Shkaku i mos unitetit të muslimanëve në përcaktimin e Ramazanit

Përshkrimi

Në këtë fetva hoxha i nderuar i përgjigjet pyetjes e cila pothuajse parashtrohet me fillimin e çdo Ramazani dhe e cila ka të bëjë me mos unitetin e muslimanëve në përcaktimin e fillimit të muajit të Ramazanit. Ai sqaron se mospajtimi për këtë ka bazë dhe është i toleruar.

Download
Shkruani përgjegjësit të faqes

Hollësitë

    Shkaku i mos unitetit të mysimanëve në përcaktimin e Ramazanit

    ﴿ سبب عدم توحد المسلمين في إثبات رمضان﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Muhamed Salih El Munexhid

    Përktheu : Driton Lekaj

    2009 - 1430

    ﴿ سبب عدم توحد المسلمين في إثبات رمضان ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    محمد صالح المنجد

    ترجمة: دريتون ليكاي

    2009 - 1430

    Shkaku i mos unitetit të mysimanëve në përcaktimin e fillimit të Ramazanit

    Pyetja: Pse nuk bashkohen myslimanët në agjërim kur dihet se hëna e re (Hilali) e Ramazanit është e njëjtë? Në të kaluarën arsyetoheshin për mos ekzistimin e mjeteve të informimit.

    Përgjigja:

    E para: Shkaku kryesor i mospajtimit për fillimin e agjërimit nga një vend në tjetrin është ndryshimi i vend daljeve të hënës së re. E ndryshimi i vend daljeve është çështje që dihet qoftë nëpërmjet shqisave apo logjikës.

    Për këtë nuk ka mundësi të obligohen myslimanët me agjërim për një kohë, ngase kjo d.m.th. obligimi i një grupi të tyre me agjërim para shikimit të hënës apo ndoshta edhe para daljes së saj.

    Është pyetur Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) për atë që i thërret njerëzit për t'u bashkuar në agjërim dhe për lidhjen e të gjitha vend daljeve të hënës së re me atë të Mekës. E ai ka thënë:

    “Kjo nga aspekti astronomik është e pamundur, ngase vend daljet e hënës së re sikur që thotë Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ndryshon sipas të gjithë specialistëve të kësaj fushe. E nëse ndryshojnë atëherë atë që e dikton argumenti fetar dhe ai logjik është që të konsiderohet për secilin vend dispozita e veçantë.

    Sa i përket argumentit fetar:

    Allahu i lartësuar thotë:

    “E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë" (El Bekare: 185).

    Nëse paramendohet se disa njerëz në pjesën më të largët të tokës nuk e kanë dëshmuar muajin – d.m.th. hënën ndërsa banorët e Mekës e kanë parë hënën, atëherë si ka mundësi që urdhri në këtë ajet Kuranor t'u drejtohet atyre që nuk e kanë dëshmuar muajin? Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë:

    “Agjëroni kur ta shihni atë (hënën e re) dhe ndërpreni agjërimin kur ta shihni atë prapë."[1] Nëse e shohin banorët e Mekës p.sh., atëherë si t'i obligojmë me agjërim banorët e Pakistanit dhe ata pas tyre në pjesën lindore duke e ditur se hëna e re nuk ka dalë në horizontin e tyre e Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) e ka lidhur agjërimin me shikimin e saj.

    Sa i përket argumentit logjik:

    Ai mbështetet në analogjinë e shëndoshë që nuk ka mundësi të kundërshtohet. Ne e dimë se agimi del në anën lindore të tokës para anës perëndimore e kur të del agimi në anën lindore a obligohemi të përmbahemi nga ushqimi e tek ne është natë?

    Përgjigja është: Jo.

    E kur dielli perëndon në anën lindore ne jemi në ditë. A na lejohet neve ta prishim agjërimin?

    Përgjigja është: Jo.

    D.m.th. Hëna është sikurse Dielli plotësisht. Koha e caktuar për hënën e re është mujore ndërsa koha e caktuar për diellin është ditore, e Ai që ka thënë:

    “Dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje."(El Bekare: 187) është po Ai që ka thënë:

    “E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë" (El Bekare: 185)

    Ajo që e dikton argumenti fetar dhe logjik është t'i caktohet secilit vend norma e tij e veçantë për të për sa i përket agjërimit dhe ndërprerjes së tij. Dhe kjo lidhet me shenjën e dukshme të cilën e ka caktuar Allahu në Librin e Tij dhe Pejgamberi i Tij, Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) në Synetin e tij, e që është shikimi i hënës, shikimi i diellit apo agimit."

    Dhe ka thënë (Allahu e mëshiroftë) duke sqaruar këtë analogji dhe duke përforcuar argumentin e atyre që marrin parasysh ndryshimin e vend daljeve të hënës së re : "Kanë thënë: Koha mujore është sikurse koha ditore. Sikurse që vendet ndryshojnë për Imsakun (të përmbajturit) dhe Iftarin ditorë kësisoj duhet të ndryshojnë në Imsakun dhe Iftarin(ndërprerjen e agjërimit) mujor. Dhe dihet se ndryshimi ditor i ka pasojat e tij me pajtimin e myslimanëve. Ata që janë në Lindje përmbahen nga ushqimi para atyre që janë në perëndim dhe gjithashtu e ndërprejnë agjërimin para tyre.

    E nëse gjykojmë me ndryshimin e vend daljeve të hënës së re sipas kohës ditore, atëherë e njëjta vlen edhe me kohën mujore.

    Nuk mund të thotë askush se fjala e Allahut të lartësuar:

    “Dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje." (El Bekare: 87) dhe fjala e tij (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të):

    “Kur të vjen nata nga kjo anë dhe të largohet dita nga kjo anë dhe perëndon dielli veçse ka bërë iftar agjëruesi."[2]

    Nuk ka mundësi askush të thotë: Se kjo është e përgjithshme për tërë myslimanët në të gjitha vendet.

    E kështu themi për përgjithësimin në fjalën e Allahut të lartësuar:

    “E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë" (El Bekare: 185) dhe fjala e tij (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të):

    “Kur ta shihni atë (hënë e re) agjëroni dhe kur ta shihni atë prapë ndërprenie agjërimin."[3] E ky mendim sikurse që e sheh e ka forcën e tij për shkak anës së jashtme të shprehjes si dhe logjikës së shëndoshë dhe gjithashtu analogjisë së shëndoshë d.m.th. krahasimi i kohës mujore me kohën ditore."[4]

    Këshilli i Dijetarëve të Mëdhenj ka lëshuar një komunikatë të rëndësishme e ky është teksti i saj:

    E para: Ndryshimi i vend daljeve të hënës është prej gjërave mirë të njohura, fetarisht dhe logjikisht dhe dijetarët nuk kanë mospajtim rreth kësaj por, mospajtimi ka ndodhur mes dijetarëve të myslimanëve në atë se: A merren në konsideratë ndryshimet e vend daljeve të hënës së re apo jo.

    E dyta: Çështja e marrjes në konsideratë të vend daljeve të hënës së re apo jo është prej çështjeve teorike që ka mundësi për ixhtihad në to. Dhe mospajtimi ka ndodhur prej atyre që janë të thirrur dhe specializuar në shkencë dhe dije. E ky është mospajtim i lejuar ku ai që ia qëllon shpërblehet dy herë: Shpërblimin për ixhtihadin (angazhimin) dhe shpërblimin se ia ka qëlluar ndërsa ai që gabon shpërblehet me shpërblimin për ixhtihadin.

    Dijetarët janë ndarë në këtë çështje në dy mendime: Disa e kanë mendimin se vend daljet e hënës së re duhet të merren parasysh dhe disa të tjerë që kanë mendim të kundërt. Secili grup prej tyre është argumentuar me argumente prej Kuranit dhe Synetit e ndodh që janë argumentuar me të njëjtin argument sikurse argumentimi i tyre me fjalën e Allahut të lartësuar: “Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj) Thuaj: "Ato janë përcaktime të kohës për njerëz dhe për haxh." (El Bekare: 189) dhe fjalës së tij (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të):

    “Agjëroni kur ta shihni atë (hënën e re) dhe ndërpreni agjërimin kur ta shihni atë prapë.".[5] E kjo për shkak të ndryshëmit në kuptimin e citateve dhe secili grup ka ndjekur metodologji të ndryshme në argumentim.

    Këto arsye dhe të tjera i ka marrë në konsideratë Këshilli dhe pasi që mospajtimi në këto çështje nuk ka pasoja që duhet të frikësohemi nga rezultatet e tyre gjithashtu që nga koha e shfaqjes së kësaj feje kanë kaluar katërmbëdhjetë shekuj dhe nuk njohim ndonjë periudhë në të cilën është bashkuar bota islame në një shikim të vetëm të hënës së re.

    Për këtë anëtarët e Këshillit të Dijetarëve të Mëdhenj e shohin që të mbetet çështja ashtu siç ka qenë dhe të mos nxitet kjo temë. Si dhe të ketë drejtë çdo shtet islam të zgjedh atë që e sheh prej njërit nga dy mendimet që u diskutuan, përmes dijetarëve të tij, pasi që të dy mendimet kanë argumentet dhe faktet e veta.

    E treta: Asambleja e Këshillit ka studiuar çështjen e pohimit të hënës së re përmes përllogaritjeve astronomike dhe ka studiuar atë që është transmetuar në Kuran dhe Synet dhe fjalët e dijetarëve për këtë kështu që vendosën me konsensus që këto përllogaritje të mos merren në konsideratë për pohimin e hënës së re për çështjet fetare, për shkak të fjalës së Pejgamberit (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të): “Agjëroni kur ta shihni atë (hënë e re) dhe ndërprene agjërimin kur ta shihni prapë."[6] dhe fjalës së tij (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të):

    “Mos agjëroni përderisa mos ta shihni hënën e re dhe mos e ndërpreni agjërimin përderisa mos ta shihni atë prapë."

    Dhe argumente të tjera të ngjashme me këto.[7]

    E Allahu e dinë më së miri.

    [1] Buhariu me nr: 1810 dhe Muslimi me nr: 1080.

    [2] Buhariu me nr: 1853.

    [3] Buhariu me nr: 1801 dhe Muslimi me nr: 1081.

    [4] Mexhmu Fetava Ibn Uthejmin: 19/ 48

    [5] Buhariu me nr: 1810 dhe Muslimi me nr: 1080.

    [6] Buhariu me nr: 1810 dhe Muslimi me nr: 1080.

    [7] Fetavat e Komisionit të përhershëm për Fetva: 10/ 102.

    Kategoritë: