81 - Suretu Et Tekvir ()

|

(1) Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin;

(2) kur yjet të rrëzohen

(3) dhe malet të lëvizin tutje;

(4) kur devetë barrse të braktisen

(5) dhe egërsirat të tubohen;

(6) kur detet të vlojnë

(7) dhe shpirtrat të bashkohen (me trupat);

(8) kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet

(9) për çfarë faji ishte vrarë;

(10) kur fletët të shpërndahen[395]
[395] D.m.th. regjistrat e veprave të njerëzve.

(11) dhe qielli të zhvishet;

(12) kur Xhehenemi të flakërojë

(13) dhe Xheneti të afrohet:

(14) atëherë çdokush do të marrë vesh çfarë kishte përgatitur (për këtë Ditë).

(15) Betohem për ata (planetë) që tërhiqen,

(16) që lindin e perëndojnë,

(17) për natën kur bie terri

(18) e për agimin kur nis të zbardhë,

(19) se ky (Kuran) është Fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari fisnik,[396]
[396] Prej Xhebrailit (a.s.).

(20) që zotëron fuqi dhe pozitë të lartë te Zoti i Fronit

(21) e që është i respektuar atje dhe besnik.

(22) Shoku juaj[397] nuk është i marrë.
[397] Muhamedi (a.s.).

(23) Ai e ka parë atë[398] në horizontin e qartë
[398] Pra, Profeti (a.s.) e ka parë Xhebrailin (a.s.) në formën e tij fillestare në fillimet e Shpalljes Hyjnore.

(24) dhe nuk mbulon asnjë të fshehtë prej së Padukshmes.

(25) As ky (Kuran) nuk është fjalë e djallit të mallkuar.

(26) Prandaj, nga po ia mbani?

(27) Ai është veçse këshillë për botët:

(28) për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë.

(29) Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!