96 - Suretu El Alak ()

|

(1) Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka),

(2) e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku!

(3) Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh,

(4) i Cili, me anë të penës ia mësoi,

(5) ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.

(6) Por vërtet që njeriu shkel çdo cak,

(7) kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.

(8) Në të vërtetë, kthimi është te Zoti yt!

(9) A e ke parë ti (Muhamed) atë që pengon

(10) robin (Tonë) kur falet?[415]
[415] Vargjet aludojnë për një nga prijësit e Mekës, Ebu Xhehlin, i cili ishte armiku kryesor i Profetit Muhamed (a.s.) në fillimet e Islamit. Ai e kishte kërcënuar Profetin (a.s.), që të mos falej më në Qabe.

(11) A nuk është ai (robi Ynë) në rrugë të drejtë

(12) dhe që urdhëron për devotshmëri?!

(13) Mendo, nëse ai (penguesi) mohon dhe kthen kurrizin,

(14) a nuk e di ai se Allahu i sheh të gjitha?!

(15) Jo, jo! Nëse ai nuk tërhiqet nga kjo, Ne do ta kapim për ballukesh (për ta hedhur në zjarrin e Xhehenemit),

(16) për ballukesh të gënjeshtarit dhe fajtorit.

(17) Atëherë ai le ta thërrasë shoqërinë e vet,[416]
[416] Pra, le të thërrasë në ndihmë prijësit e tjerë të Mekës, që ishin përkrahësit e tij.

(18) Ne do t’i thërrasim Zebanijet (rojet e Xhehenemit)!

(19) Kurrsesi mos iu nënshtro atij (o Muhamed), por bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd!