Kurbani dhe dispozitat e tij

Përshkrimi

Ky artikull përmbledh dispozitat kryesore të therjes së Kurbanit duke filluar nga: definicioni i tij pastaj, vlera e kurbanit dhe përzgjedhja e kafshës më të mirë për kurban, dispozita për therjen e kurbanit, kushtet që duhet t’i plotësoj kurbani si dhe çka të bëjmë me kurbanin dhe gjërat nga të cilat duhet të largohet muslimani në dhjetëditëshin e Dhul Hixhes, nëse dëshiron të prej kurban. Tërë kjo është e argumentuar me citate nga Kurani dhe Syneti dhe të shoqëruara nga mendimet e dijetarëve.

Download
Shkruani përgjegjësit të faqes

Hollësitë

    Kurbani dhe dispozitat e tij

    ﴿ أحكام الأضحية ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Muhamed Salih El Munexhid

    Përktheu: Driton Lekaj

    2010 - 1431

    ﴿ أحكام الأضحية ﴾

    « باللغة الألبانية »

    محمد صالح المنجد

    ترجمة: دريتون ليكاي

    2010 - 1431

    Kurbani dhe dispozitat e tij

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe lavdërimi e shpëtimi qofshin për të dërguarin e Allahut, Muhamedin si dhe familjen e shokët e tij, e më pas:

    Përderisa kurbani është ndër simbolet e mëdha të Islamit, i cili na kujton: obligimin për ta njësuar Allahun, dhuntitë e Tij ndaj nesh, gjithashtu bindjen e babait tonë Ibrahimit ndaj Zotit të tij si dhe dobitë dhe begatitë e ndryshme që i përmban në vete, atëherë patjetër që muslimani duhet të kujdeset për të dhe ta çmon lart çështjen e tij. Në rreshtat në vijim do të lexoni një pasqyrë të shkurtër rreth këtij simboli madhështor:

    Kurbani: është kafsha që theret nga këto lloje: Devetë,

    lopët dhe delet apo dhitë, në shenjë afrimi te Allahu i lartësuar. Kurbani theret në vendin ku qëndron ai që e therë atë, pas namazit të Bajramit e gjerë në fund të ditëve të Teshrikut (e që është dita e trembëdhjetë e muajit Dhul Hixhes) dhe duhet ta bëhet nijet për Kurban.

    Allahu i lartësuar ka thënë: “Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!” (El Kevther: 2), dhe ka thënë: “Thuaj: "Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.” (El Enam: 162)

    Fjala: Nusuki (riti i tim) ka për qëllim: Kurbani im.

    Si dhe ka thënë: “Ne i kemi caktuar çdo populli vendtherjen (e kurbanit), që ta përmendin emrin e Allahut, për arsye se i furnizoi ata me kafshët. Zoti juaj është një Zot, andaj vetëm Atij dorëzohuni, e përgëzo të dëgjueshmit.” (El Haxh: 34)

    Kurbani është synet i fortë (Sun-ne Muek-kede) sipas mendimit të shumicës së dijetarëve (Disa dijetarë ndajnë mendimin se është obligim, në vijim do të vjen sqarimi rreth kësaj).

    Parimisht therja e kurbanit kërkohet të kryhet në kohën e caktuar - nga njeriu i gjallë, për veten dhe për familjen e tij. Ai ka mundësi që në shpërblimin e saj t’i bëj pjesëmarrës këndo prej të gjallëve apo të vdekurve. Ndërsa kurbani i të vdekurit, nëse e ka lënë vasijet të zbatohet nga një e treta (1/3) e pasurisë së tij apo nga përfitimi i ndonjë vakëfi që e ka lënë, duhet të zbatohet. Nëse nuk e ka lënë vasijet, e as nuk ka lënë ndonjë vakëf që prej tij të theret kurbani por, njeriu vetë dëshiron ta therë kurbanin për atë që donë prej të vdekurve, kjo është një vepër e mirë dhe llogaritet si një sadakë që jepet për të vdekurin. Synet është që njeriu kur ta therë kurbanin ta bëj këtë në emër të tij dhe të familjes së tij, qofshin të gjallë apo të vdekur, andaj kur ta therë thotë: “O Zoti! Ky kurban është për mua dhe për familjen time” dhe nuk ka nevojë që për çdo të vdekur të theret kurban i veçantë.

    Dijetarët janë pajtuar se therja e kurbanit dhe dhënia lëmoshë e mishit të tij është më mirë se sa të jepet lëmoshë vlera e tij në të holla, kjo sepse Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka therë kurban, e siç dihet ai nuk e vepron vetëm se atë që është më e mirë dhe më me vlerë, e ky është medhhebi i Ebu Hanifes, Shafiut dhe Ahmedit.

    Vlera e kurbanit dhe kurbani më i mirë:

    Një dele mjafton për një person dhe familjen e tij, argument për këtë është hadithi i Ebu Ejubit: “Në kohën e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), njeriu therte një dele si kurban për veten dhe për familjen e tij. Ata hanin prej tij dhe i ushqenin të tjerët.”[1]

    Kafshët të cilat janë përmendur për kurban janë: devetë, lopët dhe delet e dhitë. Disa dijetarë kanë thënë se kafshët më të mira për kurban janë: devetë, pastaj lopët pastaj delet, pastaj një e shtata pjesë e kurbanit nga deveja apo lopa, për shkak të fjalës së Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) për ditën e Xhuma: “Ai që shkon në orën e parë është sikurse ta ketë therë një deve kurban.”

    Këtë mendim e kanë të tre imamët: Ebu Hanife, Shafiu dhe Ahmedi. Sipas këtij mendimi therja e deles për kurban është më e mirë se pjesëmarrja me një të shtatën në therjen e një deve apo lope.

    Imam Maliku ndan mendimin se për kurban është më mirë të theret: qengji i deleve që ka mbushur gjashtë muaj, pastaj lopa, pastaj deveja, ngase Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka therë për kurban dy desh, kur dihet se ai (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) nuk vepron vetëm se atë që është më e mira!

    Përgjigja për këtë është se: Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ndoshta e ka zgjedhur atë që është më e lehtë në shenjë butësie për umetin e tij, ngase ata e marrin atë për shembull dhe ai nuk donte t’ua vështirësonte atyre.

    (Nga fetvatë e Shejh AbdulAziz b. Baz)

    Deveja dhe lopa mjaftojnë për të marrë pjesë në to deri në shtatë persona. Argument për këtë është transmetimi i Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur me të) i ci ka thënë: “Në Hudejbije me Pejgamberin (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) kemi prerë një deve për shtatë persona dhe një lopë për shtatë persona.” E në një transmetim tjetër thuhet: “Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) na urdhëroi të bëheshim ortakë në therjen e një deveje apo lope dhe atë nga shtatë në secilën prej tyre.” dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Therej lopa si kurban dhe bëheshin ortakë në të shtatë persona.”

    Dispozita për kurbanin:

    Kurbani është një nga simbolet e Islamit. Në librin “Xhevahir El Iklil Sherh Muhtesar El Halil”: “Nëse banorët e një vendi nuk e përfillin atë në tërësi meritojnë të luftohen për shkak se ai është prej simboleve të Islamit.”[2]

    Dijetarët janë të ndarë sa i përket dispozitës së tij, në dy grupe:

    a) Është vaxhib (obligim). Këtë e ka thënë Evzaiu, Lejthi, Ebu

    Hanife, Imam Ahmedi në një transmetim prej tij, këtë mendim e ka edhe Shejhul Islam Ibn Tejmije dhe është njëri nga dy mendimet në medh-hebin e Malikut apo mendimi më i saktë i Imam Malikut. Ata janë argumentuar si vijon:

    1. Fjala e Allahut të lartësuar: “Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!” (El Kevther: 2), ky është urdhër dhe urdhri e dikton obligueshmërinë.

    2. Hadithin të cilin e transmeton Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të) i shënuar te Buhariu dhe Muslimi dhe të tjerët ku thotë: I Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Ai që e ka therë kurbanin e tij para se ta fal bajramin le ta therë në vend të tij një tjetër, ndërsa ai që ende nuke ka therë kurbanin le ta therë atë me emrin e Allahut.”[3]

    3. Fjala e tij (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Ai që ka mundësi dhe nuk ka pre kurbanin le të mos i afrohet musal-lasë (vendfaljes) tonë.”[4]

    b) Është synet i fortë. Ky është mendimi i shumicës së

    dijetarëve! Këtë mendim e ndajnë Shafiu si dhe te Maliku e Ahmedi ky mendim është më i njohuri. Megjithatë shumë dijetarë që përfaqësojnë këtë mendim kanë thënë se është mekruh (papëlqyer) mos therja e kurbanit për atë që ka mundësi. Dijetarët që përfaqësojnë këtë mendim janë argumentuar si vijon:

    1. Hadithin e Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur me të) të cilin e shënon Ebu Davudi në “Sunenin “ e tij, i cili thotë: “E kam falur me të Dërguarin e Allahut namazin e bajramit. Pasi që e përfundoi namazi i solli dy desh dhe i preu ata! Ai tha: Bismil-lah, Allahu Ekber. O Zot pranoje këtë nga unë dhe nga ata që nuk kanë therë kurban prej umetit tim.” [5]

    2. Hadithin të cilin e shënojnë pesë koleksionet e njohura të haditheve përveç Buhariut: “Ai që prej juve dëshiron të prej kurban le të mos qethet e as mos t’i prej thonjtë e tij.”

    Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë), pasi që ka përmendur diskutimin mes dijetarëve që ndajnë mendimin se është obligim dhe atyre që thonë se është synet i fortë, ka thënë: “Argumentet pothuajse janë të barabarta, andaj në shenjë kujdesi ai që ka mundësi duhet të prej kurban, sepse me këtë e madhëron Allahun dhe e përmend Atë si dhe e heq nga vetja obligimin, bindshëm.”[6]

    Kushtet që duhet t’i plotësoj Kurbani:

    1. Arritja e moshës së duhur, e që është: gjashtë muaj për delen, një vjet për dhinë, dy vjet për lopët dhe pesë vjet për devet.

    2. Të jetë pa të meta, për shkak të fjalës të Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Katër kafshë nuk vlejnë për kurban. E vërbëta, e cila qartë i vërehet verbësia e saj, e sëmura që dallohet se është e sëmurë, ajo që çalon dhe vërehet qartë dhe e dobëta e cila nuk ka fare dhjamë në të ”.[7] Janë edhe disa të meta të tjera të cilat edhe pse nuk e bëjnë kafshën të paaftë për kurban megjithëkëtë është mekruh që ajo të theret për kurban në atë gjendje, si p.sh. El Adba – e cila e ka të prerë bririn apo veshin dhe El Meshkuka d.m.th. ajo që e ka veshin e çarë ... etj.

    Kurbani është adhurim që të afron te Allahu e Allahu është i mirë dhe nuk e pranon vetëm se të mirën. “Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” (El Haxh: 32)

    3. Ndalohet shitja e tij: Nëse kafsha e kurbanit përcaktohet, atëherë nuk lejohet as të shitet e as të dhurohet, përveç nëse ndërrohet me një më të mirë. Nëse ajo lindë atëherë, theret së bashku me të voglin e saj. Hipja mbi të lejohet sipas nevojës. Argument për këtë është hadithi që e shënojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) se: “Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e kishte parë një njeri duke e tërhequr një deve dhe i tha atij: Hipi asaj! E ai i tha: Ajo është deve e përgatitur për kurban! Ai i tha në të dytën apo të tretën herë: Mjerë për ty! Hipi asaj.

    4. Therja e tij në kohën e caktuar. Koha për therjen e kurbanit nuk fillon me të hyrë koha e namazit por, pas faljes së namazit të bajramit dhe mbajtjes së hytbes dhe vazhdon deri para perëndimit të diellit të ditës së fundit të Teshrikut, e që është dita e trembëdhjetë e Dhul Hixhes. argument për këtë është fjala e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Ai që ka pre kurbanin para se të falet namazi le ta përsëris atë.”[8], dhe për shkak të fjalës së Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Ditët e Bajramit janë: dita e Bajramit dhe tre ditë pas saj.” E ky është mendimi i Hasen El Basriut, Ata b. Ebi Rebah, Evzaiut, Shafiut dhe e ka zgjedhur Ibn Mundhiri (Allahu i mëshiroftë të gjithë).

    Çka të bëjmë me Kurbanin?

    * Preferohet që ai që ka therë kurban së pari të hanë nga mishi i tij, nëse ka mundësi dhe kjo për shkak të hadithit: “Le të hajë çdonjëri nga kurbani i tij.”[9] dhe që ngrënia e tij të jetë pas namazit të Bajramit dhe hytbes. Ky mendim është i dijetarëve si: Aliu, Ibn Abasi, Maliku, Shafiu dhe të tjerët. Për këtë që u tha më herët flet hadithi i Burejdes (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) nuk dilte ditën e Bajramit të Fitrit pa ngrënë diçka, ndërsa ditën e Kurban Bajramit nuk ka ngrënë para se ta therë Kurbanin.”[10]

    * Më së miri është ta therë me dorën e tij, e nëse nuk e bën është e preferuar të jetë prezent kur të prehet.

    * Preferohet ndarja e mishit në tre pjesë. Një të tretën për ta ngrënë, një të tretën për ta dhuruar dhe një të tretën për ta dhënë sadaka. Këtë e kanë thënë: Ibn Mesudi, Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta), gjithashtu dijetarët janë pajtuar se nuk lejohet shitja e mishit, dhjamit apo lëkurës së tij. Në hadithin e vërtetë thuhet: “Ai që e shet lëkurën e kurbanit të tij, nuk ka therë kurban.”[11]

    * Kasapit nuk bën t’i jepet asgjë prej mishit të kurban në vend të pagesës, për shkak të fjalës së Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Më ka urdhëruar i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) që të përkujdesem për një deve (të përgatitur për kurban) dhe që të jap lëmoshë prej mishit, lëkurës dhe çdo gjë tjetër prej saj, por që të mos i jap kasapit asgjë prej saj.” dhe ka thënë: “Atë e paguajmë me paratë tona.”[12]

    Është thënë se lejohet t’i jepet diçka kasapit si dhuratë, si dhe lejohet t’i jepet prej mishit të tij pabesimtarit për shkak të: varfërisë, afërsisë, fqinjësisë me të apo për t’ia përfituar zemrën.”[13]

    Nga çka duhet të largohet muslimani në dhjetë ditët e

    Dhul-hixhes nëse dëshiron të prej kurban:

    Sipas synetit ai që dëshiron të prej kurban obligohet të përmbahet nga qethja e flokëve, prerja e thonjve apo heqja e qimeve të trupit prej momentit kur të hynë dhjetë ditët e derisa ta prej kurbanin, për shkak të fjalës së Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të): “Kur ta shihni hënën e re të Dhul – Hixhes dhe ndonjëri nga ju dëshiron të prej kurban le të mos i prej flokët dhe thonjtë e tij gjersa ta prej kurbanin.” E në një transmetim tjetër thotë: “Mos t’i qeth flokët e as thonjtë e tij (apo qimet e trupit).”[14]

    Ky urdhër nënkupton obligimin dhe ndalesa e nënkupton ndalimin rreptësisht (haram), sipas mendimit më të saktë. Me këtë rast urdhri është i përgjithshëm dhe ndalesa e qartë, si dhe nuk ka ndonjë kundër argument që do t’i ndryshonte.

    Sidoqoftë nëse me qëllim i heq qimet e tij ai duhet t’i kërkoj falje Allahut por, nuk obligohet me shpagim dhe kurbani i tij është i saktë. Ai që ka nevojë të heq diçka për shkak se dëmtohet nëse e lë atë si p.sh. thyerja e një thoni apo ka një plagë që qimet përreth saj duhet të hiqen patjetër, atëherë s’ka gjë nëse i heq ato ngase, kjo nuk është më e madhe se sa rasti kur duhet të rruhen qimet për shkak të shqetësimit.[15]

    Gjithashtu, nuk prish punë larja e kokës për mashkullin dhe femrën gjatë dhjetë ditëve të Dhul Hixhes, kjo për shkak se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) në të vërtetë e ka ndaluar të hiqen qimet dhe thonjtë si dhe për shkak se muhrimit iu është lejuar ta lajë kokën e tij.

    Urtësia e ndalesës së prerjes së flokëve dhe thonjve për atë që therë kurban është se ai i përngjan muhrimit (haxhiut) në disa rite të tij, gjegjësisht në afrimin te Allahu me prerjen e kurbanit për këtë edhe iu nënshtrohet disa dispozitave që vlejnë për muhrimin. Gjithashtu nuk i prenë flokët dhe thonjtë e tij derisa ta prej kurbanin e tij me shpresë që ta lirojë Allahu të tërin prej zjarrit. E Allahu e dinë më së miri.

    Ndokush që ka prerë flokët dhe thonjtë e tij në fillim të dhjetëditëshit për shkak se nuk ka dashur të prej kurban por, më pas gjatë dhjetëditëshit ka ndryshuar mendjen, atëherë përmbahet nga qethja e flokëve dhe prerja e thonjve prej momentit kur e bën nijet.

    Ka nga gratë të cilat e autorizojnë vëllanë apo djalin e tyre që ta therë kurbanin me qëllim që ato gjatë dhjetëditëshit të qethin flokët e tyre, e kjo nuk është e saktë, ngase dispozita ka të bëjë me atë që e prenë kurbanin pavarësisht se e autorizon dikë apo jo. Për të autorizuarin nuk lidhet ndonjë ndalesë ngase, ndalesa është e posaçme për atë që dëshiron të prej kurban për veten e tij, ashtu siç aludon hadithi. Ndërsa dikush që prenë kurban për dikë tjetër qoftë si zbatues i vasijetit apo i autorizuar prej tij, atë nuk e përfshin ndalesa.

    Ndalesa është e veçantë për atë që e therë kurbanin dhe nuk i përfshin edhe gruan dhe fëmijët e tij, përveç nëse ata kanë ndonjë kurban që veçohen me të. Argument për këtë është se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) ka therë kurban për familjen e Muhamedit dhe nuk është transmetuar se ua ka ndaluar qethjen e flokëve.

    Ai që ka vendosur të prej kurban, e më vonë ka vendosur ta kryejë haxhin nuk prenë qimet e as thonjtë e tij para se ta bëjë nijetin (ihramin), ngase kjo është synet vetëm atëherë nëse paraqitet nevoja për të. Por, nëse e kryen haxhin temettu, i shkurton flokët e tij kur ta kryen umren, sepse kjo është rit i umres.

    Ndalesat e përmendura më herët për atë që prenë kurban përkufizohen në atë që është transmetuar në hadithin e mëparshëm! Për këtë, atij që prenë kurban nuk i ndalohet parfumosja, marrëdhëniet intime me gruan e as veshja e rrobave të qepura, e të ngjashme me to.

    E Allahu e dinë më së miri.

    [1] E transmeton Ibn Maxhe, Tirmidhiu dhe e konsideron të saktë.

    [2] Resail Fikhij-je Li Shejh Ibn Uthejmin, fq: 46.

    [3] E transmeton Muslimi me nr: 3621.

    [4] E transmeton Ahmedi dhe Ibn Maxheh ndërsa Hakimi e konsideron të saktë transmetimin e këtij hadithi nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të). Ibn Haxheri në librin e tij “Fet-hul Bari” thotë: “Transmetuesit e tij janë të besueshëm.”

    [5] Suneni i Ebi Davudit me komentin e Muhamed Shemsul Hakk Abadi: 7/486.

    [6] Resail Fikhijje, fq: 51.

    [7] Hadithi është i vërtetë, shiko: “Sahihul Xhami” me nr:886.

    [8] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

    [9] Hadithin e konsideron të saktë Shejh Albani në Sahihul Xhami: 5349.

    [10] Shejh Albani në librin e tij El Mishkat, 1/452, thotë: Zinxhiri i transmetimit është i saktë.

    [11] Hadithin e konsideron hasen Shejh Albani 6118.

    [12] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

    [13] Nga Fetvatë e Shejh AbdulAziz b. Bazit.

    [14] E transmeton Muslimi nga katër rrugë transmetimi: 13/146.

    [15] Aludon në fjalën e Allahut në suren El Bekare: 196