Namazi pas atij qe shkruan hajmali

Përshkrimi

Pyetje të cilës iu është përgjigjur hoxha i nderuar Muhamed Salih El Munexhid – Allahu e ruajtë – e teksti i saj është: “A lejohet namazi pas imamit që shkruan hajmali, për të cilat disa njerëz mendojnë se të shpëtojnë prej magjisë dhe syrit? E nëse nuk lejohet si të veprojmë? Duke e ditur se ne jetojmë në një fshat ku ekziston vetëm një xhami dhe imam i saj është ky njeri.”

Download
Shkruani përgjegjësit të faqes

Hollësitë

    Namazi pas atij që shkruan hajmali

    ﴿ الصلاة خلف من يكتب التمائم﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Muhamed Salih El Munexhid

    Përktheu : Driton Lekaj

    2010 - 1431

    ﴿ الصلاة خلف من يكتب التمائم ﴾

    « باللغة الألبانية »

    محمد صالح المنجد

    ترجمة: دريتون ليكاي

    2010 - 1431

    Pyetja: A lejohet namazi pas imamit që shkruan hajmali, për të cilat disa njerëz mendojnë se të shpëtojnë prej magjisë dhe mësyshit? E nëse nuk lejohet si të veprojmë? Duke e ditur se ne jetojmë në një fshat ku ekziston vetëm një xhami dhe imam i saj është ky njeri.

    Përgjigja:

    Falënderimi i takon Allahut ..

    Së pari: Nuk lejohet bartja e hajmalive edhe nëse në to ka të shkruar pjesë nga Kurani, për shkak të fjalës së përgjithshme të Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):

    “Ai që e varë një hajmali mos ia plotësoftë Allahu shkakun për të cilin e ka varur dhe ai që e varë një “vedea” [1] mos i dhëntë qetësi e rehati.” [2]

    Si dhe fjalës së tij (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):

    “Ai që e varë një hajmali veçse ka bërë shirk.” [3]

    Për hajmalitë e shkruara me pjesë të Kuranit, dijetarët kanë mospajtim. Mendimi më i saktë është se ndalohen për shkak të argumenteve të përgjithshme dhe si preventivë që mos të jenë shkaqe që shpijnë në diç ndaluar. Gjithashtu kjo përbën edhe njëfarë përçmimi (ndaj pjesës së Kuranit në të) për shkak se njeriu që varë këtë hajmali flenë me të dhe hyn me të në banjo e të ngjashme.

    Në fetvatë e “Komisionit të Përhershëm” thuhet: “Dijetarët janë të pajtimit për ndalimin e varjes së hajmalive të cilat nuk janë të shkruara me Kuran ndërsa kanë mospajtim nëse ato janë të shkruara prej Kuranit. Disa prej tyre e lejuan një gjë të tillë e disa e kanë ndaluar përdorimin e tyre. Mendimi për ndalimin e tyre është më i saktë për shkak të përgjithësisë së argumenteve dhe për të mbyllur rrugët që shpijnë te shirku.”[4]

    Së dyti: Nëse këto hajmali të cilat i shkruan ky imam përbëjnë fjalë prej shirkut sikurse lutja dhe kërkesa prej dikujt tjetër pos Allahut, si nga: Exhinët, Melekët dhe njerëzit e mirë, apo ky imam e vepron këtë lloj të shirkut apo pretendon dijen e Gajbit ( të fshehtës), atëherë nuk lejohet namazi pas tij. Ndërsa nëse hajmalitë e tij nuk përmbajnë diç prej shirkut dhe ai është prej besimtarëve të pastër në besim – tevhid, atëherë namazi pas tij është i saktë dhe duhet të këshillohet sepse, hajmalitë me të gjitha llojet e saj janë të ndaluara sikurse që përmendëm.

    Komisioni i Përhershëm për Fetva është pyetur për faljen e namazit pas atij që iu shkruan hajmali njerëzve, e ata janë përgjigjur:

    “Lejohet të falet namazi pas imamit i cili shkruan hajmali prej Kuranit dhe lutjeve të lejuara. Edhe pse ai nuk duhet t’i shkruaj ato, sepse hajmalitë nuk lejohen të përdoren. Ndërsa nëse hajmalitë përbëjnë diç prej shirkut (fjalë apo simbole), atëherë nuk falet pas atij i cili i shkruan ato dhe duhet t’i sqarohet atij se kjo është shirk, e ai që duhet t’ia sqaron është ai që ka njohuri për këto gjëra.” [5]

    Shejh Fevzani është pyetur për namazin pas atij që shkruan hajmali dhe është përgjigjur: “Për sa i përket hajmalive rreth tyre ka sqarim më të hollëishëm:

    - Nëse hajmalitë përbëhen nga shprehje të shirkut, lutje dikujt tjetër pos Allahut të Lartësuar dhe emra të panjohur, atëherë nuk lejohet shkrimi i tyre e as përdorimi me konsensusin e dijetarëve islam, sepse kjo është shirk dhe pas këtij personi nuk falet namazi.

    - Ndërsa nëse hajmalitë janë të shkruara prej Kuranit Fisnik apo prej lutjeve të lejuara dhe atyre të transmetuara për këtë dijetarët islamë kanë mospajtim. Disa nga ata e kanë lejuar e disa të tjerë e kanë ndaluar, e ndalesa është më afër të vërtetës, ngase me hapjen e derës së shkrimit dhe varjes së tyre bëhen mjete për të arritur te hajmalitë e ndaluara. Gjithashtu në shkrimin e Kuranit Fisnik si hajmali apo të ngjashme për mbrojtje mund ta eksponojmë atë nënçmimit dhe përbuzjes dhe hyrja me të në disa vende në të cilat nuk lejohet të hyhet me të, por megjithatë lejohet namazi pas atij që i shkruan ato.

    Si rezyme: Shkrimi i hajmalive nëse përbën shprehje të shirkut, emra të panjohur, lutje dikujt tjetër pos Allahut, apo kërkim të ndihmës prej djajve, krijesave dhe exhinëve me këtë rast këto shprehje janë të shirkut dhe ai që i përdor nëse e dinë se çka ka në to është mushrik – idhujtar. E nëse janë prej Kuranit, atëherë më afër është t’iu largohemi, t’i lëmë dhe të mos i përdorim.”[6]

    Shejh Ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) është pyetur: A lejohet namazi pas një imami i cili është fallxhor dhe mashtrues duke e ditur se disa prej tyre e lexojnë bukur Kuranin? Na tregoni, Allahu ju shpërbleftë.

    Është përgjigjur: Nëse imami është fallxhor – pretendon se e dinë gajbin apo i vepron disa bestytni dhe vepra të shëmtuara, atëherë nuk lejohet të caktohet si imam apo me u falë pas tij, sepse ai që e pretendon dijen e gajbit ai është kafir – e lusim Allahun të na mbron nga kufri -, Allahu i lartësuar thotë: “Thuaj: "Askush veç All-llahut as në qiejt, as në tokë nuk e di të fshehtën, as nuk e dinë se kur ringjallen!"” (En Neml: 65) E kësisoj është edhe ai që punon me magji, dispozita për është se është kafir – jobesimtar, Allahu i lartësuar thotë: (E hodhën librin e Zotit) E ndoqën atë që e thonin djajt në kohën e sundimit të Sulejmanit. Po Sulejmani nuk ishte i pafé, djajt ishin të pafé, sepse u mësonin njerëzve magjinë. (ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t'i thonin: "Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bën i pa fé!"” (El Bekare: 102)

    E nëse i vepron disa mëkate por, nuk ka diç prej çështjeve të kufrit sikurse magjia, pretendimi i dijes së gajbit - të fshehtës, atëherë namazi i tij është i saktë por, më mirë është të kërkohet një imam tjetër i cili është i drejtë dhe i devotshëm kjo për shkak të kujdesit për çështjet fetare dhe për t’iu larguar mospajtimit të dijetarëve të cilët thonë se nuk lejohet namazi pas tij.

    Mëkatarët nuk duhet të vendosën si imamë, por nëse ekzistojnë si të tillë atëherë namazi pas tyre është i saktë, sepse ndoshta ata caktohen pa dëshirën e njerëzve apo nevoja e dikton namazin pas tyre.

    Ndërsa ai që i lutet dikujt tjetër pos Allahut, kërkon ndihmë nga të vdekurit dhe mbështetet në ta, pas këtij imami nuk lejohet të falemi. Me ekzistimin e këtyre veprave ai llogaritet prej jobesimtarëve – kafirave, sepse kjo është prej veprave të idhujtarëve të cilët i ka luftuar Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në Mekë dhe vende të tjera.

    E lusim Allahun ta përmirëson gjendjen e muslimanëve dhe t’iu dhuron dije në fe dhe të vendos si përgjegjës për ta më të mirët e tyre, e ai është që dëgjon dhe është afër.”[7]

    E Allahu e dinë më së miri.

    [1] Lloj guace apo rruza të cilat varen në qafë apo në dorë e të ngjashme me qëllim të largimit të dëmit apo kundër mësyshit dhe të meta të ngjashme me të.

    [2] Transmeton Imam Ahmedi me nr: 17440 dhe Shejh Shuajb Arnauti e konsideron hasen – të mirë në recensimin që ia ka bërë Musnedit.

    [3] E transmeton Ahmedi dhe Hakimi. Shejh Albani e ka përmendur në librin e tij “Sahih El Xhami” me nr: 6394 dhe konsideron të saktë.

    [4] “Mexhmu Fetava El Lexhnetid Daime”: 2/212.

    [5] Fetava El Lexhnetid Daime: 3/65.

    [6] El Munteka min Fetava Shejh El Fevzan

    [7] Mexhmuul Fetava Ibn Baz: 9/278.

    Mbresat