90 - Suretu El Beled ()

|

(1) Betohem për këtë vend,[404]
[404] Mekën.

(2) në të cilin ti je i lirë (o Muhamed),[405]
[405] Pra, “ti je i lirë t’i luftosh armiqtë e tu” ose “je i lirë nga gjynahet”. Sipas një interpretimi tjetër: “ti je banor i këtij qyteti”.

(3) dhe për atë që lind e për atë që është i lindur,

(4) se, në të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun për të luftuar në vështirësi![406]
[406] Pra, të luftojë për të shpëtuar shpirtin.

(5) A mendon ai se askush nuk ka pushtet mbi atë?

(6) Ai thotë: “Kam shpenzuar pasuri të pamasë!”

(7) Vallë, a mendon ai se nuk e ka parë askush?

(8) A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy,

(9) edhe gjuhë, edhe dy buzë,

(10) dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët?[407]
[407] Rrugën e së mirës dhe rrugën e së keqes.

(11) Atëherë, le të ndjekë rrugën e vështirë!

(12) E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është rruga e vështirë?

(13) Ajo është të lirosh një skllav

(14) ose të ushqesh në një ditë zie

(15) jetimin e afërm

(16) ose të varfrin e mjerë.

(17) Veç kësaj, (njeriu duhet) të jetë nga ata që besojnë, që e këshillojnë njëri-tjetrin për durim dhe e këshillojnë për mëshirë.

(18) Këta janë njerëzit e krahut të djathtë.

(19) Ndërsa ata që i mohojnë shpalljet Tona, ata janë njerëzit e krahut të majtë.

(20) Mbi ata do të jetë zjarri i mbyllur.