.s.) të regjistruara në librat e Buhariut dhe të Muslimit, “sekîna” është një prani shpirtërore që zbret së bashku me engjëjt për të sjellë qetësi në shpirtrat e besimtarëve të devotshëm.
[43] Përballë kundërshtimeve që ishin bërë në lidhje me emërimin e tij si mbret, Taluti kishte nevojë të verifikonte shkallën e besnikërisë dhe të bindjes së ushtarëve të tij. Kësisoj, prova e ujit kishte për qëllim të zbulonte pranimin nga ana e bijve të Izraelit, të vullnetit të Allahut, i Cili, përmes Profetit të Vet Samuel, kishte caktuar Talutin si mbretin e tyre.
[44] Termi Kursi fjalë për fjalë përkthehet: stol, karrige, ndenjëse. Kursi-u është një krijesë madhështore e Allahut me formën e treguar nga kuptimi i saj gjuhësor dhe që ndodhet në këmbët e Fronit të Allahut. Ai shtrihet mbi qiejt dhe tokën dhe, sipas transmetimeve autentike nga Profeti Muhamed (a.s.), përmasat e tij janë aq të mëdha, saqë qiejt dhe toka në krahasim me atë ngjajnë si unaza në shkretëtirë.
[45] Vargu, për kohën e shpalljes së tij, i referohej një grupi jo të vogël myslimanësh që kishin ikur nga Meka për të qëndruar me Profetin (a.s.) në Medinë. Ata quheshin as-hâbus-suffa (njerëzit e portikut), sepse banonin në hyrje të Xhamisë së Profetit në kushtet e një varfërie absolute.
[46] Islami synon të parandalojë gjithçka që mund të shkaktojë trazira në gjirin e bashkësisë së myslimanëve. Çështjet që kanë të bëjnë me paranë, janë nga shkaqet kryesore të kontradiktave midis njerëzve, prandaj Allahu i Madhërishëm na urdhëron që t’i rregullojmë ato nëpërmjet dokumenteve të shkruara dhe dëshmitarëve.
[47] Vargu bën fjalë për betejën e Bedrit që shënoi suksesin e parë të rëndësishëm për ushtritë myslimane. Historia na tregon këtë epope të 313 heronjve të besimit që, në këmbë (përveç dy vetëve), u përballën me një ushtri prej një mijë këmbësorësh dhe njëqind kalorësish kurejshë. Allahu bëri që besimtarët të dukeshin më shumë se ç’ishin në sytë e ushtrisë armike. Nën udhëheqjen e Profetit Muhamed (a.s.) dhe të frymëzuar nga shembujt e trimërisë që shpalosën Ali Ibn Ebi Tâlibi, Hamza Ibn Abd-ul Muttalibi dhe Mus‘ab Ibn ‘Umejri, myslimanët i thyen idhujtarët.
[48] Hebrenjtë dhe të krishterët.
[49] Idhujtarëve arabë.
[50] D.m.th. jobesimtarët armiq të Isait a.s.
[51] Profeti Muhamed (a.s.)
[52] Feja islame ka ardhur me të gjitha mirësitë shpirtërore, trupore, jetësore dhe shoqërore. Këto cilësi, nuk janë paraqitur tërësisht në asnjë libër, përveçse në Kuranin Fisnik. Nga këto të mira nuk bën të zmbrapsemi, sepse feja islame nuk e lejon kthimin e njerëzve mbrapa. Ka shumë shembuj që tregojnë se Profeti Muhamed (a.s.) nuk e ka ngarkuar popullin me aq shumë vepra të tepërta, të cilat do të shkaktonin kthimin e tij mbrapa (përkthyesi).
[53] D.m.th. monoteizmin islam.
[54] D.m.th. për në fenë e pastër islame.
[55] Bëhet fjalë për betejën e Uhudit.
[56] Plaçkën e luftës.
[57] Ky varg tregon se pasuria është për t’u shfrytëzuar për jetesë e jo për luks e shpenzime të kota. Pra, ajo nevojitet për ekzistencën jetësore të njerëzve (përkthyesi).
[58] Pra, gruas me të cilën po ndaheni.
[59] Ky varg na këshillon dhe na urdhëron për t’u frenuar nga gjynahet e mëdha. Lidhur me këto çështje, ka shumë studime nga teologët e mëdhenj. Atij që frenohet prej këtyre gjynaheve Zoti i ka premtuar se do t’i falen gjynahet e vogla. Duhet theksuar se një e mirë e thjeshtë ose një e keqe e vogël nuk bën të nënçmohen e të mohohen, sepse atëherë shndërrohen në gjynahe të mëdha (përkthyesi).
[60] Burrat janë dirigjues të grave. Me këtë varg konfirmohet se femrat janë më të dobëta fizikisht, kurse meshkujt janë më të fortë fizikisht; andaj e kanë për detyrë të shpenzojnë për t’i mbajtur ato. Mirëpo, në pikëpamje shpirtërore, në të gjitha cilësitë, femrat janë të barabarta me meshkujt. Megjithatë, në rastet kur të dy prindërit, nëna dhe babai, e thërrasin njëkohësisht fëmijën e vet, - ai, së pari, duhet t’i përgjigjet nënës (përkthyesi).
[61] Deri para disa kohësh, në shumë vende të botës ndalohej shkurorëzimi (i gruas), kurse feja islame e ka lejuar shkurorëzimin (e gruas), qysh para 14 shekujve. Por, kjo vepër është shumë e urryer nga Zoti dhe Ai ka përcaktuar disa norma për ta penguar këtë akt. Këto janë: 1. këshillimi i gruas; 2. të larguarit prej dhomës së saj, për një kohë të shkurtër; 3. qortimi i gruas në mënyrë edukuese; 4. nëse mosmarrëveshja është më e madhe ndërmjet tyre, duhet formuar një këshill të përbashkët pajtimi prej anës së burrit e të gruas, për t’i pajtuar ata; 5. nëse nuk kanë sukses as këto masa, atëherë arsyetohet shkurorëzimi; 6. nëse pajtohen e kurorëzohen përsëri, ndërsa pas pak kohe shkurorëzohen për së dyti, prapë lejohet kurorëzimi. Nëse shkurorëzimi ndodh tri herë, ata nuk mund të kurorëzohen për të katërtën herë, pa u martuar me njerëz prej familjesh të tjera (përkthyesi).
[62] D.m.th. pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale ose pas derdhjes së farës.
[63] Kjo fjalë në arabisht do të thotë “na dëgjo” ose “na shiko me respekt”, por në hebraishten-arabe të shekullit të shtatë ishte sharje me kuptimin “O i keqi ynë”.
[64] Askush nuk është i dëlirë nga vetvetja, por është Allahu Ai që e dëlir atë.
[65] Myslimanët.
[66] Profetin Muhamed (a.s.).
[67] Ky varg na urdhëron që njeriut të merituar i duhet shprehur mirënjohje dhe besim për udhëheqje të suksesshme. Po ashtu, duhet gjykuar me drejtësi midis njerëzve (përkthyesi).
[68] Pra, drejtojuni Kuranit dhe Sunetit (Traditës së regjistruar të Profetit Muhamed a.s.).
[69] D.m.th. hipokritët.
[70] Termi kuranor i përdorur për epitetin “i sinqertë”, është fjala “siddîk”. Ajo nënkupton ata ndjekës të profetëve, të cilët ishin më të parët që u besuan atyre. Kjo është grada më e lartë që një besimtar mund të arrijë.
[71] D.m.th. hipokritët dhe banorët hebrenj të Medinës.
[72] Hipokritëve ose myslimanëve të dobët.
[73] Ky varg na urdhëron që, kur të përshëndet dikush, duhet t’i përgjigjesh me një mënyrë edhe më të mirë ose me të njëjtën mënyrë. Kjo është detyrë e secilit mysliman. Është e nevojshme që ndërmjet besimtarëve e ateistëve të ketë përshëndetje të arsyeshme, në mënyrë që të mos e urrejnë njëri-tjetrin. Jemi të urdhëruar që të bisedojmë me njerëz në mënyrë të sjellshme (përkthyesi).
[74] Ndajfolja “përgjithmonë” është përdorur në mënyrë figurative në këtë kontekst dhe nënkupton një kohë shumë të gjatë, por jo të pafundme. Kjo është bërë për të theksuar rrezikun që paraqet vrasja e qëllimtë e një myslimani, e cila është një nga gjynahet më të mëdha pas idhujtarisë.
[75] Komentuesit klasikë të Kuranit (Tabariu) bëjnë të ditur se ky varg dhe ata të mëpasshëm, deri në vargun 113, kanë lidhje me çështjen e një njeriu që quhej Ibn Ubejrik. Ai akuzohej se kishte vjedhur, por mbrohej nga i Dërguari i Allahut, i cili ishte bindur nga ndërmjetësimi i familjes së të pandehurit, se vjedhjen e kishte bërë një hebre. Shpallja Hyjnore e shfajësoi hebreun, kurse Ibn Ubejriku mohoi besimin dhe u arratis në Mekë, ku vazhdoi jetën e tij si keqbërës, derisa e gurëzuan.
[76] Pra, ata do të të nxirrnin nga udha e drejtë, duke bërë që ti Muhamed të akuzoje padrejtësisht një njeri të pafajshëm.
[77] Paganët e Mekës.
[78] Disa nga shokët e Profetit (a.s.).
[79] D.m.th. vargjet e para të kësaj sureje.
[80] D.m.th. në Kuran.
[81] Disa hebrenj.
[82] Zoti - me fuqinë e Vet të plotë, e ka lindur Isain (a.s.) pa baba. Kështu, Zoti ka fuqi për ta krijuar njeriun, pa baba e pa nënë, siç e ka krijuar Ademin (a.s.), në kundërshtim me natyrën. Po ashtu, në kundërshtim me natyrën, Ai e ka krijuar Is’hakun (a.s.) prej një nëne që nuk ka lindur fëmijë në rini. Ajo ka lindur fëmijë në moshën 90-vjeçare. Edhe Jahjai (a.s.) ka lindur nga një baba plak dhe një nënë plakë. Hebrenjtë, pa kurrfarë logjike e mohojnë këtë dukuri të Isait, kurse rastin e Is’hakut e pranojnë, edhe pse që të dyja rastet janë të një lloji, kundër natyrës (përkthyesi).
[83] Pra, do t’i fusë në Xhenet.
[84] Nuk është poshtërim për femrën që merr për trashëgim një pjesë të pasurisë, kurse mashkulli dy pjesë, sepse pasuria është për ekzistencë. Mashkulli, me këtë trashëgim, duhet të mbajë veten dhe gruan. Ndërkaq, gruaja e ka jetesën të siguruar ose nga ana e burrit, ose nga ana e kujdestarit të saj, ndërsa trashëgimia që merr prej babait, është vetëm për krenari e jo për nevojë. Kështu pra, për mashkullin trashëgimia ka kuptim tjetër (përkthyesi).
[85] Ihrami është gjendje e caktuar e haxhiut, gjatë së cilës ai mban një veshje të posaçme dhe i ndalohen disa gjëra të zakonshme.
[86] Ky varg thekson se të gjitha cilësitë që i nevojiten njeriut, - ato shpirtërore, trupore e shoqërore, janë plotësuar me ardhjen e Kurani Fisnik (përkthyesi).
[87] Ky varg na urdhëron për mirësi në shoqëri. Po të mos zbatohet kjo mirësi, shoqëria do të shkatërrohet plotësisht, kurse po të zbatohet plotësisht ndër njerëz, përparimi dhe mirëqenia e shoqërisë do të arrijë kulmin (përkthyesi).
[88] Kanë harruar atë pjesë të Shpalljes që lajmëronte ardhjen e Profetit Muhamed (a.s.).
[89] Edhe të krishterët e kanë lënë pas dore fajësisht atë pjesë të Shpalljes që i zbriti Isait (a.s.) rreth ardhjes së Profetit Muhamed (a.s.).
[90] D. m. th. hipokritëve.
[91] Këto janë emra që arabët paganë ua ngjisnin deveve apo bagëtive të tjera, që i shenjtëronin apo që i përdornin si flijime për idhujt e tyre në Qabe.
[92] Të krishterët dhe hebrenjtë.
[93] Idhujtarëve të Mekës.
[94] Suri është një bri që do të fryhet nga engjëlli Israfil dy herë: herën e parë për të lajmëruar ardhjen e Kiametit; dhe herën e dytë për të lajmëruar fillimin e ringjalljes.
[95] Sipas disa komentuesve të Kuranit, bëhet fjalë për disa hebrenj që polemizuan me Profetin Muhamed (a.s.).
[96] Paganët arabë.
[97] Llojin mashkull dhe llojin femër.
[98] Pra, thuaju paganëve, o Muhamed!
[99] Hebrenjve dhe të krishterëve.
[100] Paganët arabë.
[101] Banorët e Xhenetit dhe të Xhehenemit.
[102] Adi është një fis i lashtë që ka jetuar pas Nuhut.
[103] Një tjetër fis i lashtë, pasardhës i fisit Ad.
[104] Mekës dhe rrethinave të saj.
[105] Muhamedin (a.s.).
[106] Shih shënimin në vargun 57 të sures së dytë.
[107] Feja hebraike e ndalon në mënyrë absolute punën në ditën e shtunë, qoftë edhe për të siguruar ushqim. Në qytetin në fjalë, që, sipas disa komentuesve, është qyteti i Eilatit në Gjirin e Akabasë, ndodhte që peshqit i afroheshin bregdetit me shumicë ditën e shtunë, kurse ditëve të tjera qëndronin larg dhe në thellësitë e detit, duke e bërë të vështirë punën e peshkatarëve. Kjo ishte një provë nga Allahu, për të verifikuar bindjen ndaj urdhrave të Tij. Shih vargun 65 të sures së dytë dhe shënimin përkatës.
[108] Pra, shkelësit e Sabatit u thanë atyre që i këshillonin të hiqnin dorë nga shkelja e Sabatit.
[109] Vargu aludon për ryshfetet që merrnin gjykatësit e Ligjit Judaik.
[110] Tabelat e Teuratit.
[111] Sipas shumë komentuesve të Kuranit, vargu aludon për një dijetar hebre bashkëkohës të Musait (a.s.), që quhej Bal‘am Ibn Bâ‘ûra. Zoti i kishte mësuar atij emrin e Vet më të madh, nëpërmjet të cilit atij i plotësohej çdo lutje. Një herë, Musai e dërgoi Bal‘amin tek mbreti i Medjenit, për ta ftuar në besimin tek Allahu. Mbreti nuk e pranoi këtë ftesë, por e joshi Bal‘amin me pasuri dhe e ktheu në fenë vet. Kështu, ai hoqi dorë nga feja e Musait dhe u bë pagan.
[112] Jobesimtarëve të Mekës.
[113] Muhamedi (a.s.).
[114] Djajtë.
[115] Jobesimtarëve të Mekës.
[116] Vargu bën fjalë për betejën e Bedrit (2 H / 624). Pasi kishin mërguar në Medinë për shkak të persekutimit që pësuan në Mekë, myslimanët kishin krijuar atje një bashkësi të re besimtarësh. Në vitin e dytë të këtij mërgimi, Profeti Muhamed (a.s.) vendosi të sulmonte një karvan tregtar të Mekës që po kthehej nga Siria, në mënyrë që të kompensonte pasuritë që paria e Mekës ua kishte konfiskuar myslimanëve mekas që kishin mërguar në Medinë. Për këtë arsye, ai përgatiti një ushtri të vogël prej 300 vetësh. Ndërkohë, karvanit i erdhi lajmi për sulmin që e priste, prandaj ndërroi rrugë, ndërsa nga Meka u nis një ushtri prej një mijë vetësh e pajisur mirë ushtarakisht në mbrojtje të karvanit. Atëherë, myslimanët ishin në mëdyshje, a të ndiqnin karvanin apo të prisnin ushtrinë mekase? Në këtë varg, Allahu bën të ditur se Ai e nxori Profetin (a.s.) nga shtëpia e tij, për të luftuar për të Vërtetën, pra, për çështjen e Allahut dhe jo për të sulmuar karvanin edhe pse kjo gjë mund të mos u pëlqente disa besimtarëve. Ata parapëlqenin të luftonin kundër një karvani me pak luftëtarë, se sa të luftonin kundër një ushtrie të pajisur më mirë dhe trefish më të madhe në numër. Megjithatë, me ndihmën e Allahut të Madhëruar, i cili dërgoi në përkrahje të ushtrisë myslimane një ushtri me engjëj, myslimanët korrën një fitore të shkëlqyer ndaj ushtrisë pagane, duke shfaqur shembuj të lartë heroizmi në këtë betejë.
[117] D.m.th. drejt besimit.
[118] Pasuesit e Muhamedit (a.s.).
[119] Pra, të mbroni njëri-tjetrin kundër jobesimtarëve.
[120] Shih shënimin në vargun 248 të sures 2.
[121] Frika se vendimi për të mos i lejuar më jomyslimanët të hyjnë në Mekë mund të shkaktonte rënie të tregtisë, i shqetësonte jo pak mekasit. Prandaj, Allahu i Lartmadhëruar i siguron besimtarët se do t’i pasurojë me begatitë e Veta.
[122] “Xhizje” quhet taksa vjetore, nëpërmjet së cilës hebrenjtë dhe të krishterët shprehin njohjen e tyre për shtetin islam. Pagimi i kësaj takse u jepte atyre statusin e “dhimmi-t” - të mbrojturit, përmes të cilit fitonin të drejtën të jetonin në paqe dhe siguri në shtetin islam dhe të ushtronin pa pengesë fenë e tyre. Sigurisht që kjo taksë nuk ishte diskriminuese, sepse hebrenjtë dhe të krishterët ishin të përjashtuar nga dhënia e zekatit, që, për shkak të veçorive të tij, ishte detyrim vetëm për besimtarët. Në kohën e Profetit Muhamed (a.s.), sasia e xhizjes ishte dhjetë derhemë (rreth 30 gr argjend) për çdo mashkull të rritur, që në kohën tonë është e barasvlefshme me shpenzimet ushqimore të dhjetë ditëve. Gjithsesi, gratë, fëmijët, skllevërit dhe të varfrit ishin të përjashtuar nga kjo taksë.
[123] D. m. th. për ta lartësuar me anë të suksesit të qëndrueshëm dhe argumentit të qartë. Vini re se feja islame është e tillë që i lë pas të gjitha fetë e tjera dhe se nuk ka një lidhje të domosdoshme ndërmjet epërsisë fetare të Islamit dhe supremacisë politike të shteteve myslimane.
[124] Ky varg është themelor për sa i përket përkufizimit islam të ndarjes së kohës. Kalendari hënor përmban 354 ditë, 11 më pak se ai diellor (12 kur viti është i brishtë). Për këtë arsye, astronomët e periudhës paraislame shtonin një muaj në çdo tre vjet, duke rivënë harmoninë midis kalendarit hënor dhe atij diellor. Përveç arsyeve astronomike, ky muaj shtesë shërbente për t’u ndërfutur edhe midis muajve të shenjtë – gjatë të cilëve nuk lejohej lufta – me qëllim që plaçkitësit të kishin pretekst për të sulmuar karvanet e haxhilerëve, duke pretenduar se ishin në kohën që lejohej lufta. Një aspekt tjetër i kësaj reforme të kalendarit, është muaji i agjërimit, ramazani, i cili çdo vit fillon 11-12 ditë më herët se vitin paraardhës, duke bërë që në 33 vjet, ai të bëjë një xhiro të plotë të kalendarit diellor. Me vendosjen e këtij ligji që ka vlerë të përgjithshme, Allahu i Madhëruar, me dijen e Tij, ka zhdukur çdo mundësi pabarazie në trajtim midis myslimanëve që jetojnë në pjesë të ndryshme të botës. Nëse muaji i agjërimit do të ecte sipas kalendarit diellor, disa besimtarë do të agjëronin gjithnjë në periudha të nxehta me ditë të gjata, kurse disa të tjerë do të agjëronin në ditë të freskëta e të shkurtra, pra, me më pak angazhim dhe meritë.
[125] “por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh...”: Ky varg është shumë i rëndësishëm për të kuptuar drejt realitetin në Xhenet. Përtej përshkrimeve të kënaqësive ndjesore, theksohet vlera më e madhe për ata që do të hyjnë në Xhenet: kënaqësia dhe miratimi i Zotit të tyre, Allahut të Lartmadhëruar, vlera më e madhe për besimtarët.
[126] Muhaxhirët janë myslimanët e Mekës që emigruan nga Meka në Medinë gjatë viteve të para të Islamit, për shkak të persekutimit që pësuan nga banorët e Mekës.
[127] Ensarët janë myslimanët e Medinës që strehuan dhe ndihmuan Profetin Muhamed (a.s.) dhe muhaxhirët e tjerë myslimanë që erdhën nga Meka.
[128] D. m. th. në këtë botë e në varr.
[129] Bëhet fjalë për fushatën e Tebukut, e cila ka ndodhur në vitin 9 H / 631 e.s.
[130] Bëhet fjalë për tre nga shokët e Profetit Muhamed (a.s.) që u tërhoqën dhe nuk morën pjesë bashkë me të në fushatën e Tebukut.
[131] “A po ju sheh ndokush?”: Mosbesimtarët mohojnë praninë e Allahut, duke mohuar kështu faktin që një sure mund të flasë për ata apo mund të kritikojë sjelljet e tyre.
[132] Sipas dijetarëve komentues të Kuranit, brezat e parë të njerëzimit kanë qenë të gjithë myslimanë, pra, monoteistë. Më pas filluan të shfaqen idhujtaria dhe rrymat e ndryshme fetare.
[133] Pra, sikur Allahu të mos e kishte caktuar shtyrjen e gjykimit deri në Ditën e Kiametit, njerëzit do të gjykoheshin që në këtë botë për mospajtimet në lidhje me fenë e drejtë.
[134] Pra, Kuranin.
[135] “A është e vërtetë ajo” - pra, a është e vërtetë ringjallja dhe dhënia e llogarisë.
[136] Lajmi i mirë që i pret në këtë jetë, sipas një thënieje të Profetit (a.s.), është ëndrra e mirë e vërtetë. Ndërsa lajmi i mirë që i pret në jetën tjetër, është Xheneti.
[137] Të krishterët dhe paganët.
[138] D.m.th. Faraoni dhe njerëzit e tij.
[139] Sipas interpretimit klasik, “dituria” është Kurani. Profecia që i zbriti Muhamedit (a.s.), i përçau izraelitët. Një pjesë e njohu atë si Profetin e lajmëruar në Shkrimet e Shenjta dhe e ndoqi. Ndërsa një pjesë tjetër, edhe duke e njohur si Profetin e paralajmëruar, e refuzoi dhe e luftoi atë. Një interpretim tjetër thekson se vargu i referohet mospajtimeve të shumta dogmatike që ekzistonin ndërmjet hebrenjve, kështu që në këtë rast, “dituria” do të ishte Teurati.
[140] D.m.th. zemërimin dhe dënimin e Tij.
[141] Pra, mbi ata që nuk mendojnë rreth këshillave dhe urdhrave të Tij.
[142] D.m.th. Profeti Muhamed (a.s.).
[143] D.m.th. Kuranin.
[144] Prova ështa natyra monoteiste në të cilën është krijuar çdo njeri.
[145] D.m.th. Profeti Muhamed (a.s.).
[146] D.m.th. Kuranin.
[147] “Kjo është deveja e Allahut”: Sipas disa komentuesve të Kuranit, kjo deve doli nga shkëmbi. Ajo ishte një kafshë e mrekullueshme, që Allahu ua paraqiti themudasve si provë për Profecinë e Salihut. Në mënyrë që edhe kafsha të pinte, u vendos që burimi i vetëm i ujit për atë popull, të shfrytëzohej me radhë: një herë deveja, një herë njerëzit. Kjo nxiti mërinë e jobesimtarëve, të cilët vendosën ta vrisnin atë.
[148] Vargu “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur”, mund të përkthehet edhe “Ne të tregojmë ty (Muhamed) në mënyrën më të bukur”.
[149] “Vriteni ...”: Vëllezërit e Jusufit flasin midis tyre, por, për t’i qëndruar besnik stilit kuranor, ligjërata është përkthyer në vetën e dytë të numrit shumës. Kjo formë është përdorur shpesh në Kuran dhe mund të japë përshtypjen se personi që flet është një i huaj, jashtë grupit të cilit i drejtohet fjala. Ndërkohë, ne do të thoshim “Ta vrasim Jusufin ose ta braktisim...”.
[150] D.m.th. familjes së Azizit.
[151] Ministri.
[152] Disa komentues të Kuranit (midis të cilëve edhe Tabariu), thonë se ky pohim i referohet një ngjarjeje, kur Jusufi ishte i vogël. Atë kohë ai i kishte vjedhur gjyshit nga nëna, që ishte pagan, një statujë të vogël idhulli dhe ia kishte thyer.
[153] Pra, nuk mund ta dinim faktin se Beniamini do të vidhte.
[154] Profetit Muhamed (a.s.).
[155] D.m.th. besimi apo mosbesimi i idhujtarëve.
[156] Çlirimi i Mekës.
[157] D.m.th. po ua zvogëlojmë idhujtarëve të Mekës territorin ku shtrihet pushteti i tyre.
[158] D.m.th. ditët e begative dhe të vështirësive që u ka dhuruar Allahu.
[159] Mekën.
[160] Ky varg na tregon se Zoti është mbrojtës i Kuranit Fisnik deri në Ditën e Kiametit. Ne e shohim se si ka vazhduar dhe po vazhdon porosia e Profetit a.s., kur ka thënë: “Unë ju kam lënë juve Kuranin dhe fjalët (hadithet) e mia. Mbështetuni në to, se kurrë nuk do të humbni.” Edhe në këtë kohë, kur dijetarët e njohur myslimanë të botës, i pyesin për një çështje, ata duhet të përmendin një varg kuranor ose një hadith, në bazë të të cilëve jepet përgjigjja. Anasjelltas, nëse përgjigjen pa përmendur një varg kuranor ose hadith, fjalët e tyre nuk e kanë vlerën e duhur. Dijetarët e botës islame kanë për detyrë t’i studiojnë vargjet e Kuranit dhe hadithet, në mënyrë që të mos imitojnë dhe kopjojnë askënd, sepse imitimi dhe kopjimi urrehen në Fenë Islame (përkthyesi).
[161] Muhamedin (a.s.)
[162] Allahu e ruan qiellin me yje, që djajtë të mos dëgjojnë lajmet që përcjellin engjëjt për çfarë do të ndodhë në Tokë.
[163] “t’i fryj prej shpirtit Tim”: pra, prej shpirtit të krijuar nga Allahu posaçërisht për njeriun. Shpirti i njeriut është krijesë e Allahut dhe jo pjesë e Qenies së Tij Hyjnore.
[164] Sipas komentuesve të Kuranit, kjo ditë mund të jetë dita kur i fryhet Surit për herë të parë, për të lajmëruar shkatërrimin e të gjithë krijesave ose një ditë tjetër të cilën e di vetëm Allahu.
[165] Banorët e Sodomës, qytetit të Lutit, pësuan një sërë dënimesh, deri në shkatërrimin e plotë. Dënimi i parë ishte britma e shurdhuese e engjëllit Xhebrail, në të lindur të diellit.
[166] Paganëve të Mekës.
[167] Pra, Ditës së Kiametit.
[168] Paganët e Mekës thoshin se Allahu ka vajza, ndërsa për vete nuk i dëshironin vajzat.
[169] Paganët e Mekës.
[170] Muhamedin (a.s.).
[171] Sipas komentuesve të Kuranit, ky varg bën fjalë për një skllav të krishterë që jetonte në Mekë e të cilit Profeti Muhamed (a.s.) i fliste herë pas here. Për këtë arsye, paganët e Mekës thoshin se ishte ky skllav që ia mësonte Muhamedit (a.s.) Kuranin. Mirëpo ai ishte i huaj dhe nuk dinte mirë arabisht, prandaj nuk kishte mundësi që t’i mësonte Profetit (a.s.) Kuranin, që është në gjuhë arabe të kulluar.
[172] Tradita islame tregon se, në lashtësi, dita e vërtetë e kremtes fetare ka qenë dita e premte. Pikërisht në këtë ditë, Allahu i Madhërishëm pranoi pendimin e Ademit. “Shabati”, dita e pushimit absolut për hebrenjtë, u caktua nga Allahu në një mënyrë të tillë të ashpër, si ndëshkim për Bijtë e Izraelit, sepse kishin kundërshti në lidhje me të premten. Të krishterët kremtuan të dielën, si gjoja dita e ringjalljes së Isait, birit të Merjemes. Ndërsa Islami e riktheu kremten e ditës së premte, por me dimensionin shpirtëror të namazit të përbashkët të xhumasë. Ndërkaq, veprimtaritë e tjera të ligjshme në këtë ditë, janë të lejuara.
[173] Vargu bën fjalë për udhëtimin e mrekullueshëm që pati Profeti Muhamed (a.s.) i shoqëruar nga engjëlli Xhebrail (a.s.) brenda një nate prej Mekës në Jeruzalem (e prej këtej deri në Fronin e Allahut të Madhëruar, ku u takua me Zotin).
[174] Vargjet 56-57 aludojnë për engjëjt, profetët ose shenjtorët që politeistët i hyjnizojnë, duke menduar se ata mund të jenë ndërmjetës për të fituar mëshirën e Allahut.
[175] Fjalët e fundit të këtij vargu duket se thonë që pas Kuranit, shenjat e vetme që Allahu do të dërgojë, do të jenë kataklizmat dhe fatkeqësitë për të frikësuar njerëzit.
[176] Fjalë për fjalë: “Me të vërtetë, Zoti yt i ka përfshirë të gjithë njerëzit.”
[177] Bëhet fjalë për vizionet që pati Profeti Muhamed (a.s.) gjatë udhëtimit për të cilin bën fjalë vargu i parë i kësaj sureje. Rrëfimi për këtë udhëtim shkaktoi shumë të qeshura te mosbesimtarët mekas. Po ashtu, mosbesimtarët mekas qeshnin edhe me pemën e mallkuar të zekkum-it, që Allahu e përmend shpesh në Kuran, si pemë, frutat e neveritshme të së cilës do të jenë ushqim për të dënuarit në zjarrin e Xhehenemit. Mekasit thoshin se si kishte mundësi, që në mes të një zjarri, që shkrin gurët dhe metalet, të rritet një pemë dhe me fodullëk e mohonin Fjalën dhe fuqinë e pakufishme të Allahut për të bërë gjithçka.
[178] Vargjet 73-74 bëjnë fjalë për një propozim që idhujtarët mekas i bënë Profetit Muhamed (a.s.): ata do ta respektonin Zotin për të Cilin ai fliste, nëse ai do të respektonte disa nga zotat e tyre. I shtyrë nga përkushtimi i tij, sepse vuante kur dëgjonte idhujtarët të shanin Allahun, Muhamedi (a.s.) për pak sa s’e mori në konsideratë këtë propozim. Mirëpo Allahu i Madhëruar ndërhyri me Shpalljen e Tij dhe e forcoi Profetin (a.s.).
[179] Mosbesimtarët mekas.
[180] Banorët e Shpellës ishin disa të rinj monoteistë, të arratisur nga qyteti i tyre, për t’i shpëtuar persekutimit të një tirani pagan, që donte t’i detyronte të hiqnin dorë nga besimi i tyre. Për të ruajtur pastërtinë e këtij besimi, ata u strehuan në një shpellë jashtë qytetit dhe iu dorëzuan mëshirës hyjnore. Allahu i Madhëruar i bëri të flenë për treqind vjet dhe i zgjoi, kur gjendja në qytet kishte ndryshuar: banorët e tij ishin bërë monoteistë dhe qyteti qeverisej nga një mbret i urtë e i devotshëm. Ringjalljen e tyre Allahu e bëri mrekulli për banorët e qytetit (dhe për tërë njerëzimin) që vërtetonte ringjalljen e plotë, ngaqë ata ishin ndarë në dy grupe: njëri grup thoshte se ishte veç shpirti ai që ringjallej, kurse grupi tjetër thoshte se ringjallej edhe trupi.
[181] Rakim mund të jetë emri i një lumi që kalonte pranë Shpellës ose një tabelë në hyrje të Shpellës me emrat e banorëve të saj, ose emri i qenit të tyre.
[182] Në vargun 16, ligjërimi është në vetën e dytë shumës, por këto janë fjalët që të rinjtë i drejtonin njëri-tjetrit. Kjo është një nga strukturat sintaksore të arabishtes.
[183] Pra, Allahu e kishte bërë diellin të lëvizte në mënyrë të atillë, që rrezet e tij, të mos hynin në shpellë, për të mos e nxehur shumë atë.
[184] Të rinjtë flasin me ndërmjet tyre. Shih shënimin për vargun 16 në lidhje me përdorimin e vetës së dytë të numrit shumës në gjuhën arabe.
[185] Vargu bën fjalë për qytetet e shkatërruara të fiseve Ad e Themud, të popullit të Lutit etj., që u shkatërruan për shkak të ligësisë dhe shthurjes së banorëve të tyre.
[186] Sipas transmetimeve të vërteta nga Profeti Muhamed (a.s.), njeriu për të cilin bën fjalë ky varg, quhej Hidër.
[187] Dita e Kiametit.
[188] Zekerija kishte frikë se, pas vdekjes së tij, adhurimi i Allahut nuk do të kryhej në mënyrën e duhur. Ai nuk kishte një bir që ta trashëgonte funksionin e tij prej kujdestari të Tempullit të Sulejmanit, prandaj iu lut Allahut që t’i dhuronte një trashëgimtar të ndriçuar nga ana e Tij.
[189] D.m.th. engjëllin Xhebrail. Allahu e ka quajtur atë “Shpirtin Tonë” për ta nderuar dhe për ta ngritur lart, jo se Xhebraili është pjesë e Qenies Hyjnore. Ai është një prej shpirtrave më të nderuar që ka krijuar Allahu.
[190] D.m.th. “O grua e virtytshme”. Meqenëse Haruni është një profet i nderuar, i përmendur në Kuran dhe, meqenëse Merjemja rridhte nga fisi i tij, ajo thirret në këtë kontekst me shprehjen “o motra e Harunit”. Në arabisht dhe, në përgjithësi, në gjuhët semitike (hebraisht, aramaisht etj.), shprehje të tilla idiomatike si: “o babai i ...”, “o biri i ...”, “o vëllai i ...” etj., nuk presupozojnë një lidhje të drejtpërdrejtë gjaku, por përdoren për të treguar një përkatësi fisnore ose një përkatësi fisnike.
[191] Vargu i referohet përçarjeve ekzistuese ndërmjet të krishterëve në kohën e shpalljes së Kuranit.
[192] Zotat e rremë.
[193] Idhujtarëve.
[194] “ndoshta kujtohet”: pra, ndoshta i kujtohet monoteizmi që kishte predikuar Jusufi (a.s.) në Egjipt, shumë kohë para Muasit (a.s.).
[195] Sipas transmetimeve, bëhet fjalë për një festë të përvitshme të lumit Nil.
[196] Komentuesit e Kuranit kanë mendime të ndryshme rreth personit të Samiri ut. Emri i tij duket se tregon origjinë gjeografike. Sipas Ibn Abbasit, Samiriu ishte nga një popull që ushtronte kultin e adhurimit të lopës. Ky fakt dhe emri i tij përkojnë me krahinën e Samarisë, në Palestinën Qendrore, ku, në vijim, jetuan njerëz që kishin një kult të përzier judeo-asirian, duke adhuruar Jehovain (emri që hebrenjtë i japin Zotit), të përfaqësuar në një viç.
[197] Shumica e komentuesve të Kuranit, bazuar në një transmetim nga Ali Ibn Ebi Talibi (ﷺ.a.), thonë se Samiriu kishte parë Xhebrailin (a.s.) mbi një kalë teksa zbriti për të marrë Musain dhe u ngjit në qiell bashkë me të. Kështu, Samiriu mori një grusht dhé nga gjurma e kalit të Xhebrailit dhe ia hodhi viçit prej floriri, i cili mori jetë.
[198] Musai e mallkoi Samiriun që të mos e prekte askush dhe që të përfundonte në Xhehenem. Thuhet se më pas Samiriut i ra një sëmundje e rëndë në lëkurë dhe nuk mund të duronte as prekjen më të vogël.
[199] Engjëllit Israfil që i fryn bririt të ringjalljes.
[200] Zoti ka urdhëruar kërkimin dhe përvetësimin e diturisë, sepse dituria është një det i pafund. Ai na ka këshilluar për ta marrë diturinë në baza të shëndosha dhe na ka dërguar profetë, për të na dhënë dituri të saktë e të qartë. Po ashtu, Ai na ka këshilluar që të mos flasim pa argumente dhe pa baza të shëndosha. Andaj, dituria me hamendje nuk mund të pranohet (përkthyesi).
[201] Ky varg thekson pesë namazet e përditshme: namazi i sabahut para lindjes së diellit, namazi i drekës në mesditë, namazi i ikindisë gjatë orëve të pasdites (para perëndimit të diellit), namazi i akshamit pas perëndimit të diellit dhe namazi i jacisë në orët e natës.
[202] Pra, idhujtarët e Mekës.
[203] Shpalljet hyjnore që përcillte Profeti Muhamed (a.s.).
[204] Profeti Muhamed (a.s.).
[205] Teuratin, që dallon të mirën nga e keqja.
[206] Merjemen.
[207] Isain (a.s.).
[208] D.m.th. të përulur para Zotit.
[209] Vonesa e dënimit.
[210] Allahu i Madhërishëm ironizon të gjithë armiqtë e Profetit të Tij, duke iu thënë se Ai do ta ndihmojë gjithnjë Muhamedin (a.s.). Prandaj, kush ka inat, le të vdesë nga marazi, sepse nuk mund të bëjë asgjë kundër Profetit (a.s.).
[211] Adhuruesit e zjarrit.
[212] Siç janë lavdërimet për Allahun, lutjet etj.
[213] Qabesë.
[214] Profeti a.s. ka ardhur me këshilla të mira e me butësi. Ai jetoi 13 vjet midis një populli pagan dhe i duroi të gjitha të këqijat që bëri ai popull ndaj tij. Më pas Ai u largua nga vatra dhe atdheut i vet e u vendos në Medinë, 500 kilometra larg Mekës. Profeti kërkonte prej popullit mirësi, sjellje të mira dhe barazi. Pasi nuk pati sukses në këtë drejtim, pas 13 vjetësh iu dha leja për të luftuar kundër keqbërësve, duke mbrojtur veten, por jo duke e tepruar. Shih surja 2, vargu 190. Po ashtu, Muhamedi ka kërkuar që, nëse ata dëshirojnë armëpushim e marrëveshje, të ndërpritet lufta. Të gjitha këto janë sipas parimeve të Islamit. Shih surja 8, vargu 61 (përkthyesi).
[215] “Dita Shterpë” është Dita e Fundit. Është quajtur kështu, sepse pas saj nuk ka më ditë tjetër.
[216] Në Leuhi Mahfudh - Librin e Ruajtur, ku është shënuar gjithçka, që nga fillimi i krijimit e deri në Ditën e Kiametit.
[217] D.m.th. pemën e ullirit.
[218] Musain dhe Harunin.
[219] Mosbesimtarëve të Mekës.
[220] Pra, përse magjepseni nga besimet tuaja të kota, deri në atë pikë, sa të mos i nënshtroheni Atij, që ka në dorë gjithçka?!
[221] Kjo është një logjikë shumë e pastër për të argumentuar njëshmërinë e Allahut. Në fakt, vetëm ky njësim bën që Allahu i Lartmadhëruar të mos përfshihet në zënkat “hyjnore” të përshtatshme për mitologjitë politeiste.
[222] Jeta e varrit.
[223] Vargu bën fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në kohën e Profetit Muhamed (a.s.), në të cilën disa njerëz shpifën për gruan e Profetit (a.s.), Aishen (ﷺ.a.).
[224] Vargu bën fjalë për Ebu Bekrin (ﷺ.a.), i cili vendosi që të mos e ndihmonte më një të afërmin e tij të varfër, për shkak se ky i fundit mori pjesë në shpifjen që u bë kundër Aishes, vajzë e Ebu Bekrit dhe njëkohësisht grua e Profetit (a.s.).
[225] D.m.th. pjesët e trupit.
[226] Ruajtja e nderit nuk nënkuptohet vetëm si një largim nga marrëdhëniet e jashtëligjshme, por edhe si një qëndrim i përgjithshëm i mendjes dhe i ndjenjave, duke qenë kështu një karakteristikë themelore e sjelljes së myslimanit, qoftë ai mashkull apo femër.
[227] Profeti Muhamed (a.s.).
[228] Sipas interpretimit klasik, ky varg është një profeci për udhëheqjen e katër kalifëve: Ebu Bekrit, Omarit, Othmanit dhe Aliut, në kohën e të cilëve, kalifati islam pati një zgjerim të jashtëzakonshëm territorial. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, zgjerimi i Islamit nuk është ngadalësuar. Ai vazhdon të jetë feja e vetme në rritje midis feve të mëdha, si nga pikëpamja demografike, ashtu edhe nga pikëpamja e konvertimeve.
[229] Ky varg aludon për një zakon supersticioz që tentonte t’i përjashtonte sakatët dhe të sëmurët nga gostitë e përbashkëta.
[230] Përshëndetja për të cilën bën fjalë vargu, është “es-selâmu alejkum ue rahmetull llâhi ue berekâtuh” “paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin me ju”.
[231] Pra, Kuranin, që dallon të vërtetën nga e pavërteta.
[232] Pra, Profetit Muhamed (a.s.).
[233] Idhujtarët.
[234] Muhamedi (a.s.).
[235] “ata që i adhuronin”: Sipas Tabariut, nuk bëhet fjalë për idhujt në përgjithësi, por për krijesa që janë adhuruar si zota, pa dëshirën e tyre, si p.sh. engjëjt, që arabët paganë i quanin si “bijat e Allahut”, Uzejri, që u quajt si “bir i Zotit” nga hebrenjtë, Isai (a.s.), që u quajt si “bir i Zotit” nga të krishterët, etj.
[236] Karvanet tregtare të idhujtarëve të Mekës.
[237] Vendbanimit të popullit të Lutit që ndodhet rrugës nga Gadishulli Arabik për në Siri, pranë Detit të Vdekur.
[238] “përveçse me të drejtë”: d. m. th. për mbrojtje të ligjshme, gjatë luftës për çështjen e Allahut dhe duke zbatuar dënimet e parashikuara nga legjislacioni islam.
[239] Kafsha e dheut, një kafshë që do të dalë në fundin e kohës, para Kiametit, me pamje të tmerrshme, me unazën (vulën) e Sulejmanit dhe shkopin e Musait e që do të bëjë një shenjë në fytyrën e besimtarëve dhe një tjetër, të ndryshme, në fytyrën e jobesimtarëve.
[240] Hamani ishte kryeministri i Faraonit.
[241] Pra, fundin e pushtetit të tyre.
[242] Karuni ka qenë anëtar i fisit të Musait a.s. (ashtu si ai, ishte prej fisit të Levit). Ishte një burrë me bukuri dhe forcë të madhe. Teuratin e njihte thellësisht dhe ishte shumë i pasur. Të gjitha këto cilësi e kishin bërë mendjemadh. Për ta ndëshkuar për mendjemadhësinë e tij, Allahu i Madhëruar e bëri që ta gllabëronte toka.
[243] Sipas një interpretimi (të Tabariut), adhurimi i idhujve nuk është gjë tjetër, veçse një shenjë e lidhjes me jetën tokësore. Por vargu mund të kuptohet edhe si një qortim për ata që, për hir të konformizmit, ndjekin tradita të gabuara edhe pse të konsoliduara.
[244] D. m. th. lajmin për lindjen e Is’hakut.
[245] Bëhet fjalë për qytetin e Sodomës, që ndodhej në Palestinë, në jug të Detit të Vdekur.
[246] Banorët e Sodomës u shkatërruan nga një ciklon, fisi Themud u godit nga një zë i tmerrshëm, Karuni u gëlltit nga toka, ndërsa populli i Nuhut dhe njerëzit e Faraonit u mbytën në ujë.
[247] D. m. th. Kuranit.
[248] Profeti Muhamed (a.s.) nuk ka ditur të shkruajë apo të lexojë dhe fakti që ai nuk i njihte Shkrimet e shenjta, ishte pjesë e planit të Allahut për t’iu hequr denigruesve të tij një argument të lehtë për të kundërshtuar natyrën hyjnore të Kuranit. Megjithatë, edhe sot pjesa më e painformuar dhe dashakeqe e orientalistëve perëndimorë pohon se Muhamedi (a.s.) nuk ka bërë gje tjetër, veçse ia ka adoptuar kulturës arabe Revelatat hyjnore të mëparshme. Ky është mjerimi i paditurisë dhe i mosbesimit.
[249] Bëhet fjalë për politeistët, të cilët e kanë njohur pothuajse gjithmonë një Qenie Supreme, një Zot Suprem që ishte Krijuesi dhe Rregulluesi i gjithësisë. Banorët e Mekës, në mënyrë të veçantë, e kishin të qartë konceptin e Allahut (i lartmadhëruar qoftë Ai), por për shkak të paditurisë, interesave të ngushta dhe poshtërsisë morale, atyre iu dukej me leverdi që të adhuronin një mori zotash të tjerë.
[250] Pasi kanë shpëtuar nga rreziku i mbytjes, njohja e njëshmërisë së Allahut dhe bindja ndaj rrjedhojave të kësaj njohjeje u kushtojnë shtrenjtë mosbesimtarëve, sepse i pengojnë të lëshohen në kënaqësitë e pasioneve.
[251] D.m.th. idhujtarët e Mekës.
[252] Profeti Muhamed (a.s.).
[253] Pra, mos dysho o Muhamed në takimin me Musain gjatë udhëtimit në qiell Natës e Isrâ-s dhe të Mi‘râxh-it.
[254] Vargu aludon për shprehjen “Më je bërë si shpina e nënës sime”, të cilën arabët paganë e përdornin si deklaratë divorci.
[255] Për sa i përket trashëgimisë dhe të drejtave të tjera që rrjedhin nga afërsia e gjakut.
[256] D.m.th. ndjekësit e Profetit (a.s.) nga Meka në Medinë.
[257] Bëhet fjalë për betejën e Hendekut, të zhvilluar në vitin 5 h / 627 e.s..
[258] Emri i Medinës para emigrimit të Profetit Muhamed (a.s.) në të.
[259] Ata ishin hebrenjtë e fisit Beni Kurejdha.
[260] Bëhet fjalë për oazin e Hajberit.
[261] Zoti i këshillon femrat, duke marrë shembull, së pari, gratë e Profetit a.s., e mandej edhe të gjitha gratë e besimtarëve. Ai i urdhëroi ato që të mos e kundërshtonin Profetin a.s. në asnjë mënyrë. Kështu, ato gra të Profetit që bënin vepra të mira, shpërbleheshin dyfish. Gratë e Profetit, meqë kishin mësuar në shtëpinë e tij, kanë pasur për detyrë që t’i këshillonin gratë e popullit. Nga këto kuptojmë se njerëzit e mëdhenj të fesë, kur bëjnë një punë të mirë, shpërblehen dyfish. Nga ana tjetër, për një punë të keqe - dënohen dyfish. Pra, burrat e gratë që janë shembull në popull, në pikëpamje të fesë, për ata shpërblimi, si dhe dënimi është i dyfishtë. Kurse, të gjithë të tjerët - burra e gra, - janë në pozitë të barabartë (përkthyesi).
[262] D.m.th në periudhën para-islame.
[263] D.m.th. gjynahet.
[264] D.m.th. Zejd bin Harithit, djalit të birësuar të Profetit (a.s.).
[265] D.m.th. urdhrin që mori nga Zoti për t’u martuar me gruan e Zejdit, pasi ky ta ndante atë, në mënyrë që myslimanët ta dinë se është e lejuar martesa me gruan e divorcuar të bijve të adoptuar.
[266] Profeti (a.s.) nuk ka lënë asnjë trashëgimtar mashkull.
[267] Profeti Muhamed a.s., kishte themeluar një institucion teologjik të femrave (një lloj fakulteti i asaj kohe), por atë e kufizoi vetëm për gratë e veta. Atij i erdhi një leje prej Zotit, që, nëse dëshironte të zgjeronte këtë veprimtari, mund të merrte edhe një grua tjetër. Por kjo leje ishte vetëm për të. Kjo kishte rëndësi të madhe për përhapjen e diturisë te femrat (përkthyesi).
[268] D.m.th. gratë e Profetit (a.s.).
[269] Pra, përgjegjësinë e lirisë së zgjedhjes midis kryerjes apo moskryerjes së detyrimeve, që ka urdhëruar Allahu, përkundrejt shpërblimit ose ndëshkimit nga Ai.
[270] D.m.th. Muhamedin (a.s.).
[271] D.m.th xhindeve.
[272] Krimbi brejti shkopin ku Sulejmani mbështetej i vdekur.
[273] E djathta paraqet në kulturën dhe në gjuhën arabe (dhe jo vetëm në të) anën e arsyes dhe të së mirës, kështu që shprehja “na vinit nga e djathta” do të thotë: “Ju na paraqiteshit me argumente që në pamje të parë ishin të paqortueshme, për të na nxjerrë nga rruga e drejtë”.
[274] Ibrahimi tha kështu që të mos merrte pjesë së bashku me banorët e tjerë në një festë pagane që zhvillohej jashtë qytetit.
[275] Një idhull i njohur ndër popujt e lashtë të Lindjes së Mesme.
[276] Sipas komentuesve të Kuranit (konkretisht Ibn Kethirit), për shkak të ngarkesës së madhe, anija ishte gati të mbytej, prandaj detarët ranë dakord ta bëjnë me short se kush do të hidhej nga anija, në mënyrë që pesha e saj të lehtësohej e të shpëtonin nga mbytja.
[277] Sipas disa komentuesve të Kuranit, këto janë fjalët e engjëllit Xhebrail.
[278] Pra, nuk do të pushojë derisa të shuhet gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu.
[279] Sipas komentuesve të Kuranit, gjatë kohës që ishte sëmurë, Ejubi (a.s.) u inatos me të shoqen për disa çështje dhe u betua që, nëse do ta shëronte Allahu, ai do ta godiste gruan njëqind herë me thupër. Pasi u shërua, Allahu e urdhëroi Ejubin ta përmbushte betimin, por duke e qëlluar gruan lehtë një herë të vetme me një tufë prej njëqind thuprash.
[280] Në fillim do të hidhen në Xhehenem prijësit e jobesimtarëve. Më pas, do të hidhen turmat që shkuan pas tyre në mosbesim dhe prijësve do t’u thuhet: “Ky është grumbull bashkë me ju”.
[281] Dy prej deveve, dy prej lopëve, dy prej dhenve dhe dy prej dhive.
[282] Pra, thuaji këtij lloj njeriu.
[283] D.m.th. idhujtarëve të Mekës.
[284] D.m.th. paganëve të Mekës.
[285] Paganët e Mekës.
[286] D.m.th. fiseve Ad dhe Themud.
[287] D.m.th. atyre që janë pajisur me moralin e mirë në jetën e kësaj bote dhe që do të fitojnë lumturinë e Xhenetit në botën tjetër.
[288] Engjëjt.
[289] Kuranin.
[290] Profeti Muhamed (a.s.).
[291] Hebrenjtë dhe të krishterët.
[292] Fisi Kurejsh në Mekë.
[293] D.m.th lundërtarët.
[294] Arabët paganë besonin se engjëjt ishin vajzat e Allahut.
[295] Pra, kur merr lajmin për lindjen e një vajze.
[296] D.m.th. idhujt, engjëjt etj.
[297] Fisin Kurejsh, pasardhës të Ibrahimit nga biri i tij, Ismaili.
[298] Mekës dhe Taifit.
[299] Pra, sikur të mos ishte besimi i gabuar i shumë njerëzve se, pasuria që Zoti i jep dikujt, është provë e dashurisë së Tij për këtë njeri, qoftë ky edhe jobesimtar, Allahu do t’u jepte jobesimtarëve edhe më shumë begati (Ibn Kethir).
[300] D.m.th. në Ditën e Kiametit.
[301] “keni qenë myslimanë” - pra, të bindur ndaj Allahut.
[302] Një nga engjëjt mbikëqyrës të Xhehenemit.
[303] D.m.th të krishterëve.
[304] Siç janë Isai, engjëjt ose ndonjë profet tjetër, të cilët u adhuruan pa dëshirën e tyre.
[305] Paganët e Mekës.
[306] Në Natën e Kadrit.
[307] Hebrenjtë që jetonin të skllavëruar në Egjipt.
[308] Faraoni me ushtrinë e tij.
[309] D.m.th. shpërblimin e Allahut.
[310] D.m.th. në Xhenet.
[311] Ai është Abdullah bin Selam, një ish-rabin hebre që pranoi Islamin në Medinë.
[312] Banorët e Mekës.
[313] Adhuruesit e tyre.
[314] Jobesimtarët e Mekës.
[315] Pra, çështjen e Tij.
[316] D.m.th. hipokritët.
[317] Pra, hipokritët që kanë sëmundjen e dyshimit dhe të dyfytyrësisë.
[318] Bëhet fjalë për Traktatin e Paqes së Hudejbijes, të lidhur midis Profetit Muhamed (a.s.) dhe udhëheqësve të Mekës në vitin 6 h / 628 e.s.. Sipas komentuesve të Kuranit, marrëveshja e armëpushimit hoqi barrierat midis idhujtarëve të Mekës dhe myslimanëve të Medinës dhe kontaktet paqësore ndërmjet tyre bënë që të përhapej me shpejtësi besimi islam ndër fiset arabe. Prandaj kjo marrëveshje u quajt “fitore e qartë”.
[319] Shih shënimin në vargun 248 të sures 2.
[320] Pra, që nuk morën pjesë në luftë përkrah jush. Disa fise nga arabët e shkretëtirës kishin lidhur një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjellë me Profetin (a.s.), Por, nga frika, nuk e respektuan atë, kur besimtarët do të ndesheshin me kurejshët.
[321] Arabët e shkretëtirës.
[322] Shih shënimin në vargun 248 të sures 2.
[323] Fitoren e betejës së Hajberit në vitin 7 h / 629.
[324] D. m. th. në parimin “S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut”.
[325] Fara simbolizon fenë islame, rritja e së cilës në fuqi dhe në numër, sigurisht që i mrekullon shikuesit. Ndërsa mbjellësit simbolizojnë Profetin Muhamed (a.s.) dhe shokët e tij, që bënë përpjekjet më të mëdha për rritjen dhe përhapjen e kësaj feje.
[326] Në fenë islame konsiderohet mysliman ai njeri i cili i beson Allahut (xh.sh.) dhe Profetit Muhamed (a.s.). Në Kuran, kudo që përmendet populli besimtar, prej kohës së Profetit a.s. e këndej, konsiderohet popull mysliman, meqë fjala mysliman është përcaktuar për besimtarët e Profetit Muhamed a.s. (përkthyesi).
[327] Jobesimtarët.
[328] Engjëllit Israfil që i fryn Surit fillimisht për të lajmëruar ardhjen e Ditës së Kiametit dhe, më pas ringjalljen.
[329] Siç është p.sh. drita dhe errësira, subjekti dhe objekti, e thata dhe e njoma, aktivja dhe pasivja, mashkulli dhe femra, e gjalla dhe e pajeta. Gjithashtu, ky varg mund të aludojë fare mirë edhe për vlerën universale të ligjit të gjinive.
[330] Të gjithë profetëve, popujt e vet u kanë thënë se janë të çmendur. Kështu i kanë thënë edhe Profetit Muhamed a.s.. Por, pas pak kohe, kanë kuptuar që ajo shpifje ishte gjynah shpirtëror dhe rebelizëm në shoqëri. Prandaj, ajo shpifje ka pasur jetë të shkurtër tek të gjithë arabët dhe intelektualët e botës (përkthyesi).
[331] Faltorja dhe simetrikja qiellore e Qabesë që vizitohet nga engjëjt çdo kohë e çdo çast.
[332] Banorët e Xhenetit.
[333] Paganët e Mekës.
[334] Profeti Muhamed (a.s.).
[335] Kuranin.
[336] Paganët e Mekës.
[337] D.m.th. mbikqyrjen dhe kujdesin Tonë.
[338] Pra, Muhamedi (a.s.) e ka parë Xhebrailin në formën e tij të plotë te Sidretul Munteha, e cila është një pemë e madhe në të majtë të Fronit Hyjnor, mbi qiellin e shtatë. Atë e mbulojnë engjëj dhe mrekulli të ndryshme të Zotit. Aty ndodhet edhe Xheneti i Strehimit, ku strehohen shpirtrat e dëshmorëve dhe të besimtarëve të devotshëm.
[339] Këto janë emrat e disa idhujve, që arabët paganë i konsideronin si bijat e Allahut.
[340] Siriusi është yll i cili adhurohej nga arabët paganë.
[341] Kjo është një shenjë e afrimit të Orës së Kiametit. Vargu aludon për një mrekulli të famshme të Profetit Muhamed (a.s.), të regjistruar në shumë transmetime autentike të shokëve të tij. Ajo erdhi pas një këmbënguljeje të vazhdueshme të paganëve të Mekës, që Profeti t’u tregonte një shenjë mrekullie në ditët e hershme të misionit të tij.
[342] Pra, engjëlli Israfil që i fryn bririt të ringjalljes dhe i fton njerëzit të japin llogari.
[343] Pra, nën mbikqyrjen dhe kujdesin Tonë.
[344] Përmbytjen e popullit të Nuhut.
[345] Shih vargun 64 të sures 11 dhe shënimin përkatës.
[346] Pra, Allahu i Madhëruar e ka krijuar gjithçka, sipas paracaktimit të Tij, të shënuar në Librin e Ruajtur Hyjnor (Leuhi Mahfûdh).
[347] Fjala këtu i drejtohet njerëzve dhe xhindeve. Ky varg përsëritet 31 herë në këtë sure.
[348] Sipas disa komentuesve të Kuranit, bëhet fjalë për pikat e lindjes dhe të perëndimit të diellit në verë dhe në dimër.
[349] Ujin e kripur dhe ujin e ëmbël.
[350] Sepse atë ditë besimtarët dhe keqbërësit do të njihen nga shenjat e tyre.
[351] Besimtarët e devotshëm që do të hyjnë në këto kopshte.
[352] Banorëve e dy kopshteve më të ulëta.
[353] Këta janë njerëzit që do t’u jepet libri i veprave nga ana e djathtë.
[354] Këta janë njerëzit që do t’u jepet libri i veprave nga ana e majtë ose nga pas shpine.
[355] Veçanërisht idhujtari.
[356] Ajo është Haula bint Tha‘laba, të cilën burri e ndau me fjalët “Më je bërë si shpina e nënës sime”, një formulë kjo që pranohej si deklaratë ndarjeje ndër arabët paganë.
[357] Vargu aludon për dëbimin e fisit hebre Beni Nadir nga rrethinat e Medinës. Shkak për këtë ishte shkelja që këta i bënë marrëveshjes që kishin me muslimanët e Medinës për mossulmim.
[358] Ata që u shpërngulën nga Meka në Medinë për hir të fesë.
[359] Pra, para mbërritjes së mërgimtarëve në Medinë.
[360] Plaçkën e luftës që iu nda mërgimtarëve të varfër.
[361] Hebrenjtë e fisit Beni Nadir.
[362] Hebrenjtë e fisit të mundur Beni Kajnuka.
[363] Pra, grave besimtare që emigruan nga Meka në Medinë.
[364] Lidhur me atësinë e fëmijës.
[365] Një emër tjetër i Profetit Muhamed (a.s.), që do të thotë “I lavdëruari”.
[366] Kuranin.
[367] Sunetin dhe rregullat fetare.
[368] “trungje të mbështetura”: në kuptimin që ata janë të fortë vetëm në dukje dhe që në fjalimet e tyre nuk ka aspak zgjuarsi.
[369] Sipas komentuesve të Kuranit, vargu i referohet fjalëve të kreut të hipokritëve në Medinë, Abdullah Ibn Ubej, gjatë një ekspedite të myslimanëve, ku ai kishte marrë pjesë sa për sy e faqe. Ibn Ubej nuk e kishte kuptuar ende se lidhjet fisnore ishin zëvendësuar nga vëllazëria e re midis besimtarëve dhe se tashmë pushteti i tij ishte venitur, prandaj e mbante veten si “më i fuqishmi” dhe e tallte Muhamedin (a.s.), duke e konsideruar si “më të dobëtin”.
