Sa ka ditur përmendësh Halid bin Velidi nga Kur’ani?

Muftiu : Muhamed Salih

Përktheu: Nexhat Ceka

Redaktoi: Driton Lekaj

Përshkrimi

Pyetje të cilës iu është përgjigjur hoxha i nderuar Muhamed Salih El Munexhid, e teksti i saj është: “A është e vërtetë se Halid b. Velidi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka ditur përmendësh nga Kur’ani vetëm tre sure, sepse ka qenë i zënë me xhihad në rrugë të Allahut dhe në qoftë se kjo është e vërtetë ku është e përmendur?”.

Download
Shkruani përgjegjësit të faqes

Hollësitë

    Sa ka ditur përmendësh Halid b. Velidi prej Kur’anit

    [ Shqip – Albanian – ألباني ]

    Muhamed Salih El Munexhid

    Përktheu: Nexhat Ceka

    Rishikoi: Driton Lekaj

    2011 - 1432

    ﴿ كم كان يحفظ خالد بن الوليد رضي الله عنه من القرآن الكريم؟ ﴾

    « باللغة الألبانية »

    محمد صالح المنجد

    ترجمة: نجات سيكا

    مراجعة: دريتون ليكاي

    2011 - 1432

    Sa ka ditur përmendësh Halid bin Velidi nga Kur’ani

    Pyetja: A është e vërtetë se Halid b. Velidi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka ditur përmendësh nga Kur’ani vetëm tre sure, sepse ka qenë i zënë me xhihad në rrugë të Allahut dhe në qoftë se kjo është e vërtetë ku është e përmendur?

    Përgjigje:

    Falënderimi i takon Allahut,

    Halid bin Velidi (Allahu qoftë i kënaqur me të) është kalorësi i Islamit dhe ‘Shpata e Allahut’ e ngritur kundër armiqve të Tij, udhëheqës i çlirimeve të mëdha dhe njeriu i qëndrimeve të mëdha në shumë beteja vendimtare në historinë islame. Ai dallohej me trimëri, forcë dhe ashpërsi përballë armiqve sa që në luftën e Mu’tes janë thyer në dorën e tij nëntë shpata, siç transmeton Buhariu në sahihun e tij.

    Ai kishte një dashuri të madhe për xhihadin, duke qenë me të ndihmës i fesë së Allahut dhe luftëtar kundër të keqes, kufrit (mosbesimit) dhe tiranisë. Andaj, ai ishte i preokupuar me xhihad ndaj krejt punëve tjera të kësaj bote, sa që (Allahu qoftë i kënaqur me të) thoshte: “Një natë në të cilën më dhurohet një nuse e të cilën unë e dua nuk është më e dashur për mua se sa një natë shumë e ftohtë dhe me akull të shumtë ku do të isha pjesë e një çete dhe ta sulmoja armikun kur të gdhijë mëngjesi i asaj nate.”

    Po ashtu transmetohet se para vdekjes ka thënë: “E kam kërkuar vdekjen në fushëbeteja por, nuk më ishte caktuar vetëm se të vdisja në shtratin tim. Mirëpo, nuk ka ndonjë vepër timen që shpresoj të më bëjë dobi më shumë te Allahu pas dëshmisë - La ilahe il-lAllah, se sa një natë në të cilën e kalova me mburojën time në dorë ndërsa qielli lëshonte rrebeshin e shiut gjerë në mëngjes kur dhe i sulmonim mosbesimtarët.” Pastaj tha: “Në qoftë se vdes kujdesuni që armatimi dhe kali im të përgatiten si pajisje për luftëtarët në rrugë të Allahut.”

    Kur vdiq Halid bin Velidi (Allahu qoftë i kënaqur me të), Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) iu afrua xhenazes së tij dhe tha: “Gratë e familjes se Velidit kanë plotësisht të drejtë që të lotojnë për Halidin, përderisa vaji i tyre nuk shndërrohet në vajtim apo në trazirë.”

    Pasi që jeta e tij ishte e lidhur me xhihadin në rrugë të Allahut, kjo atij nuk ia la mundësi që ai të transmetoj hadithe nga i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), apo të mësoj përmendësh nga Kur’ani Famëlartë.

    Transmetohet se Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Preokupimi me xhihad më ka penguar nga leximi i shumtë i Kuranit.” (Këtë e ka transmetuar Ibn Ebi Shejbe në ‘Musannef’: 4/214, Ebu Jala në ‘Musned’: 3/111, Imam Ahmedi sikur që është përmendur në ‘Fedailus Sahabe’: 2/814, Ebu Ubejd el Kasim b. Sel-lam në ‘Fedailul Kuran’ me nr: 254, që të gjithë e transmetuan nga Kajs b. Ebi Hazim i cili ka thënë: E kma dëgjuar Halidin duke thënë .. dhe e ka përmendur. Ibn Haxheri në librin ‘El Metalibul Alije’ e ka konsideruar të saktë si dhe el Hejthemi në librin ‘Mexhmeuz Zevaid’: 9/353)

    Prandaj, ky preokupim nuk është i përbuzur përkundrazi e ka ndriçuar historinë islame në përgjithësi dhe e ka shndritur civilizimin botëror me dritën islame të cilën janë munduar mosbesimtarët ta shuajnë. Andaj në këtë preokupim nuk ka diçka të keqe, sepse siç dihet “çdokujt i lehtësohet ajo për të cilën është krijuar”, prandaj prej sahabëve kishte dijetarë, fukaha, gjykatës, trima, luftëtar - muxhahida, sadakadhënës, adhurues … dhe secili prej tyre dallohej sipas aftësive ku ishte më i prirë apo sipas dhuntisë që Allahu e kishte pajisur me të.

    Për këtë arsye, nuk është prej urtësisë që njeriu ta lerë atë që dinë ta bëjë shumë mirë, në mënyrë të përsosur dhe dallohet në të për një punë tjetër që do të ishte në të sikur të tjerët, apo nën nivelin e tyre, apo nuk e bën të dallohet nga ata.

    Kështu pra fjalët e Halidit (Allahu qoftë i kënaqur me të), nuk duhen keqkuptuar dhe të keqinterpretohen se ai ka ditur vetëm tre sure përmendësh nga Kur’ani, ashtu siç ceket në pyetje, mirëpo nga fjala e tij kuptohet se ai nuk ishte prej sahabëve hafiza apo dijetarë sikurse Abdullah ibn Mesudi, Ubej ibën Kabi, e të tjerët. Argument se ai ka thënë: “Më ka penguar xhihadi nga leximi ‘i shumtë’ i Kur’anit”, e kjo nuk do të thotë se ai nuk ka lexuar fare nga Kur’ani.

    Por, ndoshta shkas i spekulimit të këtyre dyshimeve dhe akuzave për Halidin (Allahu qoftë i kënaqur me të) është urrejtja të cilën e kanë pasur kundrejt tij shpifësit dhe ziliqarët, sepse ai ishte shpata e ngritur çdoherë ndaj putave dhe tagutëve. I hasim armiqtë e Islamit, sot, se si në vazhdimësi shpifin ndaj personalitetit të tij dhe dëshirojnë t’ia zhdukin virtytet dhe përpjekjet e tij gjatë gjithë historisë duke harruar se një shpatë të cilën e ka ngritur Allahu kundrejt mosbesimtarëve do të shkëlqen gjithmonë dhe nuk kthehet në këllëfin e saj asnjëherë. Gjithashtu, ky komandant i madh është bërë simbol i trimërisë, udhëheqjes dhe gjenialitetit ushtarak. Kështu, burrat të cilët ishin rreth të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ishin sinonim i punës, sakrificës, për ngritjen e popujve, promovimin e vlerave dhe virtyteve morale.

    E lusim Allahun që edhe neve të jep sukses të ndjekim hapat e tyre dhe të na bëjë prej atyre që i pasojmë ata me punë të mira.

    E Allahu e dinë më së miri