Dispozita për mikpritjen e haxhiut pas kthimit të tij dhe dekorimit të shtëpisë?
Muftiu : Muhamed Salih
Përktheu: Driton Lekaj
The Publisher: Zyra e Bashkëpunimit për Davet dhe Vetëdijësim të Komuniteteve - Rabve
Përshkrimi
Pyetje të cilës iu është përgjigjur hoxha i nderuar Muhamed Salih El Munexhid, e teksti i saj është: “Cila është dispozita për mikpritjen që organizohet për haxhiun pas kthimit të tij, dekorimit të shtëpisë dhe urimi i tij me fjalët: “Haxh të pranuar” dhe bërja e një banketi për këtë shkak? A llogaritet kjo prej bidateve të shpikura? Mundësisht t’i bashkëngjiten përgjigjes edhe argumentet.
-
1
Dispozita për mikpritjen e haxhiut pas kthimit të tij dhe dekorimit të shtëpisë?
DOC 2.8 MB 2019-05-02
-
2
Dispozita për mikpritjen e haxhiut pas kthimit të tij dhe dekorimit të shtëpisë?
PDF 217.8 KB 2019-05-02
Hollësitë
Dispozita për mikpritjen e haxhiut pas kthimit të tij dhe dekorimit të shtëpisë?
﴿ حكم الاحتفال بالحاج بعد عودته وتزيين البيت ﴾
] Shqip – Albanian – ألباني [
Muhamed Salih El Munexhid
Përktheu: Driton Lekaj
2010 - 1431
﴿ حكم الاحتفال بالحاج بعد عودته وتزيين البيت ﴾
« باللغة الألبانية »
محمد صالح المنجد
ترجمة: دريتون ليكاي
2010 - 1431
Pyetja: Cila është dispozita për mikpritjen që përgatitet për haxhiun pas kthimit të tij, dekorimit të shtëpisë dhe urimi i tij me fjalët: “Haxh të pranuar" dhe bërja e një banketi me këtë rast? A llogaritet kjo prej bidateve të shpikura? Mundësisht t'i bashkëngjiten përgjigjes edhe argumentet.
Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut ..
Së pari: Në traditën- synetin e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) nuk është transmetuar asgjë për sa i përket dekorimit të shtëpisë me drunj dhe drita me rastin e kthimit të haxhiut. Gjithashtu kjo nuk është transmetuar as prej Sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta).
Disa dijetarë bashkëkohorë kanë dhënë fetva se kjo nuk lejohet dhe si shkak të ndalesës kanë përmendur disa arsye, prej tyre:
1. Kjo vepër nuk është transmetuar nga Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e as nga shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta), andaj kjo është bidat.
2. Përmban dyshimin për syefaqësi.
3. Poashtu përmban një lloj shkapërderdhje të pasurisë.
Pas një vështrimi të kujdesshëm na është bërë e qartë se: Kjo vepër është e lejuar dhe atë që e kanë përmendur këta dijetarë të respektuar nuk mund të ngritët në nivel që të ndaloj dekorimin e shtëpisë për kthimin e haxhiut dhe ka mundësi t'iu kundërpërgjigjemi përmes disa pikave:
E para: Ky veprim është një zakon dhe traditë, e jo një akt i adhurimit, kështu që nuk mund të hedhet poshtë për arsye se i Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij nuk e kanë bërë atë, sepse dihet mirë se parimi themelor në lidhje me zakonet dhe traditat është se ato janë të lejueshme, dhe ai që i ndalon ato duhet të sjellë argument.
E dyta: Dekorimi që përdoret zakonisht është i thjeshtë dhe nuk përfshin ndonjë shpenzim të madh. Atë që e kemi parë është se njerëzit vendosin disa pjesë të drunjve të gjelbërt dhe një strukturë druri që zakonisht ekziston te ta. Ne nuk kemi parë dyqane të specializuara për shitjen e këtyre gjërave. Kjo aludon se ato nuk janë të shtrenjta deri në atë masë sa njerëzit do të duhej të ndaloheshin prej tyre. Po, kjo mund të thuhet për disa njerëz të pasur por, edhe kjo mund të kundërshtohet me atë se ata kanë para të mjaftueshme në mënyrë që atë që bëjnë ata nuk mund të llogaritet si shpenzim i tepërt.
E treta: Këto veprime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht syefaqësinë. Haxhi nuk është prej adhurimeve të fshehta ashtu që të frikësohemi se publikimi i tij e dikton syefaqësinë. Syefaqësia, sikur që mund të shfaqet kur njeriu promovon veten e tij si të thjeshtë, me dukje të shprishur dhe lë anash zbukurimin njësoj mund të shfaqet nëse tregohet zbukurimi dhe shprehet gëzimi për kthimin e haxhiut. Boshti i tërë kësaj sillet rreth nijetit të atij që e vepron dhe asaj që e ndjen në zemrën e tij.
Më afër është që: Ky dekorim hyn nën zakonet dhe traditat e parim themelor për to është se janë të lejuara. Ata që e konsiderojnë haram nuk kanë argumente të forta për ta kundërshtuar pikëpamjen se ato janë të lejuara.
Së dyti: Për sa i përket mikpritjes dhe kremtimit për atë që është kthyer prej haxhit si dhe përgatitjes së ushqimit për të, gjithashtu më afër është se lejohet. Bile e lejuar është që ai që kthehet prej haxhit vetë të përgatit ushqim dhe t'i thërret njerëzit në të. E si të mos thuhet se lejohet përgatitja e ushqimit për të?!
Është vërtetuar në traditën pejgamberike se Sahabët i shprehnin mikpritje udhëtarit qoftë nëse udhëtimi ishte për haxh, umre, tregti apo diç tjetër.
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dytë) ka thënë: “Kur Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka arritur në Mekë – ditën e çlirimit të saj – e kanë pritur çunat e familjes Abdul Mutalib. Ai njërin nga ata e mbante para duarsh ndërsa tjetrin mbrapa." E transmeton Buhariu me nr: 1704 në kaptinën e Umres dhe e ka titulluar: “Kapitulli i mikpritjes së haxhilerëve të ardhur dhe hipja e tre personave mbi një kafshë."
Abdullah b. Zubejri i ka thënë Ibn Xhaferit (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë): “A të kujtohet kur e prisnim të Dërguarin e Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) unë, ti dhe Ibn Abasi? Ai i tha: Po, na mbarti ne të dyve ndërsa ty të la."[1]
Abdullah b. Xhaferi ka thënë: “Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) kur kthehej nga ndonjë udhëtim e pritnim për t'i shprehur mirëseardhje." Ai tha: “Atë e pritnim ne, unë së bashku me Hasanin dhe Husejnin." Dhe vazhdoi: “Ai e barti njërin nga ne para duarve të tij e tjetrin mbrapa, gjersa hymë në Medine."[2]
Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Është e preferuar “Nakiah' e që është ushqim që përgatitet për mirëpritjen e udhëtarit. Me këtë emërtohet ushqimi i përgatitur nga udhëtari apo ushqimin të cilin e përgatit dikush tjetër për të, .. prej argumenteve për këtë është: hadithi që e transmeton Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) kur erdhi në Medine prej udhëtimit të tij e ka therë një deve apo lopë."[3] [4]
Shejh Muhamed b. Salih El Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) është pyetur:
Pyetësi: Ekziston një dukuri e cila është përhapur sidomos në fshatra, pas kthimit të haxhilerëve nga Meka.
Shejhu: Këtë vit?
Pyetësi: Përafërsisht çdo vit, përgatisin gosti dhe i quajnë: “Sakrficë për haxhilerët", apo “Gëzimi për haxhilerët", apo “Kthimi i haxhilerëve shëndosh e mirë". Mishi në këto gosti mund të jetë prej mishit të kurbanëve apo mishit të kafshëve të therura për këtë gosti. Ato zakonisht shoqërohen me një lloj teprimi në ushqimin e ofruar. Andaj cili është gjykimi i juaj shikuar nga aspekti fetar si dhe ai shoqëror?
Shejhu: Nuk ka diçka të keqe në këtë d.m.th në nderimin e haxhilerëve kur të kthehen. Kësisoj kjo është një mikpritje për ta dhe i inkurajon për ta kryer haxhin. Por, ajo që ndalohet është teprimi dhe shkapërderdhja e pasurisë të cilën e përmende. Teprimi është i ndaluar qoftë me këtë rast apo edhe në rastet e tjera. Allahu i lartësuar ka thënë: “Dhe (hani-jepni) mos teproni, pse Ai nuk i do shkapërderdhësit." (El Enam: 141) dhe ka thënë: “Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij." (El Isra: 27)
Gostia nëse është e përshtatshme sipas numrit të atyre që janë prezent apo pak më tepër: nuk ka ndonjë pengesë për të nga aspekti fetar apo për nga aspekti shoqëror. Kjo sigurisht që ndodh nëpër fshatra, ngase nëpër qytete ka humbur. Nëpër qytete shohim shumë njerëz se si kthehen prej haxhit dhe nuk përgatiten gosti për ta por, në fshatrat e vogla kjo ka mundësi të jetë prezent dhe s'ka të keqe në këtë. Banorët e fshatrave veçohen për bujarinë dhe asnjëri nga ata nuk dëshiron të jetë i mangët në bujarinë e tij ndaj tjetrit."[5]
Së treti: Ata që dëshirojnë ta urojnë haxhiun mund të përdorin shprehjet të cilat dëshirojnë por, që të jenë të lejuara fetarisht dhe të tregojnë qartësisht qëllimin e tyre, sikur: “Allahu i pranoftë adhurimet e juaja", apo “Allahu ua pranoftë haxhin tuaj", apo “Të qoftë haxhi i pranuar dhe mundi i shpërblyer". Janë transmetuar disa hadithe dhe lajme të dobëta për atë që i thuhet haxhiut pas kthimit të tij por, edhe pse zinxhiri i transmetimit të tyre nuk është i saktë nuk ka ndonjë pengesë që të përdoren duatë e transmetuara në to, e prej tyre: “Allahu e pranoftë haxhin tënd, e faltë mëkatin tënd dhe ta zëvendësoftë shpenzimin e bërë" apo “Allahu e pranoftë haxhin tënd, e shtoftë shpërblimin tënd dhe ta zëvendësoftë shpenzimin e bërë."
Kjo është një çështje e lirë për njerëzit, - e falënderimi i takon Allahut -.
Allahu e dinë më së miri.
Kategoritë: