71 - Suretu Nuh ()

|

(1) Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe i thamë: “Paralajmëroje popullin tënd para se t’i vijë një dënim i dhembshëm!”

(2) Ai tha: “O populli im! Në të vërtetë, unë jam për ju një paralajmërues i qartë:

(3) që të adhuroni Allahun, t’i frikësoheni Atij e të më bindeni mua,

(4) me qëllim që Ai të falë disa nga gjynahet tuaja dhe t’ju lërë (të jetoni) deri në një afat të caktuar. Dhe, kur t’ju vijë çasti i caktuar i Allahut, askush nuk do të mund ta shtyjë atë, veç sikur ta dinit”!

(5) Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë,

(6) por thirrja ime edhe më tepër i largoi (nga e vërteta).

(7) Sa herë, që i thirrja për t’i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim).

(8) Pastaj i thirra me zë të lartë.

(9) Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi

(10) e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh,

(11) që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm,

(12) t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!

(13) Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet (duke e pasur frikë),

(14) ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)?

(15) A nuk e shihni se si Allahu i ka krijuar shtatë qiejt njëri mbi tjetrin,

(16) dhe në ta e ka bërë Hënën dritë, kurse Diellin e ka bërë fener?

(17) Allahu ju ka krijuar nga toka, ashtu si bimët,

(18) pastaj ju kthen tek ajo dhe prej saj sërish do t’ju nxjerrë.

(19) Allahu për ju e ka bërë Tokën shtrojë të gjerë,

(20) që të ecni nëpër të, nëpër rrugët e gjera.”

(21) Nuhu tha: “O Zoti im, ata më kundërshtuan mua dhe u dhanë pas atyre njerëzve, pasuria dhe fëmijët e të cilëve nuk kanë sjellë gjë tjetër, veç shkatërrimit.

(22) Ata kurdisën një kurth të madh,

(23) dhe thanë: ‘Mos i lini kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin’!

(24) E kështu kanë futur në rrugë të gabuar shumë (njerëz). Prandaj, keqbërësve mos u shto gjë tjetër, veç humbjes!”

(25) Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën dhe u hodhën në zjarr. Ata nuk gjetën mbrojtës tjetër për veten në vend të Allahut.

(26) Dhe Nuhu tha: “O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues,

(27) sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë!

(28) O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim!”