84 - Suretu El Inshikak ()

|

(1) Kur qielli të çahet,

(2) duke dëgjuar me bindje Zotin e vet, siç e ka për detyrë;

(3) kur Toka të sheshohet (nga rrënimi i maleve)

(4) dhe të flakë atë që ka brenda e të zbrazet,

(5) duke dëgjuar me bindje Zotin e vet, siç e ka për detyrë,

(6) atëherë ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt.

(7) Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij në dorën e djathtë,

(8) do ta ketë të lehtë llogarinë

(9) dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij.

(10) Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës,

(11) do të lutet për të vdekur

(12) dhe në zjarr do të digjet,

(13) sepse ai jetonte i shkujdesur në familjen e tij,

(14) duke menduar se kurrë nuk do të kthehej (për të dhënë llogari).

(15) Po, Zoti i tij, sigurisht që i ka ndjekur të gjitha punët e tij!

(16) Betohem në kuqërrimin e muzgut,

(17) në natën e në gjithçka që ajo kaplon me errësirën e saj,

(18) si dhe në hënën e plotë,

(19) se ju, me siguri, do të kaloni nga e keqja te më e keqja!

(20) Çfarë kanë ata që nuk duan të besojnë?!

(21) E përse, kur u lexohet Kurani, nuk përulen në sexhde?!

(22) Përkundrazi, ata që nuk besojnë e quajnë atë gënjeshtër.

(23) Por Allahu e di mirë çfarë fshehin ata,

(24) prandaj shpallu atyre dënimin e dhembshëm (që i pret të gjithë),

(25) përveç atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira; ata do të shpërblehen pandërprerë.