[370] Gratë, fëmijët dhe gjërat e bukura të jetës tokësore mund ta shkëpusin njeriun, në mënyrë serioze dhe të vazhdueshme, nga përmendja e Allahut. Sipas komentuesve të Kuranit, ky varg merr shkas nga disa mekas që nuk mërguan në Medinë me Profetin Muhamed (a.s.), për shkak të presionit të disa familjarëve të tyre jobesimtarë. Njëkohësisht, vargu merr shkas edhe nga disa medinas që, nga frika se mos i linin vetëm gruan dhe fëmijët, nuk merrnin pjesë asnjëherë në fushatat ushtarake. Kur ata e kuptuan këtë dobësi të vetën, deshën t’i ndëshkonin familjarët e tyre, sepse i kishin penguar nga rruga e Allahut, por ky varg kuranor i këshilloi ata të ishin të butë dhe të harronin të keqen që kishin pësuar.
[371] Koha e pritjes - el ‘iddah - është periudha që duhet të presë një grua e ndarë apo e ve, për të pasur të drejtën për t’u rimartuar.
[372] Vargu bën fjalë për dy nga gratë e Profetit Muhamed (a.s.), Hafsanë dhe Aishen, të përfshira në ngjarjen e përhapjes së sekretit të Profetit (a.s.).
[373] “nga shpirti Ynë”: pra, nga shpirti që është krijesa Jonë (e Allahut).
[374] Jobesimtarët e Mekës që e quanin të marrë Profetin Muhamed (a.s.).
[375] Dita e Kiametit.
[376] Kiametin.
[377] Sodomës dhe Gomorrës.
[378] D.m.th. Nuhun - babanë e dytë të njerëzimit dhe besimtarët që ishin me të.
[379] Pra, kur të shohin se çfarë shpërblimi kanë humbur që nuk e kanë ndjekur atë.
[380] Ebu Xhehli ose Nadir Ibn el-Harithi. Ata i kishin kërkuar më se një herë Profetit (a.s.), një dënim të shpejtë dhe u vranë në betejën e Bedrit, që zhvilluan kundër myslimanëve. Përtej këtij referimi historik, vargu paralajmëron këdo që tallet dhe sfidon Fuqinë Hyjnore. Disa dijetarë me autoritet kanë thënë se vargu mund të ketë këtë kuptim: “Dikush pyeti për dënimin që do të vijë”.
[381] “Rrugët e Ngjitjes” janë rrugët engjëllore që ngjiten drejt Allahut.
[382] Në fillimet e Shpalljes Hyjnore, Profeti (a.s.) ishte shumë i shqetësuar se nuk do të mbante dot mend atë që i përcillte Xhebraili (a.s.). Për këtë arsye, ai nxitonte të recitonte menjëherë pas tij pjesët e shpallura, duke humbur përqendrimin për pjesët që do t’i shpalleshin akoma.
[383] Fjalë për fjalë: “Kur këmba të bashkohet me këmbën”, d.m.th. ashpërsia e çastit të vdekjes me ashpërsinë e asaj që vjen më pas.
[384] Në mitrën e nënës ose në kohën kur Ademit i ishte dhënë forma, por s’i ishte fryrë shpirti.
[385] Një burim në Xhenet.
[386] Pra, falu për aksham dhe jaci.
[387] Pra, fal namazin e natës (tehexh-xhud).
[388] Komentuesit e Kuranit nuk kanë rënë dakord se kujt i referohet përemri “ato” në vargjet 1-6. Shumica e tyre thonë se bëhet fjalë për erërat. Disa thonë se janë engjëjt dhe të tjerë thonë se bëhet fjalë për vargjet e Kuranit. Të gjitha këto interpretime janë të besueshme dhe nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Kështu, vargjet 1-3 u referohen erërave, vargu 4 u referohet vargjeve kuranore, që ndajnë të vërtetën nga e pavërteta, kurse vargjet 5-6, engjëjve.
[389] D. m. th. shpirtrat e jobesimtarëve.
[390] D. m. th. shpirtrat e besimtarëve.
[391] D. m. th. të fusin në Xhenet shpirtrat e mirë.
[392] D. m. th. zbatojnë urdhrat e Allahut në univers.
[393] Muhamedi (a.s.).
[394] Në Leuhi Mahfûdh.
[395] D. m. th. regjistrat e veprave të njerëzve.
[396] Prej Xhebrailit (a.s.).
[397] Muhamedi (a.s.).
[398] Pra, Profeti (a.s.) e ka parë Xhebrailin (a.s.) në formën e tij fillestare në fillimet e Shpalljes Hyjnore.
[399] Ditën e Kiametit.
[400] “njerëzit e Hendekut”: vargu bën fjalë për një ngjarje që ka për protagonist një mbret çifut të Nexhranit, në veri të Jemenit, të quajtur Dhu Nuvas. Ai i përndoqi të krishterët e asaj krahine dhe martirizoi një numër të madh prej tyre, duke i hedhur në një hendek të mbushur me zjarr. Sipas disa transmetimeve, aty u dogjën njëzetetre mijë të krishterë. Historia tregon se ky krim nuk mbeti pa u ndëshkuar, sepse një ushtri prej shtatëdhjetë mijë vetësh u dërgua kundër Dhu Nuvasit nga Negusi i Etiopisë. Ushtria e Dhu Nuvasit u shpartallua, ai vrau veten dhe njerëzit e tij u skllavëruan. Për të marrë hakun e të krishterëve të vrarë, kaloi nën tehun e shpatës një e treta e burrave të Nexhranit dhe një e gjashta e grave u skllavërua.
[401] Pra, kthehet pareshtur me shi në ciklin e tij avullim-ré-kondensim.
[402] Pra, plasaritet për të mbirë bimët.
[403] Pra, Kurani është ndarës i së vërtetës nga e pavërteta.
[404] Mekën.
[405] Pra, “ti je i lirë t’i luftosh armiqtë e tu” ose “je i lirë nga gjynahet”. Sipas një interpretimi tjetër: “ti je banor i këtij qyteti”.
[406] Pra, të luftojë për të shpëtuar shpirtin.
[407] Rrugën e së mirës dhe rrugën e së keqes.
[408] D.m.th. njerëzve të fisit.
[409] Pra, pa u penduar aspak për këtë.
[410] Kjo sure i është shpallur Muhamedit (a.s.) pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje të Shpalljes Hyjnore, gjatë së cilës Profetit (a.s.) i është dashur të durojë shpotitë e jobesimtarëve dhe talljet e armiqve të tij më të këqij. Gruaja e xhaxhait të tij, Ebu Lehebit, e tallte, duke i thënë: “Zotëria yt të ka braktisur”.
[411] Dhuntitë më të mëdha që Allahu i Madhëruar i ka falur Muhamedit (a.s.), janë Kurani dhe Profecia. Kjo tregon qartë se çfarë dhuntish duhej të shpallte Profeti (a.s.).
[412] Sipas Tabariut, vargu do të thotë: “A nuk të kemi dëlirur nga çdo gjynah?!”
[413] Është e sigurt se asnjë njeri në botë nuk ka bërë më shumë emër sesa Profeti Muhamed (a.s.). Mëse një miliardë myslimanë përmendin emrin e tij përditë, duke u lutur për të në namazet e tyre. Nga mijëra e mijëra minare, myezinët thërrasin emrin e tij pesë herë në ditë. Arritjet e misionit të tij shpirtëror, moral, juridik e politik janë tërësisht të gjalla dhe aktive edhe katërmbëdhjetë shekuj pas ndarjes së tij nga kjo botë dhe do të zgjasin, në dashtë Allahu, deri në Ditën e fundit të jetës tokësore dhe, në vazhdim, në jetën e amshuar.
[414] Sipas disa dijetarëve, në tre vargjet e para, Allahu i Madhëruar është betuar për tre vende, prej të cilave ka nisur tre nga të dërguarit më të mëdhenj: Isanë (a.s.), Musanë (a.s.) dhe Muhamedin (a.s.). Kështu, fiku dhe ulliri simbolizojnë Jeruzalemin, qytetin e Isait (a.s.), sepse ai është vendi i fiqve dhe i ullinjve. Mali i Sinait është vendi, ku Allahu ka folur me Musain (a.s.), ndërsa Qyteti i sigurt është Meka, qyteti i Muhamedit (a.s.), sepse kështu është cilësuar ky vend në Kuran, në suren 2, vargu 126.
[415] Vargjet aludojnë për një nga prijësit e Mekës, Ebu Xhehlin, i cili ishte armiku kryesor i Profetit Muhamed (a.s.) në fillimet e Islamit. Ai e kishte kërcënuar Profetin (a.s.), që të mos falej më në Qabe.
[416] Pra, le të thërrasë në ndihmë prijësit e tjerë të Mekës, që ishin përkrahësit e tij.
[417] “Nata e Kadrit” do të thotë “Nata e Caktimit”. Në këtë natë, Allahu i Madhëruar ka filluar t’i shpallë Kuranin Muhamedit (a.s.). Ajo është një nga netët teke të 10-ditëshit të fundit të muajit Ramazan. Gjatë saj, engjëjt zbresin me të gjitha vendimet hyjnore për çfarë do të ndodhë në Tokë brenda një viti.
[418] Pra, kur të nxjerrë kufomat e të vdekurve që janë varrosur në të.
[419] Ashtu si të gjitha krijesat, edhe Toka do të dëshmojë për veprat e njerëzve.
[420] Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë se dy vargjet përmbyllëse të kësaj sureje janë më frikësueset e të gjithë Kuranit.
[421] Pra, nxjerrin xixa, duke goditur gurët me patkojtë e tyre të hekurt.
[422] Pra, kur Allahu i Lartmadhëruar të ringjallë të vdekurit.
[423] “Gjëmimi i tmerrshëm”: është një nga emrat e Ditës së Kiametit.
[424] “Ai do të ketë si strehim Humnerën”: fjalë për fjalë: “Ai do të ketë për nënë Humnerën”. Në gjuhën arabe, fjalët umm dhe ebu (nënë dhe baba) përdoren edhe për të treguar origjinën e diçkaje dhe përkatësinë e tij absolute. Në këtë rast, fjala umm – nënë shpreh konceptin se njerëzit e mallkuar do të kenë për strehë Hâuija-n – Humnerën e Xhehenemit.
[425] Pra, rivaliteti për shtuar pasurinë, famën, pushtetin etj.
[426] Allahu i Madhëruar është betuar për kohën, sepse ajo është një nga krijesat më madhështore të Allahut dhe për shkak të rëndësisë që paraqet ajo në jetën e njeriut.
[427] Sa më shumë që koha kalon, aq më tepër njeriu i afrohet humbjes, nëse nuk plotëson katër kushte që kanë të bëjnë me përsosjen e tij personale dhe përsosjen e të tjerëve: besimi tek Allahu dhe te gjithçka që ai ka urdhëruar të besohet; kryerja e veprave të mira, qofshin këto vepra fizike apo shpirtërore; këshillimi i të tjerëve me këtë të vërtetë dhe këshillimi i tyre që të durojnë në përpjekjen e tyre për t’iu përmbajtur urdhërave të Allahut dhe për të duruar sprovat e dhembshme dhe të vështira që mund të ketë paracaktuar Ai.
[428] Kuptimi i saktë i këtij vargu nuk është i qartë as për komentuesit më autoritarë. Mund të bëhet fjalë për shtyllat e Xhehenemit, në të cilat do të prangosen njerëzit e këqij.
[429] Në vitin 570 (ose 571), Ebreha, guvernatori abisinas i Jemenit, u betua se do të shkatërronte Qabenë, të cilën e quante një tempull pagan, në mënyrë që të vendoste dominimin e krishterë në të gjithë Gadishullin Arabik. Ai mblodhi një ushtri të fuqishme, në krye të së cilës marshonte një elefant i madh dhe u drejtua për nga Meka. Kur ushtria iu afrua Mekës, elefanti u ul dhe nuk pranonte të ecte në atë drejtim. Kur i ndërronin drejtim, ai ecte. Kjo ishte shenjë që ushtria e Ebrehesë të mos e sulmonte Mekën, por Ebreheja s’ia vuri veshin asaj. Prandaj, Allahu i Madhëruar i goditi ashpërsisht njerëzit e elefantit nëpërmjet tufash të panumërta me zogj, që lëshonin një lloj guri të fortë e vdekjeprurës. Morali ishte i qartë për fisin Kurejsh: Allahu i Madhëruar e kishte mbrojtur Faltoren e Tij, ashtu edhe ata vetë, prandaj duhej të ishin mirënjohës për këtë.
[430] Sipas disa komentuesve, përmbajtja e kësaj sureje është e lidhur ngushtë me suren e mëparshme, duke lënë të nënkuptohet se shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri për të mbrojtur kurejshët.
[431] Struktura ekonomike mbi të cilën ishte ngritur mirëqenia e kurejshëve të Mekës, bazohej në dy situata tregtare: njëra ishte pelegrinazhi i përvitshëm, që sillte në Mekë të gjithë arabët e Gadishullit Arabik, kurse tjetra ishte udhëtimi i dy karvaneve vjetore, njëri drejt Jemenit gjatë dimrit dhe tjetri drejt Shamit (sot Siria, Palestina, Libani dhe Jordania) gjatë verës. Pozicioni qendror i Mekës ndërmjet Mesdheut dhe Oqeanit Indian dhe aftësitë e jashtëzakonshme të tregtarëve kurejshë, bënë që këto dy karvane të ktheheshin në pikëmbështetjen e të gjithë aktivitetit ekonomik të qytetit.
[432] Sipas komentuesve të Kuranit, vargjet 4-5 bëjnë fjalë ose për hipokritët, të cilët falen vetëm kur janë me të tjerët dhe jo kur janë vetëm, ose për ata besimtarë që nuk falen rregullisht, por që e falin namazin jashtë kohës së tij apo e falin përgjithësisht në fund të kohës së tij, duke mos i kryer si duhet rregullat e tij dhe pa qenë të përqëndruar në të. Gjithsesi, kërcënimi i përfshin të gjitha këto kategori, por, atij që bën vetëm një pjesë prej këtyre veprave, i takon vetëm një pjesë prej kërcënimit, ndërsa atij që i bën të gjitha këto, i takon i plotë kërcënimi.
[433] “shumë të mira”: në tekstin origjinal thuhet “el Keuther”. Kjo fjalë, sipas disa transmetimeve, tregon një lumë në Xhenet, të cilin Allahu i Madhëruar ia ka premtuar si dhuratë Profetit Muhamed (a.s.), për ta kompensuar dhe ngushëlluar për gjithçka që ka hequr për çështjen e Tij. Komentet tradicionale thonë se ajo tregon pozitën e Profetit (a.s.) në Xhenet, ku do të vendoset në vendin më të lartë (el uesila) dhe do të kënaqet me mirësitë e dritës hyjnore.
[434] Ky varg është shumë i rëndësishëm për sa i përket praktikës së ritualeve në ditën e Kurban Bajramit, e cila festohet në ditën e dhjetë të haxhillëkut dhe kujton provën, në të cilën Allahu i Madhërishëm vuri Ibrahimin (a.s.). Vargu përshkruan radhën e kryerjes së riteve: në fillim falet namazi i Bajramit, pastaj theret kurbani.
[435] “fatprerë”: në tekstin origjinal thuhet “ebter”, që do të thotë “pa bisht”. Kjo shprehje ishte epitet ironik që arabët ia vinin dikujt që nuk kishte djem. Sipas disa transmetimeve, biri i Profetit Muhamed (a.s.), Kasimi, vdiq në një moshë fare të njomë dhe, për këtë, një nga armiqtë e Profetit (a.s.) e quajti atë fatprerë, duke aluduar se edhe feja që ai predikonte, do të ishte e tillë.
[436] Vargu flet për ata mosbesimtarë, që Allahu e di se nuk do të besojnë asnjëherë.
[437] Kjo ishte surja e fundit që iu dha Profetit (a.s.), duke mbyllur kështu një cikël shpalljesh që zgjaste prej njëzetë e tre vjetësh. Ajo ishte shpallja e fitores së përgjithshme të Islamit mbi mosbesimin dhe e kthimit masiv në Islam të të gjithë Arabisë. Kur Muhamedi (a.s.) mori këtë shpallje, e kuptoi se Zoti i tij i Madhëruar po e paralajmëronte për ndarjen e afërt nga kjo botë dhe për këtë lajmëroi të afërmit e tij më të ngushtë. Gjatë gjithë kohës që parapriu vdekjen e tij tokësore, Profeti (a.s.) thoshte vazhdimisht në namazet e tij: “Subhânek ell-llâhumme rabbena ue bihamdik. All-llahumme gfir li” (I Lartësuar qofsh, o Zoti im, dhe i Falënderuar. O Zot, më fal!).
[438] Ebu Leheb (Babai i flakës) ishte nofka e Abdul ‘Uzza-s, birit të Abdul Muttalibit, pra, xhaxhait të Profetit (a.s.). Kur u bë kryetar i fisit të Hashimive, pas vdekjes së Ebu Talibit, ai refuzoi ta vazhdonte mbrojtjen fisnore për Muhamedin (a.s.) dhe e la atë të ekspozuar ndaj armiqësisë së idhujtarëve.
[439] Ebu Lehebi tallej me Profetin (a.s.), duke thënë: “Nëse është e vërtetë ajo që thotë nipi im, unë kam mjaft pasuri dhe djem, sa për të paguar shpërblesën time”.
[440] Ajo quhej Umm Xhumejl bint Harb dhe kishte një rol kryesor në armiqësinë që burri i saj ushqente ndaj nipi të tij, Profetit (a.s.). Ajo ishte motra e Ebu Sufjanit, që në atë kohë do të udhëhiqte luftën e idhujtarëve kundër myslimanëve. Me mllefin e saj, ajo hidhte përreth shtëpisë së Muhamedit (a.s.) ferra dhe gjemba, me shpresën që ai të lëndohej gjatë kthimit në shtëpi natën.
[441] Ky është përkthimi i emrit të Allahut “Es-Samed”, që ndër të tjera ka edhe kuptimet, “Ai që ka njëshmërinë absolute” “I Përjetshmi” dhe “I Papërshkueshmi”, pra, Ai që nuk ka brendësi.
[442] Vargu bën fjalë për një formë magjie të zezë, që praktikohej shumë në Arabinë paraislamike.
[443] Syri i keq që vjen si pasojë e smirës, është, sigurisht, një nga format me ndikim më të fortë negativ që mund të gjenden. Nuk mund të mohohet se, ky është një instrument të cilin e përdor shejtani për të realizuar ndikime të ndryshme dhe të rënda te njerëzit: tek ata që e pësojnë, pa i kuptuar dhe pa i njohur shkaqet e “shqetësimit” të tyre; tek ata që përpiqen ta shërojnë “syrin” me praktika të tjera magjike dhe tek ata që e shkaktojnë, duke u bërë kështu bashkëpunëtorë objektivë ose subjektivë të intrigave djallëzore kundër njerëzimit. Për t’u ruajtur nga shejtani, shërben lutja “E‘ûdhu bil-lâhi min-esh shejtân-irr raxhîm” (Strehohem tek Allahu kundër shejtanit të mallkuar), por është mirë të kujtohet edhe vargu 99 i sures 16 “në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre”.
[444] Sipas disa transmetimeve nga Ibn Abbasi dhe Aishja, një magjistar hebre me emrin Lebid që jetonte në Medinë, ishte ngarkuar t’i bënte Profetit Muhamed (a.s.) një magji vdekjeprurëse. Magjistari arriti të siguronte disa fije nga flokët e Profetit (a.s.) dhe me to bëri njëmbëdhjetë nyje. Bijat e tij frynin në secilën prej këtyre nyjeve, duke thënë mallkime të frikshme. Pastaj, magjinë e mbështollën, duke i shtuar një filiz palme hurmash dhe e hodhën në një pus. Profeti (a.s.) filloi të ndiente shqetësime të çuditshme si: humbje të kujtesës, dobësi, humbje të oreksit etj. dhe gjendja e tij po përkeqësohej, derisa Allahu i Madhëruar ia zbuloi në ëndërr shkakun e shqetësimeve të tij dhe vendin, ku ishte fshehur magjia. Kur Profeti (a.s.) u zgjua, atij i erdhi Xhebraili (a.s.) dhe i dha dy sure, njëra me pesë vargje dhe tjetra me gjashtë. Profeti (a.s.) dërgoi Aliun te pusi me detyrën për të lexuar këto dy sure. Ndërsa ai lexonte suret, nyjet zgjidheshin njëra pas tjetrës dhe Muhamedi (a.s.) rifitonte forcat dhe kthjelltësinë e humbur. Dy suret në fjalë janë ato me të cilat mbyllet Kurani i Madhërishëm. Këto sure kanë një rëndësi të madhe rituale dhe myslimanët i recitojnë ato shpesh për t’u ruajtur nga çdo e keqe, fizike apo shpirtërore qoftë.