91 - Suretu Esh Shems ()

|

(1) Për Diellin dhe shkëlqimin e tij

(2) dhe për Hënën që e përcjell atë!

(3) Për ditën që ia zbulon shkëlqimin atij (diellit)

(4) dhe për natën kur e mbulon atë!

(5) Për qiellin dhe për Atë që e ka ndërtuar!

(6) Për Tokën dhe për Atë që e ka shtruar!

(7) Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur,

(8) duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën!

(9) Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë,

(10) ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.

(11) Fisi i Themudit, nga shfrenimi i vet - përgënjeshtroi;

(12) kur u ngrit më i keqi i tij (për të therur devenë).

(13) I dërguari i Allahut (Salihu), u tha atyre[408]: “Kjo është deveja e Allahut! Lëreni atë të pijë pjesën e vet!”
[408] D.m.th. njerëzve të fisit.

(14) Por ata nuk i besuan atij dhe e therën atë. Prandaj Zoti i tyre i shkatërroi të gjithë për gjynahet e tyre, nga i pari tek i fundit,[409]
[409] Pra, pa u penduar aspak për këtë.

(15) pa pasur frikë prej pasojave të kësaj